20 Dora e fshehtë




‘Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi por në zemër kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura’ (Ps. 55:21)

      Nëpërmjet këtij shkrimi dëshiroj të hedh dritë mbi një fenomen të errët, mbi dëmin që u shkaktohet personave të cilët bëhen viktimë e këtij fenomeni, mbi rëndësinë e madhe që i duhet dhënë pendimit nga ky lloj mëkati.  Natyrisht që është e pamundur të trajtoj kompleksitetin e kësaj teme në një shkrim kaq të shkurtër, por thjesht do të përpiqem të hedh sadopak dritë mbi këtë fenomen.  Ju inkurajoj miq të dashur ta lexoni këtë shkrim deri në fund, si dhe ju falenderoj për mbështetjen tuaj në punën time!  I mirëpres komentet dhe opinionet tuaja!

      Në jetën e besimtarit egzistojnë dy kategori kryesore njerëzish që kanë ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në jetën e tij/saj: ata që e mbështesin dhe ndihmojnë si në jetë dhe shërbesë të ecë përpara, dhe të tjerë të cilët nëpërmjet fjalëve, veprave apo mohimit dhe mbështetjes së mohuar, bëhen pengesë.  Ky lloj individi mund të jetë pjesë e rrethit të ngushtë si dhe të gjerë marrëdhanor të besimtarit dhe mund të shkaktojë dëm në nivele të ndryshme.  Kur ky lloj fenomeni përhapet dhe bëhet pjesë e kulturës dhe sjelljes së besimtarëve në përgjithësi, fillon të pengojë formimin e marrëdhënieve të reja dhe të dëmtojë unitetin që është i domosdoshëm për të ecur përpara si një trup.

      Edhe pse në dukje mund të shfaqet miqësor pse jo dhe admirues, për një arsye apo tjetër mbrapa shpinës tënde ky person flet në një mënyrë degraduese për ty, figurën tënde apo dhe shërbesën tënde.  E ka të lehtë ta shprehë opinionin e vet negativ mbrapa krahëve të tua, por nuk e ka guximin dhe as portofolin e fakteve të nevojshme, për të justifikuar qëndrimin e zemrës së vet hapur përpara teje.  Kjo gjë bëhet shumë e dëmshme kur qëndrimin dhe opinionin e tyre mbi ty fillojnë ta shprehin me persona të cilët Zoti i ka dërguar për të bashkëpunuar me ty apo dhe për të qenë pjesë e udhëtimit tënd në etapat e reja të jetës dhe shërbesës.  Në disa raste ndikimi negativ i këtyre personave fillon të ndihet dhe të dhembë atëherë kur deprivojnë formimin e marrëdhënieve të tua të reja në shërbesë me njerëz që janë të interesuar tek ti apo edhe të admirojnë.  Duke dëgjuar zërin e tyre negativ këta persona paksa të konfuzuar dhe shqetësuar duke mos të të njohur mjaft për të pasur një opinion të fortë mbi ty, zmbrapsen.  Por ka dhe raste të tjera kur edhe pse nuk thonë apo bëjnë diçka kundër teje, me heshtjen e tyre shkaktojnë shumë dëm.

      Ti mund të përfundosh i izoluar apo dhe i bllokuar si pasojë e këtyre personave. Aktiviteti i këtyre personave është i fshehtë dhe shpesh e mbështjellë në kamoflazh, ndaj është e vështirë t’i vendosësh përpara përgjegjësisë për fjalët, qëndrimet apo veprat e tyre. Nëse kanë qenë në pozicion drejtimi apo dhe të njohur, njerëzit u besojnë me lehtësi. Armikun që e shikon di si ta përballosh, por armikun që e ke mbrapa shpine apo mbi vete është më i vështirë ta dallosh apo përballosh, sidomos kur është i fshehur brenda zemrës së dikujt që ti e konsideron koleg apo të besueshëm:

‘Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij. Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë. Bënim bashkëbiseda të këndshme dhe shkonim bashkë në Shtëpinë e Perëndisë’ (Ps. 55:12-14).

      Një gjë është e sigurt që nëse nuk arrijnë të të mposhtin, do të përpiqen ta zhdukin emrin tënd ashtu sikurse faraonët dikur u përpoqën të vendosnin në harresë disa nga figurat e historisë së tyre duke ua fshirë emrat nga librat historikë, dhe duke ua shkatërruar statujat.

      Dikush mund të pyesë, si ka mundësi që besimtarë të tillë egzistojnë?  Është shumë e mundur sepse për sa kohë që besimtari nuk i shpall luftë të hapur natyrës së vet mëkatare, nuk jeton sipas hirit të Perëndisë, por bie pre e dobësisë së saj ai vazhdon të jetë skllav i kësaj natyre.  Të gjithë mund të bien pre e këtij fenomeni, edhe ti dhe unë.  Ndaj është e rëndësishme që të mësojmë ta dallojmë jo vetëm tek të tjerët por dhe tek vetja jonë dhe ta eliminojmë në momentin që kjo farë e hidhur fillon të hedhë rrënjë dhe fillon të infektojë dhe karakterizojë sjelljen tonë.  Bëni kujdes nga fara e farisenjve tha Jezusi.  Problemi me farisenjtë ishte se ata të zhveshur nga hiri dhe dashuria për Zotin dhe për njerëzit, të veshur me krenari dhe vetëdrejtësi i jepnin vetes lirinë të uleshin në fronin e gjykimit dhe jo vetëm të gjykonin por dhe të egzekutonin.  Ishin farisenjtë që flisnin poshtë e përpjetë se Jezusi i dëbonte demonët me fuqinë e djallit, flisnin gjithfarë të zezash kundër tij dhe dëshironin ta zinin në lak dhe ta eliminonin.  Ndërtuesit e hodhën tutje atë që ishte guri i themelit!

