32 Zjarri ndez zjarr


Zjarri ndez zjarr
nga Leonard Ravenhill
      Njerëzit e lutjes duhet të jenë njerëz prej çeliku, sepse ata do të sulmohen nga Satani që përpara se të përpiqen ata të sulmojnë mbretërinë e tij.
      Të luturit që është thjesht një listë kërkesash i parashtruar Zotit të universit, është vetëm ana më e vogël e kësaj të vërtete shumëanëshe.  Si çdo gjë tjetër në jetën e të krishterë, ne mund të humbasim bilancën e duhur kur vjen fjala për lutje.  Lutja nuk e zëvendëson dot punën.  Mirëpo, po aq e vërtetë është se edhe puna nuk e zëvendëson dot lutjen.  Në veprën e tij mjeshtërore, por pak të panjohur, “Arma e Lutjes” (“The Weapon of Prayer”), E. M. Bounds thotë: “Është më mirë që ta lëmë mënjanë punën për njëfarë kohe për arsye se duhet të lutemi, sesa të neglizhojmë fare lutjen për arsye se jemi aq të zënë me punë”.  Gjithashtu ai thotë: “Veglat më të efektshëm në përhapjen e njohurisë së Zotit, në bërjen e punës së tij në tokë, të cilët si mure të forta u bëjnë ballë valëve të ligësisë, janë udhëheqësit lutës të kishave.  Zoti mbështetet në ta, i përdor ata dhe i bekon”.
      Padyshim që ringjallja vonohet sepse puna e lutjes zbehet.  Asgjë nuk e frikëson Satanin ose ferrin më shumë sesa njerëzit që luten.  Një njeri që ka jetuar gjatë, nuk do të thotë se ka jetuar mirë.  Një njeri vetëm njëzet e tetë vjeç mund të vdesë me një mençuri si prej njëqind vitesh.  Pilivesa del nga lëvozhga dhe, e veshur me ngjyrë blu si prej safiri, fluturon nëpër fushat vetëm për disa ditë.  Mirëpo, asnjë lule në tokë nuk ka ngjyrë më të thellë e më të bukur sesa këtë ngjyrë blu të tijën.  Kështu është edhe në sferën frymërore.  Rrobat më të pasura të shpirtit thuren në tezgjahët e lutjes dhe ngjyrosen në vuajtjet e Krishtit.
      Misionarët e tjerë e kishin zili jetën frymërore të Henry Martyn-it.  Njëri tha për të: “Oh, sikur të mund të imitoja sjelljen e tij të përsosur, devotshmërinë e tij, zellin e tij, epërsinë e tij ndaj botës, dashurinë e tij për të tjerët, merakun e tij për të shfrytëzuar çdo rast për të mirën frymërore të të tjerëve, të kuptuarin e tij të Krishtit si dhe temperamentin e tij qiellor!”  Këto cilësitë e përbëjnë sekretin e përshtypjeve të mrekullueshme që ai la në Indi.  Martyn-i thotë për vetveten: “Rrugët e urtësisë më duken më të ëmbla dhe më të arsyeshme se kurrë.  Botës i ka humbur shija dhe ajo më duket më shqetësuese”.  “Gjëja kryesore për të cilën vajtoj,” shton ai, “është nevoja ime për fuqinë e Zotit dhe mungesa e zjarrit në lutje të fshehtë, sidomos kur lutem për të pashpëtuarit.  Në përpjesëtim me dritën frymërore që kam, ngrohtësia nuk rritet brenda meje.”  A dëshiron dikush t’ia hedhë gurin e parë Henry Martyn-it?  Mos duhet të pranojmë ne të gjithë se kur vjen fjala për ndërmjetësim na mungon “nxehtësia”?
