Ç’kam
bërë unë tani?
‘Më kanë urryer pa
shkak.’ (Gjoni 15:25)
‘Ç’kam
bërë unë tani?’ ishte pyetja retorike që Davidi i bëri vëllait të tij Eliabit
(1 Sam. 17:29). Kjo është pyetja që shumë
njerëz ngrenë në lidhje me persona të cilët ushqejnë armiqësi ndaj tyre. Davidi dhe Eliabi ishin vëllezër, të rritur nën
të njëjtën çati, nga të njëjtët prindër, por ja që qëndrimi i Eliabit ndaj
Davidit ishte shumë negative, negativitet i pajustifikuar. Ky negativitet buronte nga një zemër e mbushur
me xhelozi dhe urrejtje ndaj Davidit. Ja
fjalët me të cilat Eliabi iu drejtua Davidit në ditën kur Davidi i dërguar nga
ati i tij Xhesi u solli ushqim vëllezërve në fushën e betejës, dhe ndërkohë
filloi t’u bëjë ushtarëve pyetje për t’u informuar mbi situatën: ‘Eliabi u zemërua me Davidin dhe tha: Pse
erdhe këtu? Kujt ia le ato pak dele në
shkretëtirë? Unë e njoh krenarinë tënde
dhe ligësinë e zemrës sate, ke zbritur këtu për të parë betejën.’ (1 Sam.
17:28).
Ja
se cila ishte e vërteta mbi Davidin:
1.
Fakt:
Davidi u dërgua nga i ati. Hamendësim:
Eliabi mendoi se Davidi erdhi me dëshirën e tij dhe pa lejë.
2.
Fakt:
Davidi i la delet me të atin. Hamendësim:
Eliabi presupozoi se delet ishin braktisur.
3.
Fakt:
Zoti kishte konsideratën më të lartë për zemrën e Davidit deri në atë gradë saqë
Zoti deklaroi: Davidi ka një zemër sipas zemrës sime. Hamendësim:
Eliabi e shikonte zemrën e Davidit si të ligë dhe të mbushur me ligësi dhe
krenari.
4.
Fakt:
Davidi rrezikoi veten për t’u shpënë vëllezërve ushqim. Hamendësim:
Eliabi e akuzoi se kishte ardhur për të parë betejën.
Në
të katër këto nivele Eliabi gaboi pa pasur aspak të drejtë. Gjithsesi nga pyetja e Davidit “Çfarë kam bërë
tani?” kuptojmë se kjo nuk ishte hera e parë që Eliabi i fliste dhe e trajtonte
në një mënyrë të tillë armiqësore Davidin. Nuk thuhet se kur egzaktësisht filloi kjo
armiqësi, por nga shkrimet kuptojmë se në ditën kur profeti Samuel erdhi për të
vajosur njërin prej bijve të Xhesit si mbret të Izraelit, Zoti nuk e zgjodhi
Eliabin i cili ishte biri i parëlindur dhe asnjë prej bijve të tjerë, por
zgjodhi Davidin i cili ishte biri i vogël dhe më i përçmuari i Xhesit. Arsyeja për këtë zgjedhje ishte e thjeshtë dhe e përkufizuar në fjalët
e Zotit: njeriu zgjedh pamjen por Zoti sheh zemrën.
Davidi
u zgjodh prej Zotit pikërisht për zemrën e tij, atë zemër që Eliabi e urrente dhe
e gjykonte kaq padrejtësisht. Në zemër të
kësaj urrejtje dhe marrëdhënie të prishur ishte xhelozia, ishte momenti kur
Samueli derdhi vajin mbi Davidin. Urrejtja
e Eliabit nuk ishte e shkaktuar nga ndonjë padrejtësi që Davidi i kishte
shkaktuar, por thjesht nga fakti se zemra e Eliabit ishte e keqe dhe mbushur me
xhelozi që rezultonte në armiqësi. Nga
ai moment, nuk kishte rëndësi se sa shumë mirësi apo dashuri tregonte Davidi,
xhelozia dhe urrejtja kishin verbuar shikimin e Eliabit. Dhe ndërsa shikimi i tij u verbua dhe zemra e
tij u errësua, ato ndjenjat sublime të kujdesit, dashurisë, mirësisë për vëllain
e tij u hidhëruan dhe u shndërruan në diçka monstruose, aq sa në vend që të
ishte i lumtur që po shikonte vëllain e tij, mirënjohës për shërbimin që Davidi
po bënte, ai nuk i tha as tungjatjeta as faleminderit.
