nga
Leonard
Ravenhill
Gjykimi i besimtarëve
Dua
t’ju tregoj një histori për kohën kur isha djalë i ri dhe shkoja në
shkollë. Tani, shkolla nuk më ka pëlqyer
shumë, por në ato ditë studentin e parë të shkollës e kisha shumë zili. Mbiemrin e kishte Renton, dhe ai ulej afër
rreshtit ku ulesha unë. Ai ishte
futbollisti më i mirë që kishte shkolla dhe dëshira ime gjithmonë kishte qënë
të isha futbollist. Ai ishte më i miri
në kriket (një lojë tjetër që njerëzit luajnë në Angli), dhe mua më pëlqente
kriketi. Ai ishte vrapuesi më i mirë që
kishim, dhe mua më pëlqente vrapimi. Ai
ishte jo vetëm një atlet i shkëlqyeshëm, por edhe një artist shumë i mirë. Dhe mbi të gjitha, ai ishte djali më i zgjuar
në të gjithë shkollën.
Nëse do të mund t’i kurseja dhimbjet e
forta në bark, do t’i kurseja ato deri ditën përpara provimit
përfundimtar. Por nëna ime ishte e
zgjuar. Ajo e dinte. Nuk e di se si, por ajo gjithmonë e dinte. U ngrita atë mëngjes dhe i thashë: “Oh nënë,
nuk ndihem mirë. Mendoj se duhet të
qëndroj në shtëpi sot.” Por ajo
gjithmonë më thoshte: “Ti mund të qëndrosh nesër në shtëpi – sot, jo”. Por qëndrimi në shtëpi nesër nuk do të kishte
vlerë, sepse sot ishte dita e provimit përfundimtar. Sot ishte dita e gjykimit!
Unë e di që Renton-i nuk është ndjerë
asnjëherë si unë, sepse sa herë që ne bënim një provim, që në momentin që
pyetjet shkruheshin në tabelë ai e rrëmbente lapsin dhe letrën dhe me shpejtësi
marramendëse i përfundonte ato. Ai dhe
një shok tjetër kur bënin provimet
thoshnin me gëzim: “O shokë, provimet!”
Ata e dinin që do të ishin i pari dhe i dyti në klasë kur të dilnin
notat, dhe kështu ishin të ngazëllyer që të bënin provimet. Ata nuk trembeshin nga provimet
përfundimtare. Nuk trembeshin sepse
ishin gjithnjë të parët. Ata nuk kishin
frikë nga dita e gjykimit. Ata nuk
kishin frikë, sepse ishin të përgatitur për të.
Cilësi jo sasi
“Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të
Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë. Sipas hirit të Perëndisë që m’u dha, si
arkitekt i urtë, unë kam hedhur themelin dhe një tjetër ndërton mbi të; por
secili të ketë kujdes se si ndërton mbi të, sepse askush nuk mund të hedhë
themel tjetër përveç atij që është hedhur, i cili është Jezu Krishti. Dhe, në qoftë se dikush ndërton mbi këtë
themel ar, argjend, gurë të çmuar, dru, sanë, kashtë, vepra e secilit do të
shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet në zjarr, dhe zjarri do
të provojë veprën e secilit e ç’lloji është.” (1 Kor. 3:9-13)
Shkrimi i mësipërm flet për ditën kur të
gjithë besimtarët do të qëndrojnë përpara Zotit, kur çdo ndjekës i Jezusit do
të japë llogari për jetën e tij dhe veprat e tij përpara qiellit. Vini re me shumë kujdes se çfarë thotë: “...zjarri
do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është”. Jo se sa shumë
punë ka bërë, por çfarë lloj pune ka kryer.
Jo sasia, por cilësia. Ky shkrim
i shenjtë po flet për punën e tërë jetës suaj.
Me fjalë të tjera, puna e jetës suaj mund të jetë dru, sanë ose kashtë –
ose mund të jetë ar, argjend ose gurë të çmuar. Dhe atë ditë, zjarri do ta vendosë atë në
provën përfundimtare. Cili zjarr? Bibla thotë se Zoti është dashuri, por
gjithashtu na tregon se ai është një zjarr që përpin (Heb. 12:29).
Pali vazhdon duke thënë:
“Në
qoftë se vepra që dikush ka ndërtuar mbi themelin qëndron, ai do të marrë pagë,
në qoftë se vepra e dikujt digjet, do të pësojë humbje, por ai vetë do të
shpëtohet, por, si përmes zjarrit.” (1 Kor. 3:14-15)
Ky ilustrim do të ishte jashtëzakonisht
domethënës për banorët e Korintit të cilëve Pali po u shkruante, sepse jo shumë
kohë para se të shkruhej kjo letër, i gjithë qyteti i tyre u shkatërrua nga
zjarri. Ata të gjithë e dinin se çfarë dëmi mund të shkaktojë zjarri. Kur zjarri përfshiu Korintin, çdo shtëpi që
ishte ndërtuar nga druri, sanë
ose kashta, u shkatërrua dhe mbeti vetëm hiri.
