06 Vuajtjet e Jobit dhe besimi i tij

Vuajtjet e Jobit dhe besimi i tij

Copyright © 2017 Michael A. Brown


'Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit, dhe keni parë ç’bëri në fund Zoti;
sepse Zoti është plot përdëllim e dhembshuri'' (Jak. 5:11)


Kur mendojmë për librin e Jobit (në Dhiatën e Vjetër të Biblës), ajo që na vjen në përgjithësi në mendje menjëherë janë vuajtjet e këtij njeriu të madh dhe mënyra se si ai e duroi vënien në provë të besimit të tij dhe si, përfundimisht, doli fitimtar mbi telashet.

Shumë njerëz, kur e lexojnë librin e Jobit sikur mërziten nga leximi i tyre nga bisedat e Jobit me miqtë e tij, të cilat duken si biseda të pafund, kështu e kanë të vështirë të përqëndrohen në thellësinë e librit dhe ta gjejnë kuptimin e tij; ai duket sikur ka shumë fjalë të tepërta. Prandaj, edhe pse shohin që shumë gjëra në libër janë shumë të dobishme, veçanërisht kur ndodhen në kohë të vështira në jetën e vet, duket sikur ata nuk e kuptojnë nganjëherë se çfarë thesaresh dhe çfarë thellësish ka në këtë libër, të cilat mund t’i ndihmonin ata edhe më shumë.

Prandaj në studimin tonë të këtij libri, do të ishte një ndihmë e madhe për ne nëse, si fillim, do të përpiqeshim të mësonim sa më shumë që të jetë e mundur për këtë njeri dhe karakterin e tij.


Çfarë njeriu ishte Jobi?
Pra, kush ishte Jobi dhe çfarë njeriu ishte ai? Së pari mësojmë diçka për të në kapitullin 1. Në vargjet e para mund të gjejmë disa gjëra të përgjithshme. Ai ishte “njeri i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes” (1:1). Ai ishte i pasur, duke pasur në zotërim më shumë kafshë se ç’kishte ndokush tjetër në atë pjesë të botës (sepse në këtë mënyrë matej pasuria në ato ditë), dhe ishte njeri frymëror dhe i përshpirtshëm i cili lutej për fëmijët e tij dhe bënte të pamundurën që t’i drejtonte ata në rrugën e Zotit (1:1-5).

Sidoqoftë, mësojmë më shumë për karakterin e tij, kur shohim fjalët e tij në kapitullin 29.

Tek 29:2-6 shohim se Jobi ishte njeri i vërtetë i Perëndisë dhe se sa pranë Perëndisë ishte ecja e tij në jetën e tij të përditshme. Ishte njeri frymëror që e njihte Perëndinë nga afër. Lexoni fjalët e tij: “Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte, kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës; siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time, kur i Plotfuqishmi ishte ende me mua”. Më pas ai na përshkruan bekimet shpirtërore që kishte gëzuar më parë në këto fjalë: “kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji”. Bëj habi se sa prej nesh, si besimtarë që gëzojmë bekimet e ungjillit, do të mund ta përshkruanim jetën tonë frymërore në mënyrë të tillë? Jobi ishte njeri i vërtetë i Perëndisë! Faktin që ai ishte njeri i Perëndisë e shohim edhe nga fjalët në kapitullin 1, ku shohim se ai rregullisht lutej dhe bënte kurbane për fëmijët e tij para Perëndisë.

Në vargjet e mëpasme të kapitullit 29 mund të shohim se ç’lloj respekti gëzonte Jobi tek njerëzit e tjerë në qytetin ku banonte. Besimi i Jobit nuk ishte diçka që nuk kishte asnjë lloj efekti në mënyrën e tij të jetesës. Përkundrazi, Jobi ishte njeri i drejtë dhe drejtësia e tij njihej e respektohej edhe nga njerëzit e tjerë që banonin në atë qytet, dhe kjo jo vetëm nga njerëzit e zakonshëm. Gjithashtu, Jobi respektohej edhe nga kryetarët e qytetit. Në fakt, ai ishte edhe njëri nga krerët e kryetarëve. Vetë kryetarët e tjerë vinin tek ai për këshilla e drejtim. Të gjithë kërkonin të mësonin nga urtësia e tij. Kur vinte Jobi, të gjithë çoheshin më këmbë plot respekt; kur fliste ai, të tjerët mbanin vesh; ishte një nga krerët e tyre.

Lexoni këto fjalë: “Kur dilja në drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh, të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë; princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë; zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza... Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time. Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese. Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit. Unë u buzëqeshja kur e kishin humbur besimin dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime. Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të përzishmit” (29:7‑10,21‑25).

Mund të lexojmë gjithashtu se sa njeri i zemërmirë dhe bujar ishte Jobi. Pushteti, pasuria dhe influenca e tij nuk bënin që të binte në korrupsion, por ai gjithmonë ndiente thellë në zemrën e tij për njerëzit, veçanërisht për ata që vuanin: “Veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua, sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte. Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve. Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë. Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin; isha një baba për të varfrit dhe hetoja çështjen që nuk e njihja. I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij” (29:11-17). Përsëri, bëj habi se sa prej nesh si besimtarë kemi një zemër si të këtij njeriu, sa prej nesh kemi ndërtuar një emër të tillë perëndishmërie dhe drejtësie si të këtij njeriu? A gëzojmë edhe ne respektin e të tjerëve ashtu siç e gëzonte ky njeri?

