13 Fuqia e fjalëve


Fuqia e Fjalëve
Copyright © 2017 Rev. Suela Brown



      Mund të na duket i çuditshëm fakti se fjalët që dalin nga goja jonë kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi jetën tonë, dhe që goja jonë mund të jetë përgjegjëse për shumë prej problemeve tona për të cilat mbase akuzojmë persona të tjerë apo nuk dimë pse kanë ndodhur.  Sado e hidhur të jetë kjo e vërtetë, sa më herët ta kuptojmë dhe të ndërgjegjësohemi aq më shpejt do të mund edhe të marrim masat e duhura për të parandaluar probleme të mëtejshme që janë pasojë e fjalëve tona.  Bibla e shenjtë pohon pikërisht këtë të vërtetë kur thotë se “Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës” (Fj. Urta 18:21), ndaj “kush ruan gojën dhe gjuhën e vet, mbron jetën nga fatkeqësitë” (Fj. Urta 21:23), “por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit” (Fj. Urta 13:3).  Thuhet se “në bazë të fjalëve të tua do të drejtësohesh dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh” (Mateu 12:36-37).
      Ky është një realitet vërtet tronditës kur merret parasysh fakti se një femër flet me përafërsi rreth 20.000 fjalë në 24 orë dhe një mashkull 7.000 fjalë.  Kjo është një mori e shumtë fjalësh dhe thuhet se “Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë (Fj. Urta 10:19).  Në një pankartë të Luftës së Dytë Botërore shkruhej: “Fjalët e papërgjegjshme kushtojnë jetë”.  Imagjinoni se sa njerëz humbën jetën në luftë thjesht nga fjalët e pamatura të një gjenerali, apo tradhëtia e një spiuni.
      Nuk besoj se egziston një njeri që ka dëshirë t’i bëjë dëm jetës së vet, të ardhmës së vet apo familjes së vet.  Dhe jo çdo fjalë që del nga goja e njeriut është e dëmshme.  Problemi ngrihet atëherë kur, pa menduar për pasojat, ne i japim vetes lirinë të shprehemi si të duam dhe kur të duam mendimet, opinionet dhe vendimet tona para njerëzve pa i matur dhe kontrolluar fjalët para së të dalin nga goja jonë.  A janë këto fjalë ndërtuese apo shkatërruese, të nevojshme apo të panevojshme?  Dhe kjo është një sfidë me të cilën pak a shumë përballet çdo njeri.
      Po përse vallë është një sfidë kaq e madhe që të kontrollojmë dhe gjykojmë me drejtësi fjalët që dalin nga goja jonë para se t’i shprehim?  Ja çfarë thotë Bibla:
“Gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh, ja një zjarr i vogël c’pyll të madh djeg!  Edhe gjuha është zjarr, botë padrejtësie; kështu është vendosur gjuha midis gjymtyrëve tona; ajo e fëlliq gjithë trupin dhe ndez rrotën e jetës dhe ndizet nga ferri.  Sepse çdo lloj bishash, shpendesh, zvarranikësh e kafshësh të detit zbuten dhe janë zbutur nga natyra njerëzore, kurse gjuhën asnjë nga njerëzit s’mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës.  Me atë bekojmë Perëndinë Atë, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë.  Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi.  Vellëzer të mi, nuk duhet të ishte kështu” (Jakobi 3:2-10).
      Ky është një përshkrim shumë i vërtetë mbi gjuhën dhe fuqinë e saj.  Është vërtet shqetësues fakti që gjuha posedon një fuqi kaq të madhe mbi jetën e njeriut, por është akoma dhe më shqetësues fakti që gjuha është një gjymtyrë e pazbutshme.  Si do t’ia bëjmë atëherë? Si do ta ndalojmë problematikën e saj për të ruajtur jetën tonë nga shkatërrimi?
