02 Po besimi pa pendim?



Copyright © 2018 Michael A. Brown

“U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër.  Pendohuni dhe besoni në ungjillin.” (Marku 1:15)



“Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: “Zoti i njeh të vetët”, dhe: “Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit”.” (2 Tim. 2:19)





Leximi: Luka 15:11-32

Koncept mjaft pozitiv dhe i fuqishëm

      Përkrah të besuarit tek Perëndia përmes Krishtit, pendimi është një nga dy kyçet themeltare për kthimin e njeriut në jetën e krishterë si dhe për vazhdimin e ecjes së tij me Zotin në një jetë të nënshtruar dhe të bindur ndaj tij.

      Kjo nevojë parësore për pendimin u theksua nga Gjon Pagëzori (Mat. 3:1-2), si dhe nga vëte Jezusi (Marku 1:15) dhe apostulli Pjetër: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve” (Vep. 2:38).  I referohet si themeltar tek 2 Timoteu 2:19 (e cituar më sipër), dhe tek Hebrenjtë 6:1-2 pendimi është i pari që jepet në listën e mësimeve themeltare: “Prandaj… le të kalojmë te përsosja, pa hedhur përsëri themelin e pendimit…” (Heb. 6:1).

      Pendimi përmban dy elemente të domosdoshme.  Së pari, kthimi prej mëkatit dhe mosbesimit, dhe, së dyti, kthimi tek Perëndia me besim tek Zoti Jezu Krisht: “duke u dëshmuar… pendimin tek Perëndia dhe besimin në Zotin tonë, Jezu Krisht” (Vep. 20:21).  Ne pendohemi nga mëkati dhe mosbesimi dhe kthehemi tek Perëndia me besim, duke u bazuar tek ajo që Jezusi bëri për ne, i cili duke i mbartur mëkatet tona në kryq e bëri të mundur që ne të kemi një jetë të re në të.

Për arsye se pendimi përfshin kthimin (dorëheqjen) prej mëkatit si dhe problemeve dhe skllavërisë së tij, drejt një jete të lirë nga zakoni i tij, si dhe përfshin gjithashtu hyrjen në një besëlidhje me Perëndinë dhe gjithë bekimet e shpëtimit në mbretërinë e tij që kjo na sjell, pendimi nga ana biblike shihet si një koncept shumë pozitiv dhe i fuqishëm.  Është durimi dhe mirësia e Zotit që na çon në pendimin (Vep. 11:18, Romakët 2:4, 2 Pjetri 3:9).  Vërtet, siç e përsëriti Jezusi, ka gëzim përpara engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet dhe gjen liri në Krisht (Luka 15:7,10).



Pendimi e përfshin gjithë njeriun

Pendimi përfshin gjithë qenien e njeriut, dhe kjo pasqyrohet tek historia e të riut që Jezusi tregoi, i cili pasi e kishte marrë trashëgimninë në dorë, u largua nga familja dhe shkoi në një vend të largët ku shpërdoroi dhe humbi gjithçka që kishte në shthurrje dhe argëtime të kota (shihni tek Shëmbëlltyra e Djalit Plangprishës që jepet tek Luka 15:11-32).



a.      Pendimi përfshin mendjen tonë

Fjala greke që përdoret për pendim në Dhiatën e Re është metanoia që do të thotë “të perceptosh më vonë”, d.m.th. të arrish të kuptosh me vonesë.  Kjo presupozon një ndryshim tek mënyra se si ne mendojmë mbi diçka, specifikisht në lidhje me mëkatin dhe mënyrën se si e jetojmë jetën.  Ndaj pendimi në thelb të tij ka të bëjë me të ndryshuarin e mënyrës se si mendojmë dhe shikojmë gjërat nga i kuptuari ynë tek mënyra se si mendon dhe shikon Zoti gjërat nga perspektiva e tij (Rom. 12:2).  Arrijmë të kuptojmë se ai ka të drejtë dhe se mënyra jonë e të menduarit ka qenë e gabuar.  Ne arrijmë të kuptojmë se vullneti dhe mëkati ynë na kanë ndarë nga Zoti dhe rrjedhimisht e kemi prishur jetën tonë (Isa. 59:2).

