Fuqia jetëshndërruese e fjalës së
Perëndisë
Pjesa 10
Fjala e Perëndisë ka fuqi krijuese dhe na sjell
jetë, shëndet dhe shërim
“Ashtu
si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa ujitur tokën, pa e
bërë pjellore, pa e bërë që të mbijë, në mënyrë që ai që do të mbjellë të marrë
farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë, kështu do të jetë fjala ime, që del
nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa
realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.”
(Isa. 55:10-11)
Kur
Perëndia flet, fjala e tij e fuqizuar nga Fryma e vet ka fuqinë krijuese t’i
transformojë si dhe t’i sjellë jetë të re dhe frytshmëri çdo situate në të cilën
ai flet. Kur flet, ai flet me qëllimin që
të sjellë ndryshim. Kur ai foli që në
fillim e tha: “U bëftë drita!”, drita u bë (Zan. 1:3). Fjala e Perëndisë nuk është e pajetë, shterpë
apo e vdekur. Ajo është e gjallë,
vepruese dhe jetëdhënëse, dhe sigurisht që do t’ia arrijë qëllimit për të cilin
është dërguar:
“Është Fryma që jep jetë; mishi nuk vlen asgjë; fjalët që
unë po ju them janë frymë dhe janë jetë.”
(Gjoni 6:63)
“…një fjalë Perëndie, që edhe vepron
në ju që besoni.” (1 Sel. 2:13)
“Sepse
fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese…” (Heb.
4:12)
Kjo duhet të
përforcojë besimin e çdo besimtari që lexon fjalën e Perëndisë si dhe mediton
rregullisht rreth saj. Sigurisht që kjo
do të na e transformojë jetën për mirë dhe për bekim. Përpos kësaj, ndërsa i pranojmë dhe u bindemi
të vërtetave të saj, ato do të na brumosin dhe dalëngadalë, por në mënyrë të
sigurt, do të na çojnë drejt ripërtëritjes në imazhin e Krishtit (Kol. 3:10).
Kjo duhet
edhe t’i japë siguri çdo predikuesi të fjalës së Perëndisë. Zoti gjithmonë ka për të nderuar shërbesën e
atyre që mësojnë dhe predikojnë me besnikëri fjalën e tij duke sjellë një masë
transformimi, ndryshimi dhe frytshmërie në jetën e atyre që e dëgjojnë.
Për më
tepër, fuqia jetëdhënëse e fjalës së Perëndisë jo vetëm që ndikon frymën,
zemrën dhe mendjen tonë, ajo mund t’u sjellë shëndet dhe jetë edhe trupave tanë
fizikë:
“Biri im, trego kujdes për fjalët e
mia, vëru veshin thënieve të mia; mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji
në qendër të zemrës sate; sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të
gjithë trupin e tyre.” (Fj.e U. 4:20-22)
“Ai
dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi.” (Ps.
107:20)
“…por thuaj vetëm një fjalë dhe
shërbëtori im do të shërohet.” (Mateu 8:8)
©
2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.
Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si
dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.
Autori:
Michael A. Brown, Angli.
Redaktuesi:
Holger Dashi, Korçë.
Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga ©
2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip,
përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.