19 Shërbëtori i panjohur



Në qendër të qytetit tim, gjendet statuja e një ushtari pa emër.  Statuja titullohet “Ushtari i Panjohur”.  Kur isha fëmijë i shtroja pyetjen vetes: “Kush të ketë qenë ky ushtar, pse nuk ka emër?”  Bukuria e këtij monumenti qëndron pikërisht tek misteri i tij. Nëpërmjet tij nderohen të gjithë luftëtarët që i shërbyen atdheut.  Edhe pse emri i tyre ka hyrë në harresë, sakrifica dhe vepra e tyre ende kujtohet dhe nderohet.

 Këtë shkrim dua t’ua dedikoj “shërbëtorëve të panjohur”, atyre të cilëve me përkushtim dhe dedikim i shërbejnë Zotit, duke dhuruar pa kushte dhe me bollëk dashurinë e tij, pavarësisht se emri i tyre mund të mos përmendet apo mund të ketë hyrë në harresë.  Shërbimi i tyre ndaj Jezu Krishtit nuk është i bujshëm.  Ata/ato mund të mos kenë katedra, apo turma admiruesish që i ndjekin nga pas.  Ata/ato gjenden në mbrapaskenë, dhe shpesh gjenden në mbrapaskenën e jetës dhe suksesit të atyre që janë të suksesshëm në shërbesë.  Janë këta njerëzit që Zoti i përdor shumë fuqishëm por të cilëve nuk u dëgjohet emri apo shpesh edhe u fshihet.  Është tendenca njerëzore që mbasi njeriu ka arritur aty ku dëshiron, fillon të mohojë faktin se dikush e ndihmoi, dikush e inkurajoi, këshilloi dhe mbështeti, dhe fatkeqësisht kjo tendencë shfaqet shpesh dhe mes besimtarëve.

 Historitë e Biblës janë të mbushura me persona të tillë, të cilët Zoti nuk i lë në harresë dhe as nuk ka turp të shprehë vlerësimin dhe krenarinë e tij për ta.  Këta persona dhe shërbimi i tyre janë tepër të rëndësishëm për t’u lënë në harresë edhe pse nuk kërkojnë njohje apo famë, por preferojnë të qëndrojnë në hije dhe të jetojnë me thjeshtësi.

 Po cilët janë këta përsona?

 Po e filloj tregimin mbi ta duke filluar me një grua të perëndishme dhe të fuqishme në besim të quajtur Elisabeta.  Po e filloj me atë sepse ajo është një nga personat e parë të kësaj kategorie që shfaqet në Ungjill.  Ajo ishte bashkëshortja e një prifti e cila gjithë jetën i ishte lutur Zotit për një fëmijë pa e humbur shpresën.  Kur ajo ishte në moshë të thyer, engjëlli iu shfaq burrit dhe i tha se ajo do të lindte një fëmijë i cili do të ishte profet, Gjon Pagëzori.  Mungesa e një fëmije në jetën e saj e kishte bërë që ajo të vlerësonte dhe donte jetën pavarësisht se si kjo jetë vinte në botë.  Kur virgjëresha Mari mësoi se ishte shtatzënë dhe fëmija që mbartte ishte shpëtimtari i botës, personi i parë tek i cili vrapoi për këshillë, mbështetje dhe mbrojtje ishte Elisabeta.  Tek gjithkush tjetër ku do të kishte përplasur kokën, do të kishte vënë veten dhe fëmijën në rrezik, sepse sipas ligjit një vajzë shtatzënë jashtë martese duhej vrarë me gurë.  Gjithkush që e donte do t’i kishte thënë të shpëtonte veten duke abortuar fëmijën, ndërsa gjithkush tjeter do kishte marrë gurin dhe do ta kishte flakur drejt saj.  Por jo Elisabeta e dashur, zemërgjerë, e ngadalshme per të gjykuar, e mëshirshme, e perëndishme.  Ndryshe nga gjithkush tjetër, ajo mbajti në shtëpinë e saj vajzën e frikësuar, e mësoi, e këshilloi dhe e forcoi derisa Maria ishte gati të mbijetonte mbasi ishte ballafaquar me realitetin e ashpër.  A do të kishte arritur të lindte Jezusi nëse Elisabeta nuk do të kishte treguar mbrojtjen dhe kujdesin që tregoi ndaj Marisë?  Duket sikur nëpërmjet kësaj historie Jezusi thotë: “Ja gruaja që më shpëtoi jetën atëherë kur unë s’mund të flisja dhe as të mbroja veten dhe nënën time”.

