37 Themeli i fshehtë

 

Themeli i fshehtë

nga Leonard Ravenhill

      Disa vjet më parë, dëgjova historinë e një misionari që shërbente me organizatën tonë, i cili, brenda një kohe të shkurtër, kishte mbjellë pesë kisha në një rajon të vështirë të Indisë Verilindore.  Unë isha i interesuar se si ky vëlla i ri e bëri këtë, ndaj thirra një nga udhëheqësit tanë më të pjekur dhe e pyeta nëse ai mund të më tregonte më shumë për shërbesën e këtij vëllai.  E gjitha që dija ishte se ai ishte me prejardhje të varfër dhe nuk ishte shkolluar në nivel të lartë, megjithatë dukej se Zoti ishte me të në mënyrë të jashtëzakonshme.

      Kisha e parë që ai mbolli filloi me shërimin e një prifti hindu që kishte qenë i paralizuar.  Pastaj, njëra pas tjetrës, u mbollën edhe katër kisha të tjera.  Unë isha shumë kurioz të zbuloja sekretin e këtij vëllai.  Udhëheqësi i pjekur më tha që do ta shqyrtonte këtë gjë, dhe më pas do të më tregonte se çfarë kishte zbuluar.  Kur erdhi për të më treguar, më tha: “Ky vëlla nuk ka asgjë të pazakontë.  Nuk kam gjetur asgjë të veçantë përveç një gjëje: ai zgjohet shumë herët çdo mëngjes dhe kalon dy ose tre orë në lutje dhe më pas një ose dy orë duke lexuar Biblën.  Këtë zakon e filloi ndërsa po studionte në një nga shkollat tona biblike”.

      Do t’jua jap një shembull tjetër.  Një mëngjes po flisja me një drejtues të pjekur në punën tonë.  Ai po udhëtonte nëpër gjithë Indinë e Veriut për t’u takuar me shumë nga drejtuesit tanë si dhe për të caktuar punëtorë të rinj në projekte që ishin filluar kohët e fundit.  Në bisedën tonë ne po diskutonim se kush ishte në gjendje për t’u caktuar në njëfarë pozicioni të ri.  Unë e pyeta: “Çfarë mendoni për filan vëlla?  Duket si njeri me të vërtetë të perëndishëm.  Pse nuk e caktojmë atë në këtë pozicion?”  Ne vazhduam të bisedonim rreth aftësive të këtij, për mungesën e tij të përvojës si dhe për sfidën serioze në këtë fushë të re të punës.  Por më në fund ramë dakord që t’ia besonim atij këtë përgjegjësi.  Ai njeri kishte diçka që na shtyri të merrnim atë vendim: ai kalonte pothuajse katër orë çdo ditë në lutje.

      Vendimi ynë nuk u bazua në faktin se ai kishte mbjellë nja dymbëdhjetë kisha, ose se ai ishte mjaft i aftë për të mbikëqyrur me pjekuri një rajon të madh të vendit.  Vendimi ynë u bazua në faktin se Zoti ishte me të, dhe se ai dinte se si të lutej.  Lutja është metoda e Zotit për të realizuar qëllimet e tij në këtë tokë.  Zoti pret të dëgjojë dhe t’u përgjigjet lutjeve të popullit të tij.  Mos harroni se çfarë tha Jezui tek Mateu 9:37–38 “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.  Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij”.

