27 Mrekullitë i ndjekin pas plugimit


Mrekullitë i ndjekin pas plugimit
nga A.W. Tozer
“Lëroni arën tuaj të lënë djerrë, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa ai të vijë dhe të përhapë mbi ju drejtësinë.” (Hos. 10:12)
      Këtu janë dy lloje toke: tokë e djerrë pra e papunuar dhe toka e shkriftuar nga plugimi. Toka e djerrë është e rehatuar, e vetkënaqur, e mbrojtur nga ndryshimi që shkakton plugimi dhe nga mungesa e rehatisë që shkakton kazma.  Një tokë e tillë, ndërsa qëndron e djerrë vit pas viti, bëhet një tokë e frekuentuar nga sorat dhe laraskat.  Nëse kjo lloj toke do të zotëronte inteligjencë, do të gjente kënaqësi në reputacionin e vet, sepse ka stabilitet, natyra e ka adoptuar, dhe është i garantuar fakti që do të qëndrojë gjithmonë e pandryshuar, ndërsa tokat përreth ndryshojnë ngjyrë nga kafe në të gjelbër dhe përsëri kafe.  E sigurt dhe e pashqetësuar, shtrihet rehat në diell, imazh ky i kënaqësisë së fjetur.
      Por, për qetësinë e saj ajo paguan një çmim të tmerrshëm duke mos përjetuar kurrë mrekullinë e rritjes; duke mos ndjerë kurrë etapat e zhvillimit të farës, dhe as duke parë mrekullinë e farës që shpërthen nga toka, as bukurinë e korrjes së grurit.  Këtë fryt s’mund ta përjetojë kurrë, sepse ka frikë nga plugu dhe kazma.
      Në kontrast të drejtpërdrejtë me të kësaj, fusha e kultivuar ia ka dedikuar veten aventurës së jetës.  Gardhi mbrojtës është hapur për të lejuar plugimin, dhe plugësi ka ardhur ashtu siç vjen plugësi, praktik, i pamëshirshëm, për të bërë biznes dhe me nxitim.  Paqja është trazuar nga bërtitjet e bujkut dhe nga zhurma e makinërisë.  Fusha e ka ndjerë rrugëtimin dhe presionin e ndryshimit.  Ka ndjerë dhimbje madje është kthyer kokëposhtë, është plagosur dhe thyer.
      Por, shpërblimi e ndjek punën.  Fara shpërthen në mes të ditës mrekullinë e jetës, kurioze, duke eksploruar botën e re mbi dhe.  Në gjithë fushën dora e Zotit është duke punuar në shërbimin shekullor gjithmonë të përtërirë të krijimit.  Gjëra të reja lindin, rriten, pjekurohen, dhe konsumojnë dherin, natyra profetike e mbartur nga fara kur u fut në tokë.  Mrekullitë e natyrës vijnë mbas plugimit.
Dy lloj jetësh
      Po ashtu, ka dy lloj jete: e djerra dhe e pluguara.  Për shembuj të jetës së djerrë nuk ka nevojë të shikojmë shumë larg.  Ato janë me shumicë rreth e përqark nesh.
      Njeriu i jetës së djerrë, është i kënaqur me vetveten dhe frytin që prodhoi në të kaluarën.  Ai nuk do që t’ia prishin rehatin.  Ai buzëqesh me një superioritet tolerues ndaj rizgjimit, agjërimit, vetë-hetimit, dhe çdo lloj tjetër përpjekjeje për frytshmëri si dhe ankthit të avancimit.  Tek ai shpirti i aventurës është i vdekur.  Ai është i qëndrueshëm, “besnik”, gjithmonë në vendin e duhur (si toka e djerrë), konservativ, dhe është figurë e njohur në kishën e tij.  Por, ai është i pafrytshëm.
     E ardhmja e kësaj jete është e vendosur, si në madhësi dhe në përmbajtje.  “Të jesh” ka zënë vendin e “t’u bërit.”  Më e keqja që mund të thuhet për këtë lloj njeriu është që ai/ajo “është” ai/ajo që “do të jetë.”  Ai e ka rrethuar veten me gardh, dhe nëpërmjet këtij akti ai ka shtyrë Zotin jashtë dhe po ashtu edhe mrekullinë e Tij.
