26 Kur ndjek Zotin jo ambicjen



      Njeriu ka ëndrra, dëshira dhe përpiqet gjithë jetën për t’i realizuar, shpesh dhe në mënyrë të padrejtë. Në të shumtën e rasteve këto ëndrra për pasuri, pushtet, dashuri nuk realizohen kurrë.  Por ndryshe ndodh me ata që ia kanë dorëzuar jetën e tyre Zotit.  Tashmë qëllimi i jetës së tyre nuk është plotësimi i ëndrrave, dëshirave, planeve të tyre, pra vetja nuk është më në qendër, por vullneti i Zotit, qëllimi i Tij për jetën e tyre dhe impaktin e saj.
      Zoti nuk na shikon dhe trajton asnjëherë si individë të izoluar dhe nuk na bekon dhe fuqizon vetëm që të jemi të bekuar personalisht, por na shikon si anëtarë të rëndësishëm të bashkësisë së tij si dhe botës ku jetojmë, dhe na bekon në mënyrë që ne të bëhemi burimi i tij i bekimit në komunitet dhe më gjerë. Pra, njeriu që ka vendosur Zotin në qendër të jetës së tij dhe jo veten, jo vetëm që bëhet përjetues i manifestimit të bekimit të Zotit, por bëhet një burim bekimi për të gjithë ata që vijnë në kontakt me të.
      Kur Zoti është në kontroll të jetës së një individi, mirësia dhe favori i Tij shoqërojnë këtë individ.  Janë ato që ia hapin rrugën, në mënyrë që ky person të përjetojë bekimin e Zotit dhe të influencojë realitetin njerëzor në një mënyrë që me forcën e vet nuk do t’ia kishte arritur kurrë.
      Si për shembull Hadasa, vajza që u bë mbretëreshë e Persisë dhe u quajt Mbretëresha Ester.  Bukuria e saj nuk mjaftonte që të seleksionohej mes mijëra vajzave të tjera me bukuri dhe hijeshi të veçantë. Mbreti nuk po kërkonte thjesht dikë me pamje të bukur fizike (të tilla ai kishte me shumicë si konkubina), por po kërkonte dikë që ishte e denjë të përmbushte rolin më të rëndësishëm me të cilën mund të besohej nje grua, rolin e bashkëshortes së sovranit.  Ndaj e zgjedhura përveç hijësisë së jashtme duhet të qëndronte më lart se Mbretëresha Vashti në cilësitë e karakterit, sjelljes, mençurisë, komunikimit, dhe aftësive të saj.  Gjithçka që mbreti kërkonte, Zoti tashmë e kishte investuar dhe mishëruar tek Esteri, tek e cila ai kishte punuar dhe krijuar një karakter dhe personalitet të vërtetë mbretëror.
      Por, si mund ta dallonte dikush Esterin mes mijëra vajzave të tjera, në një det intrigash, konkurence, ryshfeti, kercënimi?  Pa Zotin në krah, për të skualifikimi do të ishte i sigurt!  Ajo do të përfundonte si gjithë vajzat e tjera të seleksionuara, e përdorur, me një zemër të thyer, e mohuar, braktisur, një konkubinë e destinuar të jetojë në izolimin e sarajeve të mbretit, pa një të ardhme, gjatë gjithë ditëve të jetës së saj.  Të paktë janë të aftët që çajnë përpara me meritën e tyre, të shumtë janë ata që arrijnë ku duan me intriga dhe padrejtësi.
      Por, ky nuk mund të jetë realiteti i bijve të Perëndisë, i atyre që ia kanë dhënë jetën Zotit në dorëzim.  Këtë njeri Zoti e kapi përdorë dhe e shoqëroi në çdo koridor duke ia hapur të gjitha dyert e nevojshme njëra pas tjetrës dhe duke mposhtur çdo pengesë.
      Së pari, kur Esteri ishte nën mbikqyrjen e Hagait eunukut të mbretit, mbikqyrësit të shtëpisë së grave, Zoti bëri që ajo të gjejë pëlqim në sytë e këtij mbikqyrësi dhe të fitojë simpatinë e tij.  Nuk ishte diçka e orkestruar nga Esteri, diçka që ajo po bënte duke manipuluar apo shtirur, por Zoti vetë ia drejtoi eunukut fokusin tek Esteri për të vëzhguar cilësitë e saj, dhe ndërsa ai filloi ta njohë po ashtu filloi ta simpatizojë duke menduar se kjo vajzë ishte e veçantë dhe kishte cilësitë që i duheshin fronit mbretëror.  Ndaj ai vendosi t’i japë asaj trajtim të veçantë duke përshpejtuar procesin e përgatitjes, duke vendosur shtatë ndihmëse në shërbim të saj, duke e marrë në mbrojtje.  E vetmja mënyrë se si mund ta mbronte nga ato që e konsideronin konkurente të fortë, ishte duke e veçuar nga vajzat e tjera dhe duke e vendosur në ambientin më të mirë në gjithë shtëpinë e grave.  Tek Esteri Hagai pa mbretëreshën, pa atë që Zoti kishte zgjedhur, tek e cila kishte investuar vetveten dhe të cilën vlerësonte.  Ndaj ai filloi ta trajtojë me nderimin që meriton një mbretëreshë edhe para se ajo të bëhej ligjërisht e tillë.  Ndaj edhe e veçoi, ashtu sikurse veçohet ari nga balta.  Ai donte që kjo vajzë të zgjidhej nga mbreti, ndaj kur Esteri ia kërkoi mendimin ai i dha Esterit një këshillë që nuk ia kishte dhënë askujt në momentin që ajo duhet të vendoste se çfarë të merrte për vete para se të paraqitej përpara mbretit.  Ndryshe nga të gjitha vajzat që kishin shkuar tek mbreti, të ngarkuara me lloj-lloj sendesh të çmuara dhe gjërash që dëshironin, Esteri nuk mori asgjë përveç asaj që i këshilloi Hagai mbikqyrësi i saj.
      Ajo e la shtëpinë e vajzave e veshur me dinjitet, duke mos mbartur asgjë me vete, gjë që e bëri të fitojë simpatinë e të gjithë atyre që e shihnin.  Për pasuri njeriu shet dhe veten, por Esteri nuk ishte në shitje dhe nuk mund të blihej me asnjë lloj çmimi.  Jo vetëm që fitoi simpatinë e të gjithëve, por ajo gjeti hir dhe mirëdashje në sytë e mbretit i cili e dashuroi, e zgjodhi dhe kurorëzoi.
      Deri në këtë moment historia e Esterit është si historitë e prinçeshave në përrallë.  Shumë vajza do e lakmonin dhe do e shikonin misionin e Esterit si të plotësuar.  Arriti atje ku të tjerat lakmonin të arrinin. Por, ajo që për njeriun mishor është gjithë qëllimi i egzistencës, për njeriun e perëndishëm është vetëm fillimi i udhëtimit drejt realizimit të qëllimit të Zotit, është thjesht hapja e derës nga dora e Zotit.
      Thirrja dhe zgjedhja e Esterit nga Zoti ishte për të qenë mbretëreshë e popullit të saj jude në emigrim, dhe çlirimtarja e tyre, jo kukulla e llustruar e sarajeve të mbretit.  Zoti e dinte që mund t’i besonte kësaj vajze planet e tij, sepse bota me gjithë fuqinë dhe “lavdinë” e saj të jashtme nuk mund ta joshnin.
      Esteri eci në një rrugë të vështirë.  Qëllimi i jetës dhe zgjedhjes së saj u realizua kur ajo arriti të ekspozojë planin për eleminimin e popullit të saj dhe të vërë jetën e saj në rrezik për shpëtimin e popullit të saj.  Bukuria, karakteri, forca, besimi i saj nuk ishin shfaqur në plotësinë e tyre deri në ditën kur për hir të popullit të saj ajo vendosi që si qengji që shkon në thertore, me këmbët e saj të shkonte drejt vdekjës së sigurt.  Ishte pikërisht ky akt që asnjë nga vajzat që kishin hyrë në konkurs për pozicionin e mbretëreshës së bashku me të, nuk mund ta bënte.  Të urtët kanë thënë se fitorja arrihet me vështirësi, por mbajtja e fitores është dhe më e vështirë.  Në të dyja këto faza, si për t’u ngritur në pozicionin ku Zoti do që të jesh, dhe për të qenë i/e suksesshme në ekzekutimin e vullnetit të Zotit nëpërmjet atij pozicioni, mund të arrihen me sukses vetëm kur Zoti është në qendër të jetës së individit dhe vetja është e kryqëzuar.  Themelet e jetëgjatësisë së mbretërimit të saj u ndërtuan mbi vullnetin e saj për t’u vetëflijuar për popullin e saj.
      Shiko përtej vetvetes, dorëzoja jetën tënde Zotit!  Vetëm atëherë jeta që ai ka për ty do të fillojë!
Copyright © 2019 Rev. Suela Brown.

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.