08 Lutje, lutje, lutje!


Copyright © 2019 Michael A. Brown


“…duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lutje dhe përgjërim në Frymë”
(Efes. 6:18)
“Ngulmoni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me falënderim” (Kol. 4:2)


      Na tregohet në Librin e Veprave për lëvizjet e fuqishme e të mrekullueshme të Frymës së Shenjtë në Kishën e hershme, për kthimet radikale në besim të njerëzve kur këta përballoheshin me Perëndinë e gjallë, për fuqinë mrekullibërëse që ua ndryshoi jetën njerëzve dhe e bëri botën rrëmujë (Vep. 17:6), dhe për atë se si ungjilli u përhap fuqimisht dhe në mënyrë të pandalueshme që nga Jerusalemi dhe arriti deri në Romë, kryeqytetin e Perandorisë, duke mbjellë kisha dhe grupe të reja besimtarësh në pothuajse çdo zonë dhe krahinë brenda shumë pak vitesh. A mos vallë do të donim ne që e njëjta gjë të përsëritej?
      Mirëpo, ky libër na zbulon gjithashtu mbrapaskenën frymërore të këtyre ngjarjeve.  Libri i Veprave është libër që flet shumë për punën e lutjes.  Ngjarjet e këtij libri janë të depërtuara nga lutja.  Besimtarët e Kishës së hershme luteshin.  Ata i përkushtoheshin lutjes (2:42).  Luteshin si individë (10:9) dhe luteshin së bashku kur ishin mbledhur (1:14; 4:24; 12:5,12).  Luteshin gjatë ditës (3:1) dhe luteshin gjatë natës (12:12, 16:25).  Luteshin në orare të caktuara (3:1) si dhe në kohën e lirë (10:9-10).  Luteshin në vende të caktuara (3:1, 16:16) si dhe në vende ku askush nuk i ishte lutur asnjëherë përpara Perëndisë së gjallë (16:25).  Luteshin si zakon të përditshëm kur punët po u shkonin mirë (3:1), dhe luteshin kur ndodheshin në rrezik apo kur përndiqeshin (4:24; 12:5,12; 16:25).  Predikuesit i jepeshin së pari punës së lutjes dhe pastaj predikonin fuqimisht dhe i mësonin besimtarët (6:4).  Shërbesa e tyre u ngjiz në lutje.  Besimtarët e përkrahnin njëri-tjetrin me lutje në kohë nevoje (12:5,12).  Luteshin dhe muret shkundeshin (4:31) dhe tërmeti ua hapi dyert e burgut (16:25-26).  Luteshin dhe engjëlli u dërgua t’i shërbente besimtarit në nevojë (12:5-11).  Luteshin për besimtarët dhe këta mbusheshin me Frymën e Shenjtë (8:15-17, 19:6).  Luteshin dhe shikonin vegime (9:11-12, 10:9-10).  Luteshin dhe të sëmurët shëroheshin dhe madje edhe të vdekurit u ngritën nga vdekja (9:40-41, 28:8).  Udhëheqësit agjëronin, e kërkonin Perëndinë dhe luteshin së bashku, dhe Zoti ua dha drejtim dhe vizion të ri në punën e tij (13:1-3).
      Lutja ishte aktiviteti frymëror parësor i këtyre njerëzve që ishin të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe të pagëzuar me zjarr.  Ishte fuqia e lutjeve të tyre ajo që e lëvizte qiellin si dhe e ndryshonte tokën.  Apostujt nxisnin grupet e reja të besimtarëve nëpër kishat e sapolindura që të mësonin se si të luteshin në Frymë në çdo rast dhe t’i përkushtoheshin punës së lutjes, sepse ata ia dinin vlerën dhe fuqinë.  Ata dinin gjithashtu që lutja ishte e domosdoshme për rritjen dhe suksesin e jetës së tyre të krishterë, që djalli të mposhtej dhe që puna e ungjillit të vazhdonte të çante përpara.  Ata e dinin që e vetmja gjë që besimtarët nuk duhet kurrësesi të mos e bënin, ishte që ta neglizhonin punën e lutjes.
      Ky model i jetës dhe shërbesës të depërtuara nga lutja është normative për kishën e krishterë.  Kështu synohet që të jetë gjithmonë, dhe kështu do të donte vetë Perëndia që të ishte.  Kështu ky është model standartin e të cilit ne duhet të kërkojmë t’ia arrijmë.  Lutja është “shteg i vjetër” (Jer. 6:16) vërtetësia dhe fuqia e së cilës janë të përjetuara dhe vërtetuara herë pas here nga besimtarët dhe udhëheqësit gjatë shekujve.  Duhet t’i kthehemi lutjes që të mund t’i arrijmë rezultatet që të tjerët kanë arritur përmes saj.  Që të neglizhojmë punën e lutjes do të thotë të neglizhojmë fuqinë e Perëndisë dhe të varemi thjesht nga forcat tona njerëzore në punën e Zotit.  Mirëpo, pavarësisht nga koha në të cilën jetojmë, dhe pavarësisht nga normat dhe format kulturore që gjenden nëpër kishat në brezin e tanishëm, rrugët e Perëndisë nuk kanë ndryshuar.  Është e vërtetë thënia që lutja është ajo që i ndryshon gjërat.  Besimtarët dhe udhëheqësit të cilët janë të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe që ia dinë vlerën lutjes dhe që i jepen kësaj pune, janë ata që shikojnë që gjendja frymërore e gjërave të ndryshojë.  Janë ata që arrijnë të çajnë përpara, që të mposhtet djalli si dhe që jetët e njerëzve të ndryshojnë.  Janë ata që shikojnë që veprat e Perëndisë të manifestohen në botën e të gjallëve.  Kur Zoti ka gjetur një njeri apo një grup besimtarësh që do t’i përkushtoheshin lutjes, atëherë ai e di që ka gjetur atë që i nevojitet për të sjellë ndryshim si dhe për të krijuar dëshmi të reja të fuqishme.
      Ne duhet t’u kthehemi “shtigjeve të vjetra” të lutjes si dhe të ecim në ato sa më shumë.  Katedrat tona do të ndryshojnë kur predikuesit tanë të mësojnë që të luten si gjënë parësore.  Predikuesit që luten japin shumë fryte.  Kishat tona do të ndryshojnë kur besimtarët shpallin ditë lutjeje dhe bashkohen së bashku në lutje duke mos e neglizhuar apo evituar pjesëmarrjen dhe përkushtimin ndaj këtyre takimeve.  Kishat që luten janë kisha që kanë një të ardhme.  Qytetet tona do të ndryshojnë kur udhëheqësit dhe besimtarët e kishave përbrenda qyteteve i përkushtohen lutjes dhe mblidhen së bashku për lutje dhe ndërmjetësojnë lirisht së bashku.
      Duhet lutje, lutje, lutje!


No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.