10 Po të ikën koha…


Copyright © Michael A. Brown 2017

“Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë”
(Ps. 90:12)

      Na thuhet se në vitin 2015 jetëzgjatësia mesatare e meshkujve në Shqipëri ishte afërsisht 76.2 vjet, kurse ajo e femrave 79.7 vjet.[1]  Kështu që, sipas kësaj, një burrë që përfundon duke kaluar një jetë të tillë mesatare, do të ketë jetuar për nja 27.832 ditë (duke përfshirë edhe ditët shtesë çdo katërvjetësh).  Një burrë i cili ditën e sotme mbush 50-shin, tashmë do të ketë jetuar afërsisht 18.262 ditë, dhe i mbeten për të jetuar afërsisht 9.570 ditë të tjera.  Kuptohet që jeta e njeriut mund të zgjasë më shumë ose më pak se kaq.  Ne thjesht nuk e dimë se sa do të jetojmë.  Natyrisht që të gjithë ne urojmë të jetojmë sa më gjatë që të jetë e mundur, mirëpo fakti është që në fund të fundit askush nuk e di kohëzgjatjen e jetës së tij.  Fjala e Perëndisë na e bën të qartë që largimi ynë nga kjo jetë mund të jetë në çfarëdolloj kohe.  Mirëpo, do t’i përdor shifra të tilla për të nxjerrë në pah atë që dua ta them më poshtë në lidhje me të ardhmen e jetës sonë si dhe me kohën që na mbetet.
      Kur jemi të rinj, s’para mendojmë shumë për të ardhmen.  Në këtë moshë gjërat e së ardhmes na duken kaq larg sa duket sikur s’kanë për të ndodhur kurrë.  Zhytemi në interesat dhe qejfet e së tashmes dhe s’mendojmë për të ardhmen e largët.  Në vitet e mëvonshme, kur martohemi dhe behëmi prindër fillojmë të jemi më shumë të preokupuar me punët dhe problemet tona të përditshme, dhe jepemi pas këtyre që nga mëngjesi deri në darkë.  Koha na ikën shpejt.  Ditët dhe javët kalojnë si me vrap.  Sikur ikin dhe zhduken kaq shpejt saqë shpesh harrohen, dhe kujtimet mbeten nëpër fotografitë që bëmë në raste të ndryshme.  Vërtet që koha fluturon…  Këtë e mësuam në gjuhë latine kur ishim në shkollë: tempus fugit, thoshin romakët.  Pastaj kur të arrijmë të 40-at dhe 50-at, s’është gjë e rrallë të ndjehemi sikur jeta s’ka më tepër qëllim sesa të plotësojmë përgjegjësitë që i kemi pranë dhe kërkesat e nevojat e familjes.  Shpeshherë e pyesim vetveten se çfarë po bëjmë me jetën tonë?  Mirëpo, një ditë dikur në mes të 50-ve sikur na hapen sytë dhe zgjohemi ndaj faktit që s’paska dhe shumë kohë që na ka mbetur, si dhe që në fakt e kemi kaluar tashmë shumicën e jetës sonë.  Realizimi i këtij fakti mund të bëjë që fundi i jetës sonë të mos na duket dhe aq larg, dhe madje mund të duket shumë afër.  Na afrohet përjetësia, dhe na godet ky realitet.  Po i afrohemi shpejt kthesës së fundit dhë njëqind metërshit të finishit të garës sonë…
      Pavarësisht nga çfarë mendojnë jobesimtarët (dhe madje edhe disa të ashtuquajtur besimtarë!) në lidhje me gjykimin e përjetshëm, kjo gjë konsiderohej si një nga mësimet themelore të Krishterimit të hershëm (Heb. 6:2).  Apostujt i nxisnin shpesh besimtarët e hershëm që të kalonin jetën e tyre të përditshme nën dritën e realitetit të përjetshëm.  Jeta është e shkurtër dhe kalimtare, si një lule që mbin dhe pastaj pritet; si një hije që ikën me vrap dhe nuk e ka të gjatë; si bar që gjelbëron në mëngjes dhe në mbrëmje kositet dhe thahet; si një lule që, po t’i kalojë era sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më (Jobi 14:1-2; Ps. 90:5-6, 103:15-16).  Pavarësisht se sa të zënë mund të jenë njerëzit apo sa të kënaqur që janë me jetesën dhe rehatllëkun e tyre, është fakt që një ditë ata do të largohen nga kjo jetë.  Po të jenë besimtarë, ata do të hyjnë në prezencën e dashur të vetë Krishtit, duke gëzuar një jetë të përjetshme plot lumturi të përsosur pa prezencën e mëkatit, dhe duke pritur evaluimin e jetës së tyre nga Krishti (2 Kor. 5:10).  Mirëpo, po të jenë jobesimtarë, ata do të plandosen pashmangshmërisht dhe përhershmërisht në Hades, në realitetin e vetëdijshëm, të errët si dhe të tmerrshme të ndarjes totale nga prezenca dhe jeta e Perëndisë, pa pasur mundësi për t’u shpëtuar nga ai vend (Luka 16:19-31).  Këto fakte janë goditëse.  Dhe ajo ditë po i afrohet së shpejti secilit prej nesh...
