Pages

37 Afërsia me Perëndinë dhe Shërbesa e Efektshme

 

Copyright © 2026 Michael A. Brown


      Megjithëse që të kemi sukses dhe ta ruajmë frytshmërinë në punën e Perëndisë na duhet gjithmonë një masë e caktuar studimi, aktiviteti, organizimi dhe menaxhimi të duhur, sidoqoftë, Jezusi na zbuloi një aksiomë tepër të vërtetë të jetës frymërore, kur tha që frytshmëria jonë në mbretërinë e Perëndisë varet në radhë të parë nga marrëdhenia e afërt dhe e rregullt me Të, ashtu si dhe shermendi i hardhisë që të japë fruta varet tek lëngu i saj jetëdhënës:

‘Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.’ (Gjoni 15:5)

      Pavarësisht nga thirrja, roli ose aktiviteti që kryejmë, suksesi dhe frytshmëria në punën që bëjmë në mbretërinë e Perëndisë rrjedhin nga marrëdhënia e afërt, e përkushtuar, dhe e vazhdueshme që zhvillojmë me Të, nuk mund të ndahen nga kjo.  Ne nuk duhet ta trajtojmë konceptin e marrëdhënies së afërt me Perëndinë sikur është një e vërtetë e bukur, ndërsa vazhdojmë të mbështetemi në praktikë tek aftësitë dhe talentet tona për të kryer punën e Zotit.  Kjo thjesht nuk funksionon.  Rezultati i vetem është aktivitet i pafuqishëm, shterpë, i pajetë dhe i pafrytshëm.  Valle, nuk e dimë këtë?!

      Thelbi i jetës së shërbesës duhet të jetë në radhë të parë ecja në marrëdhënie të afërt me Perëndinë, jo aktivitetet që bëjmë për Të.  Marrëdhënia e afërt me Perëndinë ngjiz vizion të brendshëm për punën e Zotit, dhe kjo na shtyn në aktivitete për mbretërinë e Tij, që me patjetër do të jenë të bekuara dhe të frytshme.  Kështu ndodhi me apostujt e hershëm.  Fryma e Shenjtë ishte në gjendje t’u komunikonte vizionin për punën e Zotit ndërsa ata po kalonin kohë cilësore së bashku, në praninë e Zotit, duke adhuruar dhe agjëruar:

‘Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe agjëronin, Fryma e Shënjtë tha: <<M’i ndani veç Barnaban dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur>>.’ (Vep. 13:2)

      Është pikërisht kultivimi i marrëdhënies së afërt dhe të rregullt mbrapa skenave që na çon tek bekimi dhe prania e Perëndisë në adhurim dhe në predikim publik.  Këto nuk burojnë thjesht nga muzika apo argëtimi frymëror dhe përpjekje me forcat tona, por burojnë nga një jetë që kalohet në afërsi të shpeshtë me Perëndinë.  Një burrë apo një grua që kalon përditë kohë në afërsi me Perëndinë gjatë javës, do të jetë i/e mbartur pashmangshmërisht me praninë e Perëndisë kur vjen në kishë të dielën për të predikuar apo për të adhuruar.  Dhe e kundërta e kësaj është po aq e vërtetë: nëse nuk kalojmë shume kohë me Zotin gjatë javës, atëherë nuk do ta përjetojmë shumë praninë dhe bekimin e Tij në takimin e së dielës, pavarësisht se sa mirë jemi përgatitur për këtë në mënyra të tjera.

      Ne s’mund ta arrijmë me forcat tona njerëzore pasjen e pranisë se Perëndisë, por kjo ndodh kur kemi qenë me Perëndinë, dhe kështu e sjellim praninë e Tij me ne, kur vijmë në kishë dhe u shërbejmë njerëzve.  Ashtu si lëngu jetëdhënës i hardhisë rrjedh nëpër shermendin, njeriu i cili kalon shpesh kohë me Perëndinë është ai që do ta mbartë praninë e Zotit kur del nga koha e kaluar me Zotin, ashtu siç e përjetoi Moisiu (Eks. 34:29-35).

