Copyright ©
2024 Michael A. Brown
“...por ata që
shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja,
vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur”. (Isa. 40:29-31)
“…u bënë të fuqishëm prej dobësisë…”
(Heb. 11:34)
Ndoshta ti
që po e lexon sot këtë mesazh, je duke kaluar nëpër rrethana të vështira, si në
jetën tënde personale apo në jetën tënde familjare. Mbase ndjen që besimi yt sikur po dobësohet
nën presionin e asaj që ti po përjeton. Ndaj
ndjehesh i rënë, i dekurajuar dhe i dëshpëruar, dhe besimin e ke të dobësuar. Ose, mbase ke
qenë shumë i zënë për një kohë të gjatë me punë apo me nevojat dhe
përgjegjësitë e familjes (dhe me punët e shërbesës!), saqë ke kaluar vetëm pak
apo aspak kohë me Zotin. Për rrjedhojë,
ndjehesh bosh nga ana frymërore, i dobët dhe larg Zotit. Në zemrën tënde, ti e di që ke nevojë të
marrësh forca të reja nga Zoti, që të rifreskohesh nga ana frymërore dhe që të
mund të përballosh atë situatë nëpër të cilën ti po kalon tani për tani. Ke nevojë të kesh
përsëri forcën e Zotit në kohën e dobësisë tënde njerëzore...
Nëpër Shkrimet e Shenjta, gjenden shumë shembuj të lidhjes midis Zotit si forca jonë (apo të
pasurit forcën e tij në jetën tonë) dhe të qenit nga ana jonë përballë vështirësive
apo rrethanave sfiduese në jetë. Për
shembull, psalmisti thotë se Perëndia mund të jetë streha dhe forca jonë,
ndihma jonë në kohën e fatkeqësisë, atëherë kur duket sikur gjithçka rreth nesh po shkatërrohet: “Perëndia është për ne
një strehë dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e
gatshme në fatkeqësi. Prandaj ne nuk do
të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit, dhe
ujërat e tij të tërbohen e të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryrjen e tij” (Ps. 46:1-3).
Në të njëjtën
mënyrë, konteksti i fjalëve të mirënjohura tek Isaia 40:31 (të cituara më
sipër) që na inkurajojnë të shpresojmë tek Zoti për të fituar forca të reja, u
referohet besimtarëve që janë duke kaluar vështirësi
dhe mbase ndjehen të braktisur nga Zoti dhe për rrjedhojë janë duke i ankuar
atij: “Pse thua, o Jakob, dhe
ti, Izrael, shpall: ‘Rruga ime i është fshehur Zotit dhe për të drejtën time
nuk kujdeset Perëndia im’?” Kështu që Zoti
u përgjigjet duke ua thënë që ata mund të fitojnë forca të reja edhe në mës të hallave të tyre: “Ai i
jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit. Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e
zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë
forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa
u lodhur” (Isa.
40:29-31).
Atëherë kur
apostulli Pal po vuante nga një “gjemb në mish” dhe i ishte lutur Zotit tre
herë që ai t’ia largonte, Perëndia i tha se hiri i tij do të ishte i
mjaftueshëm për të,
si dhe që përmes këtij hiri ai do të mund të
përjetonte fuqinë dhe forcën e Zotit tek vetja e tij kur ndjehej i dobët:
“Por
ai më tha: ‘Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi’. Prandaj, me kënaqësi të madhe, do të mburrem
më tepër me dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në
nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i
dobët, atëherë jam i fuqishëm” (2
Kor. 12:9-10).
Pasazhe të tilla (dhe shumë
të tjera!) na mësojnë se, kur jemi në kohë nevoje dhe e ndiejmë së tepërmi
dobësinë tonë njerëzore si besimtarë, atëherë ne mund të kerkojme forcën e Zotit në jetën tonë. Ai është me ne forcuesi ynë, dhe është
i gatshëm për të na dhënë gjithë forcën e tij për të cilën kemi nevojë! Madje është si premtimi i tij ashtu edhe e
drejta jonë si femijë të Perëndisë që ne të përjetojmë forcën e tij. Ai ka dhënë
shumë premtime në fjalën e tij rreth të përjetuarit forcën e tij. Jobesimtarët
nuk mund të përjetojnë e të gëzojnë këtë burim hyjnor të forcës së Perëndisë,
por ne si besimtarë këtë të drejtë e kemi në Krisht. Lavdi Zotit!