I thyer për të prodhuar fryt
      Jeta e pluguar, është jeta që përmban aktin e pendimit, që e ka flakur gardhin mbrojtës dhe ka pranuar plugësin e rrëfimit brenda në shpirt.  Nxitja e Frymës, trysnia e rrethanave, dhe pakënaqësia ndaj pafrytshmërisë janë ndërthurur plotësisht për t’ia përulur zemrën.  Kjo lloj jete e ka lënë mënjanë pengesën e vetmbrojtjes, dhe e ka braktisur sigurinë e vdekjes frymërore për rrezikun e jetës së gjallë frymërore.  Pakënaqësia, uria si dhe bindja kurajoze ndaj vullnetit të Zotit e kanë plagosur dherin e shpirtit derisa përsëri është gati për farën.  Dhe si gjithmonë, fryti e pason plugimin.  Jeta dhe rritja fillojnë ndërsa Zoti “përhap mbi të drejtësinë.”  Ky person mund të dëshmojë, “Dhe dora e Zotit ishte mbi mua…”
Periudhat dinamike dhe statike
      Duke korresponduar me këto dy lloj jetësh, historia fetare tregon dy faza atë dinamike dhe atë statike.
      Periudhat dinamike ishin ato të kohëve heroike kur populli e Zotit e nxiti veten për të bërë vullnetin dhe dëshirën e Zotit, dhe çau përpara pa frikë për ta shpënë dëshminë e Zotit tek bota.  Ata shkëmbyen sigurinë ë të qenit joaktiv me rreziqet e progresit të frymezuar nga Zoti. Padyshim që fuqia e Zotit shoqëroi këtë veprim.  Mrekullia e Zotit shkoi kur dhe ku shkuan njerëzit e tij, dhe ndaloi atëherë kur populli i Tij ndaloi.
      Periudhat statike ishin ato kohë kur populli i Zotit, i lodhur nga përpjekjet, kërkoi jetë, qetësi dhe siguri.  Atëherë ata u zunë me përpjekjet e tyrë për të mbrojtur përfitimet që kishin fituar në vitet e guximshme kur fuqia e Zotit lëvizte mes tyre.
      Historia e Biblës është e mbushur me shembuj.  Abrahami u nis në aventurën e tij të madhe të besimit, dhe Zoti ishte me të.  Zbulesa, shfaqje të Zotit, dhurata e tokës së premtuar, besëlidhje dhe premtime bekimesh të bollëkshme do të vijonin si rezultat.  Më pas Izraeli shkoi në Egjypt, dhe mrekullitë u ndërprenë për katërqind vite.  Në fund të asaj kohe, Moisiu dëgjoi thirrjen e Zotit dhe mori hapin për të sfiduar sunduesin.  Një vorbull fuqie e shoqëroi këtë sfidë, dhe Izraeli së shpejti filloi të marshojë përpara.  Për sa kohë që ajo guxoi të marshojë përpara, Zoti dërgoi mrekullitë e tij për t’ia hapur rrugën përpara.  Kurdoherë që ajo u rehatua si një tokë e djerrë, Ai e ndërpreu rrjedhjen e bekimit dhe qëndroi në pritje derisa ajo të ngrihej përsëri të kërkojë fuqinë e tij.
      Kjo është një përmbledhje e shkurtër e historisë së Izraelit si dhe të kishës.  Për sa kohë që ata dilnin dhe predikonin kudo Zoti bashkëvepronte me ta duke vërtetuar fjalën me shenja (Marku 16:20).  Por kur ata u tërhoqën nëpër manastire ose luajtën me ndërtim katedralesh të bukura, ndihma e Zotit u tërhoq derisa një Luter apo Uesli u ngrit për ta sfiduar ferrin përsëri.  Atëherë si rrjedhojë Zoti e derdhi fuqinë e Tij si më parë.
      Ky ligj vepron në çdo denominacion, çdo shoqëri misionarësh, çdo kishë lokale dhe çdo besimtar.  Zoti vepron për sa kohë që populli i Tij çan përpara në jetë me guxim.  Ai ndalon kur ata nuk ia kanë më nevojën.  Mund edhe ta gjejmë sigurinë tonë larg Perëndisë, por çmimi që paguajmë për këtë rezulton në dëmtim të jetës sonë.  Kur ndërtojmë një mur rrethues të përbërë nga dhurata financiare të bollshme, kushtetuta, prestigji, agjenci nga më të ndryshmet për delegimin e detyrave tona, atëherë fillon menjëherë paraliza, një paralizë kjo që përfundon vetëm në vdekje.