      Çdo shërbëtor i Perëndisë që dëshiron që Zoti ta përdorë në shërbesë në mënyrë domethënëse dhe të frytshme, duhet ta mësojë (dhe madje ta zotërojë) mësimin e pasjes së marrëdhënies së afërt, të rregullt dhe të përkushtuar me Perëndinë.  Me të vërtetë, rritja dhe pjekuria e ecjes sonë me Perëndinë karakterizohet nga dëshira gjithnjë dhe më e thellë për një marrëdhënie më të ngushtë, më të afërt dhe më të rregullt me Të.  Është aksiomë themelore e jetës frymërore, e vërtetuar pafundësisht nga shërbëtorët e Zotit, gjatë shekujve, që e gjithë shërbesa e efektshme dhe e frytshme vjen nga një jetë e jetuar në marrëdhënie të ngushtë me Zotin.

      Afërsinë me Perëndinë mund ta fitojmë ose humbasim çdo ditë.  Ata që e gjejnë Perëndinë dhe ecin vazhdimisht pranë Tij, dhe që mbartin praninë e Tij jane ata që e dëshirojnë aq shumë praninë e Perëndisë saqë janë të gatshëm të lënë mënjanë gjithçka që e pengon marrëdhënien e tyre të ngushtë me Të, me qëllim që të mund t’i jepen atij plotësisht.[1]

      Jozueu duket që e kishte mësuar këtë ndërsa ishte akoma i ri, duke vëzhguar nga afër Moisiun.  Si shërbëtor i Moisiut, ai e përcillte për tek Çadra e Takimit, ku Moisiu takohej dhe bisedonte me Zotin.  Sidoqoftë, pasi Moisiu largohej, Shkrimi na thotë që Jozueu rrinte në çadër dhe nuk largohej:

‘Pastaj Moisiu kthehej në kamp.  Por Jozueu, biri i Nunit, zbatuesi i tij i ri, nuk largohej nga çadra.’ (Eks. 33:11)

      Jozueu i kishte kuptuar gjërat.  Ai e dinte që Moisiu mund ta dallonte qartësisht zërin e Zotit dhe që prania dhe fuqia e Zotit ishin me të.  Ai e lidhi këtë me faktin që Moisiu kalonte kohë rregullisht në afërsi me Zotin, duke u lutur në Çadrën e Takimit.  Dhe ç’bëri Jozueu? – e ndoqi shembullin e Moisiut.  Ai filloi praktikën e tij personale, duke qëndruar gjatë në praninë e Perëndisë, me qëllim që dhe ai ta përjetonte vetë këtë lloj afërsie ndaj Zotit, siç bënte Moisiu.  Jozueu e lakmonte praninë dhe fuqinë e Zotit, duke i thënë vetes: << Po ja këtë e dua dhe unë! >>.  Prandaj të mos habitemi që dhe Jozueu mund ta dallonte zërin e Zotit dhe ta udhëhiqte siç duhet popullin e Perëndisë, kur ai vetë u bë udhëheqësi i tyre më vonë.  Dhe nga e mësoi këtë? – duke qenë rregullisht në afërsi me Zotin!

      Shikoni Davidin, i cili kalonte kaq shpesh kohë adhurimi dhe lavdërimi, ndërsa ngrihej në agim që të kalonte kohë me Perëndinë (Ps. 57:8, 63:1).  Përse e kishte këtë zakon ai? – sepse pavarësisht dobësive dhe dështimeve, ai e donte Perëndinë më shumë se çdo gjë tjetër në jetë.  Ishin dëshira për praninë e Perëndisë dhe adhurimi që rridhte nga dashuria për Perëndinë ato që e tërhoqën mënjanë aq shpesh me harpën e tij.  Dhe fryti i kësaj është që dhe ne të gjithë sot jemi aq të bekuar nga psalmet e tij.

      Dhe çfarë të themi për Anën, një plake në të tetëdhjetat e cila lutej rregullisht ditë e natë, duke adhuruar dhe agjëruar?  Si vallë e bënte këtë?  Në njëfarë kuptimi, ishte gjë tepër e thjeshtë: që kur i vdiq burri shumë vite më parë, ajo u përkushtua me ngulm që të zhvillonte një marrëdhënie të afërt dhe të ngushtë me Perëndinë.  Dhe nga dashuria gjithnjë dhe më e thellë që kishte për praninë e Perëndisë, ajo tërhiqej mënjanë shpeshherë derisa pothuajse s’donte të bënte gjëra të tjera!  Perëndia e pa këtë përkushtim dhe dëshirë të thellë që kishte ajo, dhe zhvilloi tek ajo një shërbesë profetike.  Shërbesa e saj profetike u ngjiz dhe doli prej marrëdhënies së saj të ngushtë dhe të vazhdueshme me Perëndinë (Luka 2:36-38).