Kur ishim jobesimtarë ne ecnim në jetë thjesht me forcat tona njerëzore
që shpesh na linin në baltë, dhe kur ishim vërtet të rënë e të dekurajuar, nuk
kishim dikë që të na ngrinte dhe forconte. Por, në Krisht ne mund të kemi forcën e
Perëndisë në jetën tonë dhe mund të ecim nëpër rrethanat e jetës në fuqinë e
saj. Sidoqoftë, kur ne si besimtarë nuk
ecim në forcën e Zotit nëpër kohë sfiduese e të vështira, ndodh shpesh që
dekurajohemi dhe dëshpërohemi. Si
rrjedhojë, jeta jonë frymërore nuk është më e freskët, ne nuk jemi më të fortë
në besim dhe nuk ka fitore. Forca jonë
njerëzore vyshket, madje dhe besimi ynë nganjëherë sikur shembet nën presionin e asaj që po përjetojmë.
Kështu që është dëshira e Zotit për ne, që ne të mësojmë
të ecim në jetë me forcën e tij, në vend që të endemi të dështuar në jetë për
shkak se po i përballojmë sfidat e saj me forcën njerëzore dhe jo atë të
Perëndisë. Qëllimi i
tij është që të mësojmë të ecim në jetë me forcën e tij, sidomos kur jemi duke
kaluar përmes kohëve të vështira e sfiduese. Kështu që të
priturit në Zotin që të marrim forca të reja
është një praktikë që ne të gjithë duhet të mësojmë ta bëjmë herë pas here. Në qoftë se kemi për të ecur me Zotin gjatë
gjithë jetës sonë përmes gjithçkaje që përjetojmë, atëherë duhet të mësojmë madje dhe të zotërojmë këtë
mësim të të priturit në Zotin që të mund të
jetojmë me forcën e tij. Meqë jemi fëmijët e Zotit ne mund të
marrim hirin dhe forcën e tij, që të mos jemi si ata që nuk e njohin Zotin dhe
forca njerëzore e të cilëve dështon pikërisht në ato kohë kur ata kanë më shumë
nevojë për të. Perëndia ka për qëllim që të ngrejë në tokë bij dhe bija të
tijat që dinë se si të ecin në forcën dhe fuqinë e tij në jetë! Dhe s’ka arsye se përse nuk mund të jesh i
tillë edhe ti! Është kjo ajo që
Zoti do për ty!
Kur e përvetësojmë forcën e Perëndisë, ne
mund të ngrihemi përmbi problemet tona ndërsa po kalojmë përmes tyre. Ne mund të jemi koka, jo bishti sikur gjithmonë problemet
tona të na heqin zvarr nëpër rrugët e jetës.
Zoti mund të na japë – dhe është i gatshëm të na japë – gjithë forcën që
na duhet, dhe këtë ua jep lirisht dhe me bollëk gjithë atyre të cilët vijnë tek
ai me besim dhe e marrin për vete. Që
sot ai do që të jetë forca jote!
