05 Mbi shërimin

Mbi Shërimin


nga Pastor Majku


Copyright © 2017 Michael A. Brown


‘Unë jam ZOTI që të shëron’ (Eks. 15:26)

‘Shëromë, o ZOT, dhe do të shërohem, shpëtomë dhe do të shpëtoj, sepse ti je lavdia ime’
(Jer. 17:14)

      Bibla jep mjaft mësim mbi temën e shërimit, dhe kjo gjë na inkurajon të kemi një këndvështrim pozitiv për këtë temë.  Zoti ynë është një Zot shërues.  Mund ta shohim qartë në shkrimet e ungjillit dhe librin e Veprave, që shërimi luajti një rol shumë të rëndësishëm në shërbesën e Jezusit dhe apostujve të hershëm.  Duke ndjekur shembullin e shërbesave të tyre, kisha ka praktikuar shërimin si pjesë e shërbesës së zakonshme (1 Kor. 12:9-10), dhe ka shumë besimtarë në ditët e sotme që dëshmojnë se kanë përjetuar shërim në jetët e tyre.

Disa pika bazë referimi
1.      Shërimi ynë vjen nëpërmjet shërbesës së Jezusit
      Shërbesa e mbretërisë së Perëndisë e Jezusit solli një rikthim të burimeve shëruese dhe jetëdhënëse e prezencës, hirit dhe fuqisë së Zotit për njerëzimin.  Duket që me përjashtim të disa rasteve të dokumentuara në Dhiatën e Vjetër, kjo shërbesë filloi të mungojë që nga koha kur njeriu ra në mëkat.  Gjatë shërbesës së tij, Jezusi i vuri duart mbi të sëmurët dhe ata u shëruan; fuqia e Frymës së Shenjtë u derdh nëpërmjet tij për t’i shëruar njerëzit; ai e qortoi sëmundjen dhe ushtroi dominim mbi të, dhe veproi me autoritet mbi frymërat e papastra, duke i urdhëruar që të largoheshin nga njerëzit (p.sh. Luka 4:39,40; 5:24-25, 6:19, 8:46).  Shërimi është një shprehje e fuqisë aktive të mbretërisë së Perëndisë dhe e sundimit të saj mbi sëmundjet (Luka 9:2, 10:9).
      Profeti Isaia profetizoi që Jezusi do t’i mbartte sëmundjet dhe lëngatat tona: ‘[Me siguri,] ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona’ (Isa. 53:4).  Në ungjillin sipas Mateut shohim që arsyeja se përse ky varg është përmendur është për të theksuar se ajo që u profetizua tek ky pasazh u realizua në shërbesën e Jezusit: ‘që të përmbushej e thëna përmes profetit Isaia kur tha: “Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona”’ (Mat. 8:16-17).  Për më tepër ne shërohemi nëpërmjet plagëve të Jezusit: ‘Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar’ (Isa. 53:5), dhe kur ishte në kryq, Jezusi mori mbi vete mëkatin dhe sëmundjet tona duke i mbartur deri në vdekje dhe duke shkatërruar në këtë mënyrë fuqinë e mëkatit dhe sëmundjeve tona, në mënyrë që ne të mund të marrim falje dhe shërim (Isa. 53:4-6,11-12).  Shërimi ynë është fituar plotësisht nëpërmjet punës shpenguese të Jezusit.
Jezusi e investoi fuqinë dhe autoritetin e tij tek dishepujt e tij (Mat. 10:1, Luka 9:1-2, shiko edhe tek libri i Veprave) në mënyrë që ata të ushtronin të njëjtin lloj shërbese të mbretërisë së Perëndisë si ai.  Jezusi nuk ka ndryshuar, ai qëndron i njëjti ndaj edhe vazhdon të ketë në ditët tona të njëjtën fuqi dhe autoritet për të çliruar njerëzit nga sëmundjet dhe shtypja frymërore (Heb. 13:8).