      Kështu që, nëse duam që jeta jonë të jetë bekim për të tjerët si dhe të prodhojë fruta për mbretërinë e Perëndisë, do të përfitonim shumë nga studimi dhe imitimi i jetëve dhe praktikave të paraardhësve tanë në besim, ashtu siç bëri Jozueu (Heb. 13:7).  Siç na tregojnë shembujt e mësipërm, burrat e mëdhenj dhe gratë e mëdha të besimit, që ecnin në praninë dhe fuqinë e Perëndisë, të gjithë ishin njerëz që e donin Perëndinë dhe e lakmonin praninë e Tij mbi gjithçka tjetër.  Dashuria e tyre për Zotin i kishte zhvendosur dëshirat mishore për gjërat e botës.  Dëshira dhe malli i zemrës së tyre për të qenë me Perëndinë ishte shtysa e tyre e brendshme për të kërkuar fytyrën e Tij.  Kështu që ata zhvilluan zakonin e rikthimit herë pas here në afërsi me Zotin, vazhdimisht disa herë, përditë (madje shpesh edhe përnatë).  Në këtë kuptim ata iu përkushtuan të jetuarit në frymën e lutjes, duke u lutur pa pushim (Kol. 4:2, 1 Selan. 5:17).  Ata qëndronin me ngulmim afër Perëndisë.

      Adoniram Judsoni e praktikonte vetëdisiplinën që të kalonte kohë të caktuara të shkurtra me Zotin gjatë ditës dhe gjatë natës.[2]  Po kështu dhe Ris Hauëlls (Rees Howells) dhe biri i tij Samueli kurrë nuk kalonin një ditë pa pasur kohëra domethënëse me Zotin.  Kur reflektojmë mbi anekdotën që Smith Uigëlzuorth (Smith Wigglesworth) rrallë lutej më shumë se njezët minuta, gjithashtu duhet ta kemi të qartë që rrallë ndodhte që ai të mos kalonte pa u lutur njezët minuta.  Ai sigurohej që të qëndronte shumë pranë Perëndisë dhe e mirëmbajti vazhdimisht këtë afërsi me Perëndinë.  Kjo na e bën të qartë që ai kujdesej ta ruante këtë marrëdhënie të ngushtë të shpirtit të tij me Zotin, dhe nuk e lejonte veten të largohej nga kjo marrëdhënie e ngushtë, edhe gjatë viteve të mëvonshme të shërbesës së tij, mbas vdekjes së gruas.

      Për më tepër, ndërsa kalojmë shpesh kohë në afërsi me Zotin, siç bënin këta burra dhe gra të Perëndisë, edhe ne mund t’u shërbejmë të tjerëve me efektshmëri të vazhdueshme duke u mbarsur me freskinë dhe fuqinë e prezencës së Zotit.  Në qoftë se ne kemi kuptuar se çfarë janë frutat e të jetuarit në afërsi me Perëndinë, dmth që do të mbarsemi me prezencën dhe fuqinë e tij, siç e kishte kuptuar Jozueu, atëherë pa dyshim që edhe ne kemi për të vlerësuar dhe lakmuar afërsi të tillë mbi gjithçka tjetër në jetë.

      Ne do të bëhemi burra dhe gra të cilët mund të dallojnë dhe të dinë se kur po na flet Perëndia.  Prezenca e tij do të jetë me ne në mënyrë të ndjeshme, dhe për rrjedhojë të tjerat do të na ndjekin.  Do të bëhemi të ndjeshëm ndaj Frymës së Shenjtë, dhe do të mësojmë të ecim në prezencën, fuqinë dhe veprimtaritë e tij karismatike.  Ndërsa mendja jonë harmonizohet me mendjen e Krishtit, ne do ta marrim fjalë njohurie dhe profetike në lidhje me njerëz të tjerë.  Ndërsa zemra jonë mbushet me dhembshurinë dhe dashurinë e Perëndisë, ai do të mund të veprojë nëpërmjet nesh me fuqinë e Tij shëruese ndaj të tjerëve.  Ndërsa adhurojmë lirisht së bashku me besimtarë të tjerë, ne do të mund t’i çojmë ata në ndjesinë e pranisë së tij.  Vajosja e tij jetëdhënëse do të rrjedhë përmes nesh ndërsa predikojmë dhe vëmë duart mbi të tjerët, etj.

