09 Shkëmbi ynë në kohë vështirësish


Copyright © Michael A. Brown 2017

“Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë” (Psalmi 18:2)


      Bibla shpeshherë përdor gjuhë antropomorfike për të përshkruar Perëndinë.  Në vargun e mësipërm, Ai përshkruhet si shkëmbi ynë, streha jonë, fortesa jonë, ndërsa në vargje të tjera të Shkrimeve i referohet Zotit si bariu ynë, drita ime, etj.  Këto metafora janë imazhe marrë nga bota e jetës së përditshme.  Njerëzit të cilët i shkruan librat që e përbëjnë Biblën i përdorën këto lloj përshkrimesh, sepse arritën të kuptonin se ato dolën të vërteta në përvojën e tyre të përditshme ndërsa ecnin me Zotin.  Ndërsa e besonin Atë dhe ecnin me Atë nëpër rrethana dhe përvoja të ndryshme, e panë që të vërtetohej që Zoti ishte ashtu siç edhe na sugjerohet në këto lloj përshkrimesh.
      Shkëmbi do të thotë themel, të qenët i fortë si dhe i qëndrueshëm.  Një shkëmb nuk lëvizet lehtë dhe nuk hiqet nga vendi i tij prej stuhive të jetës.  Siç na sugjerohet në vargun e mësipërm, tek shkëmbi mund të gjejmë siguri dhe strehë në kohën e stuhisë.  Ujërat mbytëse nuk mund të na arrijnë me rrymërat e tyre të forta dhe nuk mund të na rrëmbejnë, pikërisht për arsye se këmbët tona qëndrojnë të palëvizur mbi shkëmb, larg rrezikut.
      Tablloja e mirënjohur që na jepet tek Mateu 7:24-27 na tregon për dy njerëz të cilët kishin ndërtuar shtëpi për vetveten.  Njëri e kishte ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb, kurse tjetri mbi rërë.  Kur ra shiu, frynë erërat dhe u përplasën lumenjtë mbi këto dy shtëpi, ajo që u ndërtua mbi rërë ra shpejt dhe rënia e saj ishte e madhe, ndërsa ajo që u ndërtua mbi shkëmb nuk u rrëzua, por qëndroi e sigurt mbi themelin e vet.  Duhet vënë re se stuhia i goditi që të dyja këto shtëpi, jo thjesht atë që ishte ndërtuar mbi rërë.  Jezusi e bëri të qartë në këtë tabllo që edhe ne si të krishterë do të kalojmë nëpër kohë dhe përvoja sfiduese përgjatë jetës sonë. Ne nuk përjashtohemi nga këto.  Sidoqoftë, shtëpia jonë, besimi ynë, jeta jonë në ecjen tonë me Zotin, do të mbetet e sigurt ndërsa e ndërtojmë atë mbi Jezusin dhe mësimet e Tij si themel të jetës sonë.
      Ne arrijmë ta njohim e ta vërtetojmë se si është Zoti në karakterin e Tij duke ecur me Atë përmes përvojave të përditshme të jetës.  Besimi ynë rritet dhe bëhet më i fortë kur ai përballohet me çështjet dhe situatat e jetës së përditshme.  Është besimi që vihet në provë herë pas here, që është besim që bëhet më i fortë dhe më i qëndrueshëm, ashtu si muskujt e trupit zhvillohen dhe bëhen më të fortë kur stërviten me pesha.  Sfida të cilën po e përballoni tani mund të jetë shumë e vështirë porsi një si stuhi që ka ardhur në jetën tuaj.  Mbase jeni të sëmurë; mbase keni humbur një njëri të afërm e të dashur; mbase nuk gjeni dot punë; mbase keni probleme familjare; mbase keni emigruar larg vendlindjes suaj dhe po përballoni vështirësi të ndryshme, etj.  Ju ndjeheni i dobët dhe i pashpresë ndërsa përballeni dhe goditeni nga forca e stuhisë që duket e papërballueshme.
      Të dashur miq, Zoti na ka thirrur që të ecim me Atë përgjatë gjithë jetës sonë.  Kjo nuk është ecje me orar të pjesshëm që e bëjmë vetëm për pak kohë në javë, dhe as që është një ecje në kohën e lirë që e bëjmë thjesht atëhërë kur të na pëlqejë.  Jo, ne duhet të mësojmë që të ecim me Zotin përditë, përmes çdo situate apo rrethane me të cilën ballafaqohemi.  Kur vendosemi të përballojmë rrethanat e ndryshme të jetës duke qëndruar mbi shkëmbin, atëherë besimi ynë fillon të forcohet e të behët më i fortë.   Fillojmë të zbulojmë e të mësojmë të njëjtat gjëra që besimtarët në vetë Bibël i mësuan, që Perëndia është vërtet shkëmb dhe strehë për popullin e Tij në kohë vështirësie.  Të besojmë Zotin është diçka që ne zgjedhim ta bëjmëMund të marrim vendimin e gabuar dhe të largohemi prej Zotit në kohën e vështirësisë, mirëpo ka të ngjarë që thjesht do të përfundojmë të lënduar, të zhgënjyer dhe madje të hidhëruar.  Le të marrim vendimin e duhur dhe të besojmë Zotin në çdo situatë!  Apostulli Pal tha: “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet” (Rom. 10:11).  Ndërsa këmbënguleni t’i besoni Atij dhe të ecni me Atë përmes asaj që po përballoni, ju do të zbuloni se Ai do të tregohet besnik ndaj jush.  Fjala e Tij është e vërtetë, premtimet e Tij janë të besueshme, dhe Ai do t’jua plotësojë çdo nevojë që keni derisa të dilni nga koha e vështirësisë.
      Ndërsa ecni me Zotin, duke qëndruar mbi shkëmbin që është Jezu Krishti dhe Fjala e Tij, duke kaluar kohë çdo ditë në prezencën e Tij në lutje dhe duke besuar premtimet e Tij në rrethanat tuaja, Ai do t’jua japë forcë në zemër dhe mendje për të mposhtur dobësitë tuaja njerëzore. Ai do ta ruajë në paqe njeriun që beson tek Ai: “Mendjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti.  Kini besim te ZOTI përjetë, sepse ZOTI, po, ZOTI është shkëmbi i përjetshëm” (Isa. 26:3-4, Fil. 4:6-7).  Kur të dilni më në fund nga koha e sprovimit dhe nga stuhia, besimin do ta keni më të fortë dhe do të keni një dëshmi se çfarë ka bërë Zoti për ju.  Do të këndoni e të shpallni fjalët e këngës së lëvdimit të psalmistit: “Të dua, o ZOT, forca ime… Unë i kërkoj ndihmë ZOTIT, që është i denjë për t’u lëvduar dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi…  Rroftë ZOTI, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!” (Ps. 18:1,3,46).

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.