2.      Shërimi është demonstrim i karakterit të Zotit
Ajo që ne besojmë mbi shërimin është e lidhur me atë që ne besojmë mbi karakterin e Zotit.  Zoti është totalisht i mirë dhe ashtu sikurse çdo prind normal do të dëshironte më të mirën për fëmijën e tij, Ai dëshiron që njerëzit të jenë të shëndetshëm dhe jo të sëmurë.  Bibla thotë që ‘Zoti është i dhembshur dhe mëshirëplotë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.  Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhembshuri për të gjitha veprat e tij’ (Ps. 145:8-9, Vep. 10:38).

Shkrimtarët e Dhiatës së Re na tregojnë që Jezusi demonstroi në praktikë dhembshurinë e Zotit duke shëruar njerëzit e sëmurë: ‘Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre’ (Mat. 14:14).  Fjala greke ‘esplagchnisthe’ e përkthyer këtu si ‘pati dhembshuri’ është një fjalë e fortë që do të thotë ‘iu këput shpirti’, ‘e ndjeu keqardhje’ ose ‘e mëshiroi’ dhe si rrjedhojë ai veproi me dhembshuri.  Ndërsa Jezusi pa vuajtjet e të sëmurëve, jo vetëm që kjo gjë provokoi një reagim të thellë keqardhjeje brenda tij, por dhe e çoi në veprim dhe si rrjedhojë i shëroi.  Shërimi ynë është një dhuratë e lirë që Zoti na e jep nëpërmjet hirit të tij (1 Kor. 12:9).

3.      Shërimi është vepra e Atit
Si Biri i Perëndisë, Jezusi reflektoi karakterin e Atit Perëndi dhe po ashtu punën e tij.  Në kontekstin e shërimit të njeriut pranë pellgut të Betesdës, Jezusi e shprehu qartë që shërimi i të sëmurëve ishte vepra e Atit: ‘Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ai, i bën po ashtu dhe Biri”’ (Gjoni 5:17,19).  Këto vepra të Atit ishin një shprehje e vullnetit dhe dëshirës së tij që njerëzit të çlirohen nga skllavëria e sëmundjeve.

4.      Shërimi arrihet nëpërmjet fuqisë jetëdhënëse të Frymës së Shenjtë
Ishte nëpërmjet vajosjes së Frymës së Shenjtë (prezencës, autoritetit dhe fuqisë së tij) që Jezusi dhe dishepujt e hershëm sollën shërim tek të sëmurët (Mat. 10:1,7,8; Marku 5:27-30; Luka 4:18-19, 5:17, 6:19; Vep. 10:38).  Kisha (trupi i Krishtit) sot është autorizuar dhe fuqizuar me fuqinë e Frymës së Shenjtë për të sjellë shërim tek të sëmurët (Marku 16:18).  Është Fryma e Shenjtë, Fryma e jetës (Rom. 8:2), i cili u jep jetë dhe shërim trupave tanë të vdekshëm: ‘Por në qoftë se Fryma e atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon ne ju, ai që ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju’ (Rom. 8:11).  Tek prezenca jetëdhënëse e Frymës së Shenjtë gjendet sekreti dhe dinamika esenciale e shërimit.  Sikurse dhe Lake-u afirmoi: ‘Shumë të dashur, domethënia e shërimit hyjnor, ka të bejë me faktin që jeta e Zotit vjen tek ajo pjesë e trupit që është e sëmurë dhe bën që gjaku të burojë menjëherë, qelizat e bllokuara të reagojnë pozitivisht, dhe puna e shërimit të realizohet.’[1]  Shërimi vjen dhe shfaqet vetëm nëpërmjet veprimtarisë së fuqisë jetëdhënëse të Frymës së Shenjtë në atë pjesë të trupit tonë që ka nevojë për shërim.
Katër pikat e mësipërme së bashku na tregojnë se është vullneti i Zotit që ne t’i kërkojmë shërim. Shërimi është buka e fëmijëve (Mat. 8:2-3, 15:21-28).  Këtë mund ta shohim edhe në thjeshtësinë e urdhërimit që Jezusi u dha dishepujve të tij, duke u thënë të shëronin të sëmurët si një demonstrim i ardhjes së mbretërisë së Perëndisë në jetët e njerëzve (Mat. 10:1,7-8; Luka 9:1-2; 10:9,17).  Shërimi është dominimi i fuqisë dhe vullnetit të Zotit mbi sëmundjen.