      Fjala e Perëndisë na e zbulon sekretin dhe na jep shpresë.  Sekreti është tek burimi i fjalëve.  Jezusi tha se “gjërat që dalin nga goja dalin nga zemra dhe ato e ndotin njeriun” (Mateu 15:18), dhe bëjnë që njeriu të zihet në lakun e fjalëve të tij: “Je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je kapur në fjalët e gojës sate” (Fj. Urta 6:2).  Nga zemra dalin burimet e jetës ndaj thuhet “Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes” (Fj. Urta 4:23).  Gjithashtu na thuhet se “Zemra është gënjeshtare mbi çdo gjë dhe e ligur keq; kush mund ta njohë atë?  Unë Zoti, hetoj zemrën…” (Jer. 17:9-10).  “Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës, kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rremë, blasfemitë” (Mat. 15:19).  “Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i lig i nxjerr të ligat nga thesari i lig i zemrës së vet, sepse goja e tij flet nga mbushullia e zemrës” (Luka 6:45).
      Por a ka njerëz të mirë?  Nga vlerësimi njerëzor mbase po.  Por nga këndvështrimi i të Shenjtit Perëndi, jo.  Bibla thotë: “Nuk ka asnjë që të bëjë të mirën as edhe një.  Gryka e tyre është si varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi…” (Rom. 3:12-14).  Kjo është e vërteta e trishtueshme.  Goja do të flasë atë që është brenda zemrës.  Por çfarë flet zemra kur është nën influencën e xhelozisë, hidhërimit, mosfaljes, ngurtësimit, smirës, lakmisë, imoralitetit dhe çdo lloj tjetër mëkati, këtu është çështja.
      Ndaj për të zgjidhur problemin e gjuhës së pari duhet të zgjidhim problemin e zemrës. Mbreti David e kishte kuptuar këtë të vërtetë, ndaj lutej: “O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur” (Ps. 51:10) dhe “U miratofshin përpara teje fjalët e gojës sime, dhe përsiatjet e zemrës sime…” (Ps. 19:14).  Dhe nëpërmjet profetit Ezekiel, Zoti dha shpresë për këtë problem kolosal dhe tha: “Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësitë tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj.  Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një frymë të re; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.  Do të vë brenda jush Frymën tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni dekretet e mia” (Ez. 36:25-27).  Dhe gjithë kjo punë e Perëndisë do të realizohej nëpërmjet Jezu Krishtit.
      Ajo që për njeriun është e pamundur është e mundur për Zotin.  Ai vetë premton se do të na japë një zemër të re dhe do ta heqë prej nesh zemrën e vjetër e cila është si gur në krahasim me zemrën e re.  Vetëm atëherë kur kemi një zemër të mirë të dhuruar nga Zoti, nga kjo zemër do të burojë mirësi, dhe do të jetë kjo mirësi dhe drejtësi që do të bëjë që, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Perëndisë që ai do të vendosë brenda nesh, që ne të kemi vetëkontroll. Vetëm atëherë gjuha jonë do të fillojë të mbjellë sukses në vend të disfatës, ndërtim në vend të shkatërrimit, mirësi në vend të ligësisë, shenjtëri në vend të mëkatit dhe nuk do të jetë më një vegël shkatërruese në duart e Satanit.
      Jezu Krishti erdhi të falë mëkatet, të zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin e zemrës mëkatare të njeriut.  Ai ofron pagëzimin e pendimit për të gjithë ata që vërtet pendohen nga mëkatet e tyre dhe duan të jetojnë një jetë të shenjtë dhe të kenë një zemër të re.  Ai heq prej tyre zemrën e gurit dhe vendos brenda tyre zemrën e mishit.  Ai vendos brenda tyre Frymën e Shenjtë i cili heton zemrën dhe na vë në pah mendimet e saj, na jep mundësi të pendohemi dhe të rinovohemi në mendjet dhe zemrat tona nëpërmjet të vërtetës së fjalës së Perëndisë dhe fuqisë së tij.  Ky person quhet “i rilindur”, dhe Jezus Krishti ta ofron ty këtë shpëtim, këtë dhuratë të përjetshme.  Mjafton të pendohesh nga mëkatet e tua, ta ftosh në zemrën dhe jetën tënde dhe të fillosh ta ndjekësh dhe t’i bindesh me gjithë zemër.  Vetëm atëherë do të jesh i lirë dhe do të mund të jetosh në liri të përditshme.  Vetëm atëherë Zoti mund ta përdorë gojën tënde për të ndërtuar dhe bekuar.  Vetëm atëherë do të shikosh ditë të bardha dhe të bekuara.  Mbarëvajtja e jetës sate varet nga ti dhe marrëdhënia jote me Perëndinë dhe jo nga njerëzit.  Edhe nëse njerëzit rreth teje nuk ndryshojnë dhe vazhdojnë të mëkatojnë, rëndësi ka që ti ke ndryshuar, goja jote ka ndryshuar dhe po mbjell bekimin e Zotit në jetën tënde si kurrë më parë.  Jezusi tha: “Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, prej brendësisë së tij do të burojnë lumenj uji të gjallë” (Gjoni 7:38).  Ky lumë i gjallë është lumi i jetës që sjell jetë kudo që shkon.