Por njerëzit më të pasur atje kishin shtëpi të ndërtuara me shtylla të
bukura prej graniti dhe disa madje kishin shtëpi të ndërtuara krejtësisht nga
mermeri. Këto shtëpi të ndërtuara me
gurë të kushtueshëm kishin qëndruar edhe pse ishin përfshirë nga zjarri.
Investimi i jetës suaj
Le
të përfytyrojmë për një moment... Një
burri i jepet $10.000 dhe ai i investon në dru – mbase në ca sofra apo tryeza
të bukura. Kështu që e gjithë puna e
jetës së këtij njeriu është prej druri.
Dhe shumë bukur mund të jetë, por kur zjarri kalon nëpër të, çfarë
mbetet? Gjithçka që mbetet është një
grumbull hiri, që mbase arrin deri në kyçin e këmbës, dhe vetëm kaq. Dikujt tjetër i jepen $10.000 dhe ai e investon
atë në sanë. Dhe një tjetri i japin të
njëjtën sasi dhe ai i investon të gjitha në kashtë. A tingëllon e gjitha kjo një marrëzi? Epo, njerëzit e bëjnë këtë çdo ditë. Pse?
Sepse nëse vendosni $10.000 në sanë apo kashtë, duket sikur po bëni
shumë gjëra me paratë tuaja. Ju ndoshta
mund të blini gjysmën e kashtës në gjithë Teksas-in për $10.000, por imagjinoni
çfarë rrëmuje e madhe do të jetë kur zjarri ta përshkojë atë. Në vend të hirit deri në kyçin e këmbës, apo
hirin deri në gjunjë, nëse bën një investim të tillë hiri mbase do të arrijë
deri në hundët tuaja. Kështu do të jetë
me ata që kanë investuar jetën e tyre në dru, sane apo kashtë – rezultati do të
jetë vetëm hi.
Tani le të shohim disa njerëz që kanë bërë
investime shumë më të mençura. Një burrë
ka $10.000 dhe ai i investon ato në ar (ai nuk do të mund të blerë shumë, sepse
çmimi tani per tani është andej nga $400 për 30 gramë, apo jo?). Njeriu tjetër investon $10.000 në argjend, dhe
një burrë tjetër investon të njëjtën sasi në gurë të çmuar. Secili prej gjashtë burrave për të cilët kam
folur kishte të njëjtën sasi parash, por ata të gjithë zgjodhën gjëra të
ndryshme për t’i investuar ato. Tani, ne
po flasim për punën e jetës suaj. E
kuptoni ku e kam fjalën? E gjithë jeta
jonë, që nga çasti kur fillojmë të dëshmojmë për Krishtin, përfshirë gjithë
shërbesat tona dhe punën tonë për të, do të provohet në zjarr. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të
bërë investime të mençura, ndryshe gjithçka që do të mbetet do të jetë vetëm
hi.
Vlera e përjetësisë
A do të mund t’i rezistojë puna jonë
provit të zjarrit kur të dalim para Zotit? A do të ketë një vlerë të përjetshme – apo do
të përfundojë në hi? Ka një ndryshim të
madh midis drurit, sanës, kashtës – dhe arit, argjendit dhe gurëve të çmuar. Druri, sana dhe kashta gjenden mbi tokë. Ato e tërheqin vëmendjen tonë, ashtu si
shërbesat e shumë njerëzve. Ato janë
mjaft të bollshme dhe gjenden lehtë. Nga
ana tjetër, argjendi, ari dhe gurët e çmuar gjenden nën tokë. Askush nuk i sheh ato – përsëri, si shërbesat
e shumë njerëzve. Ato nuk gjenden diku
në fushë ku çdokush mund të shkoj t’i marrë. Jo, është shumë e vështirë dhe e mundimshme t’i
nxjerrësh nga toka. Kjo është arsyeja
pse ato janë kaq të shtrenjta. Ato janë
me cilësi shumë më të larta krahasuar me gjëra të tjera, dhe shumë më të rralla
gjithashtu. Përsëri, ajo e cila
përcakton vlerën e tyre është cilësia dhe jo sasia. Shumë gjëra janë të vështira në jetën e
krishterë, por ne duhet të dëshirojmë të fitojmë ato gjëra që do ta ruajnë
vlerën e tyre, jo vetëm në këtë jetë, por edhe në parajsë.
Shërbesa dhe paraja
Jeta e çdo personi, përfshirë gjithë
shërbesën e tij, do të kalojë nëpër zjarr. Ka shumë shërbesa publike që do t’i zërë flaka
atë ditë, vëllezër. Zjarri do të zërë
jetën e çdo njeriu, edhe të atij që në publik është dukur si më e mira, dhe do
ta djegë atë derisa të mbetet vetëm një tufë hiri. U lodha duke parë këta njerëz që lypin për para
në televizor. Unë besoj se për çdo
monedhë që hyn në ndonjë shërbesë do të duhet të përgjigjet një ditë përpara
selisë së gjykimit të Krishtit. Jezusi
foli për ata njerëz që gllabëronin shtëpitë e të
vejave (Luka 20:46-47). Epo, kjo është
ajo që shumë njerëz po bëjnë sot. Ata do
t’i japin llogari Zotit atë ditë, por edhe ne do të japim llogari përpara tij.