Është e rëndësishme të shohim jo vetëm ato që njerëzit mendonin për Jobin, por edhe atë që vetë Perëndia mendonte dhe thoshte për të. Mbani parasysh që këto nuk janë fjalët e ndokujt tjetër, janë fjalët e vetë Perëndisë. Ja si e përshkruan Perëndia atë: “shërbëtorin tim”; “mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes” (1:8, 2:3).

E gjitha kjo mund të përmblidhet në fjalët që gjenden te Jobi 1:3. Jobi na përshkruhet këtu si “më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes”. Kështu, kur flasim për Jobin nuk bëjmë fjalë për thjesht një njeri të zakonshëm, dikë që mund ta gjejmë në rrugë, as edhe për një besimtar të zakonshëm. Jo! Jobi ishte shumë njeri i veçantë, madje edhe në sytë e Perëndisë ishte shumë njeri i veçantë. Si nga anët shpirtërore e ekonomike ashtu edhe nga ana e karakterit ai ishte njeri i madh.

Ky pra ishte Jobi dhe, në gjithçka që pason, kur të flasim rreth vuajtjeve të tij, është e rëndësishme të mos i harrojmë këto gjëra, pra, të mos harrojmë se ç’njeri i veçantë ishte ai.


Qëllimi i Perëndisë
Në kapitujt 1 dhe 2 na jepet mundësia të depërtojmë e të kuptojmë disa gjëra që ndodhnin në prapaskenë, në qiell, gjëra që ishin të panjohura për Jobin dhe njerëzit e tjerë. Na tregohet skena se si engjëjt vijnë t’i paraqiten Perëndisë dhe se si edhe Satani vjen t’i paraqitet Zotit. Është shume e rëndësishme që të kuptojmë se ç’po ndodh tani pasi ky është kyçi për të kuptuar gjithë librin e Jobit.

Vini re se është Perëndia ai që bëhet nismëtari i gjithë situatës që ka të bëjë me Jobin. Këtë e bën duke e nisur bisedën me Satanin: “Nga vjen?” Satani iu përgjigj: “Nga ecejaket mbi dhe, duke e përshkuar lart e poshtë” (1:6‑7). Vërtet duket se në përgjigjen e Satanit dëgjojmë një gjë të tillë: “Jam krekosur duke i rënë kryq e tërthor tokës” d.m.th. ai flet me një qëndrim të tillë: “Toka dhe njerëzit e saj janë të mitë. Janë nën sundimin tim, më përkasin mua dhe unë jam mbret i tokës!” Kjo na ndihmon të kuptojmë pse Perëndia e pyet: “E ke vënë re shërbëtorin tim Job?” (1:8). Përgjigjja e Satanit solli sfidën që Perëndia i bën atij. Në fakt, Perëndia thotë: “Mund t’i kesh nënshtruar njerëzit e tokës, por ka një njeri të cilin nuk e ke nën sundimin tënd dhe ky njeri është shërbëtori im, Jobi. Ç’më thua për të?”

Satani menjëherë e ha karremin dhe i thotë Perëndisë se Jobi ka besim vetëm se Ai e ka bekuar atë aq shumë. Por nëse Perëndia do të lejonte që bekimet e tij t’i hiqeshin, atëherë do të shihte se, në të vërtetë, Jobi nuk ishte kaq besimtar i madh. Ai do ta humbiste besimin e tij dhe do ta mallkonte Perëndinë (1:9-11).

Kjo pra është çështja kryesore. Perëndia donte të tregonte se pushteti i Satanit mund të mposhtej në mënyrë të efektshme, në jetën e një besimtari, nëpërmjet besimit. Kjo është edhe tema qendrore e librit. Libri nuk është për vuajtjet e Jobit, edhe pse tema e vuajtjeve luan një rol të madh në libër. Kyçi i librit është të kuptohet se Perëndia dëshiron të demonstrojë, në jetën e besimtarit, fitoren e besimit mbi Satanin. Pra mesazhi i Perëndisë ndaj Satanit, me fjalë të thjeshta, ishte: “Ti mund të mendosh e të veprosh sikur askush në tokë të mos ketë besim të të mundë, por e ke shumë gabim dhe unë kam për ta vërtetuar këtë!”

Këtu zë fill beteja. Perëndia e jep sfidën dhe Satani e ha karremin. Satanit i lejohet të sulmojë Jobin dhe ai shkon e i bën Jobit gjërat më mizore dhe më të poshtra që mund të mendojë, me qëllimin e vetëm t’ia shkatërrojë besimin (1:12‑19). Kjo pra ishte dëshira e Satanit – të shkatërronte besimin e Jobit. Nëse do t’ia arrinte kësaj, ai gjithashtu do të fitonte edhe kundër Perëndisë, dhe, si pasojë, gjithashtu do të shkatërronte edhe besimin e shumë njerëzve të tjerë, të cilët, duke parë se ç’ndodhi, do të shihnin se edhe një njeri më i madh se ata për nga rëndësia dhe besimi e humbi besimin që kishte. Përpjekja e parë e Satanit për t’ia thyer besimin Jobit dështoi, pasi Jobi nuk e mallkoi Perëndinë (1:20-22), kështu Satani i paraqitet përsëri Perëndisë dhe prapë shohim të bëhen sfida (2:1‑10).