Fuqia e Perëndisë
      Fuqia e Zotit vjen vetëm aty ku është thirrur nga plugimi.  Çlirohet në kishë vetëm kur ajo bën diçka duke e kërkuar me ngulm.  Me fjalën “ben” nuk nënkuptoj thjesht aktivitete.  Kisha është mjaft “e ngarkuar” siç është, por në gjithë aktivitetet e saj ajo është shumë e kujdesshme ta lërë të paprekur tokën e saj të djerrë.  Ajo zjedh që ta izolojë veprimtarinë e saj brenda kufijve të shenuar nga pankartat e frikës duke u fokusuar tek siguria totale.
      Vështro rreth e përqark sot, dhe vëzhgo se ku po ndodhin mrekullitë e fuqisë.  Asnjëherë nuk ndodhin në seminar ku çdo mësim është i përgatitur për studentin, për t’u pranuar pa dhimbje dhe mundim dhe si prej dorës së dytë.  Asnjëherë në institucionin fetar ku tradita dhe zakoni prej kohësh e kanë bërë besimin të panevojshëm.  Asnjëherë në një kishë të vjetër ku tabelat përkujtimore të ngjitura mbi orendi mbajnë dëshmi të heshtur të lavdisë së dikurshme. Rrjedhimisht aty ku besimi i guximshëm nuk po mund të çajë përpara kundër shanseve të pashpresa, aty Zoti dërgon “ndihmë nga shenjtorja.”
      Në shoqërinë misionare më të cilën kam bashkëpunuar për shumë vite, kam vënë re se fuqia e Zotit gjithmonë ka lëvizur mbi frontet e reja ku ndodheshin misionarët tanë.  Mrekullitë kanë shoqëruar avancimet tona dhe kanë ndaluar ku dhe kur ne e lejuam veten të bëhemi të kenaqur dhe ndaluam së avancuari.  Kredoja e fuqisë nuk mund të shpëtojë një punë nga shterpësia.  Duhet të jetë e shoqëruar nga veprimtaria e fuqisë.
      Por unë jam më shumë i shqetësuar për efektin e kësaj të vërtetë mbi kishën lokale dhe mbi individin.  Vështroje atë kishë ku fryti i bollshëm ishte dikur një normalitet pritshëm, por tani ka pak ose aspak frut, dhe fuqia e Zotit duket se po qëndron larg.  Cili është problemi?  Zoti nuk ka ndryshuar, as qëllimi i Tij për kishën nuk ka ndryshuar as në masën më të vogël.  Jo, vetë kisha ka ndryshuar.
      Pak hetim i vetes do të nxjerrë në pah se anëtarët e saj janë bërë si tokë e djerrë.  Ka jetuar përmes përpjekjeve të hershme, por tani ka filluar të pranojë një mënyrë jetese më të rehatshme.  Është e kënaqur të vazhdojë me programin e saj të pamundimshëm me mjaft financë për të paguar faturat e saj, dhe një numër anëtarësh kaq të madh saqë të sigurojë të ardhmen e vet.  Anëtarët e saj tani shikojnë tek ajo për siguri dhe jo për udhëheqje në betejën midis së mirës dhe të keqes.  Është shndërruar në një shkollë në vend të një garnizoni.  Anëtarët e saj janë studentë, jo ushtarë.  Ata studjojnë përvojat e të tjerëve, në vend që të kërkojnë përvoja të reja për vetveten.
      Për një kishë të tillë, e vetmja rrugë për tek fuqia, është që të dalë nga vendi ku është fshehur, dhe të fillojë të ecë përsëri në rrugën e bindjes të rrethuar nga rreziqe.  Siguria e saj është armiku i saj më vdekjeprurës.  Kisha që e ka frikë plugun po shkruan epitafin e vet, kurse kisha që e përdor plugun eshte duke ecur në rrugën e ringjalljes.

Marrë prej librit Paths to Power nga A.W. Tozer, faqet 31-38.  Copyright nga Christian Publications.  E botuar nga Moody Publishers.  E përdorur me lejë.


No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.