16 Njeriu i lutjes

Copyright © 2017 Michael A. Brown
      Ka shumë përgjegjësi që duhen mbajtur në jetën e kishës apo në çdo lloj tjetër shërbese të krishterë, por ajo që i duhet Zotit më shumë sesa çdo gjë tjetër janë njerëz që luten.  Puna e shërbesës së krishterë nuk është si llojet e tjera të punës.  Suksesi i punës sonë varet nga të kuptuarit që shërbesa e krishterë është në radhë të parë punë frymërore.  Si rrjedhojë, në radhë të parë janë armët dhe mjetet frymërore ato që ne duhet të mësojmë të përdorim.  Pali tha që ne nuk luftojmë sipas mishit dhe që armët e luftës sonë nuk janë mishërore.  Ato janë frymërore, dhe janë të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat (2 Kor. 10:3-4).
      Natyra jonë mishore e reziston thirrjen për t’u lutur.  Ne nuk duam t’i dorëzohemi Zotit në mënyrë që të bëhemi njerëz që do të qëndrojmë në prezencën e tij, sepse jemi mishorë: shpeshherë i dorëzohemi tërheqjes së mishit, dhe nuk arrijmë të fitojmë mbi të.  Jemi të prirur ndaj marrëdhënieve shoqërore, më shumë sesa ndaj marrëdhënies me Zotin; e japim veten tonë ndaj punës duke u kënaqur me kënaqësinë që ajo na fal, më shumë sesa ia japim veten Perëndisë; na pëlqejnë argëtimet dhe kënaqësitë njerëzore, më shumë sesa lumturia frymërore që buron nga të qenët në prezencën e Zotit.  Ndaj shpeshherë tendenca jonë është që të jemi tepër të zënë për t’u lutur, dhe si rrjedhojë përfundojmë të thatë dhe të pafrytshëm në punën e Zotit.
      Sidoqoftë, në të gjithë Biblën si në dhiatën e vjetër ashtu dhe në dhiatën e re, herë pas here theksohet se është lutja ajo që është primare në punën e Perëndisë.  Përmes Isaias, Zoti i nxiti rojet që të mos heshtnin kurrë, as ditën as natën, të mos rrinin në heshtje dhe të mos e linin vetë Zotin të pushonte, derisa të kishte mbaruar punën e tij (Isa. 62:6-7).  Po ashtu, Jezui ua mësoi dishepujve e tij rëndësinë dhe parësinë e lutjes, kur ai ua tregoi shëmbëlltyrën e gruas së ve dhe gjykatësit të padrejtë.  Ne duhet të lutemi vazhdimisht dhe të mos ligështohemi.  Zoti sigurisht që do t’ua japë të drejtën të zgjedhurve të tij (Luka 18:1,7-8).  Për më tepër, Luka na tregon për profeteshën Anë.  Ajo ishte një grua që i ishte përkushtuar punës së lutjes, dhe nuk largohej nga tempulli, por i shërbente Zotit natë e ditë me agjërime dhe lutje (Luka 2:36-37).
      Pavarësisht nga roli që luajmë, pozita që kemi ose puna që bëjmë në kishë apo mision, Zoti kërkon besimtarë (dhe udhëheqës) të cilët do të bëhen njerëz të lutjes, njerëz të cilët tregohen gati të bëhen ndërmjetësues në punën e tij, njerëz të cilët janë mjaft të pjekur nga ana frymërore dhe të gatshëm të mbajnë barrën frymërore të punës së mbretërisë së tij.  Në një kohë të mjerë në historinë e Izraelit, Zoti u tregua mjaft i trishtuar që nuk mund të gjente as edhe një njeri që do të lutej e ndërmjetësonte para tij për kombin (Ezek. 22:30, shihni edhe tek Isa. 59:16).  Perëndia kërkon besimtarë që kuptojnë se lutja vërtet është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjnë (pavarësisht nga përgjegjësitë e tjera që mbajnë), dhe të cilët tregohen gati të bëjnë ndryshimet e nevojshme në jetesën dhe orarin e përditshëm që të arrijnë të krijojnë kohën e nevojshme për lutje.  Dhe nuk mjafton që ne të biem dakord me këtë si parim dhe madje të nxisim njëri-tjetrin që ta bëjmë, ne duhet ta vendosim në praktikë, pra ta bëjmë.
      Dihet që është e mirë dhe e nevojshme që të kalojmë kohë me Perëndinë duke pasur një kohë të qetë personale të përditshme, si dhe të kalojmë kohë në lutje kur jemi mbledhur në kishë.  Mirëpo, ka nevojë për më shumë se kaq.  Këto gjëra në vetvete janë të mira, por ato nuk mjaftojnë nëse duam të çajmë përpara nëpër dendësinë e errësirës frymërore që na rrethon dhe që i mban njerëzit nën fuqinë dhe skllavërinë e saj duke kontrolluar jetën e tyre.  Kemi nevojë të kalojmë më shumë kohë në lutje (qoftë në shtëpi apo në kishë).  Kemi nevojë të mblidhemi së bashku në kishë për kohë të gjata lutjesh, qoftë gjatë ditës apo gjatë mbrëmjes.  Duhet të tregohemi të gatshëm që herë pas here të kalojmë ditë të tëra në lutje me agjërim.  Duhet të jemi gati të ngrihemi nga krevati gjatë natës që të kalojmë kohë me Zotin dhe të ndërmjetësojmë para tij në qetësi.  Duhet ta vëmë punën e lutjes në vendin që i takon, pra në vend të parë.  Kudo që të shikojmë, qoftë në Bibël apo në jetët e atyre që Perëndia ka përdorur fuqimisht në shërbesë apo në mision, gjithmonë gjejmë të njëjtën gjë: që është pikërisht kjo cilësi dhe ky kalibër në jetën e besimtarit që Zotit i duhet të ngrejë në popullin e tij, që puna e tij në këtë botë të çajë përpara dhe të jetë e mbarë.
      Kur Zoti ka gjetur njerëz që tregohen gati për t’u lutur, atëherë ai mund të veprojë fuqimisht përmes tyre.  Ndërsa mësojmë t’i dorëzojmë jetën tonë Zotit dhe t’i bindemi atij, ndërsa i mësojmë mënyrat se si punon Fryma e Shenjtë dhe e ndjekim atë, dhe ndërsa rritemi duke ecur me Zotin të mbështetur tek ai në çdo situatë e sfidë të jetës, fillon të zhvillohet tek ne kapaciteti për të mbajtur barrën frymërore të punës së tij.  Ne bëhemi vegla apo enë nëpërmjet të cilëve Fryma e Shenjtë mund të lutet e të ndërmjetësojë (Rom. 8:26-27), dhe për rrjedhojë ai mund të veprojë fuqimisht.  Frytshmëria vjen nëpërmjet aktiviteve që janë të rrënjosura në lutje si dhe të fuqizuara prej saj.  Janë burrat dhe gratë që janë njerëz lutjesh ata të cilët prodhojnë shumë fryte (Gjoni 15:7-8,16).


No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.