Fuqia jetëshndërruese e fjalës së
Perëndisë
Pjesa 7
Mesazhi dhe e vërteta e fjalës së Perëndisë janë
fara e mbjellë në jetën tonë
“Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: fara është fjala e
Perëndisë… Por ato që u mbollën në dhe
të mirë janë ata, të cilët dëgjojnë fjalën, edhe e presin, dhe japin fryt, një
tridhjetë, një gjashtëdhjetë dhe një njëqind.”
(Luka 8:11, Marku 4:20)
Në
shëmbëlltyrën e mbjellësit, Jezui e krahasoi fjalën e Perëndisë me farën. Ky motiv i farës përdoret edhe në disa prej
shëmbëlltyrave të tjera rreth mbretërisë së Perëndisë (shih tek Mateu
kap.13). Fara e fjalës së Perëndisë mund
të mbillet në tokën e zemrës së njerëzve përmes predikimeve, ungjillëzimit, leximit,
mësimdhënies, apo nëpërmjet çfarëdolloj mënyre tjetër komunikimi
njerëzor. Ashtu si fara që përmban jetë
në vetvete fillon të mbijë, të rritet dhe të prodhojë fryt pasi është mbjellë
në tokë, në të njëjtën mënyrë Perëndia synon që fjala e tij, pasi është mbjellë
në jetën tonë, të rritet deri në pjekuri dhe të prodhojë fryte. Mbjellja e shpeshtë me përhapje e farës së
fjalës së tij është mënyra se si Perëndia realizon synimin e tij që të ketë të
korra të bollshme në jetën e njerëzve, zemrat e të cilëve janë të gatshme dhe
të përgatitura ta pranojnë fjalën e tij.
Është
e rëndësishme që ne të bëhemi gjithnjë e më shumë të hapur ndaj fjalës së Perëndisë
në zemrën dhe mendjen tonë. Kjo nuk do të
thotë thjesht që zemra jonë të jetë e hapur ndaj vetë mesazhi i ungjillit, që të
shpëtojmë e të bëhemi besimtarë në fillim.
Do të thotë edhe që, pasi jemi bërë besimtarë, të jemi të hapur ndaj mësimeve
të fjalës së Perëndisë në çdo pjesë të jetës sonë. Fjala e Perëndisë është jetë për ne dhe qëllimi
i saj është që të prodhojë jetë tek ne (Gjoni 6:63). Mirëpo, fakti që jemi bërë besimtarë nuk do të
thotë që me patjetër zemra jonë është e hapur ndaj Perëndisë në çdo pikë të
fjalës së tij. Për shembull, a jemi të gatshëm
që t’i falim ata që na kanë ofenduar, ose që të lutemi me besim për shërim
fizik kur ndonjë besimtar është i sëmurë, apo që të tregohemi bujarë në dhënien
tonë financiare në kishë?
Të
qenët të hapur ndaj fjalës së Perëndisë në tërësinë e saj është diçka që ne duhet
të kujdesemi që të rritet përbrenda nesh ndërsa arrijmë ta njohim atë. Kjo është pjesë e rritjes sonë frymërore si
besimtarë. Në qoftë se jemi të ngurtësuar
në zemër në ndonjë pikë, atëherë sigurisht që do të kemi rezistencë ndaj fjalës
së Perëndisë në po atë pikë. Kjo do të
thotë që fara e fjalës së Perëndisë nuk mund të mbijë tek ne dhe, për rrjedhojë,
ajo nuk mund të japë fryt në jetën tonë.
Për më tepër, Jezui përshkroi disa gjëra të cilat kanë potencialin
të jenë si barëra të këqija në jetën tonë frymërore. Në qoftë se ne si besimtarë nuk tregohemi
mjaft vigjilentë dhe nuk i shkulim këto që nga rrënjët duke i larguar nga jeta
jonë, atëherë këto do ta mbysin fjalën e Perëndisë dhe, kështu, do ta pengojnë
që të mos rritet e të japë fryt tek ne.
Ai përmendi konkretisht shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë,
lakmitë për gjëra të tjera si dhe kënaqësitë e kësaj jete (Mat. 13:22, Marku
4:18, Luka 8:14). Këto janë ato që
pengojnë rritjen, zhvillimin dhe pjekurinë që fara e fjalës së
Perëndisë synohet të arrijë në jetën e besimtarit (Luka 8:14).
Si
pastor, nga përvoja e shumë viteve në shërbesë kam arritur të kuptoj që shumë
besimtarë, edhe pse dëshirojnë që të jenë tokë të mirë për fjalën e Perëndisë,
në fakt nuk i takojnë kategorisë së tokës së mirë, për arsye se nuk janë marrë
me këto barëra të këqija në jetën e tyre.
Në vend të kësaj, ata i takojnë kategorisë së tokës me gjemba e barëra
të këqija. Toka e mirë që mund të
prodhojë fryte të pjekura, është tokë për të cilën është punuar për ta përgatitur
dhe për të cilën është treguar kujdesi i duhur.
