24 Domosdoshmëria për vetëkontroll


 ‘Njeriu që nuk di të zotërojë frymën e vet është si një qytet i shkrehur pa mure.’ (Fj. e U. 25:28)

‘Kush nuk zemërohet shpejt, vlen më tepër se një luftëtar i fortë dhe kush e zotëron frymën e vet, vlen më tepër se ai që mposht një qytet.’ (Fj. e U. 16:32)

      Aftësia për të zotëruar frymën tonë është një aftësi që mësohet dhe zhvillohet në praktikë.  Zotërimi i vetes është pasqyrim i një karakteri të shëndoshë dhe të mirëformuar.  Zotërimi i frymës prodhon fryte pozitive në çdo aspekt të jetës së njeriut, në sferën shëndetësore, marrëdhanore, ekonomike etj. Sa më e zhvilluar aftësia për të zotëruar frymën tonë në rrethana të ndryshme, aq më e shëndetshme do të jetë jeta jonë në të gjitha drejtimet e saj.  Zotërimi i vetvetes luan një funksion mbrojtës në të gjitha këto aspekte, duke ia bllokuar rrugën influencës shkatërruese.  E kundërta ndodh kur nuk kemi vetzotërim, me një fjalë, me një vepër, jo vetëm që nuk lejojmë mure mbrojtëse të ndërtohen rreth vetes apo personave të tjerë, por shkatërrojmë çdo mburojë, duke ia hapur kështu derën të keqes të vërshojë si një lumë.  Mungesa e zotërimit të frymës sonë shndërrohet në vetësabotim.

      Në kohët e lashta, çdo kështjellë kishte një mur rrethues, dhe jo pa shkak.  Ky mur pengonte armikun të hynte brenda kështjellës dhe mbronte banorët. Në mënyrë që armiku të merrte në zotërim qytetin, ai shpesh shkatërronte muret dhe më pas ose dhunonte dhe vriste, ose skllavëronte ata që banonin brenda qytetit.  Kjo është tragjedia e mungesës së vetkontrollit.  Ajo mundëson shkatërrimin e murit mbrojtës dhe ia hap derën së keqes të vërshojë kundër vetë personit apo edhe personave që kanë lidhje me këtë njeri apo janë nën ndikimin e këtij individi. Ndaj natyra e vjetër mishore është një 'armik' i përbrendshëm me të cilin ne duhet të ballafaqohemi dhe ta mposhtim në mënyrë të përditshme, me guxim dhe pa frikë duke i dhënë mundësi natyrës së re të rritet dhe të fillojë të mbizotërojë.

      Disa kanë zotërim më të mirë të vetes nga të tjerët.  Kjo sepse aftësia për të zotëruar vetveten mësohet nëpërmjet shembullit të prindërve.  Një fëmijë mëson të zotërojë veten dhe të vendosë nën kontroll mendime, ndenja dhe veprime të papërshtatshme duke u edukuar me fjalë, shpjegim dhe korrektim konstruktiv si dhe nëpërmjet shembullit të modelit të duhur.  Kur prindi nuk është zhvilluar në këtë drejtim, shpesh ai e lë fëmijën pa edukimin e nevojshëm, pa shembull të mirë, dhe për më keq ose e lë fëmijën të sillet pa kontroll ose e shan dhe i bërtet në mënyrë të ashpër dhe duke ushtruar dhunë.  Më lejoni të theksoj se dhuna dhe abuzimi nuk mund të shërbejnë kurrë si mjete instruktimi, përkundrazi janë veglat më shkatërruese në përdorim.  Por a pati ky prind prindër që mund t’i jepnin mësimin dhe shembullin e duhur?  Dhe kështu vazhdon zinxhiri.

      Kur isha fëmijë, në shkollën tonë kishim një vajzë e cila vinte nga një familje shumë e trazuar.  Prindërit e saj grindeshin vazhdimisht si brenda dhe jashtë shtëpisë.  Pallati ku banonte ndodhej diku përgjatë rrugës ku unë ecja për në shkollë.  Kjo vajzë ishte gjithmonë e palumtur dhe nuk përqëndrohej dot në shkollë.  Duke ia ditur hallin mësuesit përpiqeshin shumë ta ndihmonin.  Por një ditë ndërsa shkoja në shkollë realiteti i jetës së saj më goditi në fytyrë.  Ata banonin në katin e parë, dhe në atë mëngjes jashtë dritares së saj gjendej një dyshek i djegur dhe orendi të tjera që ishin flakur nga dritarja ndërsa muret e jashtme të apartamentit të saj ishin të nxira prej tymit.  Pamje tepër tronditëse!  Ajo erdhi në shkollë me kokën ulur dhe me një shpirt të shkatërruar.  Çfarë ndodhi e pyeta?  Prindërit e mi filluan të grinden përsëri dhe babai i vuri zjarrin shtëpisë.  Fatmirësisht zjarrfikësi e kishte kapur incidentin në kohë dhe kishte shpëtuar prindërit dhe fëmijët që gjendeshin brenda apartamentit.  Mungesa e vetkontrollit të një njeriu jo vetëm që shkatërroi çdo gjë që familja kishte vënë me djersë, por gati sa nuk mori jetë, dhe jo vetëm jetët e familjes por dhe jetët e komshinjve.

