Fuqia jetëshndërruese e fjalës së Perëndisë
Pjesa 6
Fjala e Perëndisë është
ushqimi dhe pija jonë frymërore
Prezenca e përbrendshme e Frymës së
Shenjtë në jetën tonë na mbush me dashurinë e tij për fjalën e Perëndisë, dhe
kjo dashuri na tërheq që ta lexojmë dhe të meditojmë mbi këtë fjalë. Pra, të lexuarit e Biblës është një burim që
na e ushqen jetën frymërore. Fjala e
Perëndisë është ushqimi ynë frymëror dhe ushqimi që ajo na jep është i
domosdoshëm për rritjen tonë frymërore.
Fjalët e Perëndisë janë jeta jonë:
“Merrni me zemër tërë fjalët me të cilat kam dëshmuar sot
kundër jush. Do t’ua lini porosi bijve,
që ata të kenë kujdes të zbatojnë tërë fjalët e këtij ligji. Sepse kjo nuk është një fjalë pa vlerë për
ju, por është jeta juaj.” (Ligji i P. 32:46-47)
“Fjalët që unë po ju them janë frymë dhe janë jetë.” (Gjoni 6:63)
Ashtu sikurse trupi ynë duhet ushqyer disa
herë në ditë, në të njëjtën mënyrë duhet që ne të ushqejmë jetën tonë frymërore
në mënyrë të shpeshtë me fjalën e Perëndisë.
Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë, në mënyrë të paevitueshme, jeta jonë
frymërore do të vuajë kequshqyerje, do të jetë e dobët, anemike, madje “kockë e
lëkurë”. Do të fillojë të mpaket dhe të
vdesë, ashtu siç do të ndodhte edhe me trupin tonë fizik po të mos merrnin
ushqimin dhe pijet e nevojshme.
Besimtarët të cilët nuk ushqehen
rregullisht me fjalën e Perëndisë, nuk janë në gjendje t’iu bëjnë ballë
tundimeve apo sulmeve frymërore. Ata nuk
e mposhtin dot mëkatin për të dalë fitimtarë mbi të dhe nuk janë në gjendje as të
dallojnë dot mësimet e rreme. Ky lloj besimtarësh
nuk rriten siç duhet dhe ngelen foshnja nga ana frymërore, janë vazhdimisht të
lëkundur dhe hidhen sa andej-këndej nga çdo erë doktrine dhe nuk janë të aftë të
marrin përgjegjësinë për rritjen e tyre frymërore.
Në të kundërt, po të ushqehemi rregullisht
me një dietë të mirë e të shëndetshme nga fjala e Perëndisë, si dhe po të
zbatojmë në praktikë e në jetën e përditshme ato gjëra që jemi duke mësuar, atëherë
jeta jonë frymërore dhe rritja jonë si besimtarë do të bëhen të shëndetshme, të
forta dhe madje të fuqishme. Ne do të
dalim fitimtarë mbi tundimin e mëkatin dhe do të zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë
me Perëndinë. Rritja e vërtetë e jetës
frymërore matet me zbatimin në praktikë dhe vënien
në jetë të njohurisë së fjalës së Perëndisë.
Në përputhje me këtë metaforë, fjala e Perëndisë përshkruhet
edhe në mënyra të ndryshme si p.sh. qumësht, bukë, mjaltë dhe ushqim i fortë,
ndaj ne duhet ta hamë e ta pimë atë çdo ditë:
“Si foshnja të sapolindura, të
dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij, nëse
vërtet keni shijuar se Zoti është i mirë.”
(1 Pjetri 2:2-3)
“...njeriu nuk rron vetëm
me bukë, por rron nga çdo fjalë që del nga goja e
Zotit.” (Ligji
i P. 8:3)
“Gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta; janë më
të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ar i kulluar; janë më të ëmbla se
mjalti, nga ai që del nga hojet.” (Ps. 19:9-10)
“…keni përsëri nevojë që t’ju mësojë
dikush gjërat elementare të fillimit të thënieve të Perëndisë dhe keni nevoje
për qumësht dhe jo për ushqime të forta.
Sepse kushdo që ushqehet me qumësht është pa përvojë në fjalën e
drejtësisë, sepse është foshnjë; kurse ushqimi i fortë është për të përsosurit,
të cilët, meqë janë mësuar, i kanë ndjesitë të stërvitura për të dalluar të
mirën dhe të keqen.” (Heb. 5:12-14)
Në mënyrë të ngjashme me këtë, Zoti i urdhëroi profetët
që ta hanin fjalën e tij, që ajo t’u hynte në frymë dhe për rrjedhojë të mund
t’ua shpallnin atë njerëzve:
“Me të gjetur fjalët e tua, i përpiva; fjala jote ka qenë për mua
gëzimi dhe hareja e zemrës sime….” (Jer. 15:16, shih edhe
Ezek. 2:9 – 3:4, Zbulesa. 10:8-11)
Perëndia na fton t’i
afrohemi atij, që të mund të blejmë e të hamë lirisht pa para dhe pa
paguar. Ai na nxit që ta dëgjojmë me
kujdes dhe të hamë atë që është e mirë (d.m.th. fjalën e tij) dhe, si rrjedhojë,
shpirti ynë do të kënaqet me ushqim shumë të shijshëm (Isa. 55:1-2).
©
2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.
Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si
dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.
Autori:
Michael A. Brown, Angli.
Redaktuesi:
Holger Dashi, Korçë.
Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga ©
2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip,
përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.