Një vëlla po më tregonte këtë javë që kur
u pagëzua dhe u zhyt në ujë, papritmas kujtoi që kishte kuletën në xhep. Gjë e rrallë që kuletat të pagëzohen! Ne themi në mënyrë ironike: “Zot, ti kujdesesh
për mëkatet e mia, kurse unë do të kujdesem për gjithçka tjetër”. Por ti do të japësh llogari përpara Perëndisë
për çdo qindarkë që ke fituar që kur u bëre pronë e Jezu Krishtit. Ai nuk merr vetëm mëkatet e tua – Ai të merr
të gjithin si pronë.
Vërtet që shumë mund të dëshirojnë të
mbushen me Frymën e Shenjtë dhe të kenë një llogari bankare të bollshme, por sa
prej jush guxoni të thoni: “Zot, në këtë orë të rëndësishme në historinë
njerëzore, më mbush me vuajtjet e Krishtit”? A mund ta ndajë ai me ju dhimbjen e tij? A jeni gati për të sfiduar principatat e
errësirës dhe të thoni: “Dëgjo, unë kam arritur atë pikë ku ishte apostulli Pal
kur tha: ‘Unë ngazëllej në mundime, nevoja dhe qortime’.” Kini kujdes, sepse nëse do të pjekuroheni në
Zotin, të gjithë “besimtarët xhuxha” përreth jush do t’ju kritikojnë, do t’ju
pëshpërijnë dhe do t’ju thonë: “Po përpiqesh të jesh më i shenjtë sesa ne, hë? Kështu që ti s’ke më kohë për basketboll apo
për të parë ndonjë ndeshje bejsbolli?” Jo,
ndoshta nuk keni kohë, por kjo nuk është puna e askujt tjetër, por i juaji dhe
i Zotit.
A i afrohesh aq shumë zemrës së Zotit sa
të ndjesh në zemër pikëllimin e tij për botën dhe për kishën e mbrapshtë që
kemi sot? Kohët e fundit një nga
predikuesit më të famshëm në vend më mori në telefon vonë
në mbrëmje dhe më tha: “Unë kam arritur në këtë përfundim: Zoti i plotfuqishëm
tashmë e ka tërhequr dorën e tij nga Amerika – për arsyen e thjeshtë se kemi
pasur aq shumë dritë dhe e kemi refuzuar vazhdimisht!” Është e vërtetë që jetojmë jo vetëm në një
botë me një politikë të falimentuar, por akoma më keq me një kishë të
falimentuar (dhe kjo është pjesa më tragjike nga të gjitha).
A do të gjykohen të
krishterët?
Dëgjova një grua që tha jo shumë kohë më
pare: “Unë lavdëroj Zotin. Jam e lumtur
që nuk kam pse të jap llogari për asgjë kur të shkoj në parajsë. Nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin
Jezus.” Prisni një minutë, nuk mund ta interpretoni kurrë një shkrim të shenjtë
duke e izoluar nga vargje të tjera. Nuk
ka asnjë dënim për mëkatet tona të së kaluarës, dhe jam i sigurt se ne të
gjithë jemi shumë të lumtur për këtë. Por
Perëndia i thoshte gjithmonë Izraelit: “Kujto kur ishe skllav në Egjipt...
kujto mëkatin tënd... kujto paudhësinë tënde”.
Ju mund të thoni: “Nuk thuhet se të krishterët
do të gjykohen duke iu referuar atyre që janë shkruar në libër”. Në fakt, vërtet që e thotë. Ku? Te
Malakia 3: 16. Thuhet aty se Zoti ka një
libër kujtimi, dhe unë mendoj se do të të bënte mirë para se të shkosh në
shtrat çdo natë, të pyesësh: “Zot, çfarë shkruajte sot në librin tënd për jetën
time?” Nuk është e nevojshme të jetë
ndonjë veprim i jashtëm. Ju mund ta
adhuroni Zotin në një traktor. Mund të
mos jetë mënyra më e mirë, por mund ta bëni.
Bibla thotë se “të gjithë do të paraqitemi përpara fronit të gjykatës
së Krishtit”. (Rom. 14:10).
Të vdekurit e shenjtë
Një shkrimtar i himneve thotë: “Nga
kufijtë e gjerë të tokës dhe bregdeti më i largët i oqeanit, përmes portave me
perla, hyn një turmë e panumërt, duke kënduar Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë,
Hallelujah.”
Gjithë besimtarët e të gjitha epokave do
të jenë atje. Ky është një himn i vjetër
dhe ndoshta jo shumë nga ju mund ta recitojnë atë, por vë bast se shumica prej
jush e dini refrenin: “Oh, kur shenjtorët marshojnë për në qiell” (“When the
saints go marching in”). Njerëzit
kërcejnë çdo natë andej në New Orleans. Ata
lëvizin këmbët përgjatë Rrugës Bourbon dhe kalojnë një kohë të shkëlqyeshme,
por kjo këngë nuk është për ta, është për të shpenguarit. Ajo thotë: “Kur shenjtorët marshojnë për në
qiell”. Shenjtorët do të marshojnë në parajsë në një turmë të cilën askush nuk
mund ta numërojë.