Vini re se Satani nuk kurseu asgjë (brenda kufijve që i kishte caktuar Perëndia) për të arritur qëllimin e tij. Këtu mund ta shohim natyrën tërësisht të keqe të Satanit dhe urrejtjen e tij të plotë ndaj besimtarëve. Por vini re, së pari, që Perëndia e jo Satani e filloi këtë punë, me qëllimin që të demonstronte fitoren e besimit mbi Satanin dhe qëllimin që Ai kishte për jetën e Jobit (shih më pas) dhe, së dyti, Satani e jo Perëndia ishte ai që i shkaktoi kaq shqetësime Jobit, gjithmonë nën lejen që Perëndia i dha, gjithmonë nën kontrollin e vullnetit të Tij.

Duke nisur që këtu (që nga kapitulli 3 e tutje) shohim anën njerëzore të kësaj ngjarjeje d.m.th. atë të vuajtjeve dhe mundimeve të Jobit dhe se si, më së fundi, i kapërceu ai ato. Shohim se si besimi i treguar tek Perëndia kapërceu edhe gjërat më të këqija që Satani mund t’i bënte Jobit; se si arrihet fitorja e besimit mbi Satanin në dramën e jetës e përvojës së një njeriu.

Para se të shkojmë më tej në shqyrtimin e vetë vuajtjeve të Jobit, ka tri pika që nevojitet t’i bëjmë të qarta qysh tani:

1. Jobi nuk e dinte se ishte Satani ai që po e mundonte
Kur lexojmë historinë e Jobit, kemi një avantazh në krahasim me Jobin për vetë faktin se na është treguar se çfarë po ndodhte mes Perëndisë dhe Satanit, ndërsa Jobi vetë as që nuk e dinte se ç’bëhej. Nga e gjithë historia e tij mund të nxjerrim mësime për vetë jetën tonë, duke përfshirë këtu edhe një të kuptuar më të mirë të qëllimeve të Perëndisë dhe karakterit të keq të Satanit.

Jobi nuk dinte aspak se ç’po ndodhte. Gjëja e parë që mësoi ishte ajo që shërbëtori erdhi dhe i tha për humbjen e qeve të tij! Kur lexojmë shumë nga fjalët e tij në kapitujt e mëvonshëm, duket sikur ai mendonte se ishte Perëndia që po e mundon me këto shqetësime (shih për shembull te 2:10; 10:2; 16:9; 17:6; 19:21-22). Ky është një gabim që disa njerëz bëjnë në lidhje me vuajtjen. Ata mendojnë se është Perëndia Ai që po i mundon. Duket si një përgjigje e thjeshtë ndaj problemit! Por këtu ka një element misteri. Jobi nuk e dinte aspak se ç’kishte ndodhur në qiell mes Perëndisë dhe Satanit. Ai nuk e dinte se Perëndia kishte qëllimin e Tij që po e lejonte atë të kalonte këto mundime, por që në të vërtetë mundimet vinin prej Satanit. Por mund të shohim se përballë gjithë kësaj Jobi nuk e humbi besimin e tij te Perëndia dhe se ai e dinte që Perëndia ishte sovrani në kontroll të gjithçkaje që po ndodhte, edhe pse ai vetë nuk e kuptonte arsyen pse gjithçka po ndodhte kështu.  Ky duhet të jetë edhe qëndrimi ynë ndaj vuajtjes. Nevojitet që të kuptojmë se Perëndia e lejon vuajtjen (kushdo qoftë shkaku direkt i saj, Satani apo diçka tjetër – dhe nuk është gjithmonë Satani), por që të kuptojmë gjithashtu se, çfarëdo që të ndodhë, Ai është në kontroll të rrethanave dhe ka një qëllim në gjithçka, edhe pse mund të mos e kuptojme se cili është ky qëllim.

2. Jo gjithë sëmundjet vijnë prej Satanit
Ka dhe besimtarë që besojnë se gjithë sëmundjet vijnë nga Satani dhe se, për këtë arsye, i krishteri ka të drejtë të kërkojë të mbetet i lirë nga gjithë sëmundjet gjatë jetës së tij, madje si tekst për ta vërtetuar këtë ata citojnë përvojën e Jobit. Kjo nuk është doktrina e vërtetë. Është e vërtetë që në këtë rast sëmundja dhe vuajtja e këtij njeriu erdhi si pasojë direkte e veprimtarisë së Satanit, por nuk është e drejtë të vazhdosh të thuash se për këtë arsye kjo është e vërtetë për çdo rast sëmundjeje.

Ka tri gjëra që të gjithë ne i kemi trashëguar si pasojë e rënies së njeriut (në Adamin) dhe të cilave të gjithë u nënshtrohemi gjatë jetës sonë. Këto janë: natyra mëkatare, sëmundja dhe vdekja. Ne të gjithë mëkatojmë, të gjithë sëmuremi në kohë të ndryshme dhe, së fundi, ne të gjithë do të vdesim. Sëmundja është pjesë e jetës sonë dhe vjen si pasojë e rënies. Sëmundja mund të shkaktohet prej Satanit në ndonjë rast (p.sh. shih te Luka 13:16), por nuk është e vërtetë të themi se ai i shkakton gjithë sëmundjet.