Ajo është pluguar dhe i janë hequr si gurët ashtu edhe barërat. Për më tepër, që fara të rritet siç duhet
deri në pjekuri, toka duhet ekspozuar si ndaj diellit ashtu edhe ndaj
shiut. Në kuptimin figurativ, dielli nënkupton
sfidat e jetës, të cilat na japin mundësi të hedhim në praktikë parimet e
fjalës së Perëndisë, dhe shiu nënkupton veprimtarinë e Frymës së Shenjtë në
jetën tonë.
Parimet
kyçe të cilat duhet të praktikojmë në jetën tonë që fjala e Perëndisë të mund të
rritet dhe të prodhojë fryt, janë si më poshtë:
(1) të dëgjuarit e saj;
(2) të pranuarit e saj;
(3) të kuptuarit e saj;
(4) të mbajturit fort pas saj, që të
mos humbasë apo të mos hiqet prej nesh;
(5) të lejuarit e saj që të zërë rrënjë
brenda nesh;
(6) të qëndruarit me ngulm në të;
(7) të hequrit e atyre barërave në
jetën tonë që mund t’ia mbysin rritjen.
Ndaj ne
duhet të sigurohemi që të marrim rregullisht nga shërbesa e mirë e fjalës së
Perëndisë, me qëllim që ajo të hyjë në mendjen dhe zemrën tonë. Duhet të jemi të hapur ndaj saj dhe të mos i
bëjmë rezistencë, duke u afruar ndaj saj me qëndrimin e përulësisë së një nxënësi,
si dhe ta lejojmë atë të mbillet në zemrën tonë (Jak. 1:21). Ndërsa kalojmë kohë duke medituar mbi fjalën
e Perëndisë dhe duke u lutur rreth saj, ne jemi duke e vaditur farën e fjalës së
Perëndisë brenda nesh dhe, për rrjedhojë, arrijmë ta kuptojmë atë më mirë. Në jetën tonë të përditshme ne duhet të
jetojmë me bindje ndaj atyre gjërave që kemi kuptuar prej saj. Gjithashtu, herë pas here duhet të rifreskojmë
të vërtetat të ndryshme nga fjala e Zotit, në mënyrë që mësimet e saj të mbeten
të freskëta në jetën tonë dhe ne të mos braktisim apo harrojmë ato çfarë kemi
mësuar.
Ne duhet të
tregohemi të kujdesshëm që të merremi pikërisht me ato lloj barërash që
përmendi Jezui. Në të kundërt, ato barëra,
që janë kaq të zakonshme në jetën njerëzore, kanë për ta mbytur fjalën brenda
nesh dhe, për rrjedhojë, do të pengojnë edhe pjekjen e fryteve. Kështu pra këto barëra janë:
(1) tendenca jonë për t’u merakosur
për situata të ndryshme, në vend që të mësojmë t’i lutemi Zotit dhe t’ia hedhim
barrën atij (Ps. 55:22, Fil. 4:6-7);
(2) dëshira për kënaqësi, në vend që
në radhë të parë në jetën tonë ta duam Zotin (1 Gjoni 2:15-17);
(3) lakmia për pasuri tokësore e materiale,
në vend që të kërkojmë së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij,
duke besuar se ai ka për të na i plotësuar nevojat që kemi në jetë (Mat.
6:24,33; 1 Tim. 6:6-10).
Vetëm në
këtë mënyrë, fara që është mbjellë tek ne vërtet që mund të mbijë, të rritet
dhe të prodhojë llojin e frytit që Perëndia ka për qëllim që ajo të prodhojë.
Për
më tepër, ashtu si bujku del për të mbjellë farën në tokën e tij, duke besuar që
ajo një ditë do të prodhojë të korra të shumta, edhe ne si besimtarë (dhe
pastorë) gjithmonë duhet të tregohemi të gatshëm për të mbjellë në jetën e njerëzve
mesazhin e ungjillit si dhe të vërtetat e fjalës së Perëndisë. Nëse nuk mbjellim farën (duke e lënë atë, si
të thuash, në qeskë aty në ndonjë raft), nuk kemi për të pasur kurrë të korra
(Fj.e U. 24:30-34). Do të kemi të korra
vetëm nëse është mbjellë fjala e Perëndisë.
Në qoftë se bujku nuk tregohet i gatshëm për të investuar me durim orë të
tëra duke pluguar tokën djerrë dhe pastaj të mbjellë farën e të kujdeset për
rritjen e saj, ai nuk mund të ketë të korra më vonë. Kurse, po të ngulmojmë e të vazhdojmë me
durim të mbjellim farën e Zotit, atëherë është e sigurt që një ditë, herët a
vonë, kemi për të pasur edhe të korra:
“Le të mos ligështohemi duke bërë të
mirën, sepse, po të mos ligështohemi, do të korrim në kohën e vet.” (Gal. 6:9)
Ne
gjithmonë duhet të inkurajojmë besimin dhe pritjet tona me premtimin e Perëndisë
se fjala e tij kurrë nuk ka t’iu kthyer bosh.
Duke prodhuar fryte ajo do t’ia arrijë qëllimit për të cilën është
dërguar (Isa. 55:10-11).
©
2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.
Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si
dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.
Autori:
Michael A. Brown, Angli.
Redaktuesi:
Holger Dashi, Korçë.
Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga ©
2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip,
përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.