      Për të ilustruar këtë temë kam zgjedhur dy personazhe biblike.  Të dy këto personazhe janë gra.  Ka shumë shembuj burrash që mund të merrja, por po zgjedh këto dy gra sepse ato janë një kontrast i njëra-tjetrës që do të më ndihmojnë ta ilustroj këtë temë.  Zemrat e tyre janë në kontrast, dhe jetët e tyre janë në kontrast.  Njëra quhet Abigaili dhe tjetra Mikala.  Në një kohë kur mbretërit kishin disa gra, këto dy gra ishin bashkëshortet e mbretit të Izraelit David.

Historia e Mikalës
      Mikala ishte prinçeshë.  Ajo ishte bija e ish-mbretit Saul të Izraelit familjes të së cilit Zoti ia hoqi mundësinë për të mbretëruar për shkak të mëkatit të tij.  Mikala ishte rritur në lluks, me një kompleks të theksuar superioriteti, me një zemër shumë krenare, i jepte shumë rëndësi sofistikimit të pamjes së jashtme, por nuk ishte një grua që besonte me gjithë zemër tek Perëndia dhe as nuk i shërbente atij.  Edhe pse ishte prinçeshë ajo nuk kishte maturinë dhe mençurinë e një gruaje të mençur dhe të nderuar.  Goja e saj ishte e mbushur me fjalë arogante dhe ironike sepse vetë zemra e saj ishte e tillë.  Fillimi i jetës së saj ishte i suksesshëm për shkak të privilegjeve që ajo gëzonte si bijë mbreti, por historia e jetës së saj ndryshoi dhe u shndërrua në një histori të trishtë.
      Nuk ishin as njerëzit dhe as rrethanat që e ndryshuan rrjedhën e jetës së saj, por ishin fjalët që dolën nga vetë goja e saj.  Ashtu sikurse dhe thuhet “Gruaja e urtë (e mençur, e matur) ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta” (Fj. Urta 14:1)Mikala e shkatërroi martesën dhe të ardhmen e saj me fjalët e veta, ndaj le të bëhet një mësim për të gjithë qofshin gra apo burra.
