Pages

03 Fjala: 8 Na heton dhe gjykon

 

Fuqia jetëshndërruese e fjalës së Perëndisë

Pjesa 8

Fjala e Perëndisë na i gjykon mendimet dhe qëndrimet e përbrendshme

“Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjave dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.  Dhe nuk ka asnjë krijesë që është e padukshme para tij, por gjithçka është lakuriq dhe e zbuluar para syve të Atij, të cilit ne duhet t’i japim llogari.” (Heb. 4:12-13)

“Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh…  Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia; dhe shiko nëse ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.” (Ps. 139:1,23-24)

      Fjala e Perëndisë është frymëzuar nga vetë Fryma e Shenjtë, pra ajo është fjala e vetë atij (2 Tim. 3:16).   Kështu që, kur e lexojmë, ai na flet përmes saj duke na e bërë të gjallë dhe të fuqishme.  Fjala thjesht e shkruar e Perëndisë (pra, logos-i) bëhet fjala e fuqizuar e Zotit e folur në zemrën tonë (pra, rhema) dhe, në këtë mënyrë ajo bëhet fjala e gjallë dhe vepruese e Perëndisë për ne.

      Ndërsa Perëndia e flet fjalën e tij të gjallë e të fuqizuar në jetën tonë, kjo shpatë e mprehtë me dy tehe depërton brenda nesh duke sjellë efektet dhe ndikimet e saj ne çdo pjesë të gjithë qenies sonë.  E vërteta e saj depërton në frymën, mendjen e zemrën tonë.  Kjo e vërtetë shpesh bie në kontrast, në një mënyrë të qartë dhe jo të rehatshme, me mendësinë tonë, me mosbesimin dhe dyshimet tona, me qëndrimet dhe mendimet e mëkatshme apo të gabuara që kemi brenda vetes, si dhe me motivimet mishore dhe egoiste të zemrës sonë.  Ndërsa drita e fjalës së Perëndisë ndriçon brenda nesh dhe na heton, ajo zbulon gjithçka që është fshehur atje, edhe në pjesët më të thella dhe më të imëta të qenies sonë, pra, në çdo skutë të vogël.  Për rrjedhojë ne fillojmë të shohim dhe të kuptojmë vetveten ashtu siç jemi në të vërtet në sytë e Perëndisë.  E zbulojmë, e njohim dhe e kuptojmë veten në tërë thellësinë e brendësisë sonë.

      Në këtë kuptim, fjala e Perëndisë vepron si gjykatëse ndaj nesh.  Ndërsa e bën këtë gjë, qëllimi i Perëndisë është të na sjellë tek pika e rrëfimit, pendimit, pastrimit dhe lirisë, duke e lejuar atë të na ndryshojë në vendet më të thella të mendjes dhe zemrës, në mënyrë që të mund të fillojmë të mendojmë dhe të jetojmë sipas të vërtetës dhe vullnetit të tij dhe, si rrjedhojë, të korrim bekimin e tij në jetën tonë.

 

© 2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.  Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.

Autori: Michael A. Brown, Angli.

Redaktuesi: Holger Dashi, Korçë.

Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga © 2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip, përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.

 


No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.