Fara e Fjalës
Copyright © 2017 Michael A. Brown
Zoti Jezu në shëmbëlltyrën e Tij të Mbjellësit e krahasoi Fjalën e Perëndisë, Ungjillin, me farën që mbillet në jetën e njerëzve nëpërmjet predikimit. Fara bie në shumë lloje të ndryshme tokash të cilat simbolizojnë zemrat e dëgjuesve. Në disa raste fara nuk ka asnjë efekt, kjo për shkak të gjendjes së zemrës së njeriut. Në të tjerat ajo fillon të rritet, por nuk arrin të lëshojë rrënjë të thella dhe kështu vdes, apo mbytet nga rritja e gjembave.
Sidoqoftë, ka njerëz të cilët simbolizohen nga toka e mirë. Zemrat e tyre janë të hapura ndaj Fjalës dhe e pranojnë atë me kënaqësi. Në ta Fjala ka efekt dhe arrin të lëshojë rrënjë, të rritet dhe më së fundi të japë fruta.
E dimë se është ligj i natyrës që fara të prodhojë vetëm fruta nga lloji i saj. Për shembull, fiku mund të prodhojë vetëm fiq dhe jo rrush etj. Ai nuk mund të japë fruta të ndonjë lloji tjetër. Ky ligj vepron gjithashtu edhe me Fjalën e Perëndisë. Fara e Fjalës jep dhe mund të japë vetëm fruta të llojit të vet. Fjala e Perëndisë mund ta prodhojë vetëm natyrën e Krishtit, sepse ky është lloji i vet. Eshtë po aq e pamundur për Fjalën e Perëndisë t'i japë frutat e mëkatit, sa ç'është e pamundur që hardhia të prodhojë fiq. Fjala e Perëndisë nuk mund të prodhojë ferra dhe gjemba shpirtërorë, por vetëm natyrën e Krishtit. Mungesa e natyrës së Krishtit tregon se nuk ka farë të Fjalës së Perëndisë që të ketë lëshuar rrënjë e bisk në zemrën e njeriut.
Tek 1 Pjetri 1:23 thuhet: “të rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë, që mbetet përjetë”. Apostull Pjetri këtu na tregon se është kjo farë e Fjalës së Perëndisë, që ndodhet brenda nesh, ajo që na e jep rilindjen, d.m.th. ajo fillon t'i lëshojë brenda nesh biskun dhe frutën e saj, natyrën e Krishtit. Kështu, kur Fjala e Perëndisë zë vend në zemrat tona dhe fillon të lëshojë bisqe, ne lindim sërisht dhe kjo natyrë e re fillon të rritet brenda nesh. Eshtë e pamundur që kjo farë të lëshojë rrënjë dhe bisqe pa pasur si rezultat një rilindje, e cila nga ana e saj ka për rrjedhojë një jetë të re.
Zoti Jezu e theksoi këtë të vërtetë të të lindurit sërisht tek Gjoni 3:3-8 “Po të them që nëse një nuk lind përsëri, ai nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë... kush nuk lind nga uji dhe nga Fryma, ai nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç'ka lindur nga mishi, është mish; dhe ç'ka lindur nga Fryma është frymë. Mos u mrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri". Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen dhe ku po shkon; kështu është edhe çdo njeri që është lindur nga Fryma”.
Kështu, Jezui thotë që është e domosdoshme që njeriu të lindë sërisht në mënyrë që të bëhet besimtar i vërtetë dhe pjesëtar i mbretërisë së Perëndisë. Ai thekson, gjithashtu, se kjo rilindje nuk është diçka natyrore, ajo është diçka frymërore që kryhet nëpërmjet veprimit të Frymës së Shenjtë: “Ç'ka lindur nga mishi, është mish; dhe ç'ka lindur nga Fryma është frymë”. Kështu pra i shohim këta dy agjentë – Fjala dhe Fryma – të veprojnë së bashku për t'i krijuar brenda nesh këtë jetë të re dhe natyrën e Krishtit.