5.      Fito betejën mbi frikën dhe hidh hapin e besimit
Për të përjetuar shërim ne duhet të jemi gati të marrim me besim hapin për t’u lutur për shërim duke mposhtur dyshimin.  Kjo natyrisht që do të thotë se ne duhet të marrim parasysh dhe rrezikun e dështimit në rastin kur nuk duket se po marrim përgjigje për lutjet tona.  Frika e dështimit dhe pasiviteti që rrjedh nga kjo frikë rezulton në mospërjetimin e premtimeve të Zotit.

6.      Lutu për shërim në emer të Jezusit
Pra ne i lutemi Zotit që të sëmurët të shërohen, dhe ketë e bëjmë në emër të Jezu Krishtit.  Shpesh lutja shoqërohet me vënien e duarve, por po ashtu mund të shoqërohet ose jo edhe me vajosjen me vaj (shihni tek Vep. 3:6, 28:8; Jak. 5:14-15).

7.      Ndiq drejtimin e Frymës së Shenjtë
Përderisa është fuqia e Frymës së Shenjtë që i shëron të sëmurët, ne duhet t’i japim rëndësi dhe vlerësim prezencës së tij me ne, si dhe ta ndjekim drejtimin që ai na jep ndërsa lutemi me përulësi dhe ndjeshmëri. Mund të ndodhë që ai të na japë ‘një fjalë njohurie’ e cila ka lidhje me gjendjen e personit të sëmurë, që të na zbulojë se çfarë është duke e penguar shërimin e personit.  Mundet edhe që ai të na vërë në dukje se një frymë e keqe (që po shkakton sëmundjen) duhet dëbuar nga jeta e personit në mënyrë që personi të marrë shërim (cf. 1 Kor. 12:7-11).  Për më tepër, shërimi i personit mund të ndodhë menjëherë ose në mënyrë progresive përgjatë një periudhe kohore.

Disa pengesa të zakonshme që pengojnë marrjen e shërimit
Megjithatë, duhet të kemi parasysh se premtimet dhe dëshira që Zoti ka për të na shëruar nuk funksionojnë automatikisht në jetën tonë.  Ka shumë arsye të cilat mund të pengojnë marrjen dhe përjetimin e shërimit.  Për shembull, në një rast dishepujt nuk mundën ta dëbonin frymën e keqe nga djaloshi për shkak të mosbesimit të tyre.  A mos ishte vallë vullneti i Zotit që djaloshi të vazhdonte të qëndronte i sëmurë?  Aspak! Jezusi e demonstroi qartë se cili ishte vullneti i Zotit për djaloshin kur ai vetë e shëroi (lexoni tek Mat. 17:14-21, Marku 9:14-29).  Në vijim do të gjeni disa nga faktorët që pengojnë pranimin dhe përjetimin e shërimit.

1.      Një pikëpamje e gabuar e Zotit
Nëse ti beson se Zoti nuk është vërtet i dhembshur ndaj teje, kjo ka për të të penguar për të besuar që vullneti i tij është për të të shëruar.

2.      Tradita njerëzore
Mësuesit e ditëve të Jezusit i kishin zëvendësuar urdhërimet e Zotit me traditat e tyre njerëzore (Marku 7:9,13).  Tradita të tilla si për shembull: Zoti nuk shëron në ditët e sotme, apo Zoti dërgon sëmundje, apo nuk është vullneti i Zotit për të të shëruar, janë tradita që kanë për të të penguar të kërkosh shërim.