Unë mezi pres që të shoh të gjithë
besimtarët e të gjitha epokave. Vërtet që
do të jem i emocionuar të shikoj Isaian dhe Jeremian dhe ata profetë të mëdhenj
dhe të vegjël. Ne do të shohim përreth
dhe të themi: “Hej, ja ku është Abrahami. Ua, nuk mendoja se ai do të dukej kështu”. Por ama atje do të jetë ai. Dhe thjesht mendoni që të shihni Mateun dhe
Markun, Lukën dhe Gjonin dhe shumë të tjerë për të cilët është shkruar tek libri
i Veprave. A nuk do të jetë e
mrekullueshme të shohësh ata burra që ecën gjatë jetës së tyre me Jezusin?!
Le të mendojmë për Palin për një moment. Ai iu dorëzua Zotit. Shkroi rreth 14 shkrime dhe udhëtoi në të
gjithë Azinë e Vogël. Atë e rrahën me
kamxhik 195 herë. Përjetoi lodhje dhe
agjërime, dhimbje, shtrëngime, shqetësime, zi dhe zhveshje. Cili mendoni se do të jetë shpërblimi i një
jete të jetuar si Pali? HIRI është falas, por rreziqet nuk janë falas. Ju mund të thoni: “Por ju po flisni për vepra.”
Padyshim që për to po flas – sepse Zoti vetë
veproi. Jezusi veproi!
Gurë të çmuar
Argjend, ar, gurë të
çmuar. Cilët janë gurët e çmuar? Kur e lexoj këtë, mendoj për pektoralin e gjykimit që
mbante kryeprifti në Dhiatën e Vjetër. Ajo
u nda me katër rreshta gurësh – tre gurë në secilin rresht. Ҫdo gur ishte i ndryshëm. Ҫdo gur përfaqësonte emrin e një prej 12
fiseve të Izraelit. Kryeprifti kishte
veshur pektoralin mbi zemër, ndërsa hynte në vendin e Shenjtë për t’u lutur për
mëkatet e njerëzve. Si ju duket kjo? A hyni në vendin e më të Shenjtit për të bërë
ndërmjetësimin për mëkatet e njerëzve? Apo nuk ndërmjetësoni fare për ta? Kjo është e mundur vetëm përmes gjakut të
Krishtit dhe vajosjes së Shpirtit të Shenjtë.
Ndërmjetësimi është
puna jonë tani. Ne nuk kemi nevojë të
dërgojmë një prift në vendin e më të Shenjtit.
Por ne mund të shkojmë vetë! Dhiata
e Re na tregon se ne të gjithë jemi priftërinj – se ne jemi pjesë e priftërisë
mbretërore (1 Pjetrit 2:9). A e keni
menduar se përse bota jashtë është e varfër dhe e sëmurë? Sepse ne nuk dimë se si të lutemi, kjo është
arsyeja përse! Sepse ne jemi të
vetëkënaqur që e kemi lënë pas jetës sonë të mjerë të mëkatit, dhe ne nuk pimë
më, nuk i japim vend epshit, dhe nuk sjellim gjykimin e Zotit mbi veten tonë
perditë. Të krishterë jemi tani, i themi
vetes... Dhe jemi KAQ të rehatshëm, KAQ
të lumtur dhe KAQ të vetëkënaqur me këtë fakt.
Argjend
Argjendi... Ҫfarë është argjendi? Unë mendoj se mund të interpretohet në mënyra
të ndryshme. Por më pëlqen të mendoj për
vargun në librin e Fjalëve të Urta që thotë: “Gjuha e të drejtit
është argjend i zgjedhur”.
(Fj.U. 10:20). Unë besoj se argjendi
mund të nënkuptojë fjalët që ne flasim.
Unë besoj se Zoti ka regjistruar çdo fjale që kemi thënë që kur jemi
shpëtuar. Kjo mund të jetë e sikletshme. Tani nuk do të na vijë turp për gjërat e mira
që kemi thënë, por çfarë mund të themi në lidhje me fjalët boshe? Për thashethemet, shpifjet, kritikat dhe
paragjykimet? Po në kohën kur dikush ju
shqetësoi dhe në vend që të heshtnit, ju derdhët gjithçka që ishte në zemrën
tuaj në atë moment? Po për fjalët
magjepsëse që u kemi predikuar mijëra njerëzve ndër vite? Ne do të mbajmë përgjegjësi për çdo fjalë –
dhe ato do të provohen me zjarr. A do të
jenë ato prej druri, sanë, apo kashtë – a do t’i
rezistojnë zjarrit ato?
