34 Dëshirimi, si mbarset, pjell mëkatin

Copyright 2021 Rev. Suela Brown

      Mëkati nuk është rezultat i tejlodhjes, mbingarkesës, skamjes, vështirësive etj, etj (Jezusi dhe apostujt kaluan lloj lloj sprovash dhe vështirësish). Mëkati buron nga zemra dhe e ka folenë tek natyra mëkatare, është aktiv kur nuk ka pendim dhe as frikë të Zotit, buron lirshëm në kushte të favorshme. Në fshehtësi shumohet duke shpresuar që nuk do të dalë kurrë në dritë. Por, Zoti është dritë dhe kur vendos të ekspozojë mëkatin Ai thjesht hedh vështrimin mbi zemrën e papenduar. Zoti është i hirshëm, i jep mëkatarit shumë mundësi pendimi, por kur zemra nuk dëgjon dhe refuzon të pendohet atëherë më në fund mëkati ekspozohet hapur.

      Pendesë nuk është derdhja e lotit apo kërkesa e faljes kur njeriu kapet 'me presh në duar'. Ato nuk janë ndjenja pendesë, por turpi, inati, zhgënjimi, acarimi. Pendesa është kthimi nga mëkati kur dëgjon zërin e Frymës së Shenjtë brenda zemrës që të thotë 'e ke gabim, kthehu nga rruga e gabuar përpara se të jetë vonë', dhe ti i bindesh dhe bën kthesë. Ti rrëfen hapur.

      Zoti i foli dhe i tha Kainit të pendohej nga ajo që kishte në zemër, shumë më herët se sa kur Kaini mëkatoi duke vrarë vëllain e tij Abel, (dhe ajo cka ishte në zemër doli në pah dhe u krye). Por, Kaini refuzoi. Nuk u pendua kurrë, edhe kur kuptoi se cfarë kishte bërë, qau po, por jo nga dhimbja për vëllain apo keqardhja për cka kishte bërë, por sepse nuk donte të jetonte me pasojat.

'Secili tundohet i tërhequr dhe i ndjellë nga dëshirimi i vet. Pastaj dëshirimi, si mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, pjell vdekjen. Mos u gënjeni, vëllezërit e mi të dashur' (Jak. 1:14-16).

 

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.