      Nga natyra e vet, zjarri ndez zjarr.  Në qoftë se ka lënde të tjera të djegshme afër, zjarri thjesht ka për t’u përhapur: “Ja, një zjarr i vogël ç’pyll të madh djeg!”.  Zjarri kurrë nuk mund të prodhojë akull, dhe nga djalli nuk mund të dalin shenjtorë.  Pastorët të cilët me zor luten nuk mund të prodhojnë luftëtarë të ndërmjetësimit.  Megjithatë një shkëndijë e vetme nga kudhra mund të ndezë flakë një qytet të tërë.  Nga një qiri i vetëm dhjetë mijë të tjerë mund të ndizen!  Jeta e pakrahasueshme e lutjes e David Brainerd-it ndezi shumë yje që kanë shkëlqyer në qiellin e ungjilltarëve (si p.sh. Carey, Payson, etj.).
      Kur William Carey e lexoi historinë e jetës së Brainerd-it, i filloi një dinamikë në zemër që e çoi atë më në fund në Indi si misionar.  Gjithashtu nga flaka e shpirtit të shkrirë të Brainerd-it, qiriri i zemrës së Edward Payson-it u ndez nga Perëndia.  Kështu, thjesht nga ditari i apostullit që shërbente mes vendasve të Amerikës së Veriut, i cili trupin e kishte plot dhimbje dhe që vishej me rroba prej lëkure lope, Payson-i u frymëzua dhe filloi në moshën njëzet një jetë lutjeje që pothuajse e tejkaloi atë të Brainerd-it.  Të shtojmë edhe një njeri tjetër të afërm frymëror të Brainerd-it, një mjeshtër lutjeje i cili vdiq tepër i ri në moshën njëzet e nëntë vjeç, pra Robert Murray McCheyne.  Ky gjigand i lutjes u tërhoq në fillim si në mënyrë magnetike ndaj kësaj pune (që është gjëja më e madhe që mund të bëjë njeriu) duke lexuar për Brainerd-in.
      Një tjetër njeri i madh, Jonathan Edwards, e vëzhgoi nga afër Brainerd-in (ndërsa e bija e tij Jerusha qante)[1], ndërsa gjendja fizike po i keqësohej gjithnjë e më shumë Brainerd-it.  I perëndishmi Edwards shkroi: “E lavdëroj Zotin që në providencën e tij Brainerd-i po i kalon ditët e fundit të jetës së tij në shtëpinë time, që të mund të dëgjoj lutjet e tij, që të mund të vëzhgoj shenjtërinë e tij, si dhe që të marr frymëzim nga shembulli i tij.”  Në kohën kur Brainerd-i po vdiste, Wesley ishte në kulm të shërbesës së tij.  Dëgjojini fjalët e këtij kur foli njëherë në një konferencë metodiste në Angli.  Ai tha: “Çfarë mund të bëhet për të ringjallur punën e Zotit atje ku ka vdekur ajo?”  Dhe pastaj ky ungjilltar i palodhshëm, i cili tronditi tre mbretëri, iu përgjigj pyetjes së vet duke thënë: “Çdo predikues le të lexojë me kujdes ditarin e David Brainerd-it”.
      Kështu, ja ku i kemi.  Le t’i rreshtojmë: Payson, McCheyne, Carey, Edwards, Wesley – burra të spikatur këta në punën e Perëndisë, dhe të gjithë të ndezur nga e njëjta flakë e vetme, dhe të gjithë borxhllinj ndaj Brainerd-it të sëmurë por përgjërues.
      Sot jetojmë në ditët e konfliktit më të madh në histori.  Kjo gjë e shtrembëruar jobiblike që e quajmë Kishën, e cila përzihet me botën dhe e çnderon të ashtuquajtur Zotin e saj, është zbuluar për atë që është – një mashtrim.  Kisha e vërtetë ka lindur nga lart.  Brenda saj nuk ka mëkatarë, dhe jashtë saj nuk ka shenjtorë.  Askush nuk mund të vendosë emrin e një tjetri në listën e anëtarëve të saj, dhe askush nuk mund ta heqë emrin e tjetrit nga ajo listë.  Lavdi Zotit, kjo Kishë e cila ka ende një mbetje të vogël në botë gjithë qenien e saj e ka të bazuar në lutje.  Lutja është dëshira e sinqertë e shpirtit të saj.
