Copyright © 2018 Rev. Suela Brown
Lutjet
e tua i hapin derën realizimit të vullnetit të Zotit mbi tokë! Nuk është koha për t’u ankuar, por për të marrë
kontroll mbi çfarëdolloj situatë nëpërmjet lutjes. Trupi i Krishtit këtu në tokë është ai i cili
nëpërmjet ndërmjetësimit i hap rrugën implementimit të vullnetit të Zotit në jetën
e kombit. Nëse trupi i Krishtit në një
komb ka rënë në gjumë apo ka mbetur i dobët, i përçarë dhe pa vizion, nuk lutet
për ata që drejtojnë dhe menaxhojnë vendin si dhe për çdo gjë tjetër që ka të bëjë
me mbarëvajtjen e jetës së një kombi, atëherë ai komb nuk ka për të përparuar
apo begatuar.
Është
e kotë që të ankohemi për politikanët, ekonominë apo gjendjen shoqërore të vendit,
nëse trupi i Krishtit nën drejtimin e drejtuesve të vet nuk mobilizohet dhe e
prezanton çështjen para Zotit. Janë lutjet
e trupit të Krishtit për një komb, që ndryshojnë realitetin frymëror të kombit,
që mposhtin errësirën dhe forcat e saj dhe i hapin rrugën ndriçimit të dritës së
Perëndisë, bekimit, paqes dhe prosperitetit. Qeveritarët e një kombi nuk janë
zota, ata janë njerëz si gjithë të tjerët që kanë nevojë për ndihmë dhe urtësi
nga Zoti për të na qeverisur me drejtësi. Dikush duhet të mbajë përgjegjësinë frymërore
për t’u lutur për ta çdo ditë. Nëse
trupi i Krishtit nuk lutet për ta, si mund të pritet që këta drejtues mortalë të
bëjnë gjithmonë gjënë e duhur? Si mund të
pritet që ata të mos devijojnë, korruptohen e dështojnë? Si mund të kemi ndërgjegje
për t’i kritikuar, kur ne që duhet të lutemi për ta nuk përmbushim detyrimin që
kemi ndaj tyre në sytë e Zotit, por i braktisim?
Zoti
bëri një premtim:
“Nëse
populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time
dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal
mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij” (2 Kron. 7:14).
Ai
nuk e thyen asnjëherë fjalën por i mban premtimet, sepse është dëshira e tij që
popujt të jetojnë në dritën e tij dhe të mos shkatërrohen. Sado të mëdha qofshin sfidat e një kombi në sferën
politike, ekonomike, sociale apo në çdo drejtim tjetër, këto sfida janë të menaxhueshme
dhe të kapërcyeshme për sa kohë që populli i Përendisë në atë vend, i bashkuar si
një trup i vetëm në një mendje të vetme, përulet përpara Perëndisë dhe fillon t’i
kërkojë Zotit ndihmë dhe bërjen e vullnetit të tij. Nëse kjo gjë ndodh, Zoti fillon të përfshihet
në jetën e atij kombi dhe të ndryshojë drejtimin dhe të ardhmen e tij. Por nëse populli i tij thjesht ulet në karrigen
e vëzhguesit dhe nuk shkon tek Përendia për të ndërmjetësuar, atëherë në sytë e
Zotit ai është përgjegjës. Si pasojë jo
vetëm që situata në vend do të vazhdojë të përkeqësohet, por populli i Përendisë
në atë vend do të vuajë si gjithë kombi, por në rastin e tij për arsye të neglizhencës
dhe indiferencës së vet.
Në
një kohë kur Izraeli i kishte kthyer shpinën Zotit dhe ishte korruptuar në çdo
drejtim si nga ana politike, fetare dhe morale, dhe si rezultat po shkonte drejt
greminës me një shpejtësi marramendëse, Zoti tha se po kërkonte në gjithë
popullin për të gjetur një njeri i cili do të qëndronte përpara Zotit dhe do të
ndërmjetësonte për këtë popull, por nuk gjeti askënd (Ezek. 22:30-31).
Nuk
shkoi askush përpara Zotit për të bërë rolin e ndërmjetësuesit ashtu sikurse
Abrahami dhe Moisiu, Danieli, mbretëresha Ester, kishin bërë dikur. Nëse do të kishte dalë dikush, Zoti do t’i
ishte përgjigjur dhe do ta kishte mbrojtur vendin nga shkatërrimi. Si rezultat ajo çka Zoti nuk dëshironte të
ndodhte ndodhi dhe shkatërrimi që i priste nuk u evitua. Shikoni se si Zoti fillon të veprojë kur një
njeri i vetëm shkon përpara Zotit për një komb. Imagjinoni çfarë ndodh kur me mijëra njerëz,
trupi i bashkuar i Krishtit shkon para tij për kombin.
Ka
ardhur koha për t’u zgjuar, për të mbartur të tashmen dhe të ardhmen e kombit
mbi supe përpara Perëndisë, për t’u gjunjëzuar dhe përulur përpara Tij në lutje,
për t’u dhënë shpresë atyre rreth nesh që e kanë humbur shpresën. Ndihma jonë vjen prej tij.
Lutuni
të bashkuar, lutuni pa pushim! Lutuni
dhe agjëroni derisa “retë” të çahen, errësira të largohet dhe drita të ndriçojë
mbi kombin tënd. Le të ndërtohen themelet e së nesërmes mbi lutjet e të sotmes! Le ta vendosim shpresën dhe besimin për të
tashmen dhe të ardhmen e kombit tek Zoti sepse ai është Mbret mbi mbretërit e dheut.
Zemra e mbretit dhe e çdo drejtuesi është
në dorën e tij, dhe ai mund ta drejtojë si të dojë. Le të shkruhet e ardhmja e kombit nëpërmjet lutjes!
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.