Ar
Ҫfarë nënkupton simboli i arit? Unë besoj se është një shenjë e përkushtimit
tonë ndaj Zotit. Nëse do të kisha një
tenxhere të vogël, do të vendosja një ar me vlerë prej $10.000 në të dhe do ta
shkrija. Ҫfarë ndodh kur shkrihet ari? Asgjë! Thjesht
ndryshon nga gjendja e ngurtë në të lëngshme, por masa nuk i ndryshon. A mund t’i shihni të gjithë besimtarët që
qëndrojnë në parajsë? Dhe aty edhe
Leonard Ravenhill – duke qëndruar para Krishtit, sytë e të cilit janë mbushur
me shenjtëri. I gjithë vendi është i
mbushur me frymë shenjtërie. Atje në
prani të një Zoti të mrekullueshëm, dhe përpara të gjithë besimtarëve të të gjitha
epokave do të lexohet jeta ime. Dhe
gjithë jeta ime do të jetë përballë këtij zjarri. Por, a është jeta ime e
jetuar deri tani një jetë e jetuar vetëm për t’u dukur? Unë me siguri dëshiroj të predikoj, sepse Zoti
më thirri të predikoj. Nuk më intereson
se si predikoj, dhe nuk më intereson as nëse ti më beson mua. Unë nuk jam përgjegjës për atë. Unë predikoj nga zemra ime gjithçka besoj dhe
jam i gatshëm të vdes për të. Por më
thuaj, a jam unë thjesht një njeri që do që të duket? Si është jeta ime e fshehtë?
Unë e kam thënë shumë herë dhe do ta them
përsëri – asnjë njeri nuk është më i madh se jeta e tij e lutjes. Nuk më intereson se sa i madh është organizata
e tij. Më lejoni të jetoj me një njeri
për pak kohë dhe të kalojë kohë në lutje me të disa herë, dhe unë do t’ju
tregoj se sa i qëndrueshëm është ai, ose sa madhështor është ai në Zotin. Si është jeta juaj e devocionit ndaj Zotit
tani? A do të dëshironit që Gabrieli t’i
jepte kishës librin e jetës suaj të devocionit për muajin e fundit, në mënyrë
që të mund të lexohej me zë të lartë në kishë këtë të dielë? Ari do të provohet gjatë jetës sonë të
devocionit.
Njerëz të mëdhenj të
lutjes
Burrat që kanë qenë heronj për Zotin kanë
qenë burrat që i ishin përkushtuar Zotit në maksimum. Amerika ka prodhuar disa
nga luftëtarët më të mëdhenj të lutjes në botë.
John Hyde ishte njëri prej tyre. Unë njoha dikë që ishte lutur me të,
dhe tha se ishte vërtet e mrekullueshme kur ky njeri lutej. Është një libër i vogël i titulluar “Lutësi
Hyde” (“Praying Hyde”) që do t’ia vlente ta lexonit. Edward Payson (i njohur si Lutësi Payson i
Portland-it) ishte një luftëtar tjetër i shkëlqyeshëm në lutje. Ai gjunjëzohej në anën e shtratit të tij dhe
lutej dhe lutej dhe lutej. Kur e lanë
trupin e tij përpara se ta varrosnin, panë gjunjët e tij që kishin marrë formën
si të një deveje. Tradita thotë se
Jakobi i kishte gjunjët si të deveve por është një fakt i gjallë që edhe Payson
i kishte ato. Kur po e lanin, dikush
tha: “Ҫfarë gjunjësh anormalë”. Kjo
ndodhi për shkak se ai lutej në anën e shtratit të tij me pasion dhe energji,
ku bënte edhe lutjet e ndërmjetësimit për të tjerët.
Një ditë isha në Shkollën Biblike të
Uellsit dhe atje ishte zonja Elizabeth Howells (burri i saj Rees-i kishte vdekur). Ne qëndruam në tarracë dhe ajo u kthye dhe më
tha: “A e sheh atë dhomën atje?” Unë i
thashë: “Po, e shoh”. “Po atë derë?” “Po.” “Burri
im kalonte përmes asaj dere në orën gjashtë të mëngjesit dhe qëndronte atje
deri në orën gjashtë të mbrëmjes çdo ditë për 11 muaj, përveç një dite, ditën
kur vdiq nëna e tij”.
Le ta shikojmë përjetësinë dhe të shohim
të gjithë apostujt dhe të gjithë besimtarët e të gjitha epokave. Ja, është Charles Finney me ringjalljet e tij
të mahnitshme. Është William Booth,
themeluesi i Ushtrisë së Shpëtimit. Është
edhe John Wesley. Këtej janë gjithë
figurat e mëdhenj heroikë për të cilët kemi lexuar, dhe që të gjithë janë dukë
parë ndërsa libri i Zotit i jepet dikujt për ta lexuar. A do të kishit guxim ju që ta merrnit në dorë,
duke thënë: “Po, jam i gatshëm unë t’ua lexoj këtyre heronjve atë që është
shkruar rreth jetës sime personale të lutjes”?
Ta zëmë se them: “Gabriel, më jep rekordin
për vitin 1724.” Kur e hap librin për
atë vit dhe shkoj te shkronja “B”, gjej emrin David Brainerd. Ai ishte amerikan i ri që vdiq në moshën
28-vjeçare. Gjithçka që ai posedonte
ishte një veshje me lëkurë kafshe dhe që e mbante me një litar të lidhur rreth
tij. Ai kaloi përmes lumit Susquehanna
për të ndjekur indianët. Atë e kishte
zënë rëndë tuberkulozi dhe peshën e kishte vetëm 42.4 kg. Mbaj mend që e lexova njëherë ditarin e tij. Ai shkroi njëherë: “Unë u ngrita këtë mëngjes
dhe indianët ishin akoma duke kryer shkelje kurore, duke pirë dhe duke bërtitur
si në ferr. U luta që nga gjysmë orë pas
agimit të diellit deri gjysmë orë para se të përëndonte mbasdite. Nuk
kisha se ku të lutesha në kampin e indianëve.
