‘Dhe si u mbushën dyzet vjet, iu
shfaq në shkretëtirën e malit Sinai, një engjëll i Zotit në flakën e zjarrit të
një ferrishtjeje…’ (Vep. 7:30)
Dyzet vjet është një periudhë tepër e gjatë
për të pritur, duke u përgatitur për një mision të madh. Por, atëherë kur duket
sikur Zoti po vonohet, kjo nuk do të thotë që ai nuk është duke vepruar. Është pikërisht gjatë kësaj kohe kur ai na përgatit
të jemi veglat e tij dhe na pjekuron në forcën e tij. Në kohën e caktuar Ai do të na ngrejë lart
dhe do të jemi të gatshëm për sfidat e detyrës që kemi përpara. Edhe Jezusi
nga Nazareti kaloi tridhjetë vjet në qetësi, i panjohur, duke u rritur në urtësi
para se të fillonte punën e tij.
Zoti kurrë nuk është me nxitim. Ai kalon shumë vite duke përgatitur ata njerëz
që ai ka ndërmend t’i përdorë, dhe ai kurrë nuk mendon se koha e përgatitjes është
tepër e gjatë apo e mërzitshme. Shpeshherë
përbërësi më i vështirë i vuajtjes është KOHË.
Një dhimbje e madhe por e shkurtër mund të durohet mjaft lehtë, por kur
një trishtim zgjat së tepërmi dhe zvarritet në rrugën e tij të gjatë rraskapitëse
në mënyrë monotone vit pas viti, i ndjerë përditë me atë rutinën e mërzitshme të
agonisë së pashpresë, atëherë zemra jonë e humbet forcën e saj. Pa hirin e Perëndisë, zemra jonë me siguri do
të bjerë në dëshpërim të errët.
Jozefi duroi një sprovë të gjatë, dhe shpeshherë
Zoti duhet të na ngulitë ato mësimet që mësoi ai edhe në thellësinë e qenies
sonë, duke përdorur zjarrin e dhimbjes së zgjatur. “Ai do të
ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin” (Mal.
3:3), mirëpo ai e di specifikisht se sa kohë i duhet. Si një argjendar i vërtetë, Përendia e shuan zjarrin në momentin që ai
shikon imazhin e tij në metalin rrezatues.
Mbase sot nuk mund të shohim rezultatin përfundimtar
të planit të bukur që Zoti ka fshehur “në
hijen e dorës së tij” (Isa. 49:2). Ai
mund të ketë qenë i fshehur për një kohë që neve na duket tepër e gjatë, por
besimi ynë mund të mbështetet tek siguria e asaj që Zoti është i ulur në fronin
e tij. Dhe
për arsye të kësaj sigurie, ne mund të presim qetësisht për atë kohë kur me kënaqësi
do të themi, “të gjitha gjërat [kanë
bashkëvepruar] për të mirë” (Rom. 8:28).
Ashtu si Jozefi, ne duhet të kemi kujdes që
të fokusohemi tek të mësuarit gjithë mësimet e shkollës së sprovës në vend që
thjesht të fokusohemi me sytë e ankthit tek koha e çlirimit tonë të ardhshëm. Ka një arsye për
çdo mësim, dhe atëherë kur të jëmi të gatshëm, çlirimi ynë sigurisht që do të
vijë. Atëherë do të kuptojmë se ne kurrë
nuk do të mund të kishim shërbyer në vendin e ri dhe më të lartë të shërbesës
pa mësuar pikërisht ato gjëra që mësuam gjatë përvojës
sonë të hidhur. Perëndia po na mëson dhe
po na trajnon në një proçes, që të jemi të përgatitur dhe të gatshëm për shërbesën
tonë të ardhshëm si dhe bekime më të mëdha. Dhe në qoftë se kemi zhvilluar ato cilësitë
që na bëjnë të gatshëm që të zëmë vendin e duhur, asgjë nuk ka për të na penguar
që ta arrijmë këtë gjë atëherë kur të ketë ardhur koha e Zotit.
Mos e vidhni të nesërmen nga duart e Perëndisë. Kurrë mos vraponi pa menduar përpara Zotit. Mësoni të prisni kohën e tij. Jepja kohë që t’ju flasë dhe t’jua zbulojë
vullnetin e tij. Ai kurrë nuk është me
vonesë – mësoni të prisni!
[Cowman,
L.B. Streams in the Desert, lexim i përditshëm
për 22 mars.]
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.