3. Perëndia lejon që besimtari të vuajë
Kjo është një pikë mjaft e rëndësishme që të kuptohet jo vetëm nga besimtarët, por edhe nga jobesimtarët gjithashtu. Ka mësime që jepen në ditët e sotme të cilat thonë se, nëse një person bëhet besimtar, atëherë Perëndia nuk ka për të lejuar që ai të vuajë, ose thonë se ai ka të drejtë të presë që Perëndia të mos lejojë që ai të vuajë. Është gjithashtu e rëndësishme në shqyrtimin e këtij fakti se shumë jobesimtarë ankohen ndaj Perëndisë dhe e pyesin Atë se pse i lejon që gjëra të tilla të ndodhin në botë. Është e qartë se në këtë ndodhi Perëndia, jo vetëm që lejoi që një person të vuante (për qëllimet e Tij), por Ai lejoi që një besimtar të vuante, dhe jo vetëm një besimtar, por një besimtar vërtet të madh. Këtu shohim të vuajë një njeri vërtet i mirë! Por gjëja e rëndësishme të cilën duhet ta vlerësojnë gjithë besimtarët është fakti që Perëndia ka një qëllim kur lejon që fëmijët e Tij të vuajnë. Ashtu siç thuhet tek Romakët 8:28 “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të Tij” – dhe kjo përfshin edhe vuajtjen! Nëse besimtarët nuk do të vuanin kurrë, si vallë do ta kuptonin dhe do t’i shërbenin kësaj bote të humbur, të thyer, kësaj bote të zhytur mes vuajtjesh?


Vuajtjet e Jobit
Një nga problemet që kemi ne si besimtarë është fakti që kur lexojmë Shkrimet, është kaq shumë e lehtë që t’i lexojmë ato përciptazi, ose nganjëherë i lexojmë duke i kaluar aq shpejt sa nuk u kushtojmë kohën e duhur për t’u futur në thellësinë e atyre që ato mund të thonë. Ne të gjithë e dimë se Jobi vuajti në mënyrë të tmerrshme, por bëj habi se sa shpesh kemi qëndruar për një moment të analizojmë se çfarë saktësisht ishte ajo që Perëndia lejoi t’i ndodhte atij?

Nevojitet që të ndalemi dhe të mendojmë rreth këtyre fjalëve për një moment, sidomos nëse duam që të gjejmë ngushëllim për jetën tonë në atë që i ndodhi Jobit. Ne shpesh ankohemi për problemet tona, sikur askush tjetër të mos vuajë më shumë se ne. Po çfarë i ndodhi Jobit? Mendoje pak, për një moment! Ai kishte gjithë jetën që punonte për të shumëzuar kopetë e tij dhe për të shtuar të mirat materiale të tij, deri sa kishte arritur të bëhej njeriu më i pasur që mund të gjeje. Brenda një dite të vetme ai humbi gjithçka (1:13-17). Gjithçka që kishte iu mor! Kishte tërë atë pasuri dhe e humbi të gjithën. Gjithçka!

Ky është një nga mësimet e mëdha që mund të nxjerrim nga libri i Jobit: të mos mbështetemi në gjërat e kësaj jete, d.m.th. në pasuritë materiale. Pasuritë materiale nuk mund të na japin siguri dhe lumturi të pambarim në jetën tonë. Siguria dhe lumturia e vërtetë mund të gjenden vetëm nëpërmjet besimit te Perëndia, besimit që pati ky njeri Jobi (1 Tim. 6:6‑10). Gjërat materiale nuk janë një themel solid. Mund të fitojmë shumë gjëra, por gjithashtu edhe mund t’i humbasim të gjitha! Mund të arrijmë të shkojmë nga rreckat te pasuritë përrallore, por gjithashtu mund të biem nga këto pasuri përrallore në rreckat! Problemi me materializmin është se rehatohemi dhe vetkënaqemi kaq shumë në jetë, sa mendojmë se s’ka ç’të na tundë më. Duam dhe mendojmë se gjërat do të vazhdojnë kështu gjithmonë. Jetojmë sikur gjërat nuk kanë për të ndryshuar kurrë. Dhe kur gjërat shkojnë mbrapsht, ia hedhim gjithë fajin Perëndisë! Ky lloj sigurie është një siguri e dobët, madje false.

Perëndia u ka premtuar gjithë besimtarëve se Ai do të plotësojë gjithë nevojat e tyre të kësaj jete ndërkohë që ata kërkojnë më së pari Mbretërinë dhe drejtësinë e Tij (Mateu 6:33). Besimi i gjallë te Perëndia, duke kërkuar të kënaqim dhe të ndjekim Atë janë i vetmi themel vërtet i sigurt për jetën tonë. Asnjë ndryshim në rrethanat e jashtme nuk mund ta ndryshojë këtë.

Shihni qëndrimin e Jobit ndaj pasurive të tij tek 31:24-25,27: “Në qoftë se kam pasur besim tek ari dhe arit të kulluar i kam thënë: «Ti je shpresa ime», në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha dhe sepse dora ime ka grumbulluar shumë pasuri... edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndine që rri atje lart”. Jobi mund të duronte humbjen e gjithë pasurive të tij materiale ngaqë kishte pasur gjithmonë një siguri më të thellë në jetën e tij, besimin te Perëndia. Perëndia ishte shumë më tepër për të nga ç’mund të kishin qenë ndonjëherë pasuritë e tij, edhe pse ishte njeri i pasur.

Mizoria e Satanit nuk mbeti thjesht me marrjen e sigurisë së tij materiale. Jobi kishte edhe familje. Ai kishte shtatë djem dhe tri vajza dhe, pa dyshim, i donte të gjithë së tepërmi, siç i duan fëmijët gjithë etërit. Ata ishin zemra e tij. Çfarë bëri Satani? Ai solli një tragjedi që shkaktoi vdekjen e gjithë fëmijëve të Jobit! (1:18-19). Jobi nuk humbi thjesht një fëmijë nga familja e tij si rezultat i një tragjedie (gjë që do të kishte qenë diçka mjaft e keqe), ai i humbi ata të gjithë. Shumë njerëz mbushen plot me hidhërim ndaj Perëndisë kur humbasin një fëmijë, veçanërisht jobesimtarët të cilët nuk e njohin hirin e Perëndisë në rrethana të tilla. Por Jobi i humbi të gjithë fëmijët e tij, që të dhjetë, në një goditje të vetme! Dhe Jobi ishte besimtar. Perëndia lejoi që kjo gjë t’i ndodhte një besimtari!