      Ashtu si bomba e parë bërthamore tronditi Hiroshimën, kështu vetëm lutja mund të lëshojë atë lloj fuqie frymërore që do të trondisë zemrat e njerëzve.  Ky paganizëm i kulturuar, këta tempuj idhujsh, këta miliona njerëz të frikësuar dhe të verbuar nga mëkati mund të vijnë te Zoti vetëm pasi Kisha të jetë vënë në lëvizje nga Zoti për gjendjen e tyre të humbur.
      Djalli do të përpiqet të na rrëmbejë nga “dhomëza e lutjes” duke përdorur çfarëdolloj mashtrimi.  Sepse në lutje njeriu është i lidhur me Perëndinë, dhe në atë bashkim Satani është i mundur.  Shumë mirë e di këtë ai.  Kështu që, në qoftë se ai mund të arrijë ta kyçë derën e dhomëzës, shqetësimet dhe meraqet e jetës do ta zënë mendjen e besimtarit.  Ndaj në këtë pikë ne duhet të ngremë mbrojtjen tonë kryesore – pra, gjakun e Krishtit.  Një mënyrë tjetër e dobishme për të kontrolluar mendimet tona endacake që të mund të përqëndrohemi kur lutemi, është që të lutemi me zë ose të flasim të paktën disa fjalë, megjithëse nuk është e domosdoshme që të lutemi me zë të lartë.
      Duke pasur filluar të lutemi dhe duke korrur kështu fitore mbi Satanin, fuqia tjetër e jona qëndron tek “premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha të Zotit”.  Në këtë pikë qëndrojmë në një themel të fortë e të patundshëm.  Këtu bëjmë biznes si të thuash me qiellin.  Këtu Zoti na ka dhënë besë, dhe dëshiron fortë të na dëgjojë duke nderuar atë me besimin tonë.  Këtu ne mund të angazhohemi në luftë, jo me Perëndinë, por kundër principatave të errëta, sepse ashtu si ne nuk duam të humbasim ashtu edhe vetë Satani nuk do që të humbasë asnjë nga mbretëria e tij.  Shpirtrat e njerëzve janë thesaret e tij.  Shpirtrat që janë në rrugë për në skëtërrë, shpirtrat që dyshojnë, shpirtrat që dehen, shpirtrat që nuk i binden Zotit, shpirtrat që janë të sëmurë, shpirtrat që janë fetarë, shpirtrat e të rinjve, shpirtrat e të moshuarve, dhe madje të gjithë shpirtrat që janë larg fuqisë ripërtëritëse të Frymës së Shenjtë – këta që të gjithë janë zotëruar prej Satanit, megjithëse thellësitë e zotërimit të tij ndryshojnë.  Shpirtrat e besimtarëve, në nivele të ndryshme frymërore, janë shënjestra të veçanta për shigjetat e tij të zjarrta, por “mburoja e besimit” do t’i heqë të gjitha këto, dhe do të na lërë të gjithë të padëmtuar, bekuar qoftë Zoti!
      Lutja nuk është për mbrojtje.  Për atë punë e kemi mburojen e besimit.  Lutja është arma jonë sekrete.  (Në fakt, ajo u duket sekrete shumë besimtarëve.  Kush prej nesh, pavarësisht nga gjithçka që kemi lexuar, pretendon të dijë shumë për këtë punë mjeshtërore të lutjes?).  Ne nuk e mundojmë Satanin me anë të lutjes, sepse Krishti e pushtoi atë dy mijë vjet më parë.  Satani fryhet, gënjen dhe vepron përmes mashtimeve, goditjeve dhe pengesave.  Shpeshherë e bëjmë gabimin që lëjojmë që kërcënimet e tij të na e prekin zemrën dhe kështu e harrojmë “madhështinë e jashtëzakonshme të fuqisë së Zotit ndaj nesh”.  Krishti, Mjeshtri në punën e lutjes, tha: “Unë ju jap pushtet mbi çdo pushtet të armikut”.  Kjo është fitorja jonë.