Kështu që hyra në pyll dhe u gjunjëzova në dëborë. Dëbora qe kaq e thellë saqë më vinte deri në
grykë”. Ai nuk kishte një ngrohëse me
vete ose diçka tjetër. Ai thjesht
qëndroi pikërisht atje në dëborën e ngrirë, me gjithë sëmundjen e tij. Ai vazhdoi: “U luta në mëngjes herët deri
gjysmë ore para perëndimit të diellit, dhe munda të prekja dëborën vetëm me
majë të gishtërinjve. Nxehtësia e trupit
tim kishte shkrirë dëborën”. Një lutje
ndërmjetësuese kaq mahnitëse!
Epo, Zoti pastë mëshirë për ne! Sot ne as nuk mund të futim njerëz në kishat
tona për t’u lutur, dhe kemi jastekë prej kadifeje në karriget dhe sende të
këndshme në dysheme, kështu që gjunjët tanë të dashur nuk do të lëndohen. David Brainerd, Lutësi Payson i Portland-it,
John Hyde dhe Rees Howells – kur Zoti provon jetën e tyre devocionale me
zjarrin e tij, nuk mendoj se do të ketë asgjë të humbur. Nuk do të ketë as dru, as sanë, dhe as kashtë.
Gëzim i vërtetë
Kam turp të jem pjesë e Kishës sot, sepse
besoj se ajo është turp për një Zot të shenjtë. Shumica e gëzimit tonë gjendet tek duartrokitjet
dhe të kaluarit një kohë të mirë, dhe pas takimit flasim dhe jetojmë gjithë
marrëzitë e botës. Ne jemi të
mbingarkuar me të qeshurat dhe lumturinë. Ka një thënie të vjetër në botë: “Qesh dhe
bota qesh me ty”. Unë e ndryshoj atë dhe
them: “Qesh dhe kisha do të qesh bashkë me ty, por qaj, dhe do të qash i vetëm”.
Për shkak se nuk ka gëzim të mjaftueshëm
dhe të vërtetë në shtëpinë e Zotit, ne kemi nevojë për argëtim. Argëtimi është zëvendësuesi i gëzimit. Për shkak se nuk ka fuqi të mjaftueshme në
shtëpinë e Zotit, njerëzit gjithmonë janë në kërkim të diçkaje për ta
zëvendësuar atë. Ne i drejtojmë gishtin
botës, por në fakt duhet t’i drejtohemi Kishës dhe të themi se më mirë do të
ishte të visheshim me thes e hi, të përulemi dhe të themi: “O Zot i
Plotfuqishëm!” Kur shoh Kishën në Dhiatën
e Re, ata nuk kishin ndërtesa hijerënda ose ungjillistë të paguar ose shumë
para. Ata nuk mund të lypnin në
televizor! Ata nuk kishin asgjë nga
këto, por ama ata e kthyen botën kokëposhtë, me ato pak që kishin!
Një poet shkruajti një poezi që shkon kështu:
“Vetëm një jetë, së shpejti do të kalojë, vetëm ajo që bëhet për Krishtin do të
zgjasë. Dhe kur të vdes, sa i lumtur do
të jem, nëse llamba e jetës sime është harxhuar vetëm për ty. ” A mendoni se të gjithë të krishterët vdesin
të lumtur? Aspak! Disa prej tyre vdesin po aq të mjerë sa
mëkatarët. Pse? Sepse ata kanë keqpërdorur kohën e tyre dhe
kanë humbur jetën e tyre. Shumë prej
jush keni qenë duke vdekur në një shtrat spitali dhe jeni lutur: “O
Zot, sikur vetëm të më shpëtoje jetën këtë herë, dhe unë të jap fjalën se do të
bëj këtë, atë, ose atë tjetrën”. Epo, a
e keni mbajtur premtimin tuaj?
E vetmja gjë që do të më lidhë vazhdimisht
me fitoren, përmes gjakut të Krishtit, është që t’i jap Atij adhurimin tim çdo
ditë. Kjo është më shumë sesa shërbesa
ime, dhe më shumë sesa e dhjeta. Ajo çfarë
kam nevojë është që ta dua Atë, ta lartësoj dhe ta adhuroj. Duhet të gjunjëzohem tek këmbët e tij, si të
thuash, dhe ta adhuroj. Nëse do ta bëjmë
këtë, atëherë do të përjetojmë gëzim të vërtetë dhe lumturi të qëndrueshme.
Kurora, kurora, kurora
Unë nuk besoj se do të ketë zili në
parajsë, por mund t’ju kujtoj se ka të paktën pesë kurora që duhen dhënë si
shpërblim. Pali tha se Zoti do t’i japë atij
një kurorë drejtësie: “Pas kësaj më pret
kurora e drejtësisë, që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë,
dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e Tij”.