      Për sa kohë që njeriu nuk merret me zemrën e vet, nuk dallon dobësitë e natyrës së vet mëkatare, nuk dëshiron të ndryshojë, ky njeri do të jetë viktimë e problemeve brenda zemrës së vet lista e të cilave është e gjatë.  Nëse brenda zemrës ka papastërti, smirë, xhelozi, grindje, pasiguri, krenari, lakmi, armiqësi, zemërim etj. (Gal. 5:17-21), ky njeri do të acarohet në veçanti nga ata persona të cilët janë duke ecur përpara me Zotin.  Ky lloj personi e shikon çdo gjë nëpërmjet lentëve të tij, dhe e gjykon sipas parametrave të tij dhe jo sipas dashurisë dhe shenjtërisë së Perëndisë.  Shpesh mund të mos kenë ndonjë shkak konkret kundër teje, thjesht s’u pëlqen duke mos ditur pse, dhe fillon të jenë influencë negative.  Shkëmbimi i opinionëve, apo thashethemeve midis besimtarëve mund të ketë pasoja të rënda sidomos në ato raste kur ato drejtohen kundër personave që Zoti i ka vajosur dhe zgjedhur për të sjellë bekimin e tij tek shumë njerëz.  Edhe në Bibël gjejmë persona të tillë jo vetëm në rrethin shoqëror por dhe atë familjar.

·         Biri i mbretit David Absalomi, i hidhëruar dhe i etur për pushtet kërkonte të ulej në fronin e të atit dhe arriti deri në atë pikë saqë doli tek portat e qytetit dhe duke folur në mënyrë përçmuese dhe degraduese për të atin filloi të fitojë zemrat e njerëzve për veten e vet.  Ata filluan të pëlqejnë Absalomin dhe të ftohen ndaj Davidit (2 Sam. 15).

·         Juda Iskarioti, i cili ishte i etur për para dhe pushtet duke mos qenë i interesuar në punën e Zotit por në planet dhe ambicjet e tij personale për pushtet, fshehurazi e tradhtoi Jezusin (Luka 22).

·         Vëllezërit e Jozefit, të shtyrë nga xhelozia ndaj Jozefit arritën deri në atë pikë kulmore saqë planifikuan të vrasin vëllain e tyre, dhe kur s’ia arritën qëllimit e shitën atë si skllav dhe e fshehën të vërtetën nga ati i tyre (Zan. 37:18).

·         Gruaja e Potifarit e cila e dëshironte Jozefin për shkak të pamjes së tij të hijshme, kur nuk arriti të merrte prej tij çfarë dëshironte, u hodh kundër karakterit të tij duke e akuzuar publikisht për diçka që ai nuk e kishte bërë, për të cilën ai dhe u burgos (Zan. 39).

·         Koreu i xhelozuar nga fakti që Aaroni u zgjodh kryeprift dhe jo ai vetë, duke mos kuptuar faktin se është Zoti ai që i zgjedh njerëzit sipas vullnetit të tij dhe jo e kundërta, u rebelua kundër Moisiut dhe Aaronit duke nxitur popullin kundër tyre (Num. 16).

·         Vetë motra e Moisiut dhe vëllai i tij në një moment të caktuar u ngritën kundër Moisiut duke e gjykuar për shkak të gruas së tij dhe duke e ngritur veten e tyre në nivelin e tij frymëror duke e përçmuar atë si lider, sollën gjykim mbi veten (Num. 12).

·         Vetë mbreti Saul i shtyrë nga pasiguria dhe xhelozia e tij ndaj Davidit (xhelozi që iu ngjall kur dëgjoi një këngë që po këndohej për atë dhe Davidin), planifikonte ta eliminonte Davidin duke tentuar edhe ta vriste (1 Sam. 18).

·         Kolegët e Danielit të xhelozuar nga fakti që Danieli ishte një njeri pa të meta, gëzonte favorin e mbretit dhe avanconte në karierë, vendosën ta kapin në grackë.  Si rezultat ai përfundoi në gropën e luanëve (Dan. 6).

      Ka dhe persona të tjerë, por qëllimi im është të vë në dukje jo vetëm faktin që ky fenomen egziston, por të vë në pah dëmin që këta persona shkaktojnë, dhe pse jo t’i ndërgjegjësoj njerëzit për këtë problem.