 Mardokai, xhaxhai i vajzës jetime Ester e cila u bë mbretëreshë dhe më pas shpëtimtare e popullit të saj, ishte një sekretar i thjeshtë në shërbim të mbretit.  Nuk ishte i njohur dhe as i admiruar, por ishte një nga ata burrat e rrallë të cilët me dedikim dhe punë japin maksimumin në gjithçka që bëjnë.  Shumë njerëz në pozitën e tij do të ishin ankuar dhe madje do të kishin dhënë dorëheqje nga përgjegjësia për të rritur dhe kujdesur për fëmijën e dikujt tjetër mbi të gjitha për një vajzë.  Them mbi të gjitha për një vajzë, sepse në kohën e tij, djemtë konsideroheshin bekim, por vajzat barrë.  Por, ky njeri i perëndishëm mendonte ndryshe, nuk e shihte Esterin jetime si barrë, por si një thesar që kishte privilegjin ta rriste dhe edukonte në rrugët e Perëndisë.  Me besnikëri dhe dedikim ai investoi tek ajo gjithë dashurinë dhe mençurinë e tij, derisa një ditë nga mijëra vajza që dolën për vlerësim para mbretit më të fuqishëm në botën e asaj kohe, ajo ishte e vetmja që kishte cilesitë e një mbretëreshe.  Nuk do ta mbështeste vetëm derisa ajo u bë mbretëreshë por përgjate mbretërimit të saj, dhe do të ishte ai që do të ndërmjetësonte tek ajo për mbijetesën e popullit të Perëndisë.  Do të ishte ai që do ta nxiste të merrte hapin e duhur.  A do të ishte bërë kjo vajzë mbretëresha e perandorisë persiane nëse ai nuk do të kishte rritur mbretëreshën brenda saj?  A do t’i kishte shpëtuar një popull i tërë shpatës së shfarosjes, nëse nuk do të kishte qenë për ndërmjetësimin dhe nxitjen e tij?

 Mund të vazhdoja të shkruaja mbi mirësinë e Jonathanit ndaj Davidit, mbështetjen dhe mentorizimin e Barnabës ndaj Palit, këshillat e pjekura dhe me vend të Jethros për Moisiun, mençurinë dhe drejtimin e Naomit për Ruthin, por këta dy shembuj mjaftojnë për të mësuar në rradhë të parë vlerën e të qenit njeri i perëndishëm me karakter të perëndishëm, i mbushur me dashuri dhe i ngadalshëm në zemërim, me mirësi dhe urtësi hyjnore, i drejtuar nga Fryma e Zotit. Vlera e njerëzve të tillë në mbreterinë e Perëndisë është tepër e madhe për t’i vendosur një çmim.  Këta njerëz janë rrahur nga realiteti i jetës dhe kanë mbijetuar nëpërmjet besimit të tyre tek Zoti.  Elisabeta e rrahur nga plaga e shterpësisë dhe e opinionit përçmues të botës, po i dhuronte Marisë kujdesin dhe pranimin që asaj vetë i ishte mohuar në jetë.  Mardokai i diskriminuar dhe i përçmuar për shkak të kombësisë së tij, fitoi të çojë në karrigen mbretërore vajzën e komunitetit të diskriminuar.  Jonathani i thyer nga karakteri i ashpër dhe problematik i babait të tij, bën të mundur që Davidi të ketë atë çka Jonathanit i është mohuar.  Naomi zemërthyer nga humbja e burrit dhe bijve të saj, drejton një vejushë fatkeqe drejt suksesit.  Këta janë njerëz që përjetuan jetën në gjithë ashpërsinë e saj, por që nuk lejuan që jeta t’i mundte, por dolën në anën tjetër të betejës fitimtarë të rinovuar dhe rafinuar në mendje dhe shpirt me një dashuri dhe besnikëri të patundur për Perëndinë dhe njerëzit, duke u dhënë të tjerëve atë të cilën atyre vetë u ishte mohuar prej njerëzve.  Bota nuk ishte e denjë për ta.

Këta njerëz gjenden në jetët dhe kishat tona.  Këta janë njerëz që ndalojnë realizimin e planit të djallit dhe i hapin derën realizimit të vullnetit të Perëndisë, dhe na ndihmojnë të arrijmë atje ku Zoti po na çon.  Gjithkush do që të jetë i pari, në drejtim, në dukje, në pozicion, sepse kjo sjell vlerësim njerëzor, por Zoti na shikon ndryshe dhe nuk impresionohet nga pozicioni ynë, por nga besnikëria dhe dedikimi me të cilin realizojmë dëshirën dhe planin e tij sado i madh apo i vogël që ky plan mund të duket në sytë e botës.  Dëshiro të jesh një njeri i tillë, dhe trego vlerësim dhe nderim ndaj atyre që kanë qenë të tillë në jetën tënde apo në jetën e dikujt tjetër.  Këta janë njerëzit të cilët nuk duhen mohuar dhe harruar, por që duhen vlerësuar e nderuar, shembulli i të cilëve duhet promovuar dhe ndjekur.


Copyright © 2018 Rev. Suela Brown



No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.