Kështu që pendohemi atëherë kur kuptojmë që e kemi pasur gabim dhe dëshirojmë të ndryshojmë; kur arrijmë pikën ku nuk duam të jetojmë më me mëkatin (ose ndonjë mëkat specifik) dhe turpin e tij në jetën tonë; kur nuk duam më të vazhdojmë me mënyrën e gabuar të jetesës sonë dhe duam të lëmë mëkatin mbrapa.  Në vend të saj, duam t’i kthehemi Perëndisë dhe të mësojmë se si të ecim në rrugët e tij, në lirinë dhe bekimet e mbretërisë së tij, duke jetuar sipas fjalës së tij dhe duke bërë atë që është e drejtë në sytë e tij.  E lëmë mbrapa mënyrën tonë të vjetër të të menduarit dhe jetuarit, dhe fillojmë të mendojmë e jetojmë sipas mendjes dhe vullnetit të Perëndisë.  Luka na tregon se djali i humbur “erdhi në vete” (Luka 15:17).  Pasi përjetoi pasojat e jetës së tij të shthurur, më në fund ai arriti të kuptonte se çfarë kishte bërë dhe donte të ndryshonte.



b.      Pendimi përfshin ndërgjegjen tonë

Duke ardhur në vetvete, ai u ndërgjegjësua që kishte mëkatuar si përpara Perëndisë ashtu edhe përpara babait të tij: “Mëkatova…” (Luka 15:18).  I erdhi turp për gjërat që kishte bërë si dhe për mënyrën se si kishte jetuar.  Ndërgjegjësimi për fajin e tij krijoi keqardhje në zemrën e tij.



c.      Pendimi përfshin zemrën tonë

Zemrat tona e shprehin pendimin ne formë trishtimi për mëkatin: “u trishtuat për pendim…  Sepse trishtimi sipas Perëndisë sjell pendim për shpëtim” (2 Kor. 7:9-10).  Mund të dallojmë keqardhjen dhe ndjenjën e turpit në zemrën e këtij djali të humbur kur i tha vetes: “…do t’i them: “Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje; nuk jam më i denjë të quhem yt bir”.” (Luka 15:18-19).



d.      Pendimi përfshin vullnetin tonë dhe na çon në veprim

Sidoqoftë, fjalët, ndjenjat dhe mendimet nuk i mjaftonin djalit të humbur.  Ai kishte arritur fundin e vetvetes, ndaj, duke ditur që ai kishte pasur gabim dhe që ishin egoizmi dhe paudhësia e tij që e kishin ndarë atë nga babai i tij si dhe që e kishin shkatërruar jetën e tij, ai e përuli veten dhe tha: “Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë” (Luka 15:18).  Ai u ngrit dhe u mor seriozisht me mëkatet dhe jetën e tij të thyer.  Zemra e tij e penduar e çoi që të shkonte dhe t’i rrëfente babait mëkatin e tij, si dhe të rregullonte marrëdhënien e thyer me atë.



e.      Kështu që pendimi përfshin kthimin dhe ecjen në një drejtim të ri

Ky është kuptimi i fjalës greke epistrefo që përdoret tek Veprat 11:21 ku thuhet se“një numër i madh besoi dhe u kthye te Zoti”.  Kjo fjalë do të thotë që të kthehesh për në drejtimin e kundërt, duke nënkuptuar një vëprim me vendosmëri që bën si rrjedhojë të një vendimi të qëllimshëm që ke marrë.   Kështu që thuhet për djalin e humbur që ai “U çua, pra, dhe shkoi tek i ati” (Luka 15:20).  I braktisi mëkatet e tij dhe ia ktheu shpinën jetesës së tij të thyer, duke e lënë mbrapa.  Pendimi i vërtetë rezulton në ndryshime reale, konkrete dhe pozitive në jetën dhe sjelljen tonë.