Apostull Gjoni na e shpreh po këtë të vërtetë në një mënyrë tjetër tek Gjoni 1:12-13 ku thotë se ata që e besojnë dhe e pranojnë Jezu Krishtin në jetën e tyre, bëhen fëmijë të Perëndisë. Gjoni thotë se këta fëmijë nuk kanë lindur në mënyrë të natyrshme, nga veprimi i njeriut (as nga prejardhja e tyre natyrore, as nga vendimet apo vullneti i tyre njerëzor) por kanë lindur prej Perëndisë. Me fjalë të tjera, në zemrën e njeriut që vërtet e pranon Jezuin kryhet një veprim hyjnor që punon për ta lindur brenda tij këtë natyrë të re të Krishtit.
Kështu, është e pamundur që dikush të besojë vërtet në Jezuin pa përjetuar këtë ndryshim hyjnor në zemrën e tij. Lindja e re e prodhon natyrën e re. Ajo e prodhon jetën e re.
Kthimi i vërtetë sjell ndryshim
Na bëhet e qartë në mësimet e Dhiatës së Re se kthimi i vërtetë (në besimtar) sjell ndryshim. Nuk mund të ketë kthim të vërtetë pa këtë ndryshim. Ndryshimi përshkruhet në mënyra të ndryshme, dhe i japim tri prej atyre më poshtë. Tek Gjoni 9:39 përshkruhet si të dhënët të verbërve aftësinë për të parë; tek Efes. 5:8-9 e 2 Kor 4:4-6 përshkruhet si të kaluarit nga errësira në dritë; dhe tek Gjoni 5:21,24-25 përshkruhet si ngjallja së vdekuri. Kështu ky ndryshim është me të vërtetë ndryshim i madh! Na tregohet tek Efes. 1:19-20 e 2:1,5-6 se Perëndia vepron me këtë fuqi ringjallëse në jetën e gjithë atyre që vërtet i besojnë Jezu Krishtit.
Tek Efesianët 2:1-5 gjendja e njeriut pa Jezuin na përshkruhet kështu: ai është i vdekur frymërisht (2:1,5); është mëkatar (2:1); është i pabindur dhe jo i nënshtruar ndaj Perëndisë (2:2-3); jeton duke i ndjekur rrugët e kësaj bote (2:2); jeton nën sundimin e Satanit (2:2); jeton sipas dëshirave mëkatare, instinkteve dhe kokëfortësisë së tij (2:3). Tek Romakët 8 shtohet se ai është i drejtuar nga mishi (natyra e tij mëkatare) dhe nuk mund ta kënaqë Perëndinë (8:8); është armiqësor ndaj Perëndisë (8:7); nuk i nënshtrohet dhe nuk mund t'i nënshtrohet Ligjit të Perëndisë (8:7). Tek 2 Korintasit 4:4 shtohet edhe se ai është verbuar prej Satanit, që të mos besojë.
Gjendja e njeriut të ndryshuar, në Krisht, mund të përmblidhet në një frazë nga Dhiata e Re: Krishti ndodhet në të (shihni tek Rom. 8:10, Efes. 3:17 dhe Kol. 1:27). Njeriu i ri është njeri i lindur sërisht, fëmijë dhe trashëgimtar i Perëndisë. Ka një natyrë të re, natyrën e Krishtit. Ka ndryshuar në pjesën më të thellë të qenies së tij. Eshtë pjesëmarrës i natyrës hyjnore (2 Pjetri 1:4). Tani ka një faktor sundimtar të ri, diçka prej Perëndisë brenda tij. Ai bëhet si Jezui. Fryma e Shenjtë banon në zemrën e tij dhe e transformon atë nga dita në ditë në ngjashmërinë e Tij.
Eshtë e qartë se në qoftë se njeriu vërtet e ka këtë natyrë të re, ashtu si dhe thotë se beson, atëherë kjo natyrë e re, meqë vjen prej Perëndisë, shpejt a vonë do të shfaqet hapur. Nuk mund të mbetet e fshehur. Nuk mund të imitohet. Njeriu nuk mund të mbetet në veprimet dhe sjelljet e tij të jashtme ashtu siç ndodhej më parë. “Nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re” (2 Kor. 5:17). Dhe, natyrisht, në qoftë se nuk shfaqet kjo natyrë e re, atëherë lind pyetja: A ekziston vërtet? Njihet pema prej frutave të saj (Mat. 7:16-20). Lexojmë në Dhiatën e Re se nganjëherë pati njerëz që thoshin se besonin në Jezuin, por është e qartë se ata nuk ishin vërtet të lindur sërisht (Gjoni 2:23-25). Për shembull, Simon magjistari tha se besonte dhe madje edhe ishte pagëzuar, por cilat ishin motivet e tij të vërteta? Vetëm të fitonte fuqi frymërore e pushtet për vete! (Vep. 8:13,18-23). Thjesht shprehja e besimit ndaj Jezuit nuk provon se ka ndodhur rilindja e vërtetë frymërore.