3.      Mosbesim
Jezusi e pati të pamundur për të bërë mrekulli të medha në vendlindjen e tij Nazaret, sepse zemrat e njerëzve atje ishin të mbushura me mosbesim (Marku 6:4-6).  Fryma e Shenjtë vepron në përgjigje të besimit, dhe jo të dyshimit dhe mosbesimit. Në shumë nga shembujt e shërimit të dokumentuar në Ungjij, Jezusi veproi pra shëroi kur njerëzit erdhën tek ai me besim (p.sh. Mat. 8:10,13; 9:2,22).  Atëherë kur shpirti i njeriut është i mbyllur prej mosbesimit (për çfarëdolloj arsyeje) ai/ajo nuk është në gjendje të marrë shërimin që Zoti i ofron.  Ky person duhet të hapë zemrën ndaj Zotit, të rinovojë mendjen e vet me të vërtetën e fjalës së Zotit dhe të premtimeve të Zotit që gjenden në fjalën e Tij, si dhe t’i pranojë këto premtime në mënyrë që të fillojë të veprojë me besim dhe të pranojë fuqinë shëruese dhe aktive të Perëndisë.

4.      Të qenët i mbyllur dhe rezistues ndaj Frymës së Shenjtë
Përderisa është fuqia e Frymës së Shenjtë që shëron të sëmurin, rrjedhimisht në mënyrë që të marrë shërim personi duhet të jetë i hapur ndaj veprimtarisë dhe shërbesës së Frymës së Shenjtë.  Kjo është çështje kritike në shërbesën e shërimit.  Rezistenca ndaj Frymës së Shenjtë, ose thjesht të mos qenët i hapur ndaj Frymës së Shenjtë (për çfarëdolloj arsyeje) do të thotë që personi do të qëndrojë i pashëruar.  Duke e pasur parasysh këtë, është shumë e nevojshme që në takimet publike të kishës, të krijohet një atmosferë adhurimi dhe lavdërimi e ndjeshme ndaj Frymës së Shenjtë, në të cilën Fryma e Shenjtë është i lirë të prekë të sëmurët dhe të sjellë shërim në trupat e tyre gjatë adhurimit apo lutjes.

5.      Mungesë dhembshurie
Jezusi shëroi për arsye se ai kishte dhembshuri për njerëzit e sëmurë (Mat. 14:14).  Ai ishte thellësisht i shqetësuar dhe i vrarë përbrenda nga zemërngurtësia dhe zemërngushtësia e mësuesve fetarë të ditëve të tij, gjë që i pengonte t’ua ofronin shërim të sëmurëve (Marku 3:5-6).

6.      Mosfalje
Këmbëngulja për të mbajtur një qëndrim mosfalës ndaj atyre që na kanë ofenduar apo mëkatuar kundër nesh bëhet një pengesë e cila na ndalon të marrim përgjigje ndaj lutjeve tona (Mat. 6:14,15).  Të qenët i gatshëm për të falur është e domosdoshme për të përjetuar shërim.  Në të njëjtën mënyrë, është e nevojshme të mësojmë të falim vetveten për çdo gjë që mund të kemi bërë në të kaluarën, në mënyrë që të ecim plotësisht në dhuratën e hirit dhe faljes së Zotit.

7.      Mëkat i parrëfyer
Kjo po ashtu ka për të na penguar për të marrë përgjigje ndaj lutjeve tona: ‘Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar’ (Ps. 66:18).  Mëkati duhet rrëfyer dhe pastruar: ‘Rrëfejani shkeljet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni (Jak. 5:15-16, 1 Gjoni 1:9).

8.      Mungesë pritjeje
Njerëzit të cilët morën shërimin e Jezusit sipas shembujve të dokumentuar në ungjill, ishin njerëz të cilët erdhën tek Jezusi me pritjen se do të shëroheshin prej Tij.  Në veçanti, ne kemi nevojë të fitojmë mbi dyshimin që gjendet brenda zemrës sonë në mënyrë që të praktikojmë besim fitimtar (Marku 11:22-23).

