17 Lutja dhe prezenca, pastaj të predikuarit


Copyright © 2018 Michael A. Brown


“Prediko fjalën…” (2 Tim. 4:2)

Shënim përkatës

Për hir të thjeshtësisë në të shkruarit ky blog shprehet në gjini mashkullore.  Edhe pse është e vërtetë që shumica e predikuesve janë burra, dihet që ka edhe mjaft gra në trupin mbarëbotëror të Krishtit të cilat janë shumë bekim si predikuese.  Kështu që, mësimet dhe nxitjet në këtë blog janë po aq të vërteta dhe të nevojshme për ato gra që predikojnë siç janë dhe për burrat.  Faleminderit për mirëkuptimin tuaj!

      Ai që është vërtet predikues është njeri i Perëndisë.  Ai ka mësuar në përvojë që, në qoftë se vërtet do të ketë një mesazh që ka për t’ua ndryshuar jetën dëgjuesve, atëherë është e domosdoshme që ai të jetë njeri që kalon shumë kohë vetëm për vetëm me Perëndinë.  Ai ështe njeri që ka mësuar të dëgjojë si dhe të dallojë fjalën e Perëndisë.  Ai do të rrijë me Zotin – si ditën ashtu edhe natën, në qoftë se i duhet – derisa të dijë që ka dëgjuar prej tij.  Në këtë kuptim, kur flet nga katedra, ai është profet i Perëndisë, sepse po flet në emër të Zotit.  Që të flasë fjalën e Zotit në mënyrë të efektshme, predikuesi duhet të jetë duke mbajtur një fjalë të gjallë nga Zoti në zemrën e vet.  Në ditët e sotme ka nevojë që t’i kthehemi të predikuarit profetik.  Njerëzit (si besimtarë ashtu edhe jobesimtarë) duhet t’i lënë takimet e kishës duke ditur thellë në zemër që Zoti u ka folur.  Vetëm atëherë do të jenë të hapur ndaj Zotit në mënyrë që ai të mund t’ua ndryshojë jetën.  Predikuesi duhet të jetë njeri që vërtet mund të dëgjojë dhe të dallojë mesazhin që Zoti do që ai të predikojë.  Duhet të jetë si engjëlli Gabriel i cili i tha Zakarias: ‘Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë; dhe jam dërguar të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira’ (Luka 1:19).  Vetëm atëherë do të ketë bukë të freskët frymërore që mund t’ua japë dëgjuesve.

      Kjo punë nuk është si lloje të tjera pune.  Është thirrje e lartë dhe e shenjtë për të cilën një ditë ne do të japim llogari (2 Kor. 5:10).  Në qoftë se fuqia e Zotit ka për të vepruar duke ndryshuar vërtet jetët e njerëzve, atëherë nuk mundet dhe nuk duhet që ne të shikojmë punën që bëjmë për Zotin thjesht si mënyrë për të fituar bukën e gojës.  Kemi nevojë për udhëheqës që janë vërtet frymërorë dhe të pjekuruar në Krisht, të cilët janë të gatshëm të mbajnë përditë barrën e punës së mbretërisë së Perëndisë mbi supet e veta, si dhe që ta kenë këtë fokusin primar dhe detyrën e parë në jetë (2 Kor. 11:28).  Kemi nevojë për njerëz shërbesa e të cilëve i godet fortë në shënjestër punët e djallit dhe i shkatërron ato.  Atëherë jetët e njerëzve kanë për t’u ndryshuar.  O burra, ku jeni?

      Predikime që janë kaq të thata dhe të pafuqishme saqë e sjellin popullin e Perëndisë në fund të durimit, nuk e kryejnë dot këtë detyrë që na është dhënë.  Mjaft me predikues të papërgatitur që s’dinë të lidhin dy fjalë dhe servirin thjesht një lëmsh mendimesh!  Të predikuarit nuk është punë llafesh.  Qëllimi i Zotit në të predikuarit kurrë nuk është që besimtarët të bëhen aq të përgjumur saqë fillojnë të flenë në karrige.  Kjo është që të predikojmë me një shpatë jo të mprehtë në duart tona.  Në këtë mënyrë thjesht jepen mesazhe intelektuale të vdekura që s’kanë asnjë lloj efekti.  Këto lloj mesazhesh edhe mund të jenë shumë të mira nga ana e ekzegjezës, mirëpo ato harrohen shpejt dhe nuk prodhojnë pothuajse aspak fryt, përveç se i bëjnë kishat të përgjumura dhe i lënë njerëzit të pandryshuar.  Këtë punë nuk e bëjmë dot thjesht me forcat tona njerëzore.  Nga ana e Zotit, të predikuarit kurrë nuk ka për qëllim që të jetë një formë komunikimi intelektual i pafuqishëm në të cilin ne thjesht mund të shesim mend se sa të shkathët dhe të talentuar jemi në të studjuar apo komunikuar.  Predikues mesazhet e të cilëve krijohen kryesisht në dhomën e studimit dhe që përfshijnë citime pa fund prej shkrimeve të të tjerëve, nuk kanë asgjë me peshë frymërore për të thënë.  Mesazhe që thjesht janë marrë nga interneti ose që janë kopjuar nga ndonjë libër që predikuesi ka lexuar kohët e fundit, nuk janë mesazhe që kanë buruar nga prezenca e Perëndisë.  Fjalë ka me bollëk nga katedra, po fuqia ku është?