      Ja çfarë ndodhi.  Më në fund mbas disa vitesh, arka e Zotit u kthye dhe u vendos në Jeruzalem.  Kjo ishte një ditë hareje për mbretin Davidin dhe gjithë popullin ndaj të gjithë kishin dalë për të festuar:
“Por ndodhi që, ndërsa Arka e Zotit po hynte në qytetin e Davidit, Mikala bija e Saulit, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin David që po hidhej dhe kërcente përpara ZOTIT dhe e përçmoi në zemrën e saj.  Kështu sollën Arkën e ZOTIT dhe e vendosën në vendin e saj, në mes të çadrës që Davidi kishte ngritur për të.  Pastaj Davidi ofroi holokauste dhe flijime falenderimi përpara ZOTIT.  Kur mbaroi së ofruari holokaustet dhe flijimet, Davidi bekoi popullin në emër të ZOTIT të ushtrive, dhe i shpërndau tërë popullit, gjithë turmës së Izraelit, burra dhe gra, secilit prej tyre nga një kulaç, nga një racion mishi dhe një sasi rrush të thatë.  Ndërsa Davidi po kthehej për të bekuar familjen e tij, Mikala, bija e Saulit, i doli përpara Davidit dhe i tha: “Sa i nderuar ka qenë sot mbreti i Izraelit, që u zbulua para syve të shërbëtoreve të tij, ashtu siç do të zbulohej një harbut!”.  Atëherë Davidi iu përgjigj Mikalës: “E bëra përpara ZOTIT që më ka zgjedhur në vend të atit tënd dhe të tërë shtëpisë së tij për të më vendosur princ të Izraelit, të popullit të ZOTIT; prandaj bëra festë përpara ZOTIT.  Prandaj do ta ul veten edhe më poshtë dhe do të bëhem më i pavlerë në sytë e mi; por lidhur me shërbëtoret për të cilat më fole, unë do të nderohem pikërisht prej tyre”.  Mikala, bija e Saulit, nuk pati fëmijë deri në ditën e vdekjes se saj.” (2 Sam. 6:16-23)
Çfarë ndodhi?  Davidi i mbushur me gëzim shkon të bekojë familjën ë tij, ndërsa gruaja e tij e mbushur me përçmim për atë i del përpara për ta ofenduar.  Ajo e pa të pahijshme që një mbret të zhvishej nga rrobat e shndritshme mbretërore, të kërcente përpara Zotit dhe arkës së tij, dhe të përulej përpara syve të njerëzve në këtë mënyrë.  Ajo e gjykonte, e përçmonte dhe e ofendonte pa menduar se sjellja dhe fjalët e saj do të kishin pasoja mbi jetën e saj.  Ajo as që e kishte kuptuar që Davidi ishte përulur para Zotit.  Ajo e trajtoi Davidin jo si mbret (pozicion të cilin ia kishte dhënë Zoti dhe jo njerëzit), por si një harbut.  Po përse vallë?  Thjesht sepse zemra e saj, mendimet dhe qëndrimet e zemrës së saj nuk ishin të drejta dhe në rregull.  Jo vetëm nuk ishte në gjendje të kuptonte marrëdhënien unike që egzistonte ndërmjet Zotit dhe Davidit, por ajo kurrë nuk e shihte dhe respektonte atë si mbret, por e shikonte si një bari të pakulturuar që u ngrit në pozitë.  Në sytë e saj ai i përkiste shtresës punëtore, ndërsa ajo ishte aristokrate mbretërore.  Dhe për këtë arsye ajo harronte të shikonte Davidin me sytë e respektit dhe nderimit.  Për më keq, budallallëku i saj shfaqet në një moment kur Zoti donte ta bekonte, ndaj Davidi po shkonte në shtëpi për ta bekuar atë dhe gjithë familjen.  Për fjalët e saj ajo mori një përgjigje të drejtë.  Jo vetëm që Davidi nuk mundi ta bekojë në emër të Zotit, por që prej asaj dite ajo e humbi respektin dhe dashurinë e tij.  Pamja e saj e bukur dhe rrobat e saj të shtrenjta nuk mund të kompensonin per difiçitin në karakterin dhe sjelljen e saj.  Ajo ishte një mbretëreshë me sjellje harbute.  Davidi nuk e ndëshkoi, nuk e çkurorëzoi, ai tregoi mëshirë ndaj saj.  Por që prej asaj dite marrëdhënia e tyre mori fund dhe nuk patën një fëmijë bashkë, gjë që do të thoshte që e vetmja shpresë që kishte familja e Saulit për t’u ulur një ditë në fronin e Izraelit nëpërmjet pasardhësve të Mikalës u shua përfundimisht, ashtu sikurse u shua dhe roli dhe influenca e saj primare në jetën e mbretit dhe vetë Izraelit.

Historia e Abigailit
      Ndërsa historia e Abigailit është krejt ndryshe.