(2 Tim. 4: 8). Ka dhe një kurorë për
martirët – ata që kanë vdekur dhe ata që do të vdesin per besimin. Kurora, kurora, kurora! Ne nuk do të jemi të gjithë njëlloj në
parajsë. Do të ketë dallime të mëdha
atje. Kur shihni një kongres politik,
shihni njerëz që mbajnë shenja identifikuese nga Kalifornia ose shenja të një
shteti tjetër. Epo, mbase do të ketë
shenja të tilla edhe në parajsë. “Këta
janë Luftëtarët e Lutjes”. “Këta janë
Vuajtësit e Mëdhenj”. “Këta janë Ndërmjetësuesit”.
“Këta janë Misionarët”. “Këta janë Dështakët”. Të gjithë llojet e njerëzve do të renditen në
atë ditë të madhe. Do të ketë dallime të
mëdha midis njerëzve në parajsë.
Ishte një grua në Irlandë që kishte dy
dyqane. Ajo i paguante të gjitha
shpenzimet e familjes me ato që nxirrte nga një dyqan dhe i ruajti të gjitha
paratë që vinin nga dyqani tjetër për misione. Ajo përfundoi duke dërguar katër nga fëmijët e
saj në fushën e misionit dhe ajo financoi secilin prej tyre. Pra, ajo do të ketë një shpërblim një ditë,
apo jo? Sepse ajo po e bënte këtë si për
Krishtin!
Shikoni hajdutin që ishte duke vdekur pranë
Krishtit. Ai do të jetë në parajsë sepse
Jezusi tha se do të ishte me të – por jetën e kishte humbur kot. Pastaj shikoni jetën e John Wesley-it për
shembull. Ai u shpëtua me siguri kur
ishte 35 vjeç dhe i shërbeu Zotit për 53 vitet e tjera të jetës së tij. Ju nuk mund të mendoni se vjedhësi që po
vdiste, një njeri që shpëtoi në momentin e fundit, do të ketë të njëjtin
shpërblim si John Wesley. A mundet që të
kenë të njëjtin shpërblim? Wesley bëri
shumë para. A e dini se çfarë bëri ai me
to? Ai ndërtoi jetimore dhe kisha. Ai shtypi bibla dhe libra. Nuk kishte kohë të harxhuar kot në jetën e
tij. Ai ishte shumë sistematik. Njëherë ai hëngri darkën me njeriun më të madh
në letërsinë angleze dhe ky i tha: “Tani që kemi mbaruar darkën, le t’i
shtrijmë këmbët tona nën tryezë dhe të bëjmë një muhabet të këndshëm.” Wesley iu përgjigj: “Më vjen keq, duhet të
shkoj”. “Por s’ka vajtur akoma ora nëntë, pse po shkon?” Wesley iu përgjigj: “Unë kam një takim në
mëngjes në orën katër”. “Në orën katër
të nesërmen në mëngjes?” “Ҫdo mëngjes të
jetës sime në atë orë, në fakt”, u pergjigj ai. “Me kë?” “Me Zotin.” Wesley-i e disiplinoi jetën e tij. Ai e disiplinoi trupin e tij në lidhje me të
ngrëna. Ai disiplinoi të shpenzuarit e
tij. Jeta dhe shërbesa e tij do të
qëndrojnë në fronin e gjykatës së Krishtit, një perspektivë e mrekullueshme kjo
për cilindo nga ne.
Aroma e adhurimit
E kam dëgjuar për vite me radhë historine
e gruas që erdhi te Jezusi me një kuti me vaj alabastër, dhe më vonë e kuptova
se ajo vinte vetëm për një arsye. Ajo
erdhi për të adhuruar Jezusin. Si mund
ta di këtë? Sepse ajo solli dhuratën më
sakrifikuese që kishte dhe sepse ajo kurrë nuk tha asnjë fjalë ndërsa ishte
aty.
Si mund ta them këtë? Sepse ajo nuk i lau këmbët me ujë, por me
lotët e saj. Ajo nuk i thau këmbët me
një peshqir, por me flokët e saj. Dhe
ajo derdhi atë aromë të kushtueshme dhe pastaj fshiu këmbët. Pra, çfarë ndodhi?
Aroma që derdhi mbi Krishtin, u kthye
përsëri tek ajo.
A e dini se përse jeta juaj nuk është më
aromatike? Kjo ndodh për shkak se ju nuk
merrni kohë për të qenë i shenjtë. Ju
nuk merrni kohë të jeni bashkë me Jezusin. Sepse ju mendoni se të gjitha njohuritë që keni
marrë në shkollën biblike janë të mjaftueshme. Tani, Zoti nuk do ta matë intelektin tuaj. Ai do të provojë jetën tuaj me zjarrin e tij! A u zgjuat sot në mëngjes dhe falënderuat
Zotin që ishit i pastër? A e falënderuat
atë që ai theu atë dëshirë djallëzore që kishit për të nuhatur kokainë apo
diçka tjetër? A jeni vërtet i kënaqur që
nuk jeni më prostitutë, por tani jeni pjesë e Nuses së Qengjit? A jeni i kënaqur që ai hoqi problemin me
inatin që patët njëherë dhe të gjitha ato gjëra të mërzitshme e të tmerrshme që
dikur ju zotëronin?