Goditja tjetër e Satanit iu drejtua vetë Jobit. A e shihni se sa mizor është Satani? I pangopur që e shkatërroi financiarisht dhe që i vrau fëmijët, Satani i sulet vetë Jobit. Ai e mundon atë me sëmundje fizike. Por, përsëri, kjo nuk është thjesht një sëmundje e zakonshme, por një sëmundje që e shkatërron atë tërësisht. Nga koka në këmbë ai mbulohet prej ulcerave të dhimbshme! Mendoni pak se sa mund të ketë vuajtur Jobi! Gjithë siguria e tij materiale i ishte marrë, zemërthyer dhe thellësisht i shkretuar me humbjen e fëmijëve dhe tani vuan vetë fizikisht, dhe nga një sëmundje e tmerrshme dhimbjeshkaktuese!

Dikur pyesja veten pse Satani nuk i mori edhe gruan, d.m.th. pse vazhdoi ta lejonte atë të jetonte? Por këtu shohim mbase mizorinë më të madhe të Satanit. Siç duket qartë, ajo e kishte humbur besimin e saj te Perëndia kur i vdiqën fëmijët dhe tani është plot hidhërim ndaj Perëndisë. Kështu Satani e merr atë dhe e përdor si veglën e tij duke i folur Jobit nëpërmjet saj. Në një kohë që Jobi kishte më tepër nevojë për gruan dhe mbështetjen e saj, çfarë merr ai prej saj? “Mallko Perëndinë dhe vdis!” i thotë ajo (2:9). Këto ishin fjalët e vetë Satanit, thënë nëpërmjet gojës së gruas së tij (krahaso 1:11, 2:5 dhe 2:9). Në një farë kuptimi këtu Jobi humbi edhe gruan e tij, ndërkohë që ajo doli të ishte ngushëlluesja më e mërzitshme nga të gjithë. Shpesh janë pikërisht njerëzit që janë më të afërmit tanë ata që na lëndojnë dhe na bëjnë të vuajmë më shumë (Ps. 55:12-14). Mendoni pak se çfarë shigjete ishte kjo për zemrën e Jobit!

Kështu tabloja e jetës së Jobit ndryshon së tepërmi. Dikur një krye i pasur, i respektuar dhe i nderuar nga të gjithë, tani një njeri që ka humbur gjithçka. Ai qëndron mes dhimbjes mbi hi dhe kruan ulcerat e tij me një copë prej një ene të thyer balte! Vuajtja e tij është e jashtëzakonshme dhe pothuaj e papërshkrueshme. Te Jobi 2:12 na thuhet se kur erdhën miqtë e tij, mezi e njohën, ishte deformuar kaq shumë fizikisht prej sëmundjes sa edhe ata filluan të qajnë. Për një javë të tërë asnjë nuk i foli! E çfarë mund t’i thuash një njeriu që vuan kështu? Çfarë fjalë ngushëlluese mund të thuash në rrethana të tilla? Heshtja ishte e vetmja gjë që ata mund t’i ofronin. Fjalët ishin të pafuqishme për asgjë. “Asnjë nuk i drejtoi qoftë edhe një fjalë të vetme, sepse e shikonin se dhembja e tij ishte shumë e madhe” (2:13).

Kësaj të gjithës i shtoheshin edhe talljet e njerëzve në krahinë. Një mjeran që vuante e ishte bërë për të të ardhur keq, qëndronte mbi një pirg hiri duke kruar plagët e tij dhe duke u përpjekur të besonte te Perëndia. Të rinjtë derdhnin talljen dhe përçmimin e tyre mbi të. “Tani, përkundrazi, më të rinjë se unë më përqeshin... Tani jam bërë kënga e tyre e talljes, po, jam bërë gazi i tyre. Kanë tmerr nga unë, rrinë larg meje dhe nuk ngurrojnë të më pështyjnë në fytyrë. Meqenëse Perëndia ka lëshuar disi litarin e çadrës sime dhe më ka poshtëruar, ata kanë këputur çdo fre para meje” (30:1,9-11).

Është një ndihmë e madhe për ne të shohim se në ç’ekstreme vuajtjesh Perëndia lejoi që ky njeri të kalonte. Ne të gjithë ankohemi kur kalojmë kohë të vështira dhe vuajtje, por a kemi vuajtur ndonjëherë siç vuajti ky njeri? Ja pra, një njeri që vuajti në ekstrem dhe megjithatë nuk e humbi besimin e tij te Perëndia, por gjeti ngushëllim në faktin që e dinte se Perëndia ishte me të. Por vini re gjithashtu, se edhe pse vuajtja ishte e madhe, Perëndia qëllimisht, në fakt, i vuri kufij Satanit (1:12; 2:6). Satanit iu lejua të arrinte deri këtu, por jo më tej. Ky është një inkurajim për ne. Në gjithë kohët tona të vështira, Perëndia është sovrani që mban nën kontroll jetën tonë. Sulmet e Satanit, edhe pse mizore, janë të kufizuara në ashpërsinë e tyre.