      O predikues, mësoni se si të merrni vetë, mesazhe të freskëta nga Zoti!  Zoti sigurisht që do t’ju flasë juve, ashtu siç u flet dhe u ka folur dhe të tjerëve.  Kështu që, bëjeni një zakon personal tuajin që të rrini shpesh vetëm për vetëm me Zotin.  Perëndia do që të sjellë jetë dhe bekim!  Ai do që të zgjojë besimtarët që ata të rriten në Krisht!  Ai do që t’i mbushë zemrat e njerëzve me fjalën e tij të gjallë!  Populli i Perëndisë ka nevojë çdo javë për bukë frymërore të freskët.  Dhe është përgjegjësia e predikuesit ta gjejë këtë bukë dhe t’ua sjellë atyre.  Zoti do që besimtarët të mundë të dalin të bekuar nga kisha, të ushqyer mirë, të ngritur lart si dhe të inkurajuar, dhe në gjendje për t’i përballuar sfidat e javës që vijon.

      Predikuesi nuk është i përgatitur tamam të predikojë përderisa të mos jetë qullur në prezencën e Perëndisë.  Prezencën e Perëndisë duhet ta mbajë më vete për në katedër.  Zoti nuk mund të përdorë një njeri për të ndikuar jetët e të tjerëve, për sa kohë që prezenca e tij nuk vepron përmes atij njeriu.  Ky njeri duhet të bëhet përçues nëpërmjet të cilit prezenca dhe fuqia e Perëndisë mund të veprojnë.  Kjo mund të ndodhë vetëm atëherë kur ai është qullur në prezencën e tij.  I vetmi njeri i cili mund të çojë të tjerët në prezencën e Perëndisë, është ai që vetë ka qenë në prezencën e tij (dhe kjo është po aq e vërtetë për ata që drejtojnë adhurim në kishë, sesa është për predikuesit).  Është ai i cili së pari ka qenë ndikuar nga Perëndia në dhomëzën e lutjes që mund të ndikojë të tjerët për Zotin nga katedra.  Kjo është punë frymërore që kërkon që vetë predikuesi të përgatitet nga ana frymërore.  Fuqia e Perëndisë rrjedh vetëm përmes atij njeriu i cili është përkushtuar të jetojë afër me Zotin si dhe të ecë përditë në prezencën e tij.

      Është e vërtetë që njeriu duhet të kalojë kohë duke studjuar fjalën e Zotit që të mund të përgatisë mesazhin e tij.  Për më tepër, mbase do t’i duhet të lexojë pak nëpër disa libra për ndonjë ndihmë përkatëse në lidhje me detajet e temës së predikimit.  Gjithashtu, kuptohet që ai duhet të arrijë të komunikojë në mënyrë të efektshme në takime publike.  Sidoqoftë, të predikuarit nuk është një punë intelektuale në të cilën ne flasim dhe të tjerët na dëgjojnë dhe preken vetëm në anën mendore.  Jo!  Qëllimi i Zotit në të predikuarit është që ta përdorë njeriun të komunikojë mesazhin e fjalës së tij, por që në të njëjtën kohë prezenca dhe fuqia e tij të veprojë nëpërmjet këtij mesazhi për të ndikuar dhe ndryshuar gjendjen frymërore të dëgjuesve.  Ajo që bën që të predikuarit e fjalës së Perëndisë të ndryshojë nga çdo lloj tjetër komunikimi publik, është që Zoti ka për qëllim që ajo të bëhet në mënyrë të tillë që predikuesi është i mbushur me fuqinë e tij ndërsa po e bën.  Të predikuarit është në radhë të parë një formë komunikimi që synohet të jetë i fuqizuar nga Fryma e Shenjtë dhe të rrjedhë i fuqizuar përmes zemrës, mendjes and gojës së predikuesit. 

      Një mesazh i cili është krijuar kryesisht me anë të të studjuarit do të arrijë vetëm tek mendjet e dëgjuesve, dhe ajo nuk ka për t’ia ndryshuar jetën askujt.  Mendja arrin vetëm tek mendja.  Sidoqoftë, një mesazh i cili është përgatitur me anë të lutjes në prezencën e Perëndisë, ia mbush frymën dhe zemrën predikuesit me fjalën e gjallë të Zotit.  Jeta e kësaj fjale ka për të arritur pastaj tek zemrat e dëgjuesve dhe do të ndikojë jetët e tyre.  Fjala e gjallë e Perëndisë bëhet si shpatë e mprehtë me dy tehe në gojën e predikuesit, që i prek dhe zgjon zemrat e njerëzve të cilët ose pranojnë ose rezistojnë këtë fjalë të Zotit. Fryma e fuqizuar depërton tek frymat e dëgjuesve, dhe zemra e mbushur depërton tek zemrat e tyre.  Mirë tha Bounds-i: “Predikimi i vërtetë del nga dhomëza”.  Të predikuarit e vërtetë lindet në dhomëzën e lutjes.  Ajo është e përshkuar me prezencën e Perëndisë si dhe me një atmosferë lutjeje, adhurimi dhe besimi. Dihet mjaft mirë që katedra luan një rol qendror në jetën e kishës, por e ardhmja e kishës varet në radhë të parë nga dhomëza, jo nga katedra.

      Mbase besimtarët ndonjëherë duhet të kyçin pastorin e tyre në ndonjë dhomë dhe ta mbajnë vetë çelësin.  Le të presin derisa ai të jetë i mbushur me prezencën rrezatuese të Zotit (Eks. 34:29-35), dhe vetëm atëherë t’ia hapin derën dhe ta lejojnë atë që të hyjë në katedër?!  E kam me shaka kuptohet, por çfarë ndryshimi do të bënte një gjë e tillë!  Besoni s’besoni është pikërisht kjo që bëri njëherë ungjilltari A.A. Allen.  Ndodhi në një kohë kur ai ishte mjaft i dëshpëruar ngaqë i mungonte fuqia e Zotit në shërbesë.  E ndiente fort nevojën që Zoti t’i fliste për këtë gjë.  Mirëpo, ai dinte gjithashtu që nuk kishte shumë vetëdisiplinë.  Kështu që i tha të shoqes që ta kyçte derën e dhomës nga jashtë dhe të mos e hapte, derisa të dinte ai që Zoti i kishte folur.  Jo vetëm që ai u takua fuqimisht me Zotin atë ditë në atë dhomëzë, por rrjedhoja e këtij takimi ishte që me kalimin e disa viteve gjithë shërbesa e tij u transformua.[1]

      Fjala e Perëndisë është si zjarr flakërues, keshtu që ky zjarr duhet të jetë flakë ne zemrën e predikuesit (Jer. 20:9, 23:29).  Atëherë kur zemra e tij është vërtët e mbushur me fjalën e Zotit, ai do jetë zjarr për Perëndinë.  Njerëzit do ta dallojnë këtë zjarr tek ai dhe do t’ia ndiejnë nxehtësinë, teksa e dëgjojnë predikimin.  Besimtarëve do t’u pëlqejë shumë kjo gjë, dhe ka të ngjarë që pastaj ata mezi do të presin të vijnë prapë për ta dëgjuar.  Dhe për më tepër, zemrat e tyre do të preken nga ky zjarr dhe do të mbushen vetë me besim.  Ata nuk vijnë në kishë për të dëgjuar predikues me zemra të ftohta.  Në lidhje me mesazhet e veta, Uesli tha se së pari do ta ndizte flakë vetveten dhe pastaj do t’i ftonte njerëzit të vinin që ta shikonin duke u djegur!  Një predikues tjetër i vjetër tha që metoda që ai përdorte për ta përgatitur predikimin ishte shumë e thjeshtë: do të hynte në dhomëzën e tij, do t’i rrëfente gjithë mëkatet Zotit, do ta lexonte Biblën derisa ta gjente mesazhin, do të lutej derisa të bëhej flakë, dhe pastaj do të predikonte lirisht!

      Fjala e Perëndisë është gjithashtu si çekiç që thyen gurin (Jer. 23:29), kështu që fjala e Zotit në gojën e predikuesit duhet të jetë mjaft e gjallë dhe e fuqishme aq sa të depërtojë në thellësinë e zemrave të ngurta të njerëzve (Ezek. 36:26).  Për më tepër, prezenca e Perëndisë është si ujë i gjallë që rrjedh (Gjoni 7:38-39), ndaj ky ujë i gjallë duhët të rrjedhë nga predikuesi mbi njerëzit ndërsa po predikon, duke ua gjallëruar zemrat dhe duke sjellë jetë kudo që rrjedh.  Atëherë kur predikuesi është qullur në prezencën e Perëndisë, ai edhe mund të vërë duart mbi besimtarët dhe të shikojë se si fuqia e Zotit i prek dhe vepron tek ata (Marku 5:27-30).  Besimtarët kanë nevojë për prezencën e Frymës së Shenjtë dhe duan të rifreskohen nga kjo, dhe po ashtu kanë nevojë edhe që fjala e Zotit të jetë e gjallë.  Prandaj vijnë në kishë.  Ata duhet të largohen pas shërbesës të freskuar nga ana frymërore, duke pasur qenë në prezencën e Perëndisë dhe duke qenë ushqyer me fjalën e tij të gjallë.

      Kur një predikues ka mësuar se është e domosdoshme që ai ta ketë prezencën e Perëndisë me veten kur shërben, atëherë ai ka për t’u përkushtuar të kalojë shumë orë në vetmi me Perëndinë (qoftë ditën qoftë edhe natën) që të jetë i qullur në prezencën e Zotit.  Ai nuk do të lejojë vetveten që të hyjë në katedër derisa ta ketë të qartë që prezenca e ndjeshme e Zotit është me të.  Do t’i vijë turp për gjithë fjalët e pafuqishme të shumta që ka thënë në shumë raste të cilat nuk ndryshuan askënd dhe asgjë.  Kur ai të ketë mësuar të lutet shpeshherë edhe me agjërim para se të shërbejë, atëherë është vërtet i përgatitur të predikojë, sepse ka arritur të kuptojë që suksesi dhe frytshmëria e tij varen nga ajo nëse Zoti po bashkëvepron me atë (Gjoni 15:5).  Që të ndikojë jetët e njerëzve, kuptohet që ai duhet të predikojë fjalën e Perëndisë, mirëpo vetë fjalët e tij duhet të jenë të përshkuara me vajosjen dhe prezencën e Zotit.  Fjala e Perëndisë duhet të bëhet shpatë e mprehtë me dy tehe në gojën e tij (Heb. 4:12).  Vetëm atëherë mund të flasë Zoti përmes atij kur predikon.  Fjalët e tij duhet të jenë të mbushura me ngrohtësinë e hirit, dashurisë dhe besimit.  Për atë punë 45-minutash që bën në katedër të dielave, ai duhet të përgatitet duke kaluar shumë orë në prezencën e Perëndisë.  Gjatë javës para se të predikojë, ai duhet të qullë vetveten në fjalën dhe prezencën e Zotit.  Ndryshe ai është thjesht një njeri që akoma nuk e ka kuptuar këtë thirrje dhe as se si të përgatitet për atë siç duhet.

      Fakti që mund të jemi tepër të zënë me gjëra të tjera nuk përbën aspak justifikim para Perëndisë.  Ҫdo njeri duhet të mësojë zanatin e vet, se si ta praktikojë atë dhe se si të përgatisë vetveten për punën, që të mundë ta zotërojë e të bëhet zanatçi.  Njëlloj është edhe me punën e të predikuarit.  Ravenhill-i tha njëherë që një pastor i cili nuk kalon të paktën dy orë në ditë në prezencën e Perëndisë nuk ia vlen të punësohet.  Një aspekt vital dhe i pazëvendësueshëm i të përgatiturit siç duhet për këtë punë, është kjo çështje e të qenit shpesh dhe rregullisht në prezencën e Zotit.  Është pjesë e domosdoshme e përshkrimit të punës së predikuesit.  Dhe kur një predikues ka mësuar në përvojë, që të qenët rregullisht në prezencën e Zotit ka rezultate dhe fryte të fuqishme në shërbesën e tij publike, ateherë ai kurrë nuk do të kënaqet më me një standart shërbese më të ulët sesa kjo.





[1] Shihni tek Liardon. R. God’s Generals, Tulsa: Arbury Publishing, 1996, faqet 389-391.



No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.