9.      Mungesë këmbënguljeje
Është nëpërmjet si besimit ASHTU EDHE këmbënguljes që ne përjetojmë plotësimin e premtimeve të Zotit (Heb. 6:12).  Mbase lutjet tona shpesh nuk marrin përgjigje sepse ne dekurajohemi dhe japim dorëheqje tepër lehtë kur duket që lutjet tona nuk po marrin përgjigje të menjëhershme.  Shumë besimtarë janë dëshmitarë të faktit se ata nuk e përjetuan shërimin në mënyrë të menjëhershme, por ndërsa ishin këmbëngulur me besim nëpërmjet lutjes së vazhdueshme përgjatë një periudhe të caktuar kohe.  Ne duhet të vazhdojmë të lutemi dhe të besojmë derisa shërimi të shfaqet dhe të jetë i plotë.


Tre anë që kanë nevojë për shërim
Ka tre anë të jetës se një njeriu në të cilat personi mund të ketë nevojë për shërim:
1.      Shërim fizik
Shërimi fizik është i nevojshëm kur trupat tanë janë të sëmurë.  Natyrisht që në lidhje me gjendjen tonë fizike, po ashtu ne duhet të marrim parasysh këshillën mjekësore, ilaçet, operacionet etj. (2 Kron. 16:12, Isa. 38:21).  Një problem fizik mund të jetë shkaktuar thjesht nga një dëmtim fiziologjik i trupit në një pjesë të caktuar.  Mund edhe të jetë shkaktuar nga një gjendje psikosomatike në shpirtin e njeriut, si për shembull një stres i vazhdueshëm mund të shkaktojë migrena, pra dhimbje koke të padurueshme.  Në raste të tilla, gjendja shpirtërore duhet trajtuar, në vend që të merremi thjesht vetëm me simptomat fizike.  Një problem fizik gjithashtu mund edhe të jetë i shkaktuar nga një frymë e keqe që duhet dëbuar nga jeta e personit të sëmurë.

2.      Shërim i përbrendshëm i shpirtit (dmth i mendjes dhe zemrës)
Kjo i referohet shërimit të plagëve emocionale nga të cilat ne mund të vuajmë herë pas here.  Jezusi erdhi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer (Isa. 61:1).  Siç u theksua më sipër, një problem i vazhdueshëm në zemrën e njeriut (p.sh. stres i tejzgjatur apo hidhërim) mund të shkaktojë simptoma fizike.  Në raste të tilla si fillim duhet të trajtohet gjendja e zemrës së tyre, dhe ndërsa kjo ndodh me sukses simptomat fizike shpesh largohen.

3.      Liri nga frymëra të ndyra (shpesh i quajtur çlirim)
Kjo i referohet rastit kur një person çlirohet nga efekti torturues i një fryme të ndyrë në jetën e tij/saj.  Kjo frymë mund të jetë duke torturuar shpirtin e personit ose trupin.  Jezusi si dhe apostujt e kishës së hershme në shumë raste dëbuan frymërat e ndyra, dhe i çliruan njerëzit nga prania dhe efekti i tyre.


Lloje të ndryshme të hirit të Frymës së Shenjtë që shfaqen shpesh në shërbesën e shërimit
Tek 1 Korintasit 12:7-11 na jepet një listë e disave prej mënyrave më të zakonshme në të cilat Fryma e Shenjtë manifeston hirin e tij në shërbesë.  Disa prej tyre shfaqen shpesh në praktikën e shërbesës së shërimit ndaj nevojitet që të mësojmë të jemi të hapur për të ndjekur dhe lejuar Frymën e Shenjtë të manifestojë këto praktika të punës së tij nëpërmjet nesh (1 Kor. 12:31, 14:1).

1.      Të luturit në gjuhë të panjohura
·         kjo është një prej mënyrave në të cilat dhuntia e gjuhëve të panjohura e manifeston vetveten dhe gjen shprehje në nivel personal (1 Kor. 14:14).  Praktika e të luturit në gjuhë të panjohura na aftëson që të lirojmë manifestimin e prezencës së Frymës së Shenjtë e cila banon brenda nesh si dhe të lutet nëpërmjet nesh (cf. Rom. 8:26-27).

2.      Fjala e njohurisë
·         mund të vërë në dukje problemin e caktuar shëndetësor që Fryma e Shenjtë ka për qëllim ta shërojë;
·         mund të zbulojë atë pjesë specifike të trupit që është e ndikuar;
·         mund të zbulojë një problem të caktuar apo mëkat që është duke penguar shërimin.