Ky ndryshim brenda njeriut mund të shikohet në tri mënyra të ndryshme.
a. Ai është një ndryshim në natyrë
Tek Romakët 8:7-8 na tregohet se jobesimtari është nën sundimin e natyrës mëkatare të vet. Pali thotë se ai është vërtet skllav i mëkatit (Rom. 6:6,17,20). Këtë natyrë e ka trashëguar prej Adamit, nëpërmjet rebelimit të tij (Rom. 5:12-19). Ai është i korruptuar në zemër dhe nuk mund ta kënaqë Perëndinë. Lindja e re nëpërmjet farës së Fjalës së Perëndisë dhe veprimit të Frymës së Shenjtë i jep njeriut, thellë në qenien e tij, një natyrë të re. Eshtë pikërisht kjo natyrë natyra e Krishtit.
Kështu njeriu fillon të ndryshojë. Për shembull, në vend që ta dojë padrejtësinë, ai tani fillon ta dojë drejtësinë. Kur njeriu bëhet besimtar Perëndia e shpall atë të drejtë në Krisht (Rom. 5:19), dhe nëpërmjet rilindjes frymërore Ai e bën këtë drejtësi pjesë të natyrës së tij. Tek 1 Pjetri 2:24 na thuhet se qëllimi i punës së Jezuit në kryq ishte që ne besimtarë të vdesim ndaj mëkateve dhe të rrojmë për drejtësi. Njeriu bëhet i drejtë, i drejtë në praktikë, i drejtë në natyrën e tij. Kësaj nuk mund t'i shpëtojë. Njeriu fillon ta dojë drejtësinë dhe ta urrejë të keqen (Ps. 45:7). Të gënjyerit ndryshohet në të thënët e së vërtetës. Pushon të vjedhurit. Ndalon të mashtruarit. Të pasurit Jezuin tek vetja i bën të mundura gjithë këto ndryshime. Kështu e zbulon vetveten Krishti.
b. Ai është një ndryshim karakteri
Tek Galatasit 5:19-23 na përshkruhet ky ndryshim. Së pari, jepet lista e mëkateve që karakterizojnë jetën e njeriut para kthimit në besimtar. Kur ndodh kthimi kemi një ndryshim gradual, fillojmë t'i shohim frutat e Frymës në jetën e tij – një karakter me cilësitë e dashurisë, gëzimit, paqes, zemërgjerësisë, mirëdashjes, mirësisë, besimit, zemërbutësisë dhe vetëpërmbajtjes. Urrejtja kthehet në dashuri. Dëshira për hakmarrje kthehet në dëshirë për pajtim. Njeriu hidhnak dhe inatçi fillon të falë. Marrëdhëniet e prishura fillojnë të ndreqen. Gjaknxehtësia kthehet në durim etj.
c. Ai rezulton në një ndryshim dëshirash
Njeriu tregon se ka dëshira të reja, kërkesa të reja. Ai ka një dëshirë të natyrshme për punët e Perëndisë, ka dëshira të cilat nuk i ka pasur kurrë më parë; ka dëshirë për lutje; dëshirë për Fjalën; dëshirë për shoqëri me besimtarë të tjerë. Dëshirat e vjetra që ai kishte më parë për botën, shoqërinë dhe ato gjëra që e tërhiqnin më parë fillojnë të humbasin dalngadalë. Vendet ku shkonte shpesh më parë, nuk e interesojnë më. Veset e tij fillojnë të thyhen dalngadalë. Ai fillon të kuptojë se pangopësia dhe lakmia janë të kota dhe fillon t'ia besojë Perëndisë plotësimin e gjithë nevojave (Mat. 6:19-34). Ai e di tani se asgjë në këtë botë nuk mund t'ia plotësojë nevojat e brendshme të zemrës së tij. Ai nuk ndien më kënaqësi në ato gjëra për të cilat dikur drithërohej. Tani dëshira e tij e re është Jezui. Zemra e tij ndien kënaqësi të plotë vetëm me Të.
