Mbresat e mia mbi leximin e librit "Nje Jete me Biblen"







29-12-2017

E dashur zonja Zhuljeta,

      Mbasi perfundova se lexuari librin tend, e pashe te paarsyeshme te ta shprehja mendimin tim rreth librit ne nje mesazh te shkurter ne facebook.  Puna kolosale qe ti ke bere dhe ajo çka faqet e ketij libri permbajne, meriton shume me teper!  Faleminderit per kete trashegimni qe brezat e sotem dhe te ardhshem mund ta gezojne, per shkak te mundit tend! Nese ti nuk do ta kishe shkruar kete liber, shume nga historite dhe detajet e rendesishme do te kishin humbur pergjithmone, dhe shembulli i nje gjenerali ne besim do te ishte mbuluar nga pluhuri i kohes.  Besoj se ishte vullneti i Zotit dhe nje domosdoshmeri, qe ti te shkruaje kete liber dhe jam e sigurt se xha Ligori fluturon nga gezimi!

      Kur e mora per here te pare ne dore librin, e shfletova me shume entuziazem, duke kercyer nga faqja ne faqe per te krijuar nje ide te pergjithshme mbi permbajtjen e librit.  Ajo qe me habiti se tepermi ishte fakti se edhe pse e lexova ceket, ato çka lexova me ngazelluan dhe me preken thelle, aq thelle saqe ne shpirt ndjeva lumturi dhe ne stomak vershim lotesh, sikur te me kishte prekur Fryma e Zotit.  I thashe vetes, kete liber do ta lexoj me ngadale dhe shume vemendje.

      Nderkohe Majku filloi te lexoje librin, keshtu qe vendosa te pres radhen.  Zakonisht koha e Krishtlindjes eshte e ngarkuar me shume aktivitet per ne dhe per mua si pastore, ndaj mendova te pres derisa te merrja disa dite pushim.  Por ne kete kohe lexova mesazhin qe me kishe derguar, ku me pyesje nese e kisha perfunduar se lexuari librin dhe me kerkoje te te jepja mendimin tim mbi librin.  Fjalet e tua paten kaq shume efekt mbi mua sikur ate kerkese po ma bente vete Zoti.  Librin e lexova brenda tre diteve, gjate kohes se lire, si dhe gjate nates. Mendimet qe do te shkruaj jane te sinqerta dhe prej zemre.

      E mora ne dore librin me entuziazem dhe frike te shenjte.  Ky liber me jepte ndjesine qe e perjetoj gjithmone kur hyj ne nje ndertese kishe pa njerez, por te mbuluar me piktura biblike.  Ne ate qetesi ku zeri i te kaluares degjohet qarte dhe prania e Zotit pothuajse mund te preket, kur te duket sikur dhe ajri qe te hyn ne mushkeri eshte hyjnor.  Historia brenda ketij libri m’u duk kaq e shenjte dhe e gjalle saqe pothuajse degjoja ekon e fjaleve qe Zoti i tha Moisiut ne malin Sinai: ‘Hiqi sandalet, sepse toka ku po shkel eshte e shenjte’, ndaj dhe une ndersa lexova kete liber i hoqa ‘sandalet’ dhe e preka me shume kujdes historine qe shpesh me dukej sa e fuqisheme si zjarr dhe po aq e brishte dhe delikate si nje cipe akulli e holle, por gjithmone te shoqeruar me nje tingull te embel hyjnor.  Shpejt kuptova se kete liber s’po e lexoja thjesht me mendje por me zemer, sepse tashme emocionet e mia po rendnin mbas çdo rreshti.

      Se pari u mrekullova nga stili i te shkruarit.  Qe kurse isha femije kam qene e dashuruar me librin dhe kam lexuar me qindra libra nga autore vendas dhe te huaj, dhe persa i perket stilit te te shkruarit ata qe me kane lene me shume mbresa dhe jam dashuruar, kane qene C. S. Lewis dhe J. R. R. Tolkien.  Por shkrimet e tyre i kam lexuar ne anglisht dhe kurre s’ma merrte mendja se nje dite do te lexoja nje liber ne shqip, qe do te kishte po te njetin stil dhe finese te ketyre shkrimtareve me fame boterore si dhe eksperte te gjuhesise.  Te rralle jane shkrimtaret qe posedojne aftesine per te transportuar lexuesin si ‘Eliza ne boten e çudirave’ ne boten dhe realitetin qe ata duan te vizitosh.  Vetem pak kane aftesine qe nepermjet fjaleve te te bejne te ecesh ne rruge te lashta, te degjosh melodi te padegjuara dhe feshferimen e eres, te perfshihesh ne biseda me njerez te cilet si ke takuar, dhe te mos duash te kthehesh ne realitetin e te sotmes.  Dhe kjo eshte aftesia jote zonja Zhuljeta, ndaj askush perveç teje s’mund te ishte besuar me pergjegjesine e te shkruarit te historise se nje jete te vyer, historine e nje qyteti dhe mbijetesen si dhe rilindjen e nje kishe.  Per me teper ndersa lexoja, libri me beri te reflektoj mbi femijerine time, Korçen, kishen dhe kuptova se te gjithe ne korçaret jemi te gatuar ne te njejten kusi, kemi nje lidhje te pandashme me dheun, historine dhe kulturen e ketij qyteti dhe ne nje menyre te pashpjegueshme me njeri-tjetrin aq sa dhe femijet tane qe jane te lindur dhe te rritur ne Angli jane krenare qe kane ne vena gjak shqiptar.