      Abigaili përshkruhet jo vetëm si një grua e hijshme, por edhe si një grua me gjykim te shendoshë dhe e perëndishme.  Edhe pse Abigaili ishte e martuar me një njeri shume të pasur dhe bënte një jetë të rehatshme përsa i përket anës materiale, duket qartë nga kjo histori që kjo ishte një martesë me mblesëri.  Ajo ishte e martuar me një njeri emri i të cilit ishte Nabal (që do të thotë “budalla”). Ai ishte njeri me një imazh dhe karakter shumë negativ, dhe vetë Abigaili e kishte kuptuar që burri i saj ishte i tillë dhe kishte vuajtur nga budallallëku i tij për vite të tëra.  Por gjithsesi ajo e kishte pranuar këtë realitet dhe kishte mbijetuar.  Dhe jo vetëm kishte mbijetuar por nëpërmjet mençurisë së saj kishte arritur të menaxhonte dhe zgjidhte problemet e shumta që shkaktonte Nabali me sjelljen e tij.  Ajo mund të mos ishte aristokrate apo nga familje mbretërore, por në karakterin e saj ajo kishte vlerat e një fisnikeje.  Ajo ishte e llojit të njerëzve që zgjidhen për të drejtuar dhe mbretëruar me drejtësi.  Për këtë arsye ajo kishte fituar respektin e gjithë njerëzve duke përfshirë edhe shërbëtorët meshkuj të familjes.
      Gjithë lavdia e karakterit të saj dhe mençuria e saj u zbuluan një ditë.  Kjo ishte në kohën kur Davidi nuk ishte shuguruar ende si mbret dhe mbreti Saul e ndiqte për ta vrarë, ndërkohë që Davidi me ushtrinë e tij po kalonin kohë shumë të vështirë.  Ndodhi që ai dhe ushtria e tij kishin ngelur pa ushqime, por dëgjuan se pranë banonte Nabali barinjtë dhe tufat e të cilit Davidi dhe trimat e tij i kishin mbrojtur dhe për këtë arsye Nabali kishte gjithë këtë bollëk (1 Samuel 25). Davidi dërgoi disa njerëz tek Nabali dhe me shumë përulje dhe respekt i kërkoi Nabalit ndihmë ushqimore për veten dhe ushtarët e tij.  Por Nabali jo vetëm që nuk ua dha këtë ndihmë por i dëboi me ofendime.  Në këtë rast Davidi u mërzit shumë sepse e mira që kishte bërë i ishte paguar me të keqe, ndaj vendosi të marrë hak.  Mori ushtrinë e tij dhe marshoi drejt Nabalit duke pasur për qëllim të vrasë çdo mashkull të familjes së Nabalit duke përfshirë edhe shërbëtorët.  Kur dëgjuan këtë lajm shërbëtorët u frikësuan dhe në vend që të shkonin tek Nabali shkuan tek personi që mund t’i ndihmonte, pra Abigaili.  Ia treguan historinë.  Menjëherë mbas historisë së tyre ajo mori ushqimin e nevojshëm për ushtarët dhe Davidin dhe u nis për t’i takuar duke nisur para saj shërbëtorët me ushqimet dhe duke i ndjekur nga pas.  Ja çfarë ndodhi:
“Kur Abigaili pa Davidin, zbriti shpejt nga gomari dhe ra përmbys me fytyrën përtokë përpara Davidit.  Kështu u shtri në këmbët e tij dhe tha: “O imzot, mbi mua, vetëm mbi mua bie faji!  Por lejo shërbëtoren tënde të të flasë dhe ti dëgjo fjalët e saj.  Të lutem, mos ia vër re atij njeriu të neveritshëm, Nabalit, sepse ai është pikërisht ashtu siç e ka emrin, ai quhet Nabal dhe karakterizohet nga budallallëku; por unë, shërbëtorja jote, nuk i kam parë të rinjtë e dërguar nga zotëria im.  Kështu, pra, imzot, ashtu siç është e vërtetë që ZOTI rron dhe që shpirti yt jeton, Zoti të ka penguar të derdhesh gjak dhe të vendosësh drejtësi me duart e tua.  Armiqtë e tu dhe ata që duan t’i bëjnë keq zotërisë tim, qofshin si Nabali!  Dhe tani kjo dhuratë që shërbyesja jote i ka sjellë zotërisë tim t’u jepet të rinjve që ndjekin zotërinë tim.  Por falja fajin shërbëtores sate; me siguri Zoti do ta bëjë të qëndrueshme shtëpinë e zotërisë tim, sepse zotëria im lufton në betejat e Zotit dhe gjatë tërë kohës së jetës sate nuk është gjetur asnjë e keqe tek ti.  Në rast se del dikush që të përndjek dhe kërkon jetën tënde, jeta e zotërisë tim do të ruhet në peshtafin e jetës pranë ZOTIT, Perëndisë tënd, ndërsa jetën e armiqve të tu Zoti do ta flakë si nga zgavra e një hobeje.  Kështu, kur Zoti t’i ketë bërë zotërisë tim të mirat që i ka premtuar dhe të të ketë vënë në krye të Izraelit, kjo gjë nuk do të jetë dhembje per ty, as një brejtje e ndërgjegjes së zotërisë tim; domethënë të ketë derdhur gjak pa shkak dhe të ketë marrë hak me vetëgjyqësi.  Por kur Zoti do t’i bëjë të mira zotërisë tim, kujto shërbëtoren tënde.  
