Copyright
© 2018 Michael A. Brown
Për
disa prej jush që po e lexoni këtë mesazh sot, ka ardhur koha të merrni një hap
besimi. Ju gjendeni përpara një situate
të vështirë, dhe e dini që është e pamundur që ta përballoni dhe zgjidhni me
forcat tuaja njerëzore. Mendjen e keni
të mbushur me frikë, zemra juaj po dridhet dhe po lëkundeni nga mosbesimi. Sytë tuaj shikojnë vetëm pamundësinë apo
madhësinë e problemit. Por njëkohësisht,
jeni duke u lutur dhe duke kërkuar Perëndinë, dhe brenda jush ju e dini se çfarë
duhet të bëni. Fryma e Shenjtë është duke
ju inkurajuar përmes premtimeve të fjalës së Perëndisë. Ai po ju pëshpërit në zemër që duhet të
besoni atë, të kapeni mbas dorës së tij dhe të çani përpara me besim.
Mos
shikoni vetëm se sa i madh është problemi!
Mos shikoni vetëm se sa të pakapërcyeshme duken pengesat! Mos vazhdoni të pyesni: “Po në qoftë se…” Po, edhe mund t’ju duket e pamundshme, por
Zoti ynë është më i madh – tepër më i madh! – sesa problemet dhe pengesat që
keni përpara, dhe ai mund të bëjë për ju atë që tani për tani ju duket e
pamundur. Me Perëndinë tonë, gjithçka është e mundur!
Frika, shqetësimi dhe ankthi
thjesht kanë për t’ju paralizuar, dhe në qoftë lejoni që këto gjëra t’ju
kontrollojnë, keni për t’u mbetur në vend numero dhe të pandryshuar. Mirëpo, po ta mbani fort dorën e Zotit dhe të
besoni atë duke marrë një hap besimi, do të liroheni, dhe kjo do të bëjë që
Perëndia të veprojë për ju.
Ka
vetëm një mënyrë në të cilën mund të çajmë përpara në punët e Perëndisë sonë,
dhe kjo është me anë të besimit! Ndërsa
merrni hapin e besimit dhe shkoni përpara duke mbajtur dorën e Zotit, ai do të
ketë mundësi të veprojë, dhe kjo do t’ju japë shumë gëzim dhe kënaqësi!
Kapitulli
11 tek letra drejtuar Hebrenjve përmban një listë të gjatë veprash që u kryen nga
të moçmit e Dhiatës së Vjetër. Përmenden
shumë emra – p.sh. Abeli, Enoku, Noahu, Abrahami, Isaku, Jakobi, Josefi, Moisiu,
Gideoni, Baraku, Samueli, Davidi si dhe profetët, etj. Nuk janë pak ata që përmenden, por shumë. Këta që të
gjithë janë njerëz (si burra ashtu edhe gra) që e ndoqën Perëndinë në brezin e
tyre dhe shkuan përpara me besim, dhe ata panë se si Perëndia veproi. Që të gjithë ishin njerëz që e kuptuan këtë
parim të besimit në veprim, dhe ata morën dëshmi të mirë (11:2). Ata janë shembuj për ne se çfarë mund të bëjë
Perëndia. Mesazhi i këtij kaptulli është
tëper i thjeshtë – Perëndia kërkon besim tek populli i tij; ai do që besimtarët
të bëhen burra dhe gra besimi; atij i pëlqen kur gjen njerëz të tillë, ai ua
nderon besimin dhe vepron për ta; ai dëshiron të ngrejë një dëshmi përmes tyre
që t’ia tregojë botës se sa i fuqishëm dhe besnik është për gjithsecilin që
beson.
Në
qoftë se këta njerëz historitë e të cilëve tregohen në pasazhe të ndryshëm të
Biblës, nuk kishin çarë përpara me besim, atëherë Perëndia nuk do të kishte
vepruar për ta. Që të përjetojmë që ai
të veprojë për ne, është e domosdoshme që ne të marrim hapa besimi. Pa besim,
Abrahami dhe Sara do të kishin mbetur pa fëmijë. Izraelitët do të kishin mbetur si në kurth në
anën egjiptiane të detit, dhe do të ishin shfarosur nga ushtria e Faraonit. Samsoni nuk do kishte përdorur fuqinë e tij
mahnitëse. Në qoftë se Davidi nuk do
kishte besuar Zotin dhe vepruar me besim, atëherë Goliati do të kishte mbetur
atje ku ishte duke u tallur me ushtrinë e Saulit. I biri i gruas shunamite
do të kishte qëndruar i vdekur dhe pastaj do ta kishin varrosur. Naamani do të kishte qëndruar i sëmurë. Shërbëtori i kryeqindësit romak do të kishte vdekur. Bartimeu do të kishte
mbetur i verbër dhe do të vazhdonte të lypte rrugës. Pjetri do të kishte mbetur në varkë dhe kurrë
nuk do të kishte ecur mbi ujë. Pali dhe
Barnabi nuk do të kishin dalë si apostuj misionarë. Ata nuk do të kishin ungjillizuar botën
romake dhe nuk do të kishin mbjellë ato kishat e reja të hershme. E kështu me radhë… Që të gjithë këta njerëz do të kishin mbetur
atje ku ishin duke mos bërë asgjë, dhe do të kishin mbetur siç ishin. Që Perëndia
të mund të veprojë për ju, ju duhet të merrni hapa besimi! Në qoftë se ju nuk doni të merrni hapin e
besimit, atëherë keni për te mbetur atje ku jeni, dhe asgjë nuk ka për t’u
ndryshuar në situatën tuaj.
Abrahami
nuk e mohoi faktin që trupin tashmë e kishte tepër të moshuar dhe që e shoqja
Sara e kishte kaluar moshën për të lindur fëmijë. Ai mund të shihte fare qartë pengesat që
kishte përpara. Ai e dinte gjithashtu që
ishte e pamundur që fjala e Perëndisë të mund të plotësohej në mënyrë njerëzore.
Mirëpo i
mbajti sytë të drejtuar tek premtimi i Perëndisë dhe fitoi mbi mosbesimin që
kishte në zemër. Ai nuk u lëkund dhe nuk
vendosi kundër premtimit të Zotit duke hequr dorë. Përkundrazi, Shkrimet thonë që ai u forcua në
besim dhe i dha lavdi Perëndisë. Ai e
kapërceu mosbesimin duke besuar plotësisht tek Perëndia, ai veproi me besim dhe
si çift ata panë se si u plotësua premtimi i Perëndisë në jetën e tyre (Rom.
4:17-21).
Kur
të çani përpara me besim, Perëndia ka për të vepruar për ju, dhe do të kuptoni
më mirë se tani se sa
i madh që është, sa besnik që është, se sa i fortë që është, dhe se sa i
gatshëm që është për të vepruar për ata njerëz zemrat e të cilëve janë të
përkushtuara ndaj tij. Ai do që punët e tij si dhe kisha juaj
të rriten dhe te shkojnë përpara. Ndaj
mos kini frikë dhe mos u lëkundni nga mosbesimi! Mos jini me dy mendje! Kapërcejini dyshimet, frikërat dhe ankthet që
mund të keni ne zemër duke fiksuar mendjen dhe zemrën tuaj tek premtimet e
fjalës së Perëndisë.
Drejtojini sytë tek Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit tuaj,
ngrihuni, veproni me besim dhe merreni hapin!
Dhe pastaj keni për të parë se si do të veprojë ai për ju!
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.