Fuqia jetëshndërruese e fjalës së
Perëndisë
Pjesa 11
Rëndësia dhe fuqia e meditimit rreth fjalës së
Perëndisë
Meditimi i qetë dhe i shpeshtë rreth fjalës
së Perëndisë dhe në prezencën e tij është një disiplinë frymërore e fuqishme që
na ndihmon ta forcojmë besimin tonë si dhe të përvetësojmë efektet jetëdhënëse
të fjalës së tij. Ndërsa lexojmë fjalën
e Perëndisë, është e rëndësishme që ne të reflektojmë me kujdes dhe të
meditojmë rreth asaj që po lexojmë, në vend që ta lexojmë thjesht siç mund të
bëjmë me ndonjë libër tjetër.
Perëndia
ia theksoi Jozueut lidhjen midis meditimit rreth fjalës së tij dhe bindjes ndaj
saj, në njërën anë, dhe suksesit në arritjen e qëllimit për të cilin Zoti e
kishte thirrur, në anën tjetër:
“Ky libër i ligjit mos u
ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të
veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses
në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.” (Joz. 1:8)
Kështu pra, njeriu që mediton rregullisht ditë e natë rreth
fjalës së Zotit, është ai që ka për të çarë
përpara dhe ka për të qenë i suksesshëm.
Këtë të vërtetë e shprehu edhe psalmisti kur tha:
“…por [ai] gjen kënaqësinë e tij në
ligjin e Zotit dhe mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një dru i mbjellë përgjatë
brigjeve të ujit, që jep frytin e vet në stinën e vet dhe që gjethet nuk i
fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.” (Ps.
1:2-3)
Ndërsa meditojmë rreth fjalës së Perëndisë si dhe
jetojmë në bindje ndaj saj, ne përjetojmë efektet e saj jetëdhënëse brenda nesh. Jeta jonë frymërore vaditet rregullisht si një
pemë pranë ujërave dhe, kështu, ne rritemi, qëndrojmë të shëndetshëm, pa u vyshkur
e pa u tharë, japim fruta dhe begatohemi, si edhe përparojmë, si në jetë, ashtu
edhe në qëllimet që Perëndia ka për ne.
Fjala
hebraike që përkthehet me foljen “meditoj” do të thotë “të murmuritësh herë pas
here”, në kuptimin që të mendohemi për diçka.
Ndërsa zhvillojmë zakonin personal të të menduarit me kujdes dhe të
luturit rreth asaj që po lexojmë në fjalën e Perëndisë, ne po e lejojmë atë të depërtojë
thellë në mendjen dhe zemrën tonë. Në
vend që thjesht ta lexojmë në mënyrë të përciptë dhe pastaj ta harrojmë atë që
kemi lexuar, ne arrijmë ta kuptojmë atë dhe, kështu, mund ta kemi të qartë se
çfarë po na thotë Zoti përmes saj (Jak. 1:23-25).
Ndërkohë fokusohemi në këtë mënyrë në fjalën e gjallë
dhe vepruese të Perëndisë, si dhe ndërsa i kushtojmë asaj vëmendjen tonë të
plotë e të pashpërndarë, ajo fillon të zërë rrënjë dhe të qëndrojë përbrenda
nesh. Për rrjedhojë, fuqia e saj jetëdhënëse
fillon të ketë ndikim dhe sjellë transformim në gjithë qenien tonë. Ajo i jep zbulesë frymës sonë dhe ndriçim
mendjes sonë. Ajo na forcon besimin dhe ne
shohim si Perëndia u përgjigjet lutjeve tona (Heb. 4:12, Rom. 10:17, Gjoni
15:7).
Njeriu i cili del i suksesshëm dhe çan përpara me bekimin e Perëndisë, është besimtari që e do Zotin, që kënaqet dhe gjen gëzim ne fjalën e tij, që gjen kohën e duhur të meditojë rregullisht rreth saj, dhe që pastaj jeton me bindje ndaj saj duke vënë në jetë ato që ka arritur të kuptojë prej saj.
©
2026 Të drejtat e autorit janë të rezervuara.
Jepet lejë që lexuesit ta përdorin këtë shkrim për studim personal si
dhe për të zhvilluar seri mësimesh/predikimesh/studimesh.
Autori:
Michael A. Brown, Angli.
Redaktuesi:
Holger Dashi, Korçë.
Vargjet që janë të cituara më sipër janë marrë nga ©
2009 Bibla e Studimit “The New Thompson Chain Reference Bible” në shqip,
përfshirë përkuesin biblik: Shoqëria Biblike Shqiptare (ABS), Tiranë.
No comments:
Post a Comment
Note: only a member of this blog may post a comment.