Pages

03 Fjala: 2 Lindja sërish

 

Fuqia jetëshndërruese e fjalës së Perëndisë

Pjesa 2

Ne lindim sërish përmes fuqisë së fjalës së Perëndisë

Kur dikush pendohet për jetën e tij të vjetër dhe pranon Jezuin si shpëtimtarin e zotin e jetës së tij, ai/ajo lind sërish.  Shprehja “të lindurit sërish” përshkruan punën që Fryma e Shenjtë bën brenda nesh ndërsa na e ripërtërin jetën frymërore.  Para se të pranonim Jezuin, ne ishim të ndarë nga jeta e Perëndisë dhe, për rrjedhojë, ishim “të vdekur në faje dhe në mëkate” nga ana frymërore.  Por tani Zoti “na dha jetë me Krishtin”.  Në hirin, mëshirën, dashurinë dhe mirësinë e tij ai vepron për të na sjellë në këtë jetë të re frymërore (Efes. 2:1-5).

Ngjizja e jetës së re frymërore brenda nesh ndodh ndërsa dëgjojmë dhe pranojmë farën e fjalës së të vërtetës:

“Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi njëfarë fryti i parë të krijesave të tij.” (Jak. 1:18)

“…të rilindur jo nga një farë që prishet, por që nuk prishet, me anë të fjalës së gjallë të Perëndisë, që mbetet përjetë.” (1 Pjetri 1:23)

      Kjo farë e gjallë e fjalës së Perëndisë mbillet brenda nesh ndërsa dëgjojmë mesazhin e ungjillit.  Kështu, përmes kësaj fare, ngjizet brenda nesh nga Fryma e Shenjtë një jetë e re frymërore ndërsa i përgjigjemi ungjillit me besim (Luka 8:11, Rom. 10:17).  Pra, të lindurit sërish është një përvojë e vërtetë dhe personale e ripërtëritjes të përbrendshme frymërore.  Apostull Pali thotë:

“[Perëndia] na shpëtoi me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëitjes së Frymës së Shenjtë.” (Titi 3:5)

Perëndia nuk përpiqet ta rinovojë apo ta reformojë jetën tonë të vjetër e të mëkatshme.  Këtë ai na e heq dhe e zëvendëson me jetën e re në Krisht.  Kjo jetë e re është e fuqizuar nga Fryma e tij që na sjell në një sferë krejt të re të jetuari.  I krishteri i vërtetë nuk është një njeri i reformuar apo thjesht i përmirësuar.  Ai nuk është dikush që, si të thuash, “e ka nisur përsëri që nga e para”, por është dikush, i cili është i ripërtërirë nga ana frymërore dhe është bërë njeri i ri me anë të Frymës së Shenjtë.  Ne jemi çliruar nga jeta jonë e vjetër, dhe kemi hyrë në një jetë të re dhe të begatshme në Krisht.

Pra të qenët të rilindur do të thotë që jemi bërë krijesa të reja, që jemi ringjallur bashkë me Krishtin nga jeta jonë e vjetër (2 Kor. 5:17, Gal. 6:15, Ef. 2:5).  Jemi sjellë ne një jetë të re që ka për bazë përjetimin përbrenda nesh të fuqisë së ringjalljes së Krishtit (Rom. 6:4-5,8).


© 2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.  Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.

Autori: Michael A. Brown, Angli.

Redaktuesi: Holger Dashi, Korçë.

Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga © 2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip, përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.

 

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.