Beteja e brendshme e Jobit
Në kapitujt që pasojnë mund të shohim se si besimi i Jobit i kapërceu këto sulme të Satanit, por mund të shohim edhe betejën e thellë që atij i duhej të bënte. Ishte diçka shumë e vështirë për të! “Atëherë Jobi u ngrit, grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra përmbys e adhuroi dhe tha: «Lakuriq dola nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit». Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi dhe nuk e paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi” (1:20-22). “«Në rast se pranojmë të mirën nga Perëndia, pse nuk duhet të pranojmë edhe të keqen?». Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi me buzët e tij” (2:10).

Shihni se në ç’sprova të thella kaloi besimi i Jobit! “Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij... Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?” (3:1,11); “Ah, sikur dhembja ime të peshohej krejt dhe fatkeqësia ime të vihej bashkë mbi peshore, do të ishte me siguri më e rëndë se rëra e detit!” (6:2,3); “Ah, sikur të mund të kisha atë që kërkoj, dhe Perëndia të më jepte atë që shpresoj! Dashtë Perëndia të më shtypë, të shtrijë dorën e Tij dhe të më shkatërrojë!” (6:8,9); “Jam neveritur nga jeta ime... Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu!” (10:1,18). Jobi, njeriu i madh i Perëndisë, nuk ishte tani veç njeri që ndodhej në një gjendje të tillë që e bënte të thoshte se do të kishte preferuar më mirë të mos kishte lindur fare dhe se dëshironte vetëm të vdiste dhe të shpëtonte nga vuajtjet që po hiqte!

Ai filloi t’i bëjë pyetje Perëndisë; të njëjtat pyetje që kanë gjithë njerëzit që vuajnë. Këto janë pyetje që nuk bëhen vetëm nga jobesimtarët, por edhe nga besimtarët. Madje edhe Jobi, ky njeri i madh i Perëndisë, bëri pyetje të tilla në kohën e vuajtjes së tij: “Përse Perëndia lejon që të më ndodhin këto gjëra? Përse duhet që të pafajshmit të vuajnë dhe të këqijtë të largohen të pandëshkuar?”

Jobi 12:4-6 “Jam bërë gazi i miqve të mi... të drejtin, të ndershmin, e kanë vënë në lojë. Një llambë, e përçmuar në mendimet e atyre që jetojnë në mes të të mirave, është përgatitur për ata të cilëve u merren këmbët. Ndërsa çadrat e cubave janë të qeta dhe e ndiejnë veten të sigurt ata që provokojnë Perëndinë”.

Jobi 21:7-13 “Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre? Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre... Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre... Demi i tyre mbars dhe nuk gabon... hedhin valle… këndojnë... kënaqen... I kalojnë në mirëqenie ditët e tyre...”

Jobi 24:1-4,9,12 “Pse vallë i Plotfuqishmi nuk i rezervon vetes kohëra dhe ata që e njohin nuk shohin ditët e tij? Disa zhvendosin kufijtë, marrin me forcë kopetë dhe i çojnë në kullotë; u marrin gomarin jetimëve dhe marrin peng kaun e gruas së ve; i shtyjnë jashtë rruge nevojtarët, kështu tërë të varfrit e vendit janë të detyruar të fshihen... e rrëmbejnë nga gjiri jetimin dhe marrin pengje nga të varfrit... Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend së keqes...”

Por mund të shohim se edhe ky lloj pyetjesh nuk e bëri atë të humbiste besimin e tij. Po, ai pyeste Perëndinë pse Ai lejonte të këqijtë të jetonin akoma, por ai dinte gjithashtu se edhe ku do të shkonin përfundimisht ata dhe akoma e shihte se Perëndia ishte Ai që e mbante kontrollin mbi ta (shih tek Jobi 21:14‑26; 24:13-24 si dhe tek Psalmi 73).

Mjaft e natyrshme ishte edhe lutja e Jobit ndaj Perëndisë për çlirim prej vuajtjeve të tij. Por, ndërsa vuajtjet e tij vazhdonin akoma, lutjet e tij nuk po merrnin përgjigje dhe, për më tepër, Jobi nuk po e ndiente më pranë vetes Zotin. Këtë mund ta shohim në shumë vargje: “Unë të klith ty dhe ti nuk më përgjigjesh” (30:20); “Ah, sikur të dija ku ta gjeja, që të mund të arrija deri në fronin e tij! Do ta parashtroja çështjen time para tij, do ta mbushja gojën time me argumente... Ja, po shkoj në lindje, por aty nuk është; në perëndim, por nuk e shoh; vepron në veri, por nuk e shoh; kthehet nga jugu, por nuk arrij ta shikoj” (23:3-4,8-9). Lutje që s’merr përgjigje – dhe ku? – këtu në jetën e një njeriu të madh të Perëndisë! Perëndia duket se është kaq larg! A e keni përjetuar ndonjëherë edhe ju këtë gjendje, ku Perëndia ju duket shumë larg dhe nuk u përgjigjet lutjeve tuaja? Nëse po, ja ku e keni edhe një shok, Jobin!


Miqtë e Jobit
Shumë njerëz e kanë të vështirë të ndjekin dhe të kuptojnë bisedat që Jobi pati me miqtë e tij, “ngushëlluesit e Jobit” siç i quajmë ne. Bisedat duken se vazhdojnë e vazhdojnë pothuaj pa fund kapitull pas kapitulli.

