Pages

03 Fjala: 5 Dritë, zjarr, çekiç dhe ujë

  

Fuqia jetëshndërruese e fjalës së Perëndisë

Pjesa 5

Fjala e Perëndisë është dritë në shtegun tonë

“Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.” (Ps. 119:105)

      Fjala e Perëndisë e sjell dritën e tij në jetën tonë.   Përmes Krishtit i cili është drita e botës, Zoti ka bërë që drita e tij të ndriçojë në mendjen dhe zemrën tonë të errët e të verbër, që ta kemi “dritën e njohurisë së lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 Kor. 4:4-6).  Ai është drita dhe shpëtimi ynë, kështu që ndërsa i qëndrojmë me besnikëri atij, nuk kemi për të ecur kurrë në errësirë frymërore (Ps. 27:1).

      Fjala e Perëndisë është udhërrëfyesi dhe mësuesi ynë.  Përmes kësaj ne marrim dritën e udhërrëfimit dhe urtësisë së tij ndërkohë që ecim me të, në mënyrë që të mund të qëndrojmë në udhën e tij të ngushtë pa rënë në ndonjë grackë të djallit, si edhe të mos dalim prej saj e të përfundojmë në ndonjë rrugë pa krye të të jetuarit në marrëzi dhe gjithë pasojat shkatërruese që kjo shkakton (2 Tim. 2:26).

“Stabilizoji hapat e mi sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.” (Ps. 119:133)

      Përmes fjalës së Perëndisë, ne arrijmë të kuptojmë qartë vullnetin e tij për jetën tonë dhe mësojmë të bëjmë atë që i pëlqen atij.  Vërtet, nëpërmjet fuqisë dhe premtimeve të tij, ne kemi gjithçka që na nevojitet për jetë dhe perëndishmëri (2 Pjetri 1:3).  Kështu, ndërsa përulemi para tij, ndërsa dëgjojmë zërin e urtësisë së tij dhe zbatojmë në praktikë ato që po mësojmë nga fjala e tij, ne gjejmë bekim dhe begatohemi në ato çka bëjmë:

“Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.” (Fj. e U. 3:1-2)


Fjala e Perëndisë është si zjarr

“Fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia…  A nuk është fjala ime si zjarr?” (Jer. 20:9, 23:29)

      Pasi ishte ringjallur, ndërsa ecte me dy dishepuj rrugës për në Emaus, Jezui po u shpjegonte shkrimet atyre.  Ata vunë re që zemrat e tyre po digjeshin përbrenda ndërsa ai fliste me ta:

“Nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?” (Luka 24:32)

      Për arsye se Perëndia vetë është zjarr që përpin, nga kjo rrjedh që, ndërsa Fryma e Shenjtë flet me ne, atëherë zemra jonë ka për t’u ndikuar nga zjarri i pranisë së tij.  Kështu pra, kur Zoti flet me ne përmes fjalës së tij (si dhe kur po dëgjojmë predikime që janë të vajosura me fuqinë e Frymës), fjala e tij vepron si zjarr përbrenda nesh.  Ky zjarr na e ngroh zemrën duke na ngushëlluar dhe forcuar, ai na pastron nga skorjet e mëkatit që kemi përbrenda.


Fjala e Perëndisë është si çekiç

“<<A nuk është fjala ime si zjarri?>>, thotë Zoti, <<dhe si një çekiç që thyen gurin?>>” (Jer. 23:29)

      Gjithashtu, fjala e Perëndisë është si çekiç.  Kur Zoti flet, fjala e tij është mjaftueshëm e fortë për të thyer çfarëdolloj rebelimi, ngurtësimi apo kokëfortësie në jetën tonë si besimtarë, diçka kjo që na e zbut zemrën, duke na bërë të nënshtruar dhe të bindur ndaj Zotit.  Gjithashtu, ajo është mjaftueshëm e fortë, me peshë dhe e fuqishme për të thyer rezistencën dhe fortësinë e sundimit të Satanit si dhe ngurtësimin e zemrave të njerëzve.  Pra, fjala e tij mund të hyjë tek fryma e njerëzve dhe të sjellë efektet e saj jetë ndryshuese:

“Do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.” (Ezek. 36:26)


Fjala e Perëndisë është si ujë

      Një motiv tjetër për të përshkruar fjalën e Perëndisë është uji.  Meqë veprimtaria e Frymës së Shenjtë i ngjet një burimi uji të freskët, kjo do të thotë se kur ai flet me ne përmes fjalës së Perëndisë, fjala e tij do të jetë si ujë për shpirtin tonë të etur (shih tek Gjoni 7:37-39).  Ndërsa kalojmë kohë duke lexuar dhe medituar rreth fjalës, ne freskohemi përbrenda dhe largohet dekurajimi apo rraskapitja që mund të ndiejmë:

“Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur.” (Ps. 107:9)

      Ashtu si me zjarrin, një punë tjetër që uji bën është edhe të pastrojë.  Ndërsa jetojmë në këtë botë, të rrethuar nga gjërat që shohim dhe dëgjojmë përditë, e kemi të pamundur të mos ndikohemi nga të gjitha këto.  Kështu që Perëndia e përdor fjalën e tij për të na pastruar zemrën ndërsa ne e lexojmë dhe meditojmë rreth saj:

“…që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës.” (Efes. 5:26)


© 2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.  Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.

Autori: Michael A. Brown, Angli.

Redaktuesi: Holger Dashi, Korçë.

Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga © 2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip, përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.

 

 

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.