      Duke formuar një opinion negativ me patëdrejtë për një person, thjesht sepse ti nuk e pëlqen, apo ke pasur një konflikt personal, apo ndihesh i pasigurt dhe xheloz, apo ke bindje të ndryshme me atë, ti je duke mëkatuar kundër atij personi.  Ti je duke i helmuar njerëzit me helmin tënd.  Ti je duke dëmtuar imazhin e një personi dhe marrëdhëniet e tij me të tjerët.  Ti je duke penguar avancimin e tij në punën e Zotit.  Mbase kjo mund të të japë kënaqësi dhe mbase mund të të duket se po i bën Zotit një shërbim, por po bën të kundërtën.  Nëse ke një problem personal me atë person merr guximin dhe shko dhe zgjidhe.  Nuk mund ta zgjidhësh atë problem duke e shkatërruar atë person mbrapa krahëve, përkundrazi kjo do ta keqësojë gjendjen dhe ti nuk do të çlirohesh nga problemi yt. Nëse ky person të ka ofenduar apo lënduar merr guximin të pranosh që je ende i lënduar, kërkoji Zotit hir të të shërojë dhe çlirojë nga hidhërimi, nëse është e mundur bisedoje çështjen dhe me personin që të ka mërzitur, dhe nëse nuk ke mundësi, vazhdo me jetën tënde duke ia lënë atë person Zotit në dorë.  Ai person mund të mos jetë i njëjti që ishte pesë vite më parë, Zoti punon në zemrat e njerëzve ndaj nuk ke të drejtë ta mbash të lidhur në prangat e dobësive të së kaluarës.  Nëse ky person ka qenë paraardhësi yt, dhe ka ndërtuar themelet e punës mbi të cilën ti sot po ndërton, mos ia fshi emrin, mos u ndje i kërcënuar, mos e ndrysho historinë sepse në fund do të reflektojë keq mbi ty.  E keqja është që duke pasur mëkat në zemrën tënde ti po i jep vend djallit të të mashtrojë dhe përdorë.  Satani hyri në zemrën e Judës sepse zemra e tij ishte e papenduar, dhe rezultati i asaj që ishte brenda zemrës së tij bëhet i qartë kur shohim Krishtin të kryqëzuar.

      Ki kujdes që të mos ngulësh gozhdë në ‘duart’ dhe ‘këmbët’ e askujt, të mos ngulësh një ‘shtizë’ në jetën e askujt, të mos ‘kryqëzosh’ askënd, të mos bekosh atë që Zoti ka bekuar, të mos hedhësh në gropën e luanëve atë që Zoti ka zgjedhur, dhe të mos shesësh në një jetë dhimbjeje atë që Zoti ka zgjedhur të jetë bekim për ty dhe të të japë krah në kohën e nevojës tënde.  Le të mos vijë e keqja prej teje.  Vëri kapistër gojës tënde dhe hapja Zotit zemrën tënde me gjithë mëkatin që gjendet brenda saj.  Kur Davidi pati mundësi që me të drejtë të ndëshkonte Saulin për gjithë keqtrajtimin që i kishte bërë, Davidi tha: unë nuk do të ngrej dorë kundër të vajosurit të Zotit.  Nëse ti shikon së një vëlla apo motër ka problem me karakter dhe sjellje të dëmshme dhe mëkatare, vepro sipas udhëzimit të Biblës në mënyrë që ta ndihmosh dhe jo ta shkatërrosh mbrapa krahëve.

      Nëse ti je viktimë e një individi të tillë, nëse dikush të ka gozhduar, goditur mbrapa shpine apo kufizuar, mos e humb shpresën tek Zoti.  Atë që ai do të realizojë nëpërmjet teje, do ta bëjë edhe kur portat e ferrit hidhen kundër teje.  Fal dhe ec përpara!  Nëse Zoti është me ty kush mund të jetë kundër teje?  Ai do ta shtrojë tryezën për ty në prani të armiqve të tu dhe do të bëjë që kupa jote të derdhet, ndaj mos lejo që zhgënjimi të të bëjë të mbyllesh në vetvete apo të zmbrapsesh!  Ec përpara në rrugën e Zotit nëpërmjet hirit dhe forcës së tij!  Ndiq këshillën e Zotit: ‘Hidh mbi Zotin barrën tënde dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet. Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti’ (Ps. 55).  Adonijahu, vëllai i vet u përpoq me intriga dhe mbrapa shpine që të hiqte mbretërinë nga duart e Salomonit të cilin Zoti e kishte zgjedhur.  Për një moment u duk se ai fitoi, por ishte Zoti që mori kontroll të situatës dhe ndërsa populli brohoriste lavde për Adonijahun Davidi e vajosi Salomonin mbret (1 Mbret. 1).

‘Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?  Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen kundër Zotit dhe të vajosurit të tij, duke thënë: “Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre”.  Ai që ulet në qiej do të qeshë, Zoti do të tallet me ta. Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe, dhe do të thotë: “E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.”’ (Ps. 2:1-6)

‘O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde?  Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?  Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër, që nuk shpif me gjuhën e vet, që nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij dhe nuk fyen të afërmin e tij…’ (Ps. 15:1-3)



Copyright © 2018 Rev. Suela Brown.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.