Sekreti i të fituarit forca të reja gjendet në domethënien
e fjalës hebreje qavah tek Isaia
40:31 (përkthyer në shqip si “shpresojnë”). Kjo fjalë do të thotë “të ndërthurur”
ose “të lidhur bashkë”, duke sugjeruar një marrëdhënie të afërt e intime midis
nesh dhe Zotit. Kjo çon pastaj në domethënien e saj figurative “të
kesh pritje”. Të pasurit pritje të tilla
ndaj Zotit nga ana jonë sugjeron që jemi duke shikuar tek ai me shpresë, duke
pritur përpara tij. Kështu që kjo fjalë
mund të përkthehet në mënyrë figurative si “të shpresuarit”, “të priturit” apo
“të besuarit”. Ky
varg edhe mund të përkthehej kështu: “ata
që lidhen me Zotin në pritje, duke pasur shpresa të gjalla tek ai, do të
fitojnë forca të reja”. Kjo fjalë qavah nxjerr
në pah rëndësinë e asaj që ne duhet të jetojmë me Zotin në një marrëdhënie të gjallë
e reale, dhe për rrjedhojë të ecim me atë përmes situatave të jetës. Pra, ajo
thekson nevojën që ne të jetojmë në vazhdim nëpërmjet bashkimit tonë të gjallë
frymërore me Perëndinë nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Perëndia nuk pret
nga ne – dhe kurrë nuk ka pritur! – që ta jetojmë jetën tonë të krishterë
thjesht me forcat tona njerëzore. Pasi e
marrim Krishtin dhe fillojmë jetën tonë të re në atë, ai nuk na lë në një
gjendje të atillë që jemi pa forcën e tij.
Kështu që ne fitojmë forca të reja duke lënë mënjanë
problemet tona dhe duke u afruar tek Perëndia, duke pritur me besim dhe adhurim
në prezencën e tij (Isa. 40:31, 30:15). Është Fryma e Shenjtë (i cili banon tek ne) ai që na jep
forcë. Emri i tij në anglisht
“Comforter” (d.m.th. Ngushëlluesi) buron nga dy fjalë në latinisht (cum fortis) që do të thonë “me forcë”. Kështu që, qëllimi i Zotit është që të na qëndrojë pranë në
vështirësitë dhe dobësitë tona, dhe të na mbushë
me forcën e duhur frymërore që ne të mund të ngulmojmë me besim dhe të kapërcejmë situatën në të cilën ndodhemi. Ne mund të përjetojmë këtë forcë hyjnore tek
vetja jonë duke u lidhur me Zotin rregullisht në prezencën e tij. Ky është një parim që Jozueu e kishte kuptuar
dhe që vetë e praktikonte. Kur ai u bë udhëheqësi
i izraelitëve dhe do t’i çonte për në tokën
e premtuar, Perëndia e nxiti që të ishte i fortë dhe shumë trim (shih tek Jozueu 1:7,9). Por
sekreti i të qenit faktikisht të fortë dhe trim qëndronte në atë që ai të
rrinte rregullisht me Zotin në prezencën e tij (Eks. 33:11), duke medituar
mbi fjalën e Zotit dhe duke iu bindur asaj: “Ky libër i
ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke
kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të
kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh” (Joz. 1:8). Ne marrim forca të reja
ndërsa rrimë në prezencën e Zotit duke medituar mbi
fjalën e tij. Fjala e Zotit është frymë dhe jetë për ne (Gjoni
6:63). Ajo na e frymëzon
besimin dhe na ngre forcë në zemër ndërsa meditojmë mbi të.
Ndërsa i afrohemi fronit të hirit dhe rrimë në prezencën
e Zotit, duke medituar mbi fjalën e tij, ne mund
t’i rrëfejmë atij dështimet dhe dobësitë tona.
Do të marrim falje prej tij dhe mund t’ia hedhim atij barrën e
shqetësimeve tona. Pastaj hiri i tij fillon
të na forcojë përbrenda (Heb. 4:16, 2 Kor. 12:9-10, 1 Pjetri 5:7). Ne mund të rrimë në prezencën e tij, duke
medituar mbi fjalën e tij dhe duke adhuruar e lutur, për sa kohë që duhet që zemrat tona të
ftohta e të rënduara të fillojnë të ngrohen dhe që hiri për të cilin kemi nevojë
të na ngrihet përbrenda nga Fryma e Shenjtë. Në këtë mënyrë ne fillojmë të forcohemi dhe
t’i kapërcejmë efektet subjektive të përbrendshme që rrethanat tona kanë pasur
mbi ne. Ndërsa
kjo ndodh brenda nesh, frika
zhduket dhe zëvendësohet nga besimi; shqetësimet, ankthet dhe të ankuarit ulen
dhe na zë paqja; dobësia njerëzore shndërrohet në forcë frymërore, e kështu me
radhë. Ky ndryshim i thellë në gjendjen
tonë të përbrendshme frymërore na tregon se jemi duke përjetuar hirin kapërcyes
të Zotit dhe forcën e tij në zemrën tonë: “është mirë që zemra të forcohet me anë të
hirit…” (Heb. 13:9).
