Pages

36 Afërsia me Perëndinë: thelbi i gjithçkaje

 

Copyright © 2026 Michael A. Brown

‘Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit.’ (Ps. 91:1)

‘Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde.’ (LiP. 6:5)

      Perëndia ka dëshirë të madhe që të kemi një vend ku mund të takohemi RREGULLISHT me Të, në një lidhje të ngushtë ndërmjet shpirtit tonë dhe Frymës se Tij.  Pikërisht për këtë lloj afërsie u krijuam që në fillim.  Kur Perëndia e krijoi çiftin e parë, Ai ecte në kopsht, në flladin e ditës duke dashur të ishte me ta, të ecte dhe të bisedonte me ta (Zan. 3:8).  Kjo dëshira e tij, që të ketë një vend dhe një kohë të qetë afërsie me ne, pasqyrohet në fjalët e urdhërimit të madh më sipër (LiP. 6:5).

      Perëndia është dashuri dhe është teper i dashur ndaj nesh, prandaj dëshira e tij mbi gjithçka tjetër, është që të ketë një marrëdhënie të afërt dhe të dashur me ne (1 Gjoni 4:8,16).  Jezusi vdiq ne kryq dhe u ringjall pikërisht per të na pajtuar dhe per te na sjellë në një marrëdhënie të tillë të afërt dhe të dashur me Perëndinë.  Kështu që si fëmijë të Perëndisë, në radhë të parë jemi thirrur të jetojmë në një marrëdhënie të afërt dhe të dashur me Jezusin:

‘…u thirrët në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë…’ (1 Kor. 1:9)

      Perëndia gëzohet me besimtarë të cilët duan të kultivojnë dhe zhvillojnë një jetë që karaktizohet nga një lidhje e ngushtë dhe e rregullt me Të.  Ai na krijoi dhe shpengoi pikërisht per këtë, prandaj Ai dëshiron me gjithë zemër të na ketë për vetveten.  Ai gëzohet kur gjen tek ne uri dhe mall të vërtetë për të kërkuar miqësi me Të në vendin e fshehtë:

‘Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: <<Fryma që qëndron në ne a dëshiron deri në smirë>>?’ (Jak. 4:5)

‘Zemra ime më thotë nga ana jote: <<Kërkoni fytyrën time>>.  Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.’ (Ps. 27:8)

      Sidoqoftë, prirja jonë njerëzore për të qenë vazhdimisht të zënë (siç ishin besimtarët në kishën e Efesit), po ashtu edhe dëshirat tona mishore për gjërat e jetës dhe të kësaj bote, na largojnë nga afërsia me Perëndinë.  Kjo bën që zemra jonë të ftohet ndaj Tij dhe të rrezikojmë ta humbasim bekimin e tij:

‘Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë.  Në qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të.’ (1 Gjoni 2:15)

‘Unë i njoh veprat e tua dhe mundin tënd dhe durimin tënd…  Por kam diçka kundër teje, se dashurinë tënde të parë e le…  Pendohu, edhe bëj veprat e para; në mos do të vij së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh.’ (Apok. 2:2,4-5)

      Orientimi ynë i natyrshëm njerëzor ndaj punës dhe aktiviteteve, shpeshherë bën që të mos i vlerësojmë siç duhet marrëdhëniet me ata që njohim.  Kjo na çon pashmangshmërisht në humbjen e afërsisë me ta, dhe për pasojë këto marrëdhënie, ngadalë por me siguri ftohen, thahen dhe largohen me kalimin e kohës.  Kështu është edhe me Perëndinë: ndërsa fokusohemi tepër tek aktivitetet apo gjërat e botës, ose kur jemi shumë të zënë me punë të ndryshme, e humbasim afërsinë tonë me Të, thjesht sepse nuk arrijmë ta kultivojmë atë.

      Pasoja e mungesës së afërsisë ndaj Perëndisë kuptohet që është fare e parashikueshme.  Po te jemi të sinqertë me veten, e dimë fare mirë: thahemi frymërisht dhe si rrjedhojë kishat dhe puna jonë për Perëndinë bëhen të thata dhe pa jetë.  Mungon prania dhe fuqia e Tij në mesin tonë.  Në fund të fundit kemi dy zgjidhje përpara: ose duhet të mësojmë të kultivojmë dhe të zhvillojmë një kohë afërsie të rregullt me Perendine në jetën tonë frymërore, ose thjesht do të jemi vazhdimisht dhe pafundësisht të zënë me punët tona, dhe do të tërhiqemi vazhdimisht pas gjërave mishore të botës, duke bërë që të humbasim potencialin per të arritur ato gjëra që mund të përfitonim nga një ecje e afërt me Perëndinë.

