Të kaluarit
kohë me Zotin
Të qenët
vetë në qetësi
Jeta në ditët e sotme shpeshherë është shumë e ngarkuar me punë,
dhe njerëzit në përgjithësi (përfshirë edhe besimtarët) përjetojnë nivele në
rritje të stresit. Për më tepër, ata mund të jenë të detyruar të
plotësojnë nevojat ose kërkesat e njerëzve apo situatave të ndryshme
d.m.th. i shërbejnë trysnisë së asaj “që duhet bërë me patjetër”. Ndodh
gjithashtu që të shumtën e kohës së lirë e shpërdorojnë duke u argëtuar ose
thjesht janë të gozhduar pas internetit. Si
rrjedhojë, shumë besimtarë e kanë të vështirë të menaxhojnë kohën dhe energjinë
që kanë në mënyrë të tillë që të vënë si prioritet të parë në jetën e
përditshme marrëdhënien e tyre me Perëndinë.
Në fakt, një nga problemet që ndodh jo rrallë në jetën e kishës
dhe të cilin pastorët gjithmonë e kanë përballë pak a shumë, është zvenitja e
jetës frymërore të besimtarëve gjatë javës. Besimtarë të cilët të
dielën u ndërtuan dhe u forcuan frymërisht në kishë, shpeshherë andej nga mesi
i javës në vijim e kanë humbur këtë bekim, thjesht sepse pas ditës së dielë u
bënë aq të zënë me punë të pafundme, dhe në kohën e lirë u morën me aktivitete
shoqërore dhe jofrymërore të cilat i larguan nga Perëndia. Kështu që
të dielën e ardhshme ata vijnë në kishë të rrëzuar frymërisht, dhe duket sikur
gjithë proçesi i të ndërtuarit të tyre frymëror duhet filluar nga e para. E
njëta gjë përsëritet dhe në javët e ardhshme. Është tepër e
rëndësishme që besimtari të pendohet nga një stil i tillë jetese të përjavshme,
stil i cili rezulton në dobësimin dhe përgjumësimin e jetës frymërore si dhe
bën që besimtari të mos ecë në fuqinë e Zotit.
Në vend që të lejojmë vetveten të bëhemi thjesht shërbëtorë të
kërkesave dhe nevojave të shumta të jetës së përditshme, ne duhet ta përdorim
në mënyrë proaktive kohën që kemi në dispozicion dhe të kërkojmë më së pari mbretërinë
e Perëndisë. Ajo që na ndihmon ta bëjmë këtë është vetëdisiplina e
të qenit vetë në qetësi. Të gjeturit kohë si dhe një vend ku mund të
jetë vetë në qetësi për njëfarë kohe është vetëdisiplina frymërore më bazë që
nevojitet në jetën e besimtarit. Është e domosdoshme që të mësojmë
“të largohemi nga gjithçkaja” rregullisht, në qoftë se duam ta mbajmë të
freskët dhe intime marrëdhënien tonë me Perëndinë si dhe të vazhdojmë të
rritemi nga ana frymërore. Intimiteti i tillë i shpeshtë me
Perëndinë është çelësi për t’u rritur në njohjen e Frymës së Shenjtë dhe kjo
praktikë na ndihmon t’i ruajmë bekimet frymërore që kemi marrë.
Kur jemi
tepër të zënë me punë, aktivitete të ndryshme, apo thjesht kur jepemi pas
qejfeve (dhe sidomos pas internetit!), kjo bën që jeta jonë frymërore të
zvenitet, dhe për rrjedhojë shkaktohet ftohtësi dhe distancë në marrëdhënien
tonë me Perëndinë. Në realitet, Satani kënaqet edhe atëherë kur besimtari
aktivizohet në aktivitete të pafundme të punës së Zotit por e neglizhon dhe nuk
i jep fare rëndësi marrëdhënies me Perëndinë, sepse djalli e di që nëse
marrëdhënia e besimtarit me Zotin dobësohet dhe zvenitet, ai do ta ketë më të
lehtë për ta mundur, si dhe besimtari nuk do të jetë më efektiv në punën e
Zotit.
Kështu që, ne duhet të tregohemi proaktivë dhe të sigurojmë që të
vëmë në praktikë këtë vetëdisiplinë të përditshme të të qenit vetë në qetësi,
në vend që të lejojmë në mënyrë pasive që aktiviteti i jetës së përditshme të
na kontrollojë dhe të na diktojë në mënyrën se si ne kalojmë kohën tonë. Në
lidhje me këtë, do të ketë raste kur do të na duhet t’u themi “Jo!” kërkesave
të të tjerëve, që të mos konsumojmë gjithë kohën dhe energjinë tonë në mënyrë
të tillë që nuk na mbetet asgjë pastaj për vetë Zotin.