      Ndërsa lutet, shpirti i besimtarit tërhiqet ndaj Zotit.  Lutja e vërtetë të ha shumë kohë.  Kur jemi të rinj në besim, koha duket sikur nuk kalon kur lutemi.  Por kur jemi më të rritur në besim dhe kështu më të mësuar me këtë punë të shenjtë, koha ikën fluturimthi.  Lutja na e zbut shpirtin. Vini re, ne kurrë nuk lutemi për njerëzit për të cilët bëjmë thashetheme, dhe kurrë nuk bëjmë thashetheme për njerëzit për të cilët lutemi!  Sepse lutja është një pastrues i shkëlqyeshëm i shpirtit.  Jam i vetëdijshëm për faktin që gjaku i Krishtit është pastruesi më i mrekullueshëm i shpirtit.  Por ndërsa lutemi, nëse ka ndonjë mëkat të parrëfyer tek ne, gjaku i nxjerrë nga damarët e Emmanuel-it na pastron fortë e thellë më anë të Frymës së Shenjtë.
      Për sa kohë që nuk lutemi siç duhet, unë besoj se Satani nuk merakoset aq shumë edhe kur fitojmë më shumë njohuri biblike.  Është pikërisht atëherë kur lutemi që i hedhim në praktikë ato mësimet që kemi marrë nga Fjala.  Çfarë vlere kanë njohuritë më të mëdha nëse zemrat i kemi të cekëta?  Çfarë vlere ka nëse kemi respektin e njerëzve, por s'kemi një marrëdhënie të qëndrueshme me Perëndinë?  Çfarë vlere ka nëse kemi një fizik të pastër, por mendjet dhe shpirtrat i kemi të ndotura?  Çfarë vlere ka nëse kemi një devotshmëri fetare por një shpirt mishor?  Pse të krekosemi me forcën tonë fizike kur nga ana frymërore jemi të dobët?  Për çfarë na vlen pasuria botërore nëse nga ana frymërore jemi të varfër?  Kush mund të ngushëllohet në popullaritetin e tij shoqëror nëse ai është i panjohur në ferr?  Është atëherë kur lutemi që gjithë këto mospërshtatjet frymërore fillojnë të ndreqen.
      Besimtari i cili do që të jetë i lirë nga mendimet e gabuara frymërore të këtyre ditëve, duhet të qëndrojë në një marrëdhënie të afërt me Perëndinë.  Ai/ajo që është i/e etur për pasuritë frymërore dhe do që Zoti t’ia dëgjojë lutjet, duhet të mësohet me vetminë si dhe që të hajë shumë nga “buka e pikëllimit”.  Ai mund të ketë (ose mund të mos ketë) shumë kundërshtime nga familja apo shoqëria.  Por sigurisht që ai do të përjetojë shumë konflikte frymërore, dhe shpeshherë do t’i duhet të mos flasë për këto gjëra (gjë kjo që mund të krijojë keqkuptime).  Do t’i duhet edhe që të tërhiqet nganjëherë nga shoqëria e tij më e preferuar që të mund të kalojë në lutje.  Sepse të dashuruarit duan të jenë vetëm, dhe majat e larta të jetës frymërore arrihen në vetmi.  Poeti thotë:
Dëgjova një zë që thoshte, “Më ndiqni,”
Vetëm kaq.
Gjithë gëzimet e tokës u zbehën,
Shpirti im shkoi pas tij.
U ngrita dhe e ndoqa,
Vetëm kaq.
Nëse e dëgjoni zërin e tij,
A do ta ndiqni dhe ju?




[1]Shën. përk.: Jerusha qe e fejuara e Brainerd-it.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.