      Ka shumë njerëz gjatë gjithë historisë së Krishterimit që e dinin fuqinë e lutjes.  Njëri prej tyre ishte John Hyde.  Nga fundi i shekullit të 19-të, ai iku nga vendi i tij në shtetin Illinois për t’i shërbyer Zotit si misionar në Indi.  Ai punoi atje, jo vetëm fizikisht, por, më e rëndësishmja, në lutje.  Ai zhvilloi një zakon që qëndronte deri vonë natën duke u lutur, si dhe ngrihej shumë herët në mëngjes, duke i klithur Zotit: “Më jep shpirtra, o Zot, ose do të vdes!”  Pasioni në zemër për të humburit e zuri atë, dhe ai e dinte që fortesat frymërore me të cilat armiku i kishte pushtuar njerëzit mund të thyheshin vetëm përmes lutjes.  Ndaj lutej ai.  Në fakt, ai u lut aq shumë sa zemra e tij u zhvendos në pozicion tjetër në gjoks, duke shkaktuar më vonë gjendjen shëndetësore që e çoi në vdekje.  Mirëpo, për shkak të lutjeve të tij, në vitin 1904 shtetet veriperëndimore të Indisë, ku ai ishte munduar për vite me radhë, përjetuan një nga rizgjimet më të mëdha që India ka njohur ndonjëherë!  Ashtu si John “Lutësi” Hyde, edhe ne mund të mësojmë se si të lutemi dhe të shohim që Zoti të bëjë gjëra të mëdha përmes lutjeve tona.  Por duhet të mësojmë ama.  Ju mund të lexoni çdo libër që është shkruar ndonjëherë mbi temën e lutjes, por kjo nuk do t’ju bëjë një njeri lutjeje.  Ne mësojmë se si të lutemi, duke e bërë atë, pra duke u lutur.

      Në revistën “Ditët e Fundit”, Leonard Ravenhill na tregon për një grup turistësh që po vizitonin njëherë një fshat piktoresk.  Ndërsa shëtisnin pranë një plaku të ulur pranë një gardhi, një prej tyre, në mënyrë mjaft begenisëse, iu drejtua plakut dhe e pyeti: “A është lindur ndonjë burrë i famshëm në këtë fshat?”  Plaku u kthye dhe thjesht iu përgjigj: “Jo, vetëm bebe”.  Vëllezër dhe motra të mia, ne duhet të rritemi e të pjekurohemi në jetën e lutjes.  Le të fillojmë sot, duke marrë hapat e parë për t’u bërë njerëz të mëdhenj në lutje.  Ndërsa e bëjmë këtë, kemi për të parë gjëra të pabesueshme të ndodhin në jetën tonë.  Shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt” (Jak. 5:16).

      Unë e kam parë se sa të efektshme janë lutjet e atyre që e besojnë Zotin dhe vazhdojnë në lutje.  Për tre vjet e gjysmë mamaja ime agjëronte dhe lutej që Zoti të thërriste një nga gjashtë djemtë e saj në shërbesë me orar të plotë.  Njëri pas tjetrit, secili nga vëllezërit e mi filloi karrierën e tij, duke më lënë vetëm mua (që isha më i riu dhe më i ndrojturi) si shpresa e fundit e mamasë.  Por kur unë isha 16 vjeç, Zoti iu përgjigj lutjeve të mamasë sime dhe më thirri në shërbesë.  Kështu kjo thirrje në jetën time është rezultat direkt i lutjeve të saj.

      Siç tha njëherë John Wesley: “Zoti nuk do të bëjë asgjë përveç si përgjigje ndaj lutjeve”.  Unë besoj që John Wesley e mësoi rëndësinë e lutjes dhe se si të lutet për herë të parë përmes shembullit të mamasë së tij, Susanna Wesley.  Kjo grua e Perëndisë dhe nëna e 19 fëmijëve ishte e spikatur për përkushtimin e saj ndaj lutjes.  Me gjithë ngarkimin e saj me detyra shtëpiake, ajo gjithmonë gjente kohë për t’u lutur dhe për të qenë vetëm për vetëm me Perëndinë.  Zoti iu përgjigj lutjeve, dhe dy nga djemtë e saj – John dhe Charles Wesley – u bënë udhëheqës kyçë në Kishë në shekullin e 18-të.  M'u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di” (Jer. 33:3).  Le të pranjomë ftesën e Zotit dhe të fillojmë të ecim në këtë rrugë të të mësuarit se si të lutemi.

 

 

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.