      Është shkruar për zakonet e Xhon Hajdit (John Hyde) ndërsa shërbente në konferencën e përvitshme në Sialkot, që ai mendonte se vendi i tij ishte tek dhoma e lutjes.  Mirëpo, kuptohet që nganjëherë i duhej të vinte në katedër për të predikuar.  Mesazhet e tij spikasnin nga fuqia e tyre e jashtëzakonshme.  Sidoqoftë, kjo mund të pritet përderisa ai vinte drejtpërdrejt nga dhoma e lutjes për të dhënë mesazhin e tij.[3]  Ndërsa kalonte orë të tërë në lutje dhe ndërmjetësim në dhomën e lutjes, Hajdi ngopej me praninë e Perëndisë, dhe kështu ai mbarte këtë prani dhe fuqi kur paraqitej në katedrën e predikimit.  Në raste të tilla, ai nuk lejonte që prania dhe fuqia e Perëndisë, që mbarteshin tek ai, të veniteshin duke u marrë ndërkohë me gjëra të zakonshme.  Ai shkonte drejtpërdrejt nga dhoma e lutjes në katedrën e predikimit!  Kështu që nuk është për t’u habitur që mesazhet e tij ishin aq të fuqishme, dhe që ua ndryshonin jetën shumë njerëzve.

      Nuk është e thënë që këto kohë të tilla të rregullta që kalojmë në lutje, adhurim apo duke lexuar fjalën e Perëndisë me patjetër duhet të jenë të gjata.  Ato mund të jenë dhe të shkurtra por cilësore.  Puna është që ato të mjaftojnë për ta mbajtur të zjarrtë pasionin tonë frymëror të brendshëm, si dhe për ta mbajtur ngrohtë dashurinë e zemrës sonë për Zotin, si dhe të freskët mendjen tonë ndërsa lexojmë fjalën e tij.

      Vajtja mënjanë disa herë përditë për kohë të shkurtra në këtë mënyrë, na mundëson që të qëndrojmë rregullisht në një gjendje frymërore të tillë që të jemi duke ecur në hirin, lirinë, paqen dhe gëzimin e brendshëm të Zotit.  Ndërsa ecim në këtë hir dhe paqe të brendshme, ne mbetemi të freskët frymërisht dhe jemi të gatshëm t’u shërbejmë njerëzve kurdo që duhet.  Gjithashtu mund të merremi me sfidat dhe punët e përditshme në mënyrën e duhur, të forcuar nga hiri dhe paqja e Krishtit.

      Ndërsa ngulmojmë të ruajmë një kohë dhe vend të tillë me Perëndinë, në këtë mënyrë do ta ruajmë marrëdhënien tonë me Perëndinë, të ngrohtë, të dashur dhe pasionante.  Nuk do të endemi larg tij, pavarësisht detyrave që duhet të kryejmë në jetën dhe punët e përditshme.  Kurrë nuk kemi për të qenë larg Zotit, dhe zemra jonë nuk ka për t’u ftohur aq shumë saqë të na duhet një kohë e gjatë dhe shume rrëfime dështimi nga ana jonë që pastaj të mund të hyjmë përsëri në atë vend të afërsisë frymërore me Zotin.  Do të duhet vetëm një kohë e shkurtër për të hyrë në atë vend që të na freskohet dhe ngrohet përsëri zemra.  Një buzëqeshje e gëzueshme dhe tingulli i përlëvdimit dhe dashurisë për Zotin nuk kanë për të qenë kurrë larg buzëve tona!

‘<<Unë do të bëj që ai të afrohet dhe ai do të vijë afër meje.  Kush, pra, do të porosiste zemrën e tij që të më afrohet?>>, thotë Zoti.’ (Jer. 30:21)

 


© 2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.

Autori: Michael A. Brown, Angli.

Redaktuesi: Milto Marko, Finlandë.

Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga © 2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip, përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.

 

 



[1] Joyner, R. The Final Quest, Charlotte: Whitaker House, 1996, fq.140-141.

[2] Bounds, E.M. Power Through Prayer, Whitaker House: Springdale, 1982, fq.48-49.

[3] Carré, E.G. (Ed.), Praying Hyde, South Plainfield: Bridge Publishing, 1982, fq.93-94.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.