f.       Pendimi na sjell në një marrëdhënie të pajtuar me Perëndinë

Djali i penduar u kthye tek i ati që të pajtohej me të dhe të banonte përsëri me të.  Kjo simbolizon të ardhurit në mbretërinë e Perëndisë dhe më pas të jetuarit në bashkësi me atë.  Atëherë kur i kthehemi Zotit dhe e lëmë rrugën tonë, ai ka dhembshuri për ne dhe na fal bujarisht (Isa. 55:6-7).  Ky i ri gjeti dashuri, dhembshuri, pranim dhe falje të plotë tek babai i tij.  Perëndia i përgjigjet pendimit tonë të mirëfilltë me falje dhe dashuri dhe jo me mohim, duke na dhënë kështu një fillim të ri në jetë.



Po besimi pa pendim?

“Kështu duhej të vuante Krishti dhe të ngjallej prej së vdekurish ditën e tretë, dhe të predikohej në emrin e tij pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjitha kombet” (Luka 24:46-47)



Që të neglizhojmë të predikojmë mbi pendimin, është njëlloj sikur të predikojmë një ungjill të pjesshëm, një ungjill të paplotë që nuk është aspak lajm i mirë.  Ky nuk do të ishte aspak mesazhi i mbretërisë së Perëndisë.  Nuk duhet theksuar vetëm falja e mëkateve dhe të mos mësohet në të njëjtën kohë nevoja për pendimin prej mëkatit.  Njerëzit që pranojnë vetëm aspektin e faljes dhe besimit tek Jezusi, por nuk i japin rëndësinë dhe vendin e duhur elementit të pendimit që është pjesë thelbësore e ungjillit, ka shumë mundësi që do të vazhdojnë të kenë probleme të vazhdueshme me zakonet e tyre mëkatare derisa të kuptojnë dhe të ndërgjegjësohen mbi nevojën e tyre për të dhënë dorëheqje nga mëkati.

Nëse ne vërtet duam të përjetojmë në jetët tona fitore mbi mëkatin si dhe të përjetojmë të gjitha bekimet e mbretërisë së Perëndisë, atëherë nevoja jonë parësore është që të pendohemi nga mëkati duke braktisur si mëkatin dhe zakonet mëkatare që i bashkangjiten atij (Isa. 55:7).  Njeriu që vidhte në të kaluarën, nuk duhet të vjedhë më (Efes. 4:28).  Ai që gënjente, tani duhet të thotë të vërtetën (Efes. 4:25).  Duhet të largohemi prej imoralitetit seksual të çfarëdolloj natyre, dhe të jetojmë një jetë të pastër nga ana morale (2 Kor. 12:21, Efes. 5:3-7).  Të dehurit duhet të jetë gjë e së kaluarës (1 Kor. 6:9-11).  Duhet të heqim prej vetes çdo hidhësi, inat, zemërim, të bërtitur dhe sharje (Efes. 4:31).  E kështu me radhë…

Atje ku predikimet janë të dobëta në lidhje me temën e pendimit, nuk duhet të na vijë çudi që në një kishë të tillë gjejmë njerëz që janë akoma nën zgjedhën e mëkateve të ndryshme apo të qëndrimeve të mëkatshme në jetën e tyre.  Mungesa e pendimit në ndonjë anë të caktuar të jetës së një njeriu, thjesht e lë atë njeri nën zgjedhën e mëkatit në po atë anë dhe me problemet që rrjedhojnë.  Është thjesht vetëmashtrim që të mendojmë që mund të ecim afër me Zotin, dhe në të njëjtën kohë të mos pendohemi nga ndonjë mëkat për të cilin jemi ndërgjegjësuar, që ta rrëfejmë atë dhe të bëjmë kthesë. Nuk mund të mbajmë një dorë në bakllava dhe në dorë në revani, d.m.th. njërën këmbë në mbretërinë e Perëndisë dhe tjetrën në atë të Satanait.  Kjo nuk funksionon dot.  Njeriu i cili fiton mëshirë dhe që do të ketë mbarësi, është ai që i rrëfen shkeljet e tij dhe i braktis ato, jo ai që i fsheh (Fj.U. 28:13).