      Për jobesimtarin, çdo ditë që kalon pa pasur mundësi të dëgjojë mesazhin e ungjillit si dhe ta pranojë këtë lajmin e mirë të shpëtimit dhe të jetës së përjetshme në Krisht, do të thotë që atij/asaj i mbetet një ditë më pak për ta dëgjuar e pranuar, dhe të shpëtojë nga fati i tmerrshëm që e pret pashmangshmërisht në përjetësi.  Përkundrazi, për besimtarin, çdo ditë që kalon i jep raste për të kaluar kohë me Jezusin dhe t’i shërbejë atij: duke ia treguar dikujt lajmin e mirë; mbase të lutet me dikë në nevojë; mbase të kalojë kohë cilësore me familjen e vet; mbase t’u shërbejë të tjerëve në dashurinë e Krishtit në çfarëdolloj mënyre, etj.  Kur arrijmë të kuptojmë se sa pak ditë na kanë mbetur dhe se sa shpejt që po kalojnë ato, kjo përbën një nxitje të përbrendshme që na shtyn të bëjmë çdo ditë të vlefshme në çfarëdolloj mënyre, qoftë e vogël apo e madhe.  Jeta këtu në këtë tokë nuk vazhdon përjetë, dhe ajo ka një “datë skadimi” (si të thuash) për secilin prej nesh.  Vërtet që ka një numër të caktuar ditësh që i ka mbetur secilit prej nesh, dhe ky numër po zvogëlohet nga dita në ditë, dhe kur të ketë arritur numrin zero, kemi mbaruar këtu…
      Ҫdo ditë, të cilën e konsumojmë thjesht duke u marrë me çështjet e pafundme të jetës njerëzore, apo në të cilën humbasim kohë dukë u marrë me kotësira, apo në të cilën nuk arrijmë të shfrytëzojmë ndonjë rast apo mundësi për të hedhur në praktikë parimet e mbretërisë së Perëndisë, është ditë e humbur.  Kur ajo ditë të ketë shkuar, nuk do ta kemi më.  Rastet dhe mundësitë të cilat nuk i përdorim apo shfrytëzojmë, ose të cilat i injorojmë apo i lëmë pasdore, janë të humbura, mbase përgjithmonë.  Sa për mua, jeta dhe shërbesa ime si i krishterë mund të kenë qenë të bekuara deri diku në të kaluarën, mirëpo kujtimet e vyera që kam për bekimet që kam përjetuar deri më tani, nuk janë garanci që e ardhmja ime do të jetë po aq e bekuar apo e frytshme.  Pyetja që më vjen mua në mend është kjo: Ҫfarë do të bëj unë me ditët që më kanë mbetur mua, këtë numër ditësh që gjithnjë e më shumë po zvogëlohet?  Si do t’i kaloj ato?
      Ne duhet t’i përkushtohemi konceptit të të bërit çdo ditë të vlefshme në lidhje me punët e mbretërisë së Perëndisë, dhe këtë gjë duhet ta bëjmë fokusin e çdo dite që kalojmë, që ta shfrytëzojmë sa më mirë atë kohë që kemi në dorë (Efes. 5:16, Kol. 4:5).  Atëherë, kur të qëndrojmë përpara Krishtit nuk ka për të na ardhur turp, sepse do të jemi të ndërgjegjshëm që i shfrytëzuam ato raste që Zoti na dha dhe nuk e shpërdoruam kot jetën tonë.  Do të kemi gëzim dhe paqe të përbrendshme duke ditur që bëmë çmos me kohën që na u dha, dhe s’do të ndjejmë keqardhje për mënyrën se si e kaluam jetën tonë si besimtarë.
      Po ti, miku im, sa ditë të kanë mbetur, a e ke llogaritur ndonjëherë?  Në ç’mënyre do ta bësh jetën tënde të vlefshme sot për mbretërinë e Perëndisë?  Dhe çfarë do të bësh me të nesërmen?  Tregohu i urtë dhe jetoji në mënyrë të mençur dhe me përgjegjshmëri para Zotit ditët që të kanë mbetur.  Ditën e sotme 50-vjeçarit i kanë mbetur 9.570 ditë, nesër do të ketë 9.569, dhe kështu në vazhdim.  Koha jote po shkon, dhe po ikën shumë shpejt…



[1] Marrë nga http://countryeconomy.com/demography/life-expectancy/albania, në datën 21.07.2017.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.