Këtë e përmbledh apostull Gjoni tek 1 Gjoni 2:15-17: “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Në qoftë se ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka, që është në botë, dëshirimi i mishit, dëshirimi i syve dhe fodullëku i jetës, nuk është nga Ati, por është nga bota. Dhe bota kalon dhe dëshirimi i saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet në përjetësi”.
Ai na ka dhënë një natyrë të re, që në mënyrë të natyrshme e do Perëndinë, fillon ta urrejë mëkatin dhe e dëshiron drejtësinë. Tani në vend të mosbindjes është bindja ajo që është e natyrshme për besimtarin. Ai na e ka shkruar ligjin e Tij në zemrat tona (Heb. 8:10). Kjo nuk mund të rrijë pa shprehur veten në jetën e besimtarit.
Sëpata godet në rrënjë të pemës
Sidoqoftë, Perëndia nuk do vetëm që të na japë një natyrë të re si ajo e Krishtit. Në atë që bëri Jezui për ne, rrënjëve të mëkatit në natyrën tonë iu dha një goditje vdekjeprurëse. Perëndia jo vetëm që e dërgoi Jezuin drejt kryqit që ne të mund të marrim falje për mëkatet tona, por gjithashtu edhe për ta shkatërruar pushtetin e mëkatit (Rom. 6:5-14, 8:3).
Kur vdiq Jezui në kryq, ai bëri gjithçka që ishte e nevojshme që ne ta gjenim faljen për mëkatet tona, për t'i marrë pastrimin e çlirimin prej pushtetit të mëkatit (1 Gjoni 1:9, Gjoni 8:34-36, Rom. 6:14). Ai i mbajti mëkatet tona, në mënyrë që ne ta gjenim faljen, dhe e theu edhe pushtetin e mëkatit, edhe atë të Satanit. Ai u ngjall së vdekuri dhe sot është i gjallë në mënyrë që t'i realizojë këto të vërteta nëpërmjet fuqisë së Perëndisë në jetën e të gjithëve që vërtet besojnë në Të.
Kështu pra, s'ka arsye pse një besimtar të jetojë nën zgjedhën e mëkatit. Eshtë thyer pushteti i tij. Dëgjoni se si e thekson Pali këtë: “Mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju” (Rom. 6:14). Kështu që mundet që besimtarët të mos jetojnë më nën zgjedhën e mëkatit. Jezui vdiq për ta thyer pushtetin e tij dhe për ta ndryshuar natyrën e njeriut në një natyrë që bëhet praktikisht e drejtë dhe e shkëputur prej zgjedhës së mëkatit. Prandaj dhe Pali, tek Romakët 6, argumenton se ne kemi vdekur ndaj mëkatit dhe nuk duhet të jetojmë më në të dhe nën pushtetin e tij.
Natyrisht që nuk po themi këtu se një besimtar nuk mëkaton kurrë, por se mëkati, ky faktor që dikur ia pushtonte jetën e ka humbur pushtetin e tij. Tek 1 Gjoni 3:8 thuhet se besimtari i vërtetë nuk e ka më zakon të jetojë në mëkat apo nën zgjedhën e tij. Nëpërmjet Ungjillit, njeriut i është dhënë rruga në të cilën do të ndryshojë natyra e tij dhe në të cilën do të thyhet pushteti i mëkatit.
Tek Efesianët 4:20-24 Pali na inkurajon ta veshim njeriun e ri dhe të mos jetojmë më sipas njeriut të vjetër. Kjo natyrë e re duhet të rritet brenda nesh dhe, ndërsa rritet, ajo bëhet më e fortë se sa natyra e mëkatshme e cila dalngadalë fillon t'i humbasë fuqinë dhe pushtetin e saj. Natyra e re ushqehet, rritet dhe forcohet me anë të mbushjes me Frymën e Shenjtë, bindjes, leximit të Biblës, lutjes, shoqërie me besimtarë të tjerë, adhurimit, të shërbyerit etj. Kjo çon në mënyrë mjaft të natyrshme në procesin e pastrimit të jetës së besimtarit.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.