Apostulli Pal i kujtoi besimtarët e kishës së Korintit për rëndësinë e punës së pendimit, kur ai i qortoi për mëkatet dhe sjelljen e tyre që po i shkaktonte shumë dëm kishës së tyre.  Ai u tha që të mos mashtronin veten në lidhje me këtë gjë – njerëzit që nuk pendohen nga jetesa e tyre e mëkatshme nuk kanë për të trashëguar mbretërinë e Perëndisë (1 Kor. 6:9-10).  Në fund të dy letrave të tij të gjata drejtuar atyre, ai i sfidoi që të “Hetoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj!  Apo nuk e njihni veten tuaj se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të paprovuar” (2 Kor. 13:5).  Për Palin, në qoftë se Krishti vërtet jetonte tek një njeri, atëherë përvoja e kësaj jete të re duhet të kishte për rrjedhojë pendimin e vërtetë prej mëkatit (2 Kor. 12:21).

Që të themi që “jemi shpëtuar nga mëkati” përmes Krishtit ka kuptim praktik vetëm atëherë kur konsiderojmë mëkate të posaçme në jetën tonë.  Për shembull, a jemi vërtet të liruar prej hidhërimit, apo vazhdojmë të mbajmë akoma ndonjë pikë hidhërimi në zemër ndaj dikujt?  A duam vërtet të lirohemi nga epshi seksual, apo mos duam që herë pas here të kënaqemi me ndonjë mendim të fshehtë e të papastër që mbajmë ne zemër?  A kemi pushuar vërtet së bëri thashetheme?  Ne shpëtojmë nga mëkate të posaçme (si këto dhe të tjera) vetëm atëherë kur tregohemi të gatshëm të merremi me to tek vetvetja, pra të pendohemi e të heqim dorë prej tyre.  Dhe për rrjedhojë kuptohet që “të shpëtuarit nga mëkati” bëhet një përvojë e vazhdueshme në jetën tonë si besimtarë, ndërsa vihemi përballë nevojës së herëpashershme për t’u marrë me dhe për të fituar mbi mëkate të posaçme duke gjetur liri të vërtetë prej tyre tek Krishti.

Besimi i vërtetë dhe pendimi qëndrojnë bashkë, ato janë dy anë të një monedhe.  Shprehur ndryshe, pendimi është fryti i besimit të vërtetë dhe i të kuptuarit të vërtetë të fjalës së Perëndisë.  Ndaj, meqenëse besimi i vërtetë përfshin atë që besimtari fillon t’i shikojë gjërat nga perspektiva e Perendisë dhe për rrjedhojë fillon të mendojë në një mënyrë të re, mund të pritet që besimtari do të fillojë të pendohet prej mëkatit dhe do të heqë dorë prej tij, jo thjesht nga veprat e mëkatit në sjelljen e tij, por edhe nga mëkatet e fshehura të zemrës.  Siç tha dikur dikush, vula e pendimit të mirëfilltë është një jetë e korrigjuar.  Ajo që na ndryshon është të qenët i gatshëm për t’i rregulluar punët.  Kështu që pendimi duhet të prekë çdo anë të jetës sonë ndërsa ballafaqohemi herë pas here me nevojën për t’u marrë me mëkate në jetën tonë personale – në sjelljen, në qëndrimet që kemi në zemër, në marrëdhëniet tona, në llojin e gjuhës që përdorim, në mënyrën se si flasim për të tjerët apo se si i kemi trajtuar, në moralin personal, në zakonet tona të këqija (përfshirë edhe ato të fshehta), në atë se çfarë ndjekim në televizor apo internet, në llojin e muzikës që dëgjojmë, e tjerë.

Atëherë kur kryetagrambledhësi i pasur e i korruptuar Zakeu u bë besimtar, ai i rrëfeu Jezusit mëkatin e tij të të zhvaturit njerëzit nga paratë e tyre.  Ai ua dha gjysmën e parave të tij të varfërve dhe gjithashtu i premtoi Jezusit që do t’ua kthente katërfish paratë njerëzve që kishte mashtruar.  Jezusi e pa këtë rrëfim dhe veprën e Zakeut si një shprehje praktike të pendimit dhe shpëtimit të mirëfilltë (Luka 19:1-10, Efes. 4:28).  Në të njëjtën mënyrë, Gjon Pagëzori priti që prifterinjtë e ditës së tij të jepnin frytet e denja të pendimit (Mat. 3:8).