3.      Dallimi i frymërave
·         kjo është tregues që problemi është shkaktuar nga një frymë e keqe që duhet dëbuar nga personi;
·         mund të tregojë që është një pjesë e caktuar e trupit që është duke u sulmuar me sëmundje nga fryma e këqe (pra një lloj fjalë njohurie).

4.                  Dhuntitë e shërimeve
·         shpesh kjo lidhet me shërimet e ngadalshme dhe graduale, në vend të mrekullive të menjëhershme;
·         personi që vepron në këtë dhunti shpesh mund të përdoret nga Fryma e Shenjtë për shërimin e një kategorie specifike sëmundjesh, në vend të llojeve të tjera.

5.                  Pushtet për të kryer mrekulli të fuqishme
·         në origjinalin grek të Shkrimeve, kjo dhunti thjesht quhet ‘veprimi i fuqisë’;
·         mrekulli ndodhin kur Fryma e Shenjtë punon fuqishëm në një situatë duke sjellë zgjidhjen e çështjes shpesh në mënyrë të menjëhershme;
·         këto eksperienca mund të jenë shumë spektakolare dhe rezultojnë në dëshmi shumë të fuqishme dhe frymëzuese;
·         nganjëherë mund të ndjehet që fuqia e Frymës së Shenjtë të rrjedhë e të veprojë gjatë lutjes për të shëruar të sëmurin (p.sh. Marku 5:30).  Kjo mund të përjetohet si një rrjedhje fuqie frymërore, si një ndjesi elektriciteti, një ngrohtësi apo ftohtësi, apo dhe mpirje, …

6.                  Besim
·         në situata të veçanta, personi që po përdoret nga Zoti përjeton dhe e di se ai/ajo ka besimin e nevojshëm për të fituar mbi një gjendje të caktuar;
·         në disa raste dhuntia e besimit mund të shprehet në formë urdhërimi (p.sh. Marku 11:22-24).


Medito mbi Fjalën e Zotit për të zhvilluar dhe forcuar besimin tënd
      Ndërsa ne i inkurajojmë miqtë tanë të na mbështesin në lutje (si dhe agjërim) ndërsa ne jemi duke iu drejtuar Zotit për shërim, një nga ato gjëra për të cilat duhet të jemi vazhdimisht të inkurajuar për të bërë është të meditojmë shpesh dhe rregullisht mbi premtimet e Fjalës së Zotit që kanë të bëjnë me shërimin: ‘Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh’ (Joz. 1:8, Ps. 1:2-3).  Fjala e Zotit na nxit t’i kushtojmë vëmendje asaj çka thotë Zoti, t’u kushtojmë vëmendje fjalëve të tij.  Thuhet se fjalët e tij janë shërim (ose ilaç) për gjithë trupin tonë (Fj. e U. 4:20-22).  Ne nuk rrojmë thjesht me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Zotit (L. i P. 8:3). Ndërsa ne meditojmë rregullisht në premtimet e fjalës së Zotit dhe ua kushtojmë atyre vëmendje të veçantë, mendjet tona dhe mendimet tona do të rinovohen nga e vërteta si dhe besimi brenda zemrave tona do të rritet dhe forcohet (Rom. 10:17).  Duke forcuar besimin tonë nëpërmjet fjalës së Zotit në këtë mënyrë, ne mund të fitojmë mbi dyshimin dhe mosbesimin që gjendet brenda zemrës (Marku 11:22-24).  Vetëm atëherë ne mund të lutemi dhe të qëndrojmë të palëkundur në premtimet e Zotit përmes besimit dhe të shikojmë shfaqjen e shërimit tonë.
      Më poshtë përmenden disa pasazhe nga Bibla të cilat flasin mbi shërimin.  Këto pasazhe do të forcojnë besimin tonë tek fuqia shëruese e Zotit.  Nëse ti je duke kërkuar shërim, atëherë besoja nevojën tënde Frymës së Shenjtë, medito mbi këto pasazhe dhe me një qëndrim lutjeje deklaroji mbi veten tënde çdo ditë.