      Kisha qene disa here per vizite ose takime ne shtepine e xha Ligorit, madje ndodhesha mes asaj turmes se njerezve jashte shtepise diten kur i dhame atij lamtumiren perfundimtare. Gjithesesi, nuk dija shume mbi te, dhe me sa lexova nga ky liber, njohuria ime per te, jeten dhe besimin e tij i perngjante majes se nje aisbergu dhe per kete me vjen shume keq.

      Sa shume sfida, mundime dhe dhimbje kane kaluar te paret tuaj dhe me sa dinjitet e kane perballuar jeten.  Sa e madhe paska qene forca e besimit tek Zoti ne DNA-ne e familjes suaj!  Sa i rendesishem ka qene roli i babit tend dhe lutjeve te tij ne periudhen komuniste per kishen, Korçen dhe gjithe kombin!  Ndersa lexoja mbi jeten dhe besimin e tij me erdhi ne mend nje varg biblik ku thuhet: ‘Une kerkova midis tyre nje burre qe te ndertonte nje mur dhe t’i dilte per zot vendit, qe une te mos e shkaterroja…’ (Ezek. 22:30), dhe per mendimin tim ne Korçe Zoti e gjeti burrin qe kerkonte, babain tend.  Por jo vetem nje burre por nje familje besimtaresh qe kishin lindur dhe rritur nje njeri te tille.

      U magjepsa nga historia e ungjilloreve nder vite.  Historia e tyre dhe tashme e jona eshte shpresedhenese.  Regjimet vijne dhe shkojne, llojlloj besimesh perplasen kunder shkembinjve te Krishterimit dhe e luftojne, por per sa kohe ku ka nje njeri si babai yt apo nje grup njerezish qe nuk dorezohen, Krishterimi gjithmone fiton dhe fjala e Zotit vazhdon perjete duke qendruar e patundur.  Dhe kjo shprese percillet qarte nga historiku i ketij libri.

      Ky liber eshte nje thesar letrar dhe historik per Shqiperine, dhe uroj qe te lexohet nga te gjithe, te krishtere dhe jo te krishtere.  Lutem qe nje dite Zoti ta beje te mundur filmimin e nje dokumentari mbi kete liber.  Dhe per me teper uroj qe askush per çfaredolloj arsyeje te fshije detaje nga kjo histori, ta deformoje apo tjetersoje per interesin e vet.  Le ta marre Zoti lavdine per ate çka eshte arritur ne Korçe ashtu siç donte dhe xha Ligori.

      Se fundmi, ndjehem shume e perulur dhe e privilegjuar jo vetem per faktin qe une jam perjetuese dhe deshmitare e kesaj historie, por dhe bashkeshortja e njeriut qe me shume lutje, mundim dhe dashuri e mblodhi prushin e ndezur, i fryu me fjalen e Zotit derisa drita e flakes u duk gjithandej.  Ka nje te perbashket midis xha Ligorit dhe Majkut, ne gjithçka dhe per gjithçka e konsiderojne veten sherbetore dhe ne asnje menyre nuk i lejojne vetes te marrin lavde persa i perket ‘punes se tyre’ sepse e dine se punen e ben Zoti ndersa ata jane vegla te perulura dhe te bindura ne doren e Tij.

      Sa per mua nje besimtare ungjillore qe e filloi udhetimin e saj ne besim ne kishen ungjillore, nese xha Ligori do ishte ende midis nesh do t’i thoja: ‘Xha Ligor, Zoti u eshte pergjigjur lutjeve te tua, dhe duket se ka bere akoma dhe me teper.  A ta kishte marre ndonjehere mendja se nje vajze nga kjo kishe per te cilen ti je lutur, do te thirrej nga Zoti per te sherbyer ne Angli dhe do te ishte nje nga te parat gra pastore shqiptare qe do te pastoronte njerez nga te pakten 13 kombe te botes?!’  Jo vetem Korça, Maliqi, Bilishti por dhe Anglia eshte bekuar nga lutjet e tua.  Dhe ku i dihet, mbase me nje fytyre serioze duke u perpjekur te fshehe gezimin dhe ngazellimin (qe te mos me rritej mendja), ai do te me thoshte: ‘Bije, beje ate per te cilen je thirrur me perulje dhe besnikeri, dhe nderoje Zotin dhe atdheun kudo qe je.’

      Ketu po e mbyll shkrimin tim te perlotur duke qene gjithmone mirenjohese dhe falenderuse per punen tende ekselente!

Me shume dashuri dhe respekt,


Rev. Suela Brown  



No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.