      Që një martesë të përmbushë qëllimin që Zoti ka për të, dmth që të jemi një shpirt me bashkëshortin/en tonë, duhet të ketë shpeshherë një vend dhe një kohë afërsie dhe intimiteti kur çifti tërhiqet mënjanë dhe kalon kohë vetëm me njëri-tjetrin, larg çdo gjëje tjetër dhe gjithkujt tjetër.  Kjo është koha kur në kuptimin figurativ shenjën ‘MOS NA SHQETËSONI’ e varin jashtë derës.

      Shpeshtësia dhe thellësia e kohës së kaluar në intimitet tregon se sa e fortë është marrëdhënia martesore.  Ky është vërtet thelbi i gjithë punës.  Në këtë pikë marrëdhënia ose ndërtohet ose fillon të prishet.  Këtu flitet hapur dhe çahen hallet, me përulësi kërkohet dhe jepet falja.  Shprehet lirshëm dashuria dhe ndjehet thellë gëzimi, rifreskohen dashuria dhe përkushtimi.  Shprehen nga afër ndjeshmëria dhe butësia e dashurisë, dhe ngrohen përsëri të dyja zemrat.  Cilësia e kohës së kaluar së bashku u jep forcë të re njëri-tjetrit si dhe bashkimit në një të të dy shpirtrave.  Komunikohet prej zemre – njëri/a flet dhe e di që tjetra/i vërtet po e dëgjon – pra zemra prek zemrën.  Dhe këtu nderohen betimet e besëlidhjes dhe si rrjedhojë krijohet frytshmëria.

      Pa pasur një vend dhe kohë të tillë të rregullt afërsie, nuk mund të ketë martesë në kuptimin e plotë të fjalës.  Mund të ketë ngelur si guaskë boshe dhe e thatë që përfshin jetët e dy njerëzve, e cila mund t’u duket të tjerëve si martesë, por nuk është më martesë e vërtetë ashtu sipas qëllimit të Zotit.  Dhe po u treguan të sinqertë, thellë përbrenda të dy bashkëshortët e dinë këtë.  Në qoftë se një çift duhet të kultivojë një martesë të fortë dhe të shëndetshme, në fund të fundit e gjithë puna varet nga gatishmëria e të dy palëve per t’u përkushtuar për të kaluar shpesh me njëri-tjetrin, një kohë cilësore kur mund të ndërtojnë, forcojnë e zhvillojnë atë që është krijuar midis tyre:

‘Dora e tij e majtë është poshtë kokës sime, dora e tij e djathtë më përqafon.’ (Kënga 2:6)

‘I dashuri im më ka folur dhe më ka thënë: <<Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja!...  Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja.>>’ (Kënga 2:10,13)

‘I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij.’ (Kënga 2:16)

‘…gjeta atë që do zemra ime.  E shtrëngova fort dhe nuk kam ndërmend ta braktis…’ (Kënga 3:4)

‘Unë jam e të dashurit tim dhe ai më dëshiron.  Eja, i dashuri im, le të dalim nëpër fusha, ta kalojmë natën nëpër fshatra!’ (Kënga 7:10-11)

      Përvoja në martesë na mëson qartë se nëse martesa jonë duhet të zgjasë dhe mbijetojë, si dhe të jetë e bekuar dhe e frytshme, pa u tharë dhe vyshkur nga brenda, atëherë duhet t’u japim përparësi kohëve cilësore të rregullta me bashkeshortin/en tonë për të mbajtur të freskët afërsinë që kemi me të.  Dhe këtë duhet ta bëjmë pavarësisht se çfarë detyrash dhe aktivitetesh të tjera duhet të kryejmë në jetën e përditshme.  Kjo ka vërtet më shumë rëndësi se çdo lloj gjëje tjetër që kemi apo bëjmë në jetë.

      Një martesë në të cilën dy njerëz bëhen një, në një bashkim shpirtëror zemrash, dhe që është e shëndetshme dhe e lumtur, karakterizohet patjetër nga kohë të rregullta afërsie që çifti kalon me njëri-tjetrin.  Ata përkushtohen ndaj njëri-tjetrit që me kalimin e viteve ta ruajnë fortë këtë afërsi.  Një marrëdhënie e tillë është e bekuar dhe e frytshme, dhe e plotëson qëllimin që ka Perëndia për të.  Dhe me patjetër që një martesë e tillë është bekim dhe inkurajim për gjithë ata njerëz që e njohin çiftin dhe kanë mundësi për të parë shpesh nga afër marrëdhënien e tyre.