‘Sepse unë jam ZOTI që të shëron’ (Eks. 15:26)

‘Shërbejini ZOTIT, Perëndisë tuaj, ai do të bekojë bukën tënde dhe ujin tënd; dhe unë do të largoj sëmundjen nga ti’ (Eks. 23:25)

‘Beko, shpirti im, ZOTIN dhe mos harro asnjë nga të mirat e tij.  Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua’ (Ps. 103:2-3)

‘Ai dërgoi fjalen e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa’ (Ps. 107:20)

‘Biri im, trego kujdes për fjalët e mia; vëru veshin thënieve të mia; mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate; sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre’ (Fj. e U. 4:20-22)

‘Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: “Unë jam i sëmurë”.  Populli që banon aty do të marrë faljen për paudhësinë e vet’ (Isa. 33:24)

‘Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona... dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar’ (Isa. 53:4,5)

‘Dhe, ja, një lebros erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, po të duash, mund të më pastrosh”.  Dhe Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua, qofsh i pastruar”.  Dhe menjëherë lebra e tij u pastrua’ (Mat. 8:2-3)

‘Sepse thoshte më vete: “Po të prek vetëm rrobën e tij, do të shërohem”.  Por Jezusi u kthye, e pa dhe tha: “Merr zemër, o bije; besimi yt të shpëtoi”.  Dhe që në atë orë gruaja u shpëtua’
(Mat. 9:21-22)

‘Pastaj, mbasi thirri bashkë të dymbëdhjetë dishepujt e vet, u dha atyre fuqi dhe pushtet mbi të gjithë demonët dhe të shërojnë sëmundjet.  Dhe i dërgoi të predikojnë mbretërinë e Perëndisë dhe të shërojnë të sëmurët’ (Luka 9:1-2)

‘Se si Perëndia vajosi me Frymën e Shenjtë dhe me fuqi Jezusin prej Nazareti, i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë dhe duke shëruar të gjithë ata, që ishin të pushtuar nga djalli, sepse Perëndia ishte me të’ (Vep. 10:38)

‘Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblyesi i atyre që e kërkojnë atë’ (Heb. 11:6)

‘Jezu Krishti është i njejtë dje dhe sot dhe në përjetësi’ (Heb. 13:8)

‘A është i sëmurë ndonjë nga ju?  Le të therrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, mbasi ta lyejnë me vaj në emër të Zotit, dhe lutja e besimit do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ngrejë atë; dhe nëse ka bërë mëkate, do t’i falen’ (Jak. 5:14-15)


Ndaje dëshminë tënde dhe lutu për ata që janë në nevojë
                Përjetimi i fuqisë shëruese të Perëndisë në jetën tënde shpesh do të bëjë që ti ta kesh më të lehtë të lutesh për njerëzit e tjerë kur ata kanë probleme shëndetësore dhe iu duhet shërim.  Të përjetuarit shërimin në mënyrë personale jo vetëm që të jep një dëshmi të pamohueshme dhe të gjallë, por fillon të ndërtojë thellë brenda teje një bindje të pathyeshme që Zoti MUNDET dhe DËSHIRON t’i shërojë njerëzit dhe t’ua japë jetë me bollëk (Gjoni 10:10).  Në fakt, disa njerëz të cilët janë përfshirë në shërbesën e shërimit, filluan rrugën e tyre të shërbesës së shërimit duke qenë vetë të parët që u shëruan.  Dëshmia e atyre që kanë përjetuar shërimin e Zotit mund të jetë një inkurajim i jashtëzakonshëm dhe një nxitje për të besuar për shërim për ata që janë të sëmurë.
Ndaj, nëse je shëruar, thuaju të tjerëve për atë që Zoti bëri për ty, dhe hidh hapin e besimit duke filluar të lutesh për të tjerët.





[1]  Liardon, R.  “Science of Divine Healing” tek John G. Lake: The Complete Collection of His Life Teachings, Laguna Hills: Roberts Liardon Ministries, faqe 343.  E përdorur me lejën e autorit.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.