Copyright
© 2018 Rev. Suela Brown
Ka
shumë njerëz që edhe pse e kanë pranuar Jezusin si Shpëtimtar në jetën e tyre,
ende nuk e kanë bërë atë Zot të jetës së tyre. Besimtarë të tillë janë të dominuar nga natyra
e tyre mishore me gjithë dëshirat dhe dobësitë e saj. Edhe pse duan të përparojnë në besim, rryma e
botës dhe dallga e saj i merr përsëri, porsa këmbët e tyre prekin bregun. Këta njerëz janë të paqëndrueshëm. E duan Zotin por nuk munden t’i binden mësimit
të tij në praktikë. Mëkati dhe dobësia
dominon jetën e tyre të përditshme. Në
vend që të dehen me Frymën e Shenjtë, dehen me një apo më shumë mëkate që
karakterizojnë jetën e tyre. Nëna e
mbretit Lemuel e kishte kuptuar se dorëzimi ndaj dëshirave dhe dobësive të
natyrës mishore ishte ajo çka rrënonte mbretërit, ndaj i dha birit të saj një këshillë
shumë të vlefshme: i tha që t’i qëndronte larg tundimit, t’u qëndronte larg
femrave dhe alkoholit sepse nga këto tundoheshin, zotëroheshin dhe shkatërroheshin
mbretërit duke haruar Ligjin e Zotit. (shihni tek Fj. e. U. 31).
Por
ja që ky është realiteti i trishtueshëm. Jezusi kishte shumë njerëz që e dëgjonin, por
pak që e ndiqnin. Ai tha se nëse ne do të
duam të jemi dishepuj të tij, duhet ta marrim kryqin tonë dhe ta ndjekim përditë.
Nuk mund ta besojmë dhe ndjekim vërtet,
si dhe nuk mund të përjetojmë bekimet e mbretërisë së tij në jetën tonë, nëse
nuk marrim kryqin dhe ta ndjekim. Në këtë kryq çdo ditë ne duhet të kryqëzojmë
natyrën tonë mishore me gjithë dëshirat e saj të cilat nuk janë në përputhje me
natyrën dhe dëshirat e Frymës së Shenjtë që banon tek ne.
Samsoni,
një besimtar shumë vajosur me Frymën e Shenjtë dhe i zgjedhur nga Zoti për një
mision shumë të rëndësishëm, herë pas herë e humbi betejën e tij me natyrën e
tij mishore mëkatare, dhe e la këtë natyrë të fitojë. Dëshira për vajzat dhe tërheqja ndaj tyre
ishin problem i tij më prevalent. Ai s’mund
t’i rezistonte dot bukurisë femërore dhe as dëshirave të tij mashkullore. Por fjala e Zotit e bën të qartë se atë që do
të mbjellim dhe do të korrim. Nëse
mbjellim në bazë të natyrës mëkatare do të korrim vdekje, nëse mbjellim në bazë
të Frymës do të korrim jetë. Por
besimtari mishor dëshiron të jetë i lirë të jetojë sipas mishit pa dëshiruar të
korrë frytet e natyrës së tij mëkatare. Por
kjo nuk është e mundur. Mërziten edhe më
shumë me Zotin, sepse presin që Zoti të ndalojnë këtë proçes duke pritur që të
mbjellin sipas natyrës mishore por të mos korrin vdekjen prej saj. Duan që Zoti t’i përkrahë dhe bekojë. Kjo është një pamundësi! Nëse mbjell mëkat do të korrësh vdekje. Ky është një parim i pandryshueshëm. Nëse do të korrësh jetë, duhet t’ia dorëzosh
jetën tënde në dorë Zotit, të kërkosh të njohësh rrugën dhe mësimet e tij për çdo
sferë të jetës, dhe t’i bindesh. Bindja është
në radhë të parë kryqëzim i natyrës mishore, kryqëzim i vullnetit të bazuar në
natyrën mishore.
Samsoni
e pësoi shumë keq si rezultati i jetës së tij të shthurur. Mbreti David po ashtu e pësoi shumë keq nga mëkati
që ai bëri me Bathshebën dhe kundër Urias bashkëshortit të saj. Nuk mund të jetosh një jetë si skllav i mëkatit
dhe të përjetosh njëkohësisht bekimet e Zotit. Një besimtar i papenduar, në skllavëri
ndaj natyrës së tij mishore është si një qen me zinxhir në qafë. Zinxhiri pra natyra mëkatare mbahet në dorë
nga djalli i cili mban nën kontroll jetën tënde. Ti ke fuqi të heqësh zgjedhen e tij duke këputur
zinxhirin, pra duke kryqëzuar çdo ditë natyrën tënde mishore dhe dëshirat e
saj. Duke i thënë jo tundimit dhe duke
vepruar drejt në sytë e Zotit. Nëse je
besimtar i vërtetë ti ke fuqi. Ti mund të
pendohesh nga mëkati dhe t’i kërkosh Zotit të të ruajë, ndihmojë, mbrojë dhe
japë forcë e të mos biesh në tundim. Fitorja
është më e këndshme se skllavëria. Por nëse
vazhdon të jesh skllav i mëkatit, mos prit që jeta jote të shkojë përpara! Mos prit që bekimet e Zotit të shpalosen në
jetën tënde. Jeta jote ka për të qenë e
sabotuar dhe vullneti i tij i plotë ka për të mbetur i parealizuar.
Ndaj
nëse je një besimtar mishor, të bëj thirrje të pendohesh! Dorëzoja jetën tënde në dorë Zotit. Nëse ke mëkatuar vazhdimisht në një apo më
shumë drejtime të jetës, pendohu! Dhe
mos e përsërit më mëkatin, mos e provoko Zotin dhe mos abuzo me mirësinë dhe
durimin që ai tregon me ty. Kërko çlirim
nëse dallga e dëshirave mëkatare është tepër e fortë për ta ndaluar. Ka mundësi
që ke nevojë për çlirim nga skllavëria e errësirës në atë drejtim të jetës. Kthehu në kishë, shoqërohu me besimtarë të shëndetshëm,
kërko lutje derisa të pastrohesh plotësisht dhe të kesh fitore. Fillo të lexosh dhe studiosh Biblën. Kryqëzo çdo ditë natyrën tënde mishore e cila
do të jetë prezent në jetën tënde për sa kohë që je i gjallë. Dëshirat e saj do të vazhdojnë të luftojnë
brenda teje, do të përpiqen të të dominojnë, djalli do të përpiqet të të zërë në
lak nga dita në ditë, por ti mund të fitosh me ndihmën e Zotit dhe Frymës së
tij që banon brenda teje. Jezusi fitoi
dhe ai ishte njeri porsi ti. Djalli e
tundoi disa herë përgjatë jetës së tij, por Jezusi nuk ra në tundim dhe ishte në
gjendje të thoshte: “Djalli s’mund të gjejë vend tek unë”. Jeto një jetë në dritë, të bekuar! Ktheji kurrizin
mëkatit! Merre kryqin tënd çdo ditë, dhe
çdo ditë kryqëzo në të natyrën tënde mishore dhe dëshirat e saj. Atëherë ke për të qenë vërtet i lirë dhe fjala
e Zotit do të të mbajë të lirë.
Nëse jeni bekuar nga ky shkrim ju
lutem shpërndajeni. Faleminderit!
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.