Pages

03 Fjala: 3 Themeli i jetës

 

Fuqia jetëshndërruese e fjalës së Perëndisë

Pjesa 3

Fjala e Perëndisë është themeli mbi të cilin ne ndërtojmë jetën tonë

“Kushdo, pra, që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i bën, do ta krahasoj me një njeri të mençur, që e ka ndërtuar shtëpinë e vet mbi shkëmb.” (Mateu 7:24)

Te Mateu 7:24-27, Jezui e përdori shembullin e mirënjohur të dy njerëzve të cilët po ndërtonin shtëpi: njëri ndërtoi mbi shkëmb, kurse tjetri ndërtoi mbi rërë.  Kur u goditën nga stuhitë e jetës, që të dyja këto shtëpi u vunë në provë.  E para mbeti dhe qëndroi, sepse ishte ndërtuar mbi themel solid, në shkëmb dhe stuhitë nuk mundën ta shkatërronin, kurse e dyta u shkatërrua pikërisht për arsye se themelin e kishte mbi rërë që u fshi lehtë nga faqja e dheut.

Jezui e krahasoi njeriun e mençur që ndërtoi mbi shkëmb me njeriun që e ndërton jetën e vet duke e vënë në zbatim fjalët e tij (d.m.th. ato të Jezuit).  Budallallëku nuk ka të bëjë me faktin se njeriu nuk e njeh fjalën e Perëndisë, por me atë se ai e dëgjon atë (dhe deri diku e njeh atë), mirëpo ai nuk e zbaton atë në praktikë.  Pra, urtësia e vërtetë e njeh fjalën e Perëndisë si dhe e zbaton në praktikë atë.  Vetëm në këtë mënyrë besimi ynë dhe ecja jonë me Zotin nuk kanë për t’u shkatërruar nga stuhitë e jetës ngaqë, duke zbatuar në praktikë mësimet dhe parimet e fjalës së Perëndisë, ne po e ndërtojmë jetën tonë mbi të vetmin themel që mund t’i bëjë ballë forcës dhe trysnisë së stuhive.

Kuptohet vetvetiu nga përvoja e jetës se shtëpia që e ka themelin të dobët ose të shtrembër, do ta ketë të vështirë të qëndrojë dhe se do të jetë e nevojshme që, shpejt a vonë, themeli t’i riparohet.  Edhe pse nuk është diçka e pamundur, prapëseprapë kjo është punë tepër e vështirë, për të cilën kërkohet shumë kohë dhe financa.  Po ashtu, themeli (dhe, për rrjedhojë, vetë shtëpia) nuk do të jetë i sigurt nëse është ndërtuar mbi tokë të butë.  Themeli duhet ndërtuar mbi tokë të fortë e solide, e cila nuk ka për të pasur rënie nën themel, pra duhet ndërtuar mbi shkëmb.

Dhiata e Re përdor disa metafora ndërtimi në lidhje me Jezuin.  Mësimet e tij janë shkëmbi mbi të cilin ndërtohet shtëpia e besimit tonë (Mat. 7:24-27, shih edhe 1 Kor. 3:12-15).  Ai është themeli i vetëm i besimit tonë (1 Kor. 3:11).  Ai është guri i kulmit dhe guri i qoshes (Efes. 2:20, 1 Pjetri 2:6-7), etj.  Kështu, që të mund të ndërtojmë një jetë të krishterë e cila është në gjendje për t’u bërë ballë sfidave të stuhive dhe vërshimeve të jetës, jo vetëm që duhet të ndërtojmë një themel të fortë, por duhet të sigurohemi edhe që këtë themel ta ndërtojmë mbi shtrat shkëmbor, pra mbi personin, punën dhe mësimet e Jezu Krishtit.