      Vlera e çdo personi matet në bazë të aftësisë që ky person ka të zotërojë vetveten dhe aspektet e natyrës së tij negative.  Kush do të fitojë gjaknxehtësia, xhelozia, grykësia, padurimi, ligësia, inati, mohimi etj. apo gjakftohtësia, dashamirësia, durimi, maturia etj.?  Çdo njeri ka nevojë të zhvillojë aftësinë e vetkontrollit në një apo më shumë drejtime.  Besimi tek Jezu Krishti nuk duhet të jetë thjesht një besim mendor, por duhet të prekë dhe ndryshojë çdo aspekt të personit që jemi dhe jetës që jetojmë duke e ndryshuar realitetin tonë dhe duke u manifestuar nëpërmjet fjalëve, veprave dhe menyrës tonë të jetesës.

      Nuk mund të vazhdojmë ta jetojmë jetën duke i mbyllur sytë ndaj dobësive tona të cilat janë pjesë e natyrës sonë të rënë mishore, dhe duke i lejuar këto dobësi të diktojnë realitetin e jetës sonë të re në Krisht.  Ndaj hapi i parë drejt një jete të shëndetshme si besimtar është të jemi të sinqertë me veten.  Kjo ndodh kur ne heqim dorë nga vetëdrejtesia dhe krenaria, dhe kuptojmë nevojën për transformim.  Duke i hapur derën fjalës së Zotit dhe duke lejuar që fjala e tij të jetë një pasqyrë tek e cila ne shikojmë realitetin e mendjes, zemrës dhe sjelljes sonë.  Përfytyro se sa e bekuar do të jetë martesa jote, familja jote nëse ti fillon të kontrollosh inatin tënd dhe mënyrën se si flet.  Në radhë të parë ata do të kenë më pak frikë nga ti dhe do të të afrohen duke ta shprehur më shumë dashurinë e tyre.  Imagjino se si do të jetë, nëse ti zotëron gojën tënde dhe nuk do të thuash më gjëra negative për të tjerët.  Do fitosh respektin e njerëzve dhe nuk do t’i bësh keq më askujt.  Përfytyro si do të ishte nëse në vend që të jetosh një jetë pasive dhe parazite të fillosh të bëhesh i/e vlefshëm.  Përfytyro si do të ishte nëse ti heq dorë nga dehja me alkol.  Do të kesh një bashkëshorte dhe fëmijë më të lumtur.  Përfytyro si do të jetë nëse ti nuk e grind bashkëshortin gjatë gjithë kohës, por tregohesh e dashur dhe e duruar dhe konstruktive në mënyren se si i flet dhe e trajton.  Cilësia e marrëdhënies suaj do të rritet.  Përfytyro nëse në vend që të mos e lexosh Biblën dhe të mos lutesh, ti fillon të kalosh kohë me Zotin rregullisht.  Përfytyro se sa më e shëndetshme do të jetë familja jote me fëmijët e tu, nëse ti ndryshon aspekte të sjelljes tënde ndaj tyre. Perfytyro se sa i/e begatuar do të ishte gjendja jote ekonomike nëse ti nuk e shpërdoron financën tënde, por e menaxhon me urtësi dhe investon. Për të përjetuar gjithë këtë bekim dhe më shumë, në radhë të parë duhet të marrësh një vendim para vetes dhe Zotit: ‘Jo më!  Zot më ndrysho!’

      Atëherë ti do të jesh material i punueshëm në dorën e Zotit.  Ai do të fillojë të punojë me mendjen tënde fillimisht, dhe duke punuar me mendjen tënde gradualisht do të ndryshojë qëndrimi i zemrës tënde.  Duke ndryshuar qëndrimi i zemrës tënde do të ndryshojë edhe sjellja jote si dhe fryti i kësaj sjelljeje.  Askush tjetër përveç bashkëpunimit midis teje dhe Zotit nuk mund ta prodhojë këtë transformim dhe mrekulli të përbrendshme tek ti.  Lejoje Fjalën dhe Frymën e Zotit të fillojë këtë proces transformues tek ti, sepse ky do të jetë një udhëtim i mrekullueshëm nga errësira në dritë.


Copyright © 2018 Rev. Suela Brown


No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.