Copyright © 2023 Michael A.Brown
“Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe ju do të më bëheni dëshmitarë ...”
(Vep. 1:8)
“Kështu, të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte atyre të shpreheshin” (Vep. 2:4)
Fryma e Shenjtë: Dinamika jetëdhënëse dhe fuqizuese e Zotit
Jezusi u premtoi dishepujve, që mbas ngjitjes së Tij në qiell Ai do të dërgonte Ngushëlluesin – një Person si vetja e vet për të zënë vendin e Tij, Frymën e Shenjtë. Ai tha së Fryma e Shenjtë do të vinte dhe do të jetonte përgjithmonë brenda besimtarëve. Ai do të bindë botën për mekatin dhe mosbesimin e saj, dhe mbi të vërtetën që ka të bëjë me Jezusin dhe mbi gjykimin e Satanit. Ai po ashtu tha së Fryma e Shenjtë do t’u kujtonte besimtarëve për të gjitha gjërat që Jezusi kishte mësuar, do t’i drejtonte në gjithë të vërtetën dhe do t’u zbulonte gjëra që do të ndodhnin në të ardhmen (shihni tek Gjoni 14:16,26; 15:26; 16:7-11,13).
Pjetri konfirmoi se ardhja e Frymës së Shenjtë për të banuar brenda besimtarit, është premtimi i Atit për personat që pendohen dhe pranojnë Jesusin në jetën e tyre: “Ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë” (Vep. 2:38-39). Kështu që, Fryma e Shenjtë është vula e besëlidhjes së Zotit me gjithë besimtarët (Efes. 1:13). Ai do të na japë një zemër të re dhe një frymë të re, Ai do të na bëjë që të ecim sipas statuteve të Tij si dhe të respektojmë dhe zbatojmë dekretet e Tij (Ezek. 36:26-27).
Kisha: Komuniteti karizmatik i Zotit
Kjo do të thotë që qëllimi i Zotit gjithmonë ka qenë dhe është, që kisha e Tij të jetë një komunitet njerëzish i karakterizuar nga prezenca e fuqishme e Frymës së Shenjtë. Ishte ardhja dhe derdhja e Frymës së Shenjtë që lindi këtë komunitet karizmatik të ri të besimtarëve (shihni tek Vep. 2).
Përshkrime të ndryshme që karakterizojnë ardhjen e Frymës së Shenjtë, janë përdorur në Shkrimet e Shenjta duke përfshirë zjarrin; pëllumbin; rrjedhjen e ujit të freskët, dhe një lëvizje të lehtë ajri. Është prezenca dhe fuqia e këtij Personi, Fryma e Shenjtë, në menyra të tilla që sjell gjithë ndryshimin në jetën e kishës dhe në mbledhjet e saj. Në vend të takimeve formale dhe të pajetë, kjo prezencë jetëdhënëse çliron dhe forcon. Prezenca dhe fuqia e Frymës së Shenjtë frymëzon besimin dhe ia fuqizon besimtarit jetën e tij frymërore. Ndaj, kisha nuk duhet të jetë e pajetë, e ftohtë, fetare dhe një bashkësi që nuk ka gjallëri, por një bashkësi e mbushur, e fuqizuar, dhe e drejtuar nga prezenca reale dhe aktive e Frymës së Shenjtë midis besimtarëve. Pali e theksoi këtë duke thënë që shërbesa në jetën e kishës është shërbesa e Frymës jetëdhënëse (2 Kor. 3:3,6,8), në vend të formalitetit religjioz.