Mendoj përsëri mbi një deklaratë të A.W.
Tozerit. Ai më tha njëherë: “O Len, e di
çfarë, ne sapo t’i kemi futur këmbët në përjetësi do t’i ulim kokat si me turp. Do ta sodisim përjetësinë dhe do t’i themi
vetes: ‘Shiko se sa pasuri që kishte në Krishtin, dhe unë paskam ardhur si lypës
tek froni i gjykimit!’”. “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për
ne të gjithë, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjërat bashkë me të?”
(Rom. 8:32).
Një popull i ndryshëm
Mbaj mend që kalova një shesh në qytetin e
Bath-it në vitet 1940. Pashë dy zonja të
reja shumë të bukura, njëra ishte një zonjë e re dhe tjetra ishte vetëm një
vajzë. Ato ishin të veshura bukur dhe
ndërsa marshonin nëpër atë shesh mendova: “Ka diçka ndryshe tek ato vajza.” Pastaj zbulova se ishin princesha. Ishte mbretëresha
jonë e tanishme e Anglisë, mbretëresha Elizabetë dhe motra e saj, Margaret. Ato ishin pjesë e familjes mbretërore angleze,
dhe e dini çfarë, ato kishin dinjitet, një karakteristik që i dallonin nga të
tjerët. Epo, si të krishterë, ne jemi
pjesë e familjes mbretërore të Zotit, dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë
ata që takojmë se jemi një lloj i ndryshëm njerëzish. Nëse ne nuk mund të jetojmë si një popull i
ndryshëm në këtë tokë, nuk kemi të drejtë të jetojmë këtu. Ne nuk duhet të prekemi nga ndryshimi i
zakoneve, ndryshimi i stileve ose ndryshimi i mendimeve. Këto gjëra nuk bëjnë asnjë ndryshim të vërtetë
tek njeriu. Ne duhet të jetojmë çdo ditë
sikur kemi ardhur nga një botë tjetër në këtë botë – por me fuqinë e asaj bote
akoma mbi ne. Ne duhet të jetojmë, të
flasim dhe të lëvizim me atë fuqi dhe të kemi tërë qenien tonë në Jezu
Krishtin!
Pagëzimi i bindjes
Ajo ditë e fundit do të jetë e
mrekullueshme. A e keni arritur të dini
se si do t’ju shkojnë punët kur të qëndroni atje? Atë ditë ju dhe unë do të qëndrojmë atje vetëm, dhe do
të gjykohemi për çdo aspekt të jetës sonë – për lutjet tona, për të dhënurit, për
fjalimet tona dhe veprimet tona. Unë
ende besoj në madhështinë e asaj gjykate të përjetshme, me Mbretin e mbretërve
dhe Zotin e zotërve dhe Gjykatësin e Gjykatësve. Duhet të kuptoni se nuk ka mundësi që të bëni
ndonjë provë përpara asaj dite, dhe për më tepër, nuk ka asnjë mundësi që të
përsëritet pastaj. Sepse është përfundimtar
ky gjykim, dhe disave Perëndia do t’u thotë: “Ejani, ju të bekuar!”, por të
tjerëve ai do t’u thotë: “Largohuni nga unë!”. Jo, në fund të fundit nuk është aq e thjeshtë
të jesh i krishterë. Por ama, është gjë
e mrekullueshme.
Ne duhet të jetojmë jetën tonë të
vetëdijshëm për realitetin e përjetësisë – të gatshëm në çdo moment për t’u
ndarë nga kjo jetë. Nëse do të qëndronit
para Zotit në këtë moment, a do të dëshironit që historia juaj e jetës të
lexohej nga të gjithë në përjetësi? Asnjë
që shkoi në ferr nuk do të jetë aty. Do
të jetë e mrekullueshme, apo jo? Apo
mendoni se do të keni turp atë ditë kur dëgjoni se si Perëndia përdori David
Brainerd-in ose John Wesley-in ose ndonjë grua të vogël që jetoi një jetë duke
ndërmjetësuar te Perëndia?
Nuk ka asnjë barrë tepër të rëndë dhe
asnjë situatë tepër të vështirë që nuk mund të përballoni për atë që e
doni. Në qoftë se jemi të kontrolluar, të
motivuar dhe të forcuar nga dashuria, atëherë punët do t’i kemi të mira kur të
qëndrojmë përpara Zotit, sepse është një gjë për dashurinë – ajo tregohet e
bindur. Duhet të bëhemi një popull që pagëzohet
me bindje. Ne duhet të jemi të
nënshtruar ndaj gjithë vullnetit të Zotit, të mos shqetësohemi për mendimet e të
tjerëve dhe të mos kërkojmë më shumë për të shpenzuar për veten tonë. Duhet të themi: “O Zot, unë dua që kjo jetë e
imja të të përlëvdojë ty, kështu që kur të qëndroj në praninë tënde të
mrekullueshme, siç thotë Gjoni, nuk do të turpërohem përpara teje”. (1 Gjoni
2:28).
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.