      E gjithë kjo është e vërtetë edhe për marrëdhënien tonë me Perëndinë.  Fryma e Shenjtë i cili banon tek ne, krijon një bashkim frymëror midis frymës sonë dhe pranisë dhe jetës së Zotit: jemi një frymë me Të (1 Kor. 6:17,19).  Kur Fryma e Shenjtë banon brenda nesh atëherë banon Fryma e dashurisë për Perëndinë.  Kështu që dashuria dhe malli për Perëndinë ngjizen brenda nesh nga Fryma e Shenjtë, duke na shtyrë të kërkojmë Perëndinë si dhe të kemi uri dhe etje për fjalën dhe praninë e tij:

‘…dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.’ (Rom. 5:5)

‘Ashtu si drenusha ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.  Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë.  Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?’ (Ps. 42:1-2)

O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im…’ (Ps. 63:1)

‘Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë së gjallë.’ (Ps. 84:2)

      Fryma e Shenjtë brenda nesh gjithmonë do të dojë të na tërheqë mënjanë sa më shpesh në një vend të qetë dhe të afërt me Perëndinë, që të bashkohemi me Atin dhe Birin (1 Gjoni 1:3).  Afërsia me Zotin është thelbi i gjithë përkushtimit të vërtetë frymëror, dhe Ai dëshiron që ne të mësojmë të kultivojmë një afërsi të tillë me Të.  Në qoftë se i afrohemi Zotit, atëherë ai gjithmonë përgjigjet duke na u afruar neve (Jak. 4:8).   Ndërsa vendosemi të hyjmë në dhomëzën tonë të qetë, dhe të rrëfejmë ndonjë mëkat apo dështim për të cilin jemi ndërgjegjësuar, atëherë mund t’i afrohemi Perëndisë dhe të hyjmë në praninë e Tij duke ndjerë nga afër ngrohtësinë e dashurisë së Tij.

      Një predikues i vjetër skocez e shprehu kështu:

‘Të jini shpeshherë vetëm për vetëm me Zotin.  Mos e zhgënjeni atë me vetëm një çerek ore në mëngjes dhe në darkë.  Merrni kohën e duhur që të njiheni tamam me Zotin.  Bisedoni me Të për çdo gjë.  Derdhjani Atij çdo dëshirë, mendim, plan dhe dyshim që keni.  Ai do që të bisedojë me krijesat e Tij.  Apo mos krijesat e tij nuk duan të bisedojnë me Atë?  Ai do jo që si të thuash, thjesht ‘t’i ketë punët në rregull me ne’, por që të ketë afërsi me ne.  A do ta mohojmë afërsinë, dhe të kënaqemi thjesht duke pasur punët në rregull me Të?  Çfarë?!  Të kemi afërsi me botën, me shokët, me komshinjtë, por jo me Perëndinë?  Kjo do të dukej keq fare.  Është marrëzi ta vlerësojmë argjilën më shumë se poçarin, mermerin më shumë se skalitësin, këtë botë të vogël dhe krijesat e saj më shumë se Krijuesin e madh të gjithë universit, të madhin ‘të gjithë dhe në të gjithë’.[1]

      Thelbi i zhvillimit të afërsisë me Perëndinë është të dimë se është marrëdhënie e bazuar dhe e ndërtuar mbi dashuri reciproke.  Perëndia është dashuri, dhe ai do që ne të jemi të sigurtë për dashurinë që Ai ka për ne.  Nuk ka frikë në këtë dashuri (1 Gjoni 4:18).  Ai na do fortë e thellë, dhe ne e duam atë.  Ne gjithmonë kërkojmë të jemi me dikë që e duam.  Zemra jonë ka mall për atë, dhe kjo na shtyn të kërkojmë të jemi me të.  Atëherë kur dashuria jonë për Perëndinë është e fortë dhe e ngrohtë, tërheqja ndaj gjërave mishore të botës humbet fuqinë kontrolluese të saj.  Ne e duam Atë më shumë se i duam ato.  Kështu që e kërkojmë Atë, dhe rrimë dhe qëndrojmë në praninë e Tij, thjesht sepse e duam Atë dhe duam të jemi me Të.  Jemi të gjallë ndaj Perëndisë.  Ne ulemi me Të, bisedojmë me Të, dhe ecim me Të.  Ne kënaqemi me Të (Gjoni 15:9-11).