Egziston një tendencë në ditët e sotme mes predikuesve për të evituar temën e pendimit.  Ky mund të jetë një tregues që ata nuk kanë arritur të kuptojnë ende apo të marrin seriozisht efektet shkatërruese të mëkatit në jetën e njeriut (madje dhe pasojat e tmerrshme dhe të përjetshme të mungesës së pendimit), ose mund të jetë tregues i faktit që ndoshta kanë frikë nga reagimi i dëgjuesve ndaj një mesazhi të tillë.  Gjithashtu, mund të jetë tregues që predikuesi nuk ka arritur t’i dojë njerëzit me dashurinë e Perëndisë.  Perëndia i do njerëzit, dhe ai do që ata të lirohen nga zgjedha e mëkatit dhe efektet e tij, ndaj ata duhet të dëgjojnë – dhe kanë të drejtë të dëgjojnë, dhe madje kanë nevojë të dëgjojnë – mësime mbi pendimin.  Dashuria e Perëndisë dhe mesazhi i mbretërisë së tij janë të qëndrueshëm – besoni DHE pendohuni.  Është pendimi ai që e çon njeriun drejt përjetimit të lirisë së vërtetë të jetës së ndryshuar si dhe bekimit të të jetuarit në mbretërinë e Perëndisë.



Kështu pendohuni dhe jetoni jetën e bekuar dhe të lirë që Perëndia do që të përjetoni

a.    Perëndia tani i urdhëron të gjithë njerëzit kudo, që të pendohen (Vep. 17:30), por ky urdhër është njëkohësisht nxitje dhe ftesë për ne.  Në punën që bëri Jezusi në kryq, Perëndia ka kryer atë që nevojitej për të nxjerrë njeriun nga errësira frymërore dhe për ta liruar nga zgjedha e mëkatit, në një jetë të lirë në mbretërinë e tij (Gjoni 8:32,36).  Nuk ka nevojë që njerëzit të mbeten më në gjendjen e tyre të mekatshme, rruga për tek mbretëria e Zotit është e hapur.  Jezusi mbarti gjithë mëkatet tona, kështu që s’ka nevojë që ne të vazhdojmë më të jemi të munduar nga ato!  Zoti dëshiron thellësisht që ne ta njohim atë, si dhe jetën dhe bekimet e tij, kështu që ai na urdhëron, na nxit dhe na fton që të bëjmë pikërisht atë që duhet ta bëjmë – pra, të marrim hapin e pendimit.



b.    Pendimi nuk do të thotë vetëm që të pranojmë Jezusin si shpëtimtarin tonë personal, por do të thotë edhe që ta njohim atë si Zoti dhe Zotërues të jetës sonë.  Kështu që pendimi përfshin nënshtrim ndaj tij, si dhe dorëzimin e jetës sonë atij, që të mund ta ndjekim atë në praktikë dhe të jetojmë jetën tonë nën autoritetin e kujdesjes së tij.  Pendimi do të thotë që të mësojmë të kuptojmë sa më mirë fjalën e Perëndisë, që t’ia përshtatim jetesën tonë dhe vendimet që marrim fjalës së tij, duke pasqyruar kështu në praktikë një të kuptuar të vërtetë të fjalës së tij.  Kjo na çon rrjedhimisht në bekimet e të jetuarit në mbretërinë e Perëndisë.



c.    Në qoftë se jeta e krishterë i ngjet një gare (shihni tek 1 Kor. 9:24-27, 1 Tim. 2:5, Heb. 12:1), atëherë besimi tek Jezusi, marrëdhënia me Perëndinë, falja SI DHE pendimi prej mëkateve përfaqësojnë së bashku vijën e nisjes të kësaj gare.  Pendimi nuk është thjesht një pengesë që duhet ta kapërcejmë diku gjetkë në pistën e vrapimit gjatë garës.