Ideja bazë që miqtë e Jobit kishin ishte kjo: nëse një njeri vuante ashtu siç po vuante Jobi, atëherë kjo do të thoshte veç se ai kishte mëkatuar dhe e kishte fyer Perëndinë në një mënyrë apo një tjetër dhe se vuajtjet e tij ishin ndëshkimi i Perëndisë. Kjo na sjell ndërmend idenë që kishin dishepujt te Gjoni 9:1-3: “Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja. Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: «Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?» Jezusi u përgjigj: «As ky s’ka mëkatuar, as prindërit e tij, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë»”. Mund të shohim prej fjalëve të Perëndisë tek Jobi 42:7 se çfarë vetë Ai mendonte për këta njerëz: “Zemërimi im u ndez kundër teje [Elifaz] dhe kundër dy miqve të tu, sepse nuk keni folur drejt për mua, ashtu si ka bërë shërbëtori im Job”. Premisa e tyre, që thoshte së nëse një njeri vuan kjo do të thotë që ai ka mëkatuar, ishte e gabuar, dhe vetë Perëndia nuk e vlerësoi dhe e hodhi poshtë atë pasi ishte e gabuar.

Miqtë e Jobit u inatosën shumë me të, pasi ai mbronte veten dhe vazhdonte të thoshte se nuk kishte bërë asnjë të keqe që të meritonte këtë lloj ndëshkimi. Ata menduan se ai thjesht po tregohej i vetëdrejtë (32:1-3). Gjatë gjithë kohës Jobi vazhdoi të qëndronte në atë që nuk kishte bërë asnjë gjë të keqe para Perëndisë. Ai madje tha se nëse kishte bërë ndonjë të keqe të tillë, atëherë Perëndia do të kishte të drejtë ta ndëshkonte (31:1-40). Jobi nuk mund ta kuptonte pse e gjitha kjo po i ndodhte atij. Megjithëse, sigurisht që Jobi nuk ishte i përkryer në brendësi, ashtu siç nuk mund të jetë askush në këtë jetë, ai përsëri nuk kishte kryer ndonjë mëkat që të meritonte këtë lloj vuajtjeje. Shohim se ai e ruan këtë qëndrim gjatë gjithë vuajtjeve të tij, duke besuar se Perëndia do të vërtetonte drejtësinë e tij.

Dhe miqtë e tij? Çfarë ngushëlluesish! Në një kohë kur Jobi kishte nevojë për ndihmën, ngushëllimin dhe kujdesin e miqve të tij, çfarë bënë ata? Mos ishin ndonjë ngushëllim për të? Përkundrazi, gjithçka që ata bënë ishte të përpiqeshin ta bindnin atë se duhej të kishte kryer ndonjë mëkat shumë të rëndë për të cilin tani po ndëshkohej prej Perëndisë! Sa pa pikë ndjeshmërie! Dëgjoni disa nga fjalët e Jobit për ta: “Të gjithë ju jeni ngushëllues të mërzitshëm!” (16:2); “Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja?” (19:2); “Për atë që është i pikëlluar, miku duhet të tregojë dhembshuri... Por vëllezërit e mi më kanë zhgënjyer si një përrua, si ujërat e përrenjve që zhduken” (6:14-15) etj. Fjalët e këtyre njerëzve vetëm se i shtonin vuajtjes së tij!

Është interesante të vihet re se vëllezërit, motrat dhe të njohurit e Jobit erdhën ta ngushëllonin atë vetëm pasi Zoti e kishte shëruar! (42:11). Ku ishin ata gjatë vuajtjes së tij?


Besimi dhe durimi i Jobit
Ky është thelbi i asaj që përjetoi Jobi. Një besimtar i madh, edhe pse u vu në prova ekstreme, nuk e humbi besimin e tij. Kjo është arsyeja pse kjo që i ndodhi Jobit është një mësim i madh për besimtarët kur ata vuajnë. Ai mallkoi ditën e lindjes dhe donte të vdiste; ai nuk e ndiente praninë e Perëndisë askund; lutjet e tij për njëfarë kohe nuk po merrnin përgjigje; ai pyeste pse Perëndia e linte të vuante; pse i lë Ai të drejtët në vuajtje kur të këqijtë duket se vetëm begatohen; POR ai kurrë nuk e humbi besimin, pavarësisht nga gjithçka që ndodhi.

Dhe është pikërisht kjo ajo që është më e rëndësishme për sytë e Perëndisë. Siç e kemi thënë edhe më sipër, Perëndia ishte nismëtari i gjithë kësaj përvoje në jetën e Jobit për të treguar se besimi i një besimtari mund të kapërcejë edhe sulmet më të këqija të Satanit. Nevojitet që ne të kuptojmë se sa i rëndësishëm është për Perëndinë besimi ynë, sa gjë e vyer është për të që ne ta besojmë Atë. Kjo është ajo që apostull Pjetri na thotë te 1 Pjetri 1:6-7 “Për këtë [shpëtimin] ngazëllehuni, ndonëse tani, në qoftë se duhet, për pak kohë, duhet të trishtoheni në tundime të ndryshme, që sprova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse sprovohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit”. Vënia në provë dhe forcimi i besimit tonë është çështje e një rëndësie të madhe në sytë e Perëndisë.