      Gjithë adhurimi dhe lavdërimi i vërtetë ndaj Perëndisë është thjesht shprehje e dashurisë së thellë prej zemre që ne kemi për Të.  Ndërsa e shprehim këtë dashuri për Zotin në adhurim, bekim, falënderim dhe lavdërim (sidomos kur lutemi në frymë me anë të të folurit dhe të kënduarit në gjuhë të panjohura), Fryma e Shenjtë brenda nesh përgjigjet ndaj kësaj: ai na e ngroh zemrën duke na mbështjellë gjithashtu me ndjesinë e pranisë së tij (Efes. 5:18-20).  Dhe si rrjedhojë streset e ditës që na kanë zënë sikur zhduken.  Gjithashtu shqetësimet e përbrendshme të shkaktuara nga jeta e përditshme qetësohen, dhe hyjmë në një gjendje paqeje të thellë dhe gëzimi të lirë në praninë e Zotit.

      Në këtë vend zemra jonë pastrohet ndërsa i rrëfejmë Zotit mëkatet për të cilat jemi ndërgjegjësuar, gjithashtu jeta jonë frymërore forcohet dhe rifreskohet.  Ne i pëshpërisim Zotit dashurinë tonë, dhe Ai po ashtu na siguron për dashurinë që ka për ne.  Mund t’i hapemi Atij dhe t’ia derdhim mendimet dhe shqëtësimet tona më të imëta.  Ndërsa hapemi dhe bëhemi të cenueshëm në praninë e Tij, Ai mund të na i shërojë plagët e përbrendshme që kemi në zemër.  Dhe ndërsa rehatosemi dhe fokusohemi në Të, jemi mjaft afër për ta dëgjuar zërin e qetë të Frymës së Shenjtë ndërsa na flet dhe na shtyn nga brenda.  Ne i dorëzohemi Zotit, i nënshtrohemi dhe i bindemi fjalës dhe vullnetit të tij (Gjoni 14:23).  Mund të lutemi e të ndërmjetësojmë për situatat dhe nevojat e të tjerëve (Rom. 8:26-27).  Dhe ndërsa lexojmë dhe meditojmë mbi fjalën e Perëndisë, ajo sikur bëhet e gjallë dhe Zoti na flet përmes saj.  Ajo na e ushqen shpirtin, na e forcon besimin, dhe na jep zbulesë dhe një të kuptuar më të thellë: ‘Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.’ (Ps. 25:14).

      Kur dalim nga koha që kemi kaluar me Zotin, jemi të rifreskuar nga ana frymërore dhe kemi paqe në zemër.  Thellë përbrenda ndjehemi të bekuar.  Ka një rrezatim, një ndriçim, një bukuri të përbrendshme, një lehtësi frymërore, paqe dhe qetësi, një ndjeshmëri, dhe një dashuri të ngrohtë si ndaj Perëndisë ashtu edhe ndaj të tjerëve.  Të gjitha këto rriten brenda nesh ndërsa takohemi rregullisht dhe shpesh me Zotin në këtë mënyrë.  Të kaluarit kohë në afërsi me Perëndinë i kënaq dhe i plotëson dëshirat dhe nevojat më të thella të zemrës sonë.  Gëzimi dhe paqja e dashurisë së vërtetë për Perëndinë shpesh mund të shihet apo ndjehet nga të tjerët, dhe kjo është diçka tepër tërheqëse.  Të tjerët shohin apo ndiejnë prezencën dhe dashurinë e Krishtit tek ne, dhe kjo prani mund të rrjedhë përmes nesh dhe të ndikojë tek të tjerët.

      Mirëmbajtja e një kohe dhe vendi të tillë të rregullt dhe të afërt me Perëndinë, ruan një marrëdhënie të ngrohtë dhe të ngushtë me Të.  Kështu jeta jonë frymërore do të vazhdojë të jetë e freskët, e lirë dhe në paqe.  Dhe si rrjedhojë nuk do mbështetemi thjesht tek forcat dhe aftësitë tona njerëzore për të arritur sukses në jetë dhe në shërbesë.  Çelësi për të ruajtur afërsinë tonë me Perëndinë, është që të kthehemi rregullisht në atë afërsi të ngushtë shpirtërore në të cilën jemi takuar me Të herë të tjera.  Kjo na mban të lidhur me praninë e Tij të gjallë, dhe mbahemi në dashurinë e Tij (Juda v.21).  Ndërsa e praktikojmë këtë si zakon personal, zemra jonë mbushet herë pas here dhe madje gufon me dashuri dhe lavdërim për Perëndinë, dhe na mban vazhdimisht në një gjendje paqeje dhe qetësie të brendshme, që Zoti e dëshiron për jetën tonë.

 

 

© 2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.

Autori: Michael A. Brown, Angli.

Redaktuesi: Milto Marko, Finlandë.

Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga © 2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip, përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.

 

 



[1] Bonar, H. Follow the Lamb, 1861.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.