Për
më tepër përplasja mes tyre ishte frymërore. Tashmë Fryma e Zotit ishte mbi Davidin,
prezenca e Frymës së Shenjtë ishte si një dritë e fuqishme që ekspozonte të
keqen tek njerëzit, një dritë që errësira do ta luftonte në vazhdimësi. Ky ishte çmimi që Davidi duhet të paguante për
këtë dritë.
Rrugët
e këtyre vëllezërve tashmë ishin ndarë nga teli me gjemba i xhelozisë së
Eliabit.
Shumë
njerëz janë përfshirë në këto lloj marrëdhëniesh dhe jo për faj të tyre. Por ja që zemra e njeriut është e dobët dhe
lehtësisht e manipuluar nga djalli deri në atë pikë saqë beson ‘të vërtetën e
trilluar’ mbi dikë sesa të vërtetën reale nga këndvështrimi i Zotit. Pali tha mos e lejoni diellin të perëndojë mbi
zemërimin tuaj, mos i jepni djallit vend. Por ja që njeriu ka tendencën të mos e marrë
seriozisht këtë këshillë, dhe me vullnet të lirë e lë diellin të perëndojë. Në mbrëmje fle me zemërimin, dhe pastaj në mëngjes
zgjohet me djallin përkrah. Dhe djalli është
akuzuesi i vëllezërve, është ai që pëshpërit në mendjen e Eliabit: ‘Vëllai yt është
i lig, krenar.’ Ka vetëm një mënyrë se
si marrëdhënia midis Eliabit dhe Davidit të restaurohet. Do të restaurohet kur Eliabi të shikojë rrënjën
e mendimeve dhe zemërimit të tij. Kur
Eliabi të pendohet. Kur Eliabi t’i thotë
djallit, largohu nga mendja ime. Kur
Eliabi t’i kërkojë Davidit të falur. Deri
atëherë Davidi do të vazhdojë të viktimizohet prej Eliabit, duke u perpjekur të
fitojë betejën mbi dhimbjen dhe shkatërrimin që Eliabi po i shkakton. Dhe nëse Eliabi nuk ndryshon, një ditë Davidi
do të largohet duke vazhduar udhëtimin e tij vetë sepse vetëm ata që e duan do
ta ndjekin.
‘Ç’kam
bërë unë tani?’ Kjo pyetje mund të vazhdojë të të mundojë, por nëse Zoti të
thotë ‘Nuk ke bërë gjë dhe ndërgjegjja jote është e pastër, mos lejo që kjo
pyetje të shndërrohet në litar rreth qafës tënde dhe të të gjakosë. Problemi nuk është tek ti!’ Ti nuk mund të ndryshosh zemrën e një njeriu,
ti nuk mund të diktosh qëndrimin e tyre ndaj teje, ti nuk mund ta blesh
dashurinë e tyre sado të mira qofshin qëllimet dhe veprat e tua ndaj tyre. Vazhdo të lutesh për atë njeri, por njëkohësisht
vazhdo udhëtimin tënd me Zotin dhe lëre Zotin të të mjekojë dhe fashojë çdo ditë
plagën e shkaktuar prej këtij individi, një dhimbje e thellë që tashmë është
pjesë e udhëtimit tënd, por që Zoti mund të të ndihmojë ta përballosh me
sukses. Mbroje mendjen dhe zemrën tënde
me shumë kujdes, që burimet e saj të mos hidhërohen! Nëse Zoti deklaroi se e urryen pa shkak, ai e
kupton njeriun që urrehet pa shkak dhe di se si ta ndihmojë! Davidi u bë mbret edhe pa mbështetjen e
Eliabit, një mbret me një zemër shumë të mirë. Davidi mbretëroi jo vetëm mbi Izraelin por mbi
zemrën e tij, mbi plagët që iu shkaktuan përgjatë jetës së tij.
Copyright © 2019 Rev. Suela Brown
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.