Fuqia jetëshndërruese e fjalës së
Perëndisë
Pjesa 4
Fjala e Perëndisë është
si pasqyrë
Pasazhi i mësipërm nga letra e Jakobit na tregon edhe që fjala
e Perëndisë është si pasqyrë. Kur
shikojmë para pasqyrës e shohim veten saktësisht ashtu siç jemi. Njeriu që vërtet dëshiron ta shohë veten
ashtu siç është në të vërtetë, ka nevojë thjesht ta lexojë Biblën me
sinqeritet. Kjo gjë na e tregon hapur e
çiltër të vërtetën e thjeshtë. Kjo ka dy
anët e saj, si anën pozitive ashtu edhe atë negative.
Kur
shqyrtojmë jetën si dhe veprimet e personazheve në Bibël, e shohim natyrën
njerëzore të shprehet ashtu sikurse është në jetën e përditshme dhe, për arsye
se nuk ka asgjë të re nën diell, ne shohim edhe vetveten (ose potencialin e
asaj se çfarë mund të jemi apo të bëjmë) në jetën tonë. Në shembujt e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit,
na kujtohen gënjeshtrat dhe mashtrimet tona (Zan. 12:11-13, 26:7,
27:6-41). Në sjelljen e tepruar të Noeut
na kujtohet turpi i dehjes (ose mbase ato raste të dehjes sonë në të kaluarën)
(Zan. 9:20-27). Në rastin kur Davidi
shkeli kurorën shohim potencialin tonë për të kryer imoralitet si dhe kuptojmë pasojat
e tij shkatërruese (2 Sam. kap.11-12). Ne
ndiejmë empati për Elian kur e shohim të dekurajuar dhe të zhytur në mendime
negative (1 Mbr. 19:9-14). Ndërsa
lexojmë Fjalët e Urta, bëhemi të vetëdijshëm për potencialin që ne kemi ta
bëjmë jetën në një mënyrë të tillë që, në të vërtetë, tregon marrëzi.
Këta njerëz (si dhe gjithë
të tjerët jetët dhe veprimet e të cilëve janë regjistruar në fjalën e
Perëndisë) janë të gjithë shembuj që janë regjistruar për të na mësuar dhe
paralajmëruar (Rom. 15:4, 1 Kor. 10:11).
Nga ne pritet që të nxjerrim mësimet e duhura nga gabimet dhe mëkatet e
tyre, me qëllim që të mos biem në të njëjtat gracka si dhe të mos vuajmë të
njëjtat pasoja. Shkrimet na janë dhënë
të na mësojnë, të na bindin, të na ndreqin si dhe të na edukojnë në drejtësi në
atë se si do ta bëjmë jetën përpara Perëndisë dhe se si do të jemi në
marrëdhëniet që kemi më të tjerët (2 Tim. 3:16-17). Herë pas here Shkrimet na kujtojnë se në
natyrën tonë të rënë prej Adamit, gjendet një potencial negativ për mëkate (madje
edhe për mëkate të rënda). Shkrimet na
nxitin që të ecim denjësisht sipas thirrjes sonë në Krisht (Efes. 4:1-3).
Në kontrast më këtë, ne
edhe forcohemi në besim ndërsa shohim se si njerëzit besonin Perëndinë në
situatat sfiduese me të cilat përballeshin dhe se si ai vepronte fuqimisht në favor
të tyre. Gjithashtu ne frymëzohemi të
besojmë që Perëndia mund të bëjë të njëjtat gjëra ose gjëra të ngjashme edhe
për ne sot! Ne lexojmë për mënyrën e
tyre të jetesës, për lutjet e tyre, për besimin e tyre, për ndershmërinë e
tyre, për përkushtimin e tyre, për agjërimet e tyre, për kohët kur e përjetuan
nga afër praninë dhe lavdinë e Perëndisë, si dhe mund të lexojmë se si Perëndia
i mori dhe përdori për të kryer gjëra të mëdha për mbretërinë e tij, e kështu
me radhë.
Kështu
edhe ne si Hana, për shembull, nuk dorëzohemi kur jemi të dekurajuar. Në vend të kësaj, ne ngrihemi dhe e derdhim
zemrën tonë në lutje dhe shohim se si Perëndia na përgjigjet (1 Sam.
1:9-10). Edhe ne si Kalebi i zëmë besë
Zotit se ka për të përmbushur premtimet e tij, dhe shpallim me guxim: “Prandaj ma jep këtë mal...” (Joz.
14:12). Edhe ne, si gruaja shunamite nuk
lejojmë që situata e vështirë të na mundë dhe vijmë me besim tek Zoti për të marrë
shpëtimin (2 Mbr. 4:18-37). Ne shohim
shembujt e shumtë të përkushtimit dhe vendosmërisë, dhe duam të njëjtin bekim
dhe të njëjtat fryte në jetën tonë që këta njerëz përjetuan (Rom. 12:1-3). Sikurse besimtarët e hershëm, edhe ne duam që
Zoti të na përdorë në mënyrë të fuqishme, e kështu me radhë.
Le
ta shohim këtë nga një këndvështrim disi i ndryshëm, ju për vete, çfarë shihni kur
dilni para pasqyrës së fjalës së Perëndisë?
Ose më mirë, tek çfarë zgjidhni të fokusoheni? A fokusoheni tek natyra juaj e vjetër, tek
mëkatet, gabimet dhe dështimet tuaja që ju mbajnë në robëri e nën dënim? Apo e lejoni Zotin të merret me këto gjëra
për t'jua pastruar dhe pastaj fokusoheni te natyra juaj e re në Krisht dhe tek
ajo që Zoti do që ju të bëheni në të? A
e shihni vetveten akoma siç ishit dikur para se të njiheshit me Krishtin, apo e
shihni si atë krijesë të re që Perëndia ju ka bërë në Krisht?
Kur
shohim në pasqyrën e fjalës së Perëndisë, letrat e Dhiatës së Re na kujtojnë
herë pas here se çfarë jemi dhe çfarë jemi bërë në Krisht. Ato na nxitin që ta pranojmë këtë dhe ta përmbushim
potencialin e asaj se çfarë mund të jemi, çfarë mund të bëhemi dhe çfarë mund të
bëjmë për Krishtin. Ne jemi bijtë dhe
bijat e Perëndisë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë me
Krishtin, të mbushur dhe të vajosur me Frymën e Shenjtë, të thirrur që të
ngrihemi, të kapërcejmë çdo pengesë dhe që të arrijmë gjëra të mëdha për mbretërinë
e tij në këtë jetë!
Kur
John G. Lake qëndronte përpara pasqyrës çdo mëngjes ndërsa vishej, ai e kishte
zakon që t’ia kujtonte vetes se tek ky njeri që ai shihte në pasqyrë, Perëndia
banonte. Ai lutej të kishte hirin dhe
fuqinë e duhur që të mos e harronte këtë gjë si dhe që, atë ditë, ta përmbushte
thirrjen e tij në Krisht duke jetuar siç duhej, si bir i Perëndisë.[1]
©
2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.
Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si
dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.
Autori:
Michael A. Brown, Angli.
Redaktuesi:
Holger Dashi, Korçë.
Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga ©
2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip,
përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.
[1] Shihni tek artikulli i
Penney-it “The Habitation of God” në Voice
of Praise (qershor 1998) që gjendet tek
http://hpministries.org/Articles/1998-06%20The%20Habitation%20of%20God.pdf.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.