Atëherë Davidi i tha Abigailit: “Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, që sot të dërgoi ballë meje!  E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak dhe të vendos drejtësi me duart e mia!  Sepse, sigurisht, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, që më ka penguar të të bëj të keqen, po të mos ishe nxituar të më dilje përpara, në të gdhirë të ditës Nabalit nuk do t’i kishte mbetur asnjë njeri i gjallë”.  Kështu Davidi mori nga duart e saj ato që ajo kishte sjellë dhe i tha: “Kthehu në paqe në shtëpinë tënde; shiko unë dëgjova zërin tënd dhe pata respekt për personin tënd”” (1 Sam. 25:23-35).
      Historia vazhdon duke thënë se mbas dhjetë ditësh Zoti e goditi Nabalin dhe ai vdiq.  Zoti bëri që mbi kokën e tij të bjerë gjithë ligësia e tij.  Por çfarë ndodhi me Abigailin?  Për Abigailin u hap një kapitull i ri.  Kapitulli i errët i jetës së saj mori fund.  Si mund të humbiste Davidi mundësinë për të pasur një bashkëshorte kaq të mençur dhe të respektuar në krah?  Menjëherë sapo dëgjoi se Abigaili kishte ngelur e ve, ai i kërkoi asaj të bëhej bashkëshortja e tij.  Ishin fjalët e saj që kishin vendosur të ardhmen e saj.
·         Abigaili e prezantoi veten si shërbëtore edhe pse ishte një grua e pasur që kishte në shërbim personal pesë shërbëtore.  Abigaili e pa Davidin nëpërmjet syve të Perëndisë si të vajosur, dhe e trajtoi atë si mbret dhe me nderimin që i jepet një mbreti edhe pse ai ende nuk ishte mbret.
·         Ajo ishte një grua e informuar, dhe edhe pse nuk e kishte takuar ndonjëherë Davidin, ajo kishte dëgjuar me vëmendje historinë e jetës së tij dhe e njihte planin që Zoti kishte për Davidin.
·         Po ashtu e dinte që vrasja e Nabalit do të ishte një njollë e keqe në jetën e lavdishme të Davidit.
·         Ajo diti të fashitë stuhinë që ishte gati të rrëmbente shtëpinë dhe jetën e saj.
·         Ajo nuk foli me hipokrizi, por me bindje.
·         Ajo menaxhoi një situatë katastrofale dhe e ndaloi.
·         Ajo e vendosi jetën e saj në dorën e Zotit pa u ankuar për vuajtjet e saj.
      Kjo ishte gruaja që i duhej Zotit në krye të popullit të tij.  Kjo ishte gruaja që do t’i jepte mendimin e duhur një mbreti.  Një grua e tillë do të edukonte pasardhës të qëndrueshëm. Abigaili kishte gjithçka që Mikalës i mungonte.
“Përgjigjja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin” (Fj. Urta 15:1).

“Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollë të arta mbi një enë argjendi”
(Fj. Urta 25:11).

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.