Tabloja që Pjetri na jep këtu është ajo e një furre. Minerali i arit hidhet në furrë dhe nxehet aty deri sa arrin një temperaturë të lartë për të ndarë arin e vërtetë nga skoriet të cilat hiqen tej. Ai thotë se nganjëherë në jetën tonë si besimtarë Perëndia e vë në provë besimin tonë në të njëjtën mënyrë, me qëllim që ta pastrojë atë dhe ta bëjë atë më të fortë. Por prova kërkon që të futemi në furrë, në një temperaturë të lartë! Një përvojë aspak e këndshme, por e domosdoshme për ta rafinuar besimin, për ta bërë atë më të fortë dhe më të pastër. Misionarin e madh gjerman Gjergj Myler (George Mueller) e pyetën njëherë se si kishte arritur në këtë pikë sa të kishte një besim kaq të madh te Perëndia. Përgjigjja e tij ishte kjo: “Kam besim të madh pasi kam duruar sprova të mëdha”.

Ishte pikërisht kjo ajo që Jobi donte të thoshte në fjalët e tij të famshme te Jobi 23:10 “Por Ai e njeh rrugën që unë kam marrë; sikur të më provonte, do të dilja si ari”. Dhe ashtu si apostull Gjoni thotë te 1 Gjoni 5:4 “kjo është fitorja, që e mundi botën: besimi ynë”.

Ka edhe vargje të tjera që na tregojnë se Jobi nuk e humbi besimin e tij. Për shembull, te Jobi 19:25-27 lexojmë: “Por unë e di që Shpengimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do ta shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër”. Mund ta shohim këtë edhe nga fundi i historisë kur Perëndia i thotë Jobit të lutet për miqtë e tij në mënyrë që Perëndia ta falë mëkatin e tyre të të mosthënit ç’ishte e drejtë për Perëndinë. Fakti që Jobi mund të lutej akoma përbënte një mrekulli më vete! Sa prej nesh, kur kalojmë përmes kohëve të vështira, e humbasim dëshirën të lutemi dhe madje pushojmë së luturi, sepse jemi të zënë aq shumë me pyetjet që i bëjmë dhe sqarimet që i kërkojmë Perëndisë? Por këtu shohim që Jobi është akoma në vuajtjet e tij dhe Perëndia i thotë të lutet; ai akoma ka besimin për t’u lutur! Dhe ishte vetëm pas kësaj lutjeje që Perëndia e shëroi atë (shih te 42:10).

Një nga rezultatet e kësaj përvoje të Jobit ishte fakti se Perëndia ia zbuloi veten Jobit në një mënyrë shumë më të thellë nga ç’e kishte njohur ai më parë. Jobi kishte qenë besimtar i madh dhe i fortë para sprovave të tij dhe ai e kishte njohur Perëndinë. Por sado mirë ta njohim Zotin, gjithmonë ka mënyra më të thella në të cilat mund ta njohim Atë. Dhe kjo ishte ajo që i ndodhi edhe Jobit. Në kapitujt 38-41, Perëndia i flet atij dhe ia zbulon veten Jobit. Lexoni fjalët e Jobit te 42:5-6: “Veshi im kishte dëgjuar të flitej për ty, por tani syri im të sheh. Prandaj ndiej neveri ndaj vetes dhe pendohem në pluhur dhe hir”. Lexoni gjithashtu edhe tek 42:2-3. Edhe pse ai e kishte njohur Perëndinë më parë, ajo dukej se nuk ishte asgjë para mënyrës në të cilën ai arriti tashmë ta njohë Perëndinë. Ai u përul para Perëndisë ndërsa Perëndia i dha një zbulesë të re të vetes së Tij. Dhe sa e sa besimtarë të tjerë mund të thonë të njëjtën gjë si pasojë e vuajtjeve dhe përvojave të vështira që kanë pasur, se Perëndia ishte kaq i mirë gjatë gjithë kësaj përvoje, se u tregoi veten në një mënyrë të re, se ecja e tyre me Perëndinë u bë kaq shumë më e vyer, se ata arritën të njohin Perëndinë dhe rrugët e Tij shumë më thellë, e kështu me radhë.

E shohim besnikërinë e Perëndisë ndaj Jobit. Jobi ishte fëmijë i Perëndisë dhe Perëndia i mbeti atij besnik si atë. Ai lejoi që Jobi të kalonte përmes një sprove shumë të vështirë, por Perëndia ishte gjithmonë pranë tij, duke mbajtur kontroll mbi gjithçka. Prova më së fundi përfundoi dhe besimi i Jobit u vërtetua. Prova ishte e gjatë dhe e vështirë, por nuk vazhdoi përgjithmonë. Retë e bllokuan diellin, por dielli ishte atje gjatë gjithë kohës dhe, më së fundi, ai doli dhe ndriçoi plot shkëlqim përsëri në jetën e Jobit.

Dhe sa e bekoi atë Perëndia më pas! Çfarë mirësie dhe dashurie të Perëndisë që mund të shohim në fund të librit! Perëndia e shëroi atë plotësisht dhe i dha përsëri begatinë atij –  por kësaj here dyfishin e asaj që kishte pasur më parë; i dha atij një familje tjetër; bijat e tij ishin vajzat më të bukura në tërë vendin (42:10-17). Perëndia i dha aq sa kishte pasur para se të fillonte sprova dhe madje i dha edhe shumë më tepër! Ç’Perëndie të madh i shërbejmë!


Je besnik që kurrë nuk ndryshon,
Në amshim paqja ime je,
Mbi gjithçka Zot mbështetje të kam,
Ty unë të kërkoj përherë e gjithmonë.
Je Shkëmbi im në kohë shqetësimesh,
Ti lart më ngre kur poshtë unë jam,
Dhe në stuhi strehimi im Ti je,
Dhe shpresën tek Ti unë kam.



No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.