Për më tepër, në vend që të jetë diçka që ne bëjmë vetëm në fillim të jetës sonë të krishterë, pendimi duhet të zërë një vend përbërës dhe në vazhdim në jetën tone të krishterë.  Pa pendim, është e pamundur që ne të përjetojmë bekimet e plota të jetës së mbretërisë së Perëndisë.  Për sa kohë që të ketë ndonjë mëkat në jetën tonë, do të ketë nevojë që të pendohemi.  Besimtarët në jo më pak sesa pesë nga shtatë kishat që përshkruhen tek Zbulesa kap. 2-3, u nxitën për t’u penduar prej mëkateve të ndryshme (shihni tek Zbul. 2:5, 2:16, 2:21, 3:3, 3:19).



d.    Pendimi është kyçi për në një jetë të pastër, të çliruar nga mëkati.  Qëndrimet penduese të një mënyre të re të të menduari duhet të karakterizojnë jetën tonë në vazhdim (Rom. 12:2).  Pendimi do të thotë që të ndërgjegjësohemi për mëkate të posaçme në zemrën dhe jetën tonë, dhe t’i rrëfejmë ato mëkate (1 Gjoni 1:7-9, Jak. 5:16), që të largohemi prej tyre si dhe që t’i heqim nga jeta jonë.  Pendimi do të thotë që, përmes dashurisë që kemi për Zotin, të jetojmë me vendosmëri nën dritën e zbulesës dhe të kuptuarit që kemi marrë nga fjala e Perëndisë në anë të ndryshme të jetës sonë, si dhe të braktisim mënyrën tonë të vjetër të të menduarit në lidhje me ato anë.  Kështu që, që të jetojmë një jetë vërtët të lirë e të bekuar në Krisht, praktikimi i pendimit duhet të bëhet gjithëpërfshirës, i thellë si dhe në vazhdim në çdo anë të jetës sonë.



Pendimi, gëzimi dhe rifreskimi

Perëndia dëshiron dhe është i lumtur që të bashkëjetojë me popullin e tij në marrëdhënie besëlidhjeje, duke treguar prezencën e tij midis nesh, dhe çelësi për të përjetuar këtë bekim është pendimi.

Atëherë kur biri i humbur u kthye në shtëpi dhe u pajtua me të atin, i ati jo vetëm që e pranoi dhe e përqafoi, por edhe e fali plotësisht dhe më pas e tregoi gëzimin e tij për marrëdhënien e tyre të përtërirë duke festuar, sepse “i humburi u gjet”.  I vuri një rrobë të re të birit, një unazë në gishtin e tij dhe sandale të reja në këmbët e tij.  Gjithashtu e theri viçin që të festonin bashkë (Luka 15:22-24).  Ai i dha një fillim të ri në jetë.  Kjo është tabllo e hirit teprues të Perëndisë që ai shpalos ndaj nesh.  Ka gëzim në qiell kur një mëkatar i vetëm pendohet! (Luka 15:7).

Apostulli Pjetër na e tregon lidhjen midis pendimit, faljes dhe derdhjes mbi ne të prezencës rifreskuese e fuqizuese të Frymës së Shenjtë: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve; dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë” dhe “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja dhe që të vijë koha e flladit nga prania e Zotit” (Vep. 2:38, 3:19).

Përjetimi i prezencës rifreskuese dhe fuqizuese të Frymës së Shenjtë në mënyrë të tillë, është premtimi i besëlidhjes së Perëndisë per gjithë popullin e tij që jeton në pendim: “Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të eci ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im” (2 Kor. 6:16).  Kisha e hershme në librin e Veprave e përjetoi në vazhdim këtë jetë frymërore të mbushur me falje, liri, gëzim e lavdërim si dhe me fuqinë e prezencës së Zotit.  Dhe kjo mund të jetë edhe përvoja jonë sot!  Pikërisht kjo, është jeta e bekuar në të cilën na sjell pendimi.



No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.