Ndërsa e vëmë në praktikë
rregullisht këtë mësim, duke pritur në Zotin në këtë
mënyrë në kohën e nevojës sonë, ne arrijmë të kuptojmë se hiri i Zotit vërtet
që është i mjaftueshëm për gjithë nevojat tona, si dhe që forca dhe fuqia e tij
vërtet që përsosen në dobësinë tonë njerëzore. Apostull
Pali arriti të kuptonte që kjo gjë vërtet që jepte rezultate në jetën dhe shërbesën
e tij. Në fakt, duket që ai e kishte zotëruar kaq
mirë në praktikë këtë mësim, saqë ai tha për veten që ai mburrej “më tepër me dobësitë e mia” si dhe që ai kënaqej “në dobësi, në
fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica” (2 Kor. 12:9,10). Ai kishte mësuar që, kurdoherë që
ndjehej i dobët
dhe në nevojë, kishte një burim hyjnor
tek froni i hirit pranë të cilit ai mund të rrinte dhe të kërkonte ripërtëritjen e hirit e të
forcës së Perëndisë përbrenda vetes, duke e bërë përsëri të fortë nga ana frymërore
dhe duke e ndihmuar të kapërcente situatat në të cilat ndodhej
(2 Kor. 12:10). Pali e vërtetoi në përvojë që hiri i Zotit
gjithmonë ishte i mjaftueshëm për veten e tij, pavarësisht
nga rrethanat e tij:
“sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm” (2 Kor. 12:10).
Po ti, miku im? Mos ndjehesh sot i dobët dhe i
dekurajuar? Mos ndjehesh sikur gjithçka rreth teje po shkatërrohet? Mos je i rraskapitur nga kërkesat dhe
përgjegjësitë e shumta të jetës së përditshme, dhe për rrjedhojë ndjehesh larg Perëndisë? Ke nevojë për hirin e Zotit si dhe të fitosh
forca të reja në zemër!
Lëri punët e tua mënjanë për njëfarë kohe, gjej një vend të qetë
dhe kalo ca kohë me Zotin, duke u lutur me pritje dhe shpresë tek ai, dhe duke medituar mbi fjalën e tij. Ai do të jetë forca jote. Do të ta ngrohë zemrën dhe do të të
rifreskojë përsëri me hirin e tij. Forca
për të cilën ke nevojë do të ngrihet përbrenda teje. Atëherë siç thuhet tek Isaia 40:31, do të ngrihesh me
krahë si shqiponja ndërsa prezenca e Frymës së Shenjtë të ngre lart. Besimi yt do të rifreskohet e forcohet
përsëri, dhe ti do të mund të vraposh dhe të ecësh pa u lodhur. Qoftë Zoti forca jote sot!
Ja disa
vargje të tjera që janë inkurajuese dhe nxitëse në lidhje me temën e forcës së
Zotit tek ne:
“Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra
ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova”
(Ps. 28:7)
“Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti… Ata kalojnë nga një forcë te tjetra…”
(Ps. 84:5,7)
“Mos u trishtoni. Sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj”. (Neh.
8:10)
“Vetëm tregohu i fortë dhe shumë trim… Ji i fortë dhe trim; mos ki frikë dhe mos u
thyej, sepse Zoti, Perëndia yt, është me ty kudo që të shkosh”. (Joz.
1:7,9)
“Së fundi, vëllezërit e
mi, fuqizohuni në Zotin dhe në forcën e pushtetit të tij”. (Efes. 6:10)
“I dobëti le të thotë:
‘Jam i fortë!’” (Joeli 3:10)
“…dhe forca jote vazhdoftë sa janë ditët e
tua”. (Li.P. 33:25)
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.