Jezusi e praktikoi këtë vetëdisiplinë të të qenit vetë në qetësi
në jetën e Tij. Ai u ngrit herët në mëngjes me qëllim që të kërkonte
një vend ku mund të ishte vetë në qetësi, një vend ku mund të kalonte një kohë
intime me Perëndinë dhe të lutej (Ps. 5:3). Ai i filloi punët e
ditës vetëm pasi kishte kaluar këtë kohë në qetësi (Marku 1:35-38). Jezusi
i nxiti dishepujt e Tij që të praktikonin këtë vetëdisiplinë duke ua thënë të
shkonin “në
dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi” (Mat.
6:6), në mënyrë që të luteshin me efektshmëri.
Të pasurit një vend të tillë të qetë larg njerëzve dhe zhurmave të
jetës së përditshme, na jep mundësi të jemi vetëm për vetëm me Zotin. Ne
mund të lutemi, të lexojmë fjalën e Tij si dhe të kalojmë kohë cilësore me Të. Këtë
gjë shpeshherë e quajmë “të kaluarit një kohë të qetë me Zotin”. Ndërsa
e vëmë në praktikë këtë gjë dhe kalojmë kohë duke ndenjur në prezencën e Tij, i
jepet mundësi Frymës së Shenjtë për të na freskuar frymërisht dhe për të na
mbushur me paqe dhe forcë të re. Kjo forcë e re frymërore na ndihmon
për t’i përballuar sfidat me të cilat do të hasemi gjatë javës me qetësi dhe
besim tek Zoti.
Modeli i të luturit herët në mëngjes që na jep jeta e Jezusit, na
ndihmon së tepërmi. Sfida e parë që e kemi përpara është gjithmonë që t’i largohemi
zhurmës dhe “ta mbyllim derën” ndaj “zhurmave të jashtme” të punës dhe të
kërkesave, dhe të hyjmë në vendin tonë të qetë me Zotin. Më pas
sfida e dytë që duhet ta kapërcejmë është që të merremi me “zhurmën e
përbrendshme” të mendimeve, ndjenjave dhe stresave që na janë shkaktuar nga
jeta e përditshme. Paaftësia për t’u përqëndruar në kohën tonë të qetë
shpeshherë shkaktohet nga mendimet dhe stresat e përbrendshme që kemi. Kjo
“zhurmë e përbrendshme” është më e madhe në mbrëmje, pasi kemi qenë të zënë për
një ditë të tërë me punë të ndryshme. Kështu që, do ta kemi më të
lehtë të kalojmë një kohë të qetë me Zotin në orët e mëngjesit, atëherë kur
jemi më të freskët pas gjumit të natës dhe kur nuk ka shumë gjëra që mund të na
largojnë vëmendjen prej Tij. Për rrjedhojë jemi më të lirë
brenda vetvetes për t’u përqëndruar në lutje dhe leximin e fjalës së Perëndisë.
Sidoqoftë, nuk po them këtu që herët në mëngjes është e vetmja
kohë kur mund apo duhet të kalojmë kohë me Perëndinë. Ne mund të
tërhiqemi për në “vendin tonë të qetë” në çfarëdolloj kohe gjatë
ditës (madje dhe gjatë natës!), dhe për sa kohë që duam, dhe duhet të jemi të
lirë ta bëjmë këtë (brenda kufizimeve të ditës së punës kuptohet). Në fakt, që
të mund të zhvillojmë një marrëdhënie gjithnjë e më të afërt me Frymën e
Shenjtë, ne duhet të kalojmë kohë rregullisht në prezencën e Tij. Shkruhet
për Danielin që ai kalonte kohë në lutje tre herë në ditë, mbase herët në
mëngjes, pasi kishte ngrënë drekë, dhe më pas në mbrëmje para se të flinte
(Dan. 6:10-11; cf. Ps. 55:17). Gjithashtu Pjetri dhe Gjoni vajtën në
tempull rreth orës së nëntë, orës së lutjes (Vep. 3:1). Për më
tepër, mund të gjejmë edhe shembuj në jetën e vetë Jezusit kur Ai kaloi kohë me
Atin e Tij në orë të ndryshme të ditës, p.sh. herët në mëngjes (Marku 1:35),
gjatë mbasdites (Marku 6:46-47), në orët e vonëta të mbrëmjes (Mat. 26:36-46)
si dhe gjatë natës (Luka 6:12).
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.