Ky motiv i “të ndërtuarit” përdoret edhe në pjesë të tjera të Dhiatës së Re për të përshkruar rritjen e jetës sonë të krishterë.  Për shembull, Perëndia përshkruhet si ai që ka ndërtuar gjithçka (Heb. 3:4).  Si besimtarë ne së bashku jemi quajtur ndërtesa e Perëndisë (1 Kor. 3:9).  Si gurë të gjallë ne ndërtohemi për të qenë një shtëpi frymërore (1 Pjetri 2:5), që të bëhemi tempulli i Perëndisë (2 Kor. 6:16), në të cilin banon Perëndia dhe që është ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve (Efes. 2:19-22).  Punën e tij si apostull dhe mësues Pali e krahasoi me atë të një arkitekti të urtë, apo me atë të një kryemjeshtri ndërtimi.  Ai hodhi themelin e besimit në jetën e besimtarëve dhe më pas do të vinin mësues të tjerë të ndërtonin mbi atë themel (1 Kor. 3:10).

      Kështu, pra, fjala e Perëndisë na nxit që të hedhim themele solide në jetën tonë frymërore duke i ndërtuar këto mbi shkëmbin e zbatimit në praktikë të mësimeve të Krishtit.  Nuk është thjesht të dëgjuarit (apo të lexuarit) dhe për rrjedhojë të diturit e fjalëve të Krishtit ajo që na e ndërton jetën si besimtarë, por është të zbatuarit e tyre në praktikë ajo që faktikisht na e transformon jetën dhe na ndihmon t’u bëjmë ballë sfidave të jetës dhe t’i kapërcejmë ato.  Pra, së pari, duhet të dëgjojmë fjalën e Perëndisë; së dyti, duhet të pranojmë në jetën tonë atë që kemi dëgjuar dhe pastaj, së treti, duhet ta zbatojmë këtë në praktikë.

      Kur Luka tha që besimtarët e hershëm “ishin ngulmues në mësimin e apostujve”, ai nuk po thoshte që këta besimtarë thjesht uleshin dhe dëgjonin rregullisht ato gjëra që mësonin apostujt.  Fjala greke që përkthehet si “ngulmues” do të thotë “të jesh i sinqertë”, “të këmbëngulësh”, “të tregohesh i zellshëm në vazhdim”, ose “t’iu përmbahesh ngushtë”.  Pra, kjo fjalë na sugjeron që këta besimtarë mësuan të zbatonin në praktikë këto mësime për jetën e tyre të përditshme (Vep. 2:42-45).

Po ashtu, mësimet e apostujve nëpër letrat e tyre gjithmonë lidhen me jetën dhe marrëdhëniet tona të përditshme.  Dishepullimi i vërtetë, i lidhur siç duhet dhe në mënyrë praktike me jetën tonë të përditshme si ndjekës të Jezuit, gjendet tek “të qëndruarit” në mësimet e tij apo “të përmbajturit” ndaj tyre (d.m.th. të besuarit dhe të zbatuarit të tyre në praktikë, pra, si një mënyrë jetese):

“Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi.” (Gjoni 8:31)

Gjithashtu edhe Jakobi e thekson nevojën që ne të ngulmojmë në shqyrtimin e fjalës së Perëndisë dhe të zbatojmë në praktikë ato gjëra që kemi kuptuar prej saj, në vend që thjesht të ecim më tej dhe ta harrojmë atë.  Thjesht të dëgjuarit e fjalës së Perëndisë pa bërë asgjë me të në jetën tonë, duke bërë kështu që njohja e fjalës nga ana jonë të ngelet teorike, do të thotë që ne thjesht po mashtrojmë veten.  Gjithsesi, ndërsa mësojmë ta zbatojmë në praktikë fjalën e Perëndisë, atëherë do të jemi të bekuar në ato çka bëjmë:

 “Sepse, nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e vështron fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai vështron veten dhe ikën dhe menjëherë harron si qe.  Ndërsa ai që do të përkulet për të parë në ligjin e përsosur të lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lum në veprimtarinë e vet.” (Jak. 1:22-25)


© 2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.  Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.

Autori: Michael A. Brown, Angli.

Redaktuesi: Holger Dashi, Korçë.

Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga © 2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip, përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.

 

No comments:

Post a Comment

Note: only a member of this blog may post a comment.