12 Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh



Mbi të gjitha, duajeni njëri-tjetrin thellësisht, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh (1 Pjetri 4:8)





Copyright © 2017 Rev. Suela Brown



      Nuk egzistojnë njerëzit e përsosur dhe të pamëkat.  Askush nuk është pa mëkat.  Bibla thotë se nëse themi që jemi pa mëkat gënjejmë veten.  Mëkati shkatërron shumë gjëra, në veçanti marrëdhëniet, madje dhe ato më të afërtat.  Zhgënjimi, dhimbja, hidhërimi i ndan njerëzit.  Por, Jezusi tha që atje ku ka dashuri, lejo dashurinë të fitojë dhe jo mosfaljen.  Dhe le të jetë kjo dashuri e thellë dhe jo e cekët, sepse në thellësinë e dashurisë mbulohen mëkatet dhe shkeljet.  Dashuria e cekët dështon, dashuria e thellë e mposht të keqen dhe hidhërimin.  Kjo dashuri vjen nga Zoti.  Pse të mos i rrëfesh mëkatet e tua?  Pse të mos kërkosh falje?  Pse të mos paguash dëmshpërblim?  Pse të mos japësh falje?  A mos vallë nuk ia vlen të ngjitësh atë çka është thyer, të ballafaqohesh me mëkatin tënd dhe të ndjesh turp dhe pendim për hir të atyre që i do? A mos është krenaria personale më e rëndësishme se e vërteta dhe se ata që Zoti na i ka dhuruar për të na shoqëruar në udhëtimin e jetës?

      Thonë se një kockë e thyer mbasi ngjitet bëhet dhe më rezistente nga sa ishte para se të thyhej.  Një këmbë e thyer nëse qëndron e thyer nuk mund të përdoret më ashtu si marrëdhëniet e thyera, por një kockë e ngjitur, një këmbë e shëruar funksionon përsëri.  Pse të mos zgjedhësh të jetosh në paqe, në vend që të jetosh në faj apo mosfalje gjithë jetën?  Pse të mos zgjedhësh të jetosh në dritën e të vërtetës së Zotit në vend të errësirës?  Pak helm i sjell vdekje gjithë trupit, dhe nëse dikush të helmoi a do të zgjedhësh ta mbash helmin brenda vetes dhe të vdesësh?  A do të lejosh që dashuria që ke brenda zemrës për atë njeri të hidhërohet?

      Ka një mënyrë më të mirë: vërja në pah gabimin atij që ka mëkatuar kundër teje, jepi shans të pendohet dhe të kërkojë të falur.  Nëse pendohet fale dhe vazhdoni të jeni miq dhe jepini Zotit kohë të shërojë dhe ngjitë atë çka u thye.  Nëse fajtori nuk pendohet përsëri fale dhe shko në rrugën tënde duke lënë Perëndinë të merret me fajtorin!  Jeto i lirë, jeto në hirin dhe dashurinë e Krishtit!  Dhe mos u mashtro duke shpresuar se koha është ilaçi më i mirë.  Sa më shumë kalon koha, aq më shumë zmadhohet plaga.  Koha nuk shëron, nuk ngjit, nuk restauron dhe për më keq “larg syve larg zemrës”.  Por veprimi yt i bazuar në vullnetin e Zotit dhe dashurinë e tij sjell ndryshim.  Ndaj mos lejo kohën të merret me marrëdhëniet e tua, më mirë ji i guximshëm dhe merru vetë me ato nën ndihmën dhe drejtimin e Zotit!



Suela Brown


No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.