Apostulli Pal e ilustroi këtë gjë duke përdorur shembullin e një tempulli. Trupi i besimtarit është tempulli ku banon Fryma e Shenjtë, gjithashtu edhe bashkësia e besimtarëve është po ashtu tempulli i Perëndisë së gjallë (1 Kor. 6:19, 2 Kor. 6:16). Jemi duke u ndertuar së bashku në një tempull të shenjtë “banesë të Perëndisë në Frymë” (Efes. 2:21-22). Sikurse prezenca e gjallë, dhe lavdia e Zotit në Dhiatën e Vjetër banoi në tabernakull dhe me pas në tempull (p.sh. Eks. 40:34-35; 2 Kron. 5:11-14, 7:1-2), në Dhiatën e Re si besimtari ashtu dhe bashkësia e besimtarëve pra kisha janë zgjedhur për të qenë banesa e Zotit mbi tokë. Si populli i Perëndisë ne mund ta njohim dhe përjetojmë prezencën, fuqinë vepruese dhe lavdinë e Zotit në mesin tonë (cf. Hab. 2:14). Kur besimtari arrin të dallojë vendin e Frymës së Shenjtë dhe të nderojë shërbesën e Tij si në jetën e vet ashtu dhe në jetën e bashkësisë së besimtarëve, atëherë besimtari do të përjetojë liri të vërtetë dhe besimtarët do të shndërrohen në shëmbëllimin e Krishtit nga lavdia në lavdi (2 Kor. 3:17-18).
Shenjat karakteristike të jetës dhe shërbesës së mbushur me Frymën e Shenjtë
Shkrimet e Dhiatës së Re dhe letrat e apostujve, na japin shumë shembuj dhe përshkruajnë së çfarë do të thotë të jetuarit një jetë të mbushur me Frymën e Shenjtë, dhe të pasurit një shërbesë të fuqizuar nga Fryma e Shenjtë.
a. Një nga rrjedhojat më domethënëse dhe të rëndësishme të prezencës së Tij në jetën tonë, është siguria e thellë dhe e përjetshme që Ai na jep brenda vetes, që Zoti na ka pranuar dhe na ka bërë fëmijët e Tij. “Sepse ju nuk keni marrë një frymë skllavërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë Frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!” Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë që jemi bij të Perëndisë” (Rom. 8:15-16).
b. Një nga rezultatet e tjera të madhërishme të prezencës së Frymës së Shenjtë në jetën e besimtarit, është që jeta dhe karakteri i personit është duke përjetuar një proces të vazhdueshëm ndryshimi të përbrendshëm, si nga ana morale dhe nga ajo frymërore, ndërsa Krishti po formohet brenda tyre (Gal. 4:19, Kol. 1:27). Në vend të mëkatit, problemeve robëruese, turpit si dhe problemeve të tjera që karakterizonin jetën e personit më parë, tani ka një rritje të hirit dhe fryteve të jetës së Frymës brenda tyre:“dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, mirëdashje, mirësi, besim, zemërbutësi, vetëpërmbajtje” (Gal. 5:22). Fuqia skllavëruese e mëkatit humbet fuqinë e saj, dhe jeta e përbrendshme e personit është gjallëruar me jetën e Zotit dhe me pastërti. Kjo fuqi ndryshuese vjen nga përbrenda. Për shembull, Luka tha se besimtarët e hershëm i karakterizonte një hir dhe zemërgjerësi e madhe ndaj njëri-tjetrit (Vep. 4:33-35).
c. Fryma e Shenjtë na i zbulon gjërat e Perëndisë zemrës sonë. Pa ndihmën e tij ne nuk mund t’i kuptojmë gjërat e Perëndisë, sepse nga këndvështrimi ynë natyral ato duken marrëzi (1 Kor. 2:14). Ai na zbulon kuptimin e vërtetë frymëror të gjërave të cilat “Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë” me qëllim që “të njohim gjërat që na janë dhuruar nga Perëndia” (1 Kor. 2:9-10,12). Kjo punë zbulese që ndodh brenda nesh nëpërmjet Frymës së Shenjtë, po ashtu është konfirmuar dhe nga apostulli Gjon (shihni tek 1 Gjon 2:20, 3:24, 4:13). Fakti që Zoti dëshiron që ne të rritemi në zbulesë dhe kuptueshmëri të gjërave të Perëndisë, duket qartë në lutjen e Palit për besimtarët e Efesit. Ai nuk pushoi t’i kërkonte Zotit që t’ua jepte atyre Frymën e urtësisë dhe zbulesës në mënyrë që ata të njihnin Zotin më mirë (Efes. 1:16-17). Gjithashtu ai u lut për ta që Zoti “t’ju ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cila është pasuria e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët, dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë” (Efes. 1:18-19).
d. Jezusi po ashtu theksoi se një nga arsyet kryesore së përse besimtarët duhet të jetojnë një jetë të mbushur me Frymën e Shenjtë, është në mënyrë që të jenë të fuqizuar frymërisht si për jetë dhe për shërbesë: “do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju” (Vep. 1:8, Luka 24:49). Qëllimi i Zotit për jetën e krishterë është që ajo të jetë një jetë aktive në shërbesë. Kjo dinamikë fuqie frymërore, ka një ndikim shumë të madh mbi efektivitetin e jetës dhe shërbesës së krishterë. Synimet e shërbesës së krishterë supozohet që të plotësohen jo vetëm nëpërmjet predikim fjalësh, por edhe nëpërmjet veprimit të fuqisë së Frymës (1 Kor. 2:4). Jezusi vetë shërbeu “në fuqinë e Frymës” (Luka 4:14,18-19).
Ishte kjo fuqi e vajosur që i aftësoi apostujt e hershëm të predikonin guximshëm mesazhin e kryqit, ringjalljes dhe lartësimit të Jezusit. Ata u përdorën nga Fryma e Shenjtë për t’ua sjellë shërim dhe çlirim atyre që kishin nevojë, dhe si rezultat ata sollën një ndryshim radikal në botë (Vep. 17:6). Takimet e lutjes së besimtarëve të hershëm ishin të fuqishme (Vep. 4:31, Rom. 8:26-27) dhe ata shkuan kudo duke predikuar fjalën e Zotit me efekt të madh (Vep. 8:4, 19:10). Një nga mënyrat nëpërmjet së cilës prezenca dhe fuqia e Frymës së Shenjtë u transferua tek personat në nevojë, ishte nëpërmjet vënies së duarve. Në këtë mënyrë, besimtarët u mbushën me Frymën e Shenjtë (Vep. 8:15-17, 19:6), të sëmurët u shëruan (Marku 16:17-18, Luka 4:40, Vep. 28:8) dhe dhunti karismatike të Frymës së Shenjtë iu dhanë besimtarëve (2 Tim. 1:6).
e. Ndaj, guximi për të predikuar fjalën e Perëndisë, është gjithashtu një veti që karakterizon besimtarët e fuqizuar nga Fryma e Shenjtë: “të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe flisnin fjalën e Perëndisë me çiltërsi” (Vep. 4:31). Dishepujt e hershëm përpara se u mbushën me Frymën e Shenjtë, u kyçën brenda shtëpisë nga frika e përndjekjes (Gjoni 20:19). Sidoqoftë, “Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe mendjekthjelltësie” (2 Tim. 1:7). Mbushja e përbrendshme me Frymën e Shenjtë na e heq frikën e njeriut dhe e bën të efektshëm të predikuarit tanë. Kur apostulli Pjetër filloi të predikojë mbasi ishte mbushur me Frymën e Shenjtë, ata që e dëgjuan u tejshpuan në zemër, dhe shumë njerëz e besuan mesazhin (Vep. 2:37,41).
f. Një shenjë tjetër e dukshme e një jete të mbushur me Frymën e Shenjtë, është rrjedha e lirë e adhurimit të frymëzuar dhe të gëzuar: “i dëgjonin duke folur gjuhë të tjera dhe duke madhëruar Perëndinë” (Vep. 10:46, 13:52; Luka 1:64). Jezusi tha që lumenj uji të gjallë do të burojnë nga brendësia jonë (Gjoni 7:37-39), dhe një nga mënyrat se si kjo manifestohet është nëpërmjet adhurimit dhe lavdërimit të hapur dhe të lirë në jetët dhe takimet e besimtarëve: “mbushuni me Frymën, duke i folur njëri-tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj” (Efes. 5:18-19). Përdorimi i veglave muzikore, ndihmon shumë në zhvillimin dhe përparimin e një atmosfere adhuruese dhe lavdëruese, si në privat ashtu edhe në publik (Ps. 150). Një atmosferë e tillë krijon një ndjeshmëri të afërt të prezencës së Frymës së Shenjtë (p.sh. 2 Kron 5:12-14), gjë që mund të na forcojë e ndërtojë thellësisht. Zotit i pelqën të banojë në një vend ku besimtarët e adhurojnë lirisht në frymë dhe në të vërtetën (Gjoni 4:23-24, Efes. 2:21-22). Kjo më pas mund të shpjerë drejt manifestimit të dhuntive të Frymës dhe të fuqisë së Perëndisë, ndërsa prezenca e Frymës së Shenjtë punon brenda nesh dhe nëpërmjet nesh.
g. Një nga shenjat e para të një jete të mbushur me Frymën e Shenjtë në kishën e hershme, ishte të folurit në gjuhë të panjohura dhe të tjera: “Kështu, të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte atyre të shpreheshin” (Vep. 2:4). Kjo shërbente jo vetëm si një shenjë e punës së Zotit tek jobesimtarët (Vep. 2:8-11, 1 Kor. 14:22), por po ashtu si një mjet që u ishte dhënë besimtarëve nga Zoti, nëpërmjet të cilit mund të ndërtonin dhe forconin veten në jetën e tyre të përbrendshme frymërore: “Ai që flet një gjuhë tjetër ndërton veten e tij” (1 Kor. 14:4). Ky lloj vetëndërtimi luan një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e jetës frymërore të besimtarit dhe duhet inkurajuar. Po ashtu, besimtari mund edhe të lutet, këndojë apo lavdërojë në gjuhë të panjohura (1 Kor. 14:14-16).
h. Ne ditën e Pentakostit, Pjetri deklaroi që mbushja e besimtarëve me Frymën e Shenjtë do të kishte për pasojë një larmi manifestimesh të ndryshme karizmatike në jetët e tyre. Këtu përfshihej që Zoti do të fillonte t’u fliste besimtarëve nëpërmjet ëndrrave dhe vegimeve, si dhe besimtarët do të fillonin të profetizonin (Vep. 2:17). Po ashtu, është e rëndësishme të përmendet fakti që, jeta e kishës së hershme ishte e karakterizuar nga shërime dhe mrekulli të fuqishme, si dhe nga çlirimi i njerëzve nga frymëra sunduese demonike (Marku 16:15-20). Ka edhe disa manifestime të tjera karizmatike që përmenden tek 1 Korintasit 12:7-11 për të cilat besimtarët inkurajohen t’ia kërkojnë Zotit (1 Kor. 12:31, 14:1).
i. Kur besimtarët mësojnë të jetojnë afër Zotit dhe janë të mbushur me Frymën e Shenjtë, ata bëhen frymërisht të ndjeshëm ndaj zërit të përbrendshëm të Frymës së Shenjtë dhe drejtimit të Tij: “Dhe Fryma i tha Filipit…” (Vep. 8:29, 10:19). Po ashtu shohim se besimtarët e shtatë kishave (Zbul. kap. 2-3) u nxitën të dëgjonin “atë që u thotë Fryma kishave” (Zbul. 2:7 etj).
j. Fryma e Shenjtë bën që brenda besimtarit të lindë vizioni dinamik që Zoti ka për punët e posaçme të mbretërisë së Tij. Kur Jezusi u mbush me Frymën e Shenjtë, Ai u drejtua nga Fryma për të shkuar në shkretëtirë dhe për të mposhtur Satanin. Përsëri i drejtuar dhe i fuqizuar nga Fryma e Shenjtë, Ai filloi shërbesën e Tij (Luka 3:21 - 4:14). Po ashtu, apostujt e hershëm u drejtuan në misjon ndërsa iu bindën drejtimit të Frymës së Shenjtë (shihni tek Vep. 8:26-29, 10:19-21, 13:1-4, 16:6-10). Besimtarët që mësojnë të dëgjojnë dhe ta ndjekin me bindje Frymën e Shenjtë, e gjejnë veten të përfshirë në mënyrë aktive në vizionin e Tij për shërbesë, dhe në punën e fuqishme të Zotit. Po ashtu, Ai i përdor këta persona për të realizuar planet e mbretërisë së Tij dhe për të sjellë në egzistencë vullnetin e Tij mbi tokë: ‘ardhtë mbretëria jote, u beftë vullneti yt në tokë si në qiell’ (Mat. 6:10).
Është për plotësimin e këtij qëllimi gjithëpërfshirës të Zotit që u dërgua Fryma e Shenjtë: për të ngritur një komunitet mbarëbotëror njerëzish të cilët janë të ndërgjegjshëm që Jezusi është lartësuar në vendin më të lartë, dhe se ai është Zot mbi gjithçka; të cilët janë të ndërgjegjshëm për faktin që janë bij dhe bija të vajosur të Perëndisë (1 Gjon 2:20); të cilët janë duke u rritur në një person të përsosur “në masën e moshës së plotësisë së Krishtit” (Efes. 4:13), dhe të cilët janë të fuqizuar dhe drejtuar nga Fryma e Perëndisë për të sjellë manifestimin, rritjen dhe përhapjen e punës së mbretërisë së Perëndisë në këtë botë.
Lyp, Kërko, Trokit
Dëshira e zjarrtë e Zotit është që ne të mbushemi me Frymën e Shenjtë plotësisht, dhe që ne të jemi të hapur për ta lejuar Atë të veprojë në jetët tona. Ai e di më mirë sesa ne, që përvoja e mbushjes me Frymën e Shenjtë me gjithë shenjat dhe manifestimet që e shoqërojnë, është e domosdoshme për të jetuarit jetë të efektshme si në shërbesë dhe në jetën personale, dhe me anë të kësaj të mund të plotësojë qëllimet e tij për ne në këtë jetë. Jezusi e theksoi këtë dëshirë nga ana e Zotit që ne të mbushemi kur tha “aq më tepër Ati në qiell do t’u japë Frymën e Shenjtë atyre që ia lypin” (Luka 11:13).
Mbushja me Frymën e Shenjtë është një përvojë e ndryshme nga ajo e të lindurit sërisht, pra atë të të bërit të krishterë. Edhe pse ne jemi të lindur sërisht nëpërmjet punës së Frymës së Shenjtë brenda nesh (Gjoni 3:5-8), fuqizimi i jetës sonë normalisht është një përvojë e ndryshme nga kjo. Besimtarët pentakostale dhe karizmatike, shpesh e quajnë këtë përvojë të mbushjes me Frymën e Shenjtë mbas kthimit në besim “pagëzimi me Frymën e Shenjtë” (Vep. 1:5).
Shprehje të ndryshme janë përdorur në librin e Veprave për të përshkruar momentin kur Fryma e Shenjtë mbush një person. Për shembull flitet mbi Frymën e Shenjtë që “zbret” ose “bie” mbi njerëzit (Vep. 8:16, 10:44, 11:15, 19:6), apo “përhapet” ose “derdhet” mbi njerëzit (Vep. 2:17, 10:45). Shpesh kjo mbushje mund të ndodhë në mënyrë spontane (Vep. 10:44-45) ose mund të ndodhë kur udhëheqësit e kishës vendosin duart mbi besimtarët dhe luten që kjo t’u ndodhë (Vep. 8:15-17, 19:6).
Kështu që është e nevojshme që t’i kërkojmë Zotit të na mbushë me Frymën e Shenjtë, dhe të mësojmë se si të hapim zemrën dhe të ftojmë Frymën e Shenjtë. Në këtë mënyrë mund të jetojmë një jetë të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe mund të shërbejmë në fuqinë e Frymës. Premtimi i Jezusit është i qartë: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni... kushdo që lyp merr; kushdo që kërkon, gjen...” (Luka 11:9-10).
Kërkoje! Zoti të mbushtë me Frymën e Shenjtë!
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.