14 Ndalo një minutë dhe dëgjo!

Copyright © 2017 Rev. Suela Brown

Të shqetësuar, të tensionuar, të hidhëruar, të acaruar, të mërzitur për shumë gjëra, të grindur dhe duke qenë të tillë toksiciteti i pranisë së këtyre personave bëhet i padurueshëm për njerëzit që i rrethojnë, përfshi këtu dhe ata që i duan.

Mund të jemi vetë të tillë, ose mund të kemi atë dikë në jetën tonë që siç thotë një shprehje “nuk i gjen shpirti rehat” apo “e ka macen në bark” dhe shkakton probleme pa fund. Edhe atëherë kur është momenti për t’u gëzuar, ky person do ta prishë atmosferën me ankesat dhe problemet e veta.

Jezusi në udhëtimet e tij takoi një njeri të tillë.  Ajo quhej Marta (Luka 10:38-41).  Marta e kishte problemin brenda vetes, por nuk e shikonte dhe mendonte se fajin ia kishin të tjerët. Imagjino se si do të ndiheshe nëse mbasi kishe shkuar në shtëpinë e dikujt që të kishte ftuar për vizitë, disa minuta më vonë ky person do të fillonte të grindej.  A do të doje të qëndroje, a do të doje të shijoje ushqimin e tyre, apo do t'i thoje vetes “ç’bëra që erdha, më mirë bukë e kripë me paqe në kasollën time”? Në këtë situatë u gjend Jezusi në shtëpinë e Martës.  Nga gjithë njerëzit ku ai mund të kishte shkuar për të kaluar një mbasdite të qetë dhe çlodhëse, ai zgjodhi të kalonte mbasditën pikërisht në shtëpinë dhe prezencën e njeriut më grindavec dhe të tensionuar që gjendej në atë vend.

Por kjo zgjedhje ishte e qëllimshme, dhe dihet që kudo që hyn Ai, errësira dhe mëkati s’mund të fshihet por ekspozohet!  Ai e kishte zgjedhur këtë familje sepse lutjet e familjarëve shkojnë para Zotit.  Kishte ardhur jo si një vizitor pasiv, por për të sjellë dritë dhe shpresë në realitetin konkret të kësaj familjeje, ku Marta ishte shkaktarja e shumë grindjeve, mosmarrëveshjeve dhe merzive.  Ku personaliteti i saj tekanjoz dhe dominues mbizotëronte dhe dominonte jetët e familjarëve.  Ai kishte ardhur ta ndërgjegjësonte për problemin e saj dhe ta ftonte të pendohej, ta çlironte nga forcat që e mbanin të lidhur dhe t’i ofronte zgjidhje.  Askush nuk kishte guxuar ta sfidonte Martën më parë.

Marta kishte një motër që quhej Mari.  Maria e kishte humbur respektin për Martën. Marta e trajtonte Marinë në një mënyrë të tillë që Marisë i ishte sosur durimi.  Në vend që Marta të merrej me qëndrimin e zemrës së vet dhe të zgjidhte këto tensione marrëdhanore, ajo vazhdonte ta shikonte Marinë nëpërmjet syve të gjykimit dhe kritikës pa ngurruar ta turpëronte atë edhe publikisht.  Por njerëz si Marta jo vetëm që kanë një ndikim psikologjik dhe emocional mbi njerëzit por kanë dhe një ndikim në shëndetin e tyre fizik.  Shpesh shëndeti i atyre që janë nën ndikimin e një personi të tillë toksik fillon të degradojë.  Probleme me zemrën, probleme nervore etj. fillojnë të shfaqen si rezultat i përballjes me stresin e vazhdueshëm që shkakton sjellja e vazhdueshme negative e një njeriu.  Në disa raste këta njerëz mund të jenë dhe fizikisht të dhunshëm dhe të rrezikshëm.

Padyshim që në këtë rast shtëpia ishte e mbushur plot me njerëz, qoftë dishepuj të Jezusit qoftë të afërm.  Ky ishte një nga ato momente që gjithkush që e njihte Martën ishte në gjemba dhe i lutej Zotit t’ia mbyllte gojën dhe të evitonte një skenë tjetër të pakëndshme të paktën derisa të iknin vizitorët.  Marta e gjeti veten nën presionin e situatës.  Pa menduar, e nisur nga impulsi i momentit ajo i kishte ftuar gjithë këta njerëz në shtëpinë e saj.  Ajo ishte lloji i natyrës së njeriut që vendos dhe vepron pa menduar së pari, dhe e humb kontrollin e vetvetes kur përballet me realitetin e vendimeve që ka marrë.  Shumë nga pakënaqësitë e saj e kishin rrënjën tek vetë veprimet dhe vendimet e saj.  Atë çka ajo mbillte edhe e korrte, dhe në këtë rast ajo kishte ftuar një turmë që tani dhe duhet t’u shërbente.

Në fakt në këtë familje Jezusi kishte ardhur posaçërisht për Martën, të adresonte problemin e saj, problem ky që shkaktonte dëm dhe mërzi në jetët e gjithë atyre përreth. Marta ishte një grua me probleme dhe njerëz si Maria kishin qenë viktimë e këtyre problemeve për vite me radhë.  Është interesante të vëzhgosh ndikimin që ka një njeri problematik mbi gjithë familjen, grupin apo njerëzit me të cilët kanë të bëjnë.

Jezusi filloi të flasë dhe Maria duke ditur që ky nuk ishte një njeri i zakonshëm, por ishte vetë Zoti që i kishte hyrë në shtëpi, u ul tek këmbët e tij dhe dëgjonte me vëmendje çdo fjalë të tij.  Ajo ishte një vajzë e mençur dhe e vuajtur.  Fjalët e tij ishin “frymë dhe jetë” dhe sillnin dritë dhe paqe në këtë shtëpi dhe në zemrën e saj për herë të parë.  Ky ishte një moment shumë i shenjtë në jetën e Marisë.  Ajo kishte arritur të kuptonte se ky ishte një nga ato momentet në jetë që nuk duhen humbur.  Se duhet të linte çdo lloj aktiviteti dhe të dëgjonte, të dëgjonte fjalët që mbillnin paqe dhe mirëkuptim.  Ajo kishte kuptuar që ai nuk ishte këtu për t’u ushqyer por për të ushqyer zemrën e uritur.

Vetëm një zë dëgjohej në qetësinë e dhomës përveç frymëmarrjes së njerëzve, zëri i Jezusit.  Por gjithë kjo eksperiencë hyjnore trazohet nga shfaqja e Martës.  Brenda një kohe të shkurter e gjendur nën presionin e situatës në të cilën ajo vetë e vendosi veten, gjendja e saj psikologjike dhe emocionale i ngjet një tenxhereje me presion.  Kur këta lloj njerëzish arrijnë në këtë gjendje përpiqen t’ia hedhin fajin dhe zbrazin inatin dikujt. Mjerë kush u del përpara, mjerë kush eshte viktima e tyre.  Në mendjen e tyre gjithmonë faji i hidhet personit që ata e identifikojnë si përgjegjës për mizorinë e tyre, dhe ky person në mendjen e tyre e meriton avalançin verbal që është grumbulluar dhe gati për të vërshuar.  Por nuk është në çdo rast një avalanç verbal, mund të jetë dhe një heshtje shkatërruese ose një qëndrim mohues.  Në këtë rast në shenjëster ishte Maria, ajo ishte preja dhe viktima.  Por ajo nuk ishte e vetmja viktimë, Marta ishte e acaruar dhe me mikun që në këtë rast ishte Jezusi.  Pa pasur respekt as për miqtë dhe as për vetë Zotin fjalët e të cilit i kishte injoruar, vërshon në dhomë me një qëndrim të paturpshëm dhe shokues dhe i drejtohet mikut me ton të ashpër duke i thënë: “Zot, a nuk do të dish që ime motër më la vetëm të shërbej?  I thuaj, pra, të më ndihmojë”.

Kështu ajo i drejtohet atij, sikur ai të ishte përgjegjës për sjelljen e Marisë dhe e kishte për detyrë të zgjidhte dinamikat e tyre familjare.  Sa për të motrën Mari, Marta as që ia hodhi sytë, as që i foli dhe as që e mori mundimin ta thërrasë mënjanë dhe t’i flasë me zë të ulët, dhe as që u shqetësua fare për ndjenjat e saj dhe reputacionin e saj.

Sa sjellje të tilla ka parë dhe dëgjuar Zoti ndër shekuj?  Sa njerëz të tillë ka parë ai, sigurisht me mijëra.  Ndaj në vend që t’i fliste Marisë ai iu drejtua Martës, personit ku gjendej problemi.  Dhe fjalët që ai i foli Martës ua flet të gjithë atyre njerëzve që kanë mendjen dhe sjelljen e saj.  I tha asaj përpara atyre që ishin prezent:  “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe mundohesh për shumë gjëra; por një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet”.

Me fjalë të tjera, ndalo Martë dhe dëgjo!  Martë, në jetën tënde ka shumë zhurmë dhe aktivitet të panevojshëm, por pak qetësi.  I jep shumë kohë të folurit, por aspak kohë dëgjimit.  Je në kërkim të vazhdueshëm të zgjidhjeve, por nuk vjen tek zgjidhësi.  Unë kam ardhur per ty, jo për shërbimet e tua, kam ardhur të të jap dhe jo të më jepet, ndaj motra jote po bën atë që dhe ti duhet të bësh, ndaj unë nuk do t’i them motrës tënde të bëjë atë që sugjëron ti, nuk do t'ia heq mundësinë që ajo të marrë atë çka unë kam sjellë.  Motra jote po bën gjënë e duhur.  Ajo po mëson në mënyrë që të mos reagojë në jetë si ti, por të menaxhojë situatat si duhet dhe me qetësi, dhe t’i trajtojë njerëzit me respekt dhe dashuri, pa i gjykuar dhe mohuar.  Për hërë të parë në jetën e saj ajo po ndjehet e pranuar.  Martë, Martë, prioritetet e tua janë të gabuara, zgjedhjet e tua janë të gabuara, ti bën shumë gjëra, por jo gjënë e duhur.  Ti je e fokusuar tek gjërat dhe jo tek njerëzit.  Ti kishe mundësi të merrje atë çka unë solla dhe dhashë, por nuk e more.  Maria e mori dhe nuk do t’i hiqet, dhe as nuk do ta këshilloj të bëjë ndryshe.

Mbase Marta nuk e kishte parë kurrë problemin tek vetvetja.  Por ja që Zoti na do aq shumë sa për shkak të dashurisë së tij, për shkak të faktit që nuk do të na lërë të shkatërrohemi, vendos të na vërë në pah problemet tona, duke shpresuar që do të pendohemi dhe do t’i hapim derën ndryshimit pozitiv që ai sjell.

Për ata që janë si Marta, mësoni nga kjo histori dhe lejojeni Zotin t’ju ndryshojë.  Përse vallë të largohet buzëqeshja nga fytyrat e njerëzve, sa herë që dëgjohet emri juaj apo shfaqet fytyra juaj?  Përse vallë të ketë distancë marrëdhanore ku të gjithë dalin të humbur?

Për të gjithë ata që janë si Maria, që i japin prioritet asaj çka ka më shumë rëndësi në jetë “të dëgjojnë dhe t’i binden Zotit dhe t’i duan njerëzit”, vazhdoni në rrugën e drejtë në paqe dhe mos lejoni askënd të